Panama Papers dhe revolucioni i gazetarisë

16 Qershor , 2016 • Kryesoret, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Nga Donika Ahmeti.

Hulumtimi i thellë i realizuar nga një grup prej 378 gazetarësh, nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ), nxori më shesh 11.5 milionë dokumente, të cilat u bënë ankth për shumëkënd dhe po bën bujë në tërë botën. Dolumentet që përmbajnë 2.6 terabajt materiale, janë marrë nga gazeta gjermane gjermane “Süddeutsche Zeitung” në studion ligjore të Mossack Fonseca dhe pastaj u janë shpërndarë ICIJ-së (lidhjes së gazetarëve investigativë në gjithë botën).

Kthesa të tilla ka pasur edhe kohë më parë, ndër to janë zbulimi i informacioneve nga departmenti amerikan, që e bëri portali Wikileaks i Xhulian Asanzhit apo bërja publike e materialeve të CIA-s nga Eduard Snoudeni. Por, këto raste kishin hapur diskutime rreth asaj se a e kishte kaluar gazetaria kufirin e saj, që këto dy raste të quheshin “spiunazh”. Kjo ngase, ato dokumente mund të përdoreshin për politika të ndryshme, jashtë interesit publik.

Panama Papers ka diçka të ndryshme nga rastet e lartëpërmendura, pasi ky zbulim revolucionar ua ka shuar ëndrrat atyre që mendonin se gazetat po vdesin. Revolucioni i quajtur “Panama Papers” erdhi si këndellje e gazetarisë në kohën kur shtypi është i ngulfatur nga mediat online.

Rasti “Panama Papers” ka të bëjë me dokumentet që përmbajnë të dhënat financiare offshore (jashtë vendit). Pika kyçe në këtë termin “offshore” është se kompania apo llogaritë bankare mbesin të fshehta, gjë që “peshqit e mëdhenjë” i përdorin për ta bërë pasurinë e tyre të paprekshme apo për shpërlarje parash.

Pra, të përfshirë në këtë hetim janë 214 shoqëri  offshore, 140 persona i përkasin burrshtetasve dhe politikanëve të vendeve të ndryshme. Në mesin e tyre janë 12 krerë shtetesh, listën e të cilëve e printe kryeministri i Islandës, i cili menjëherë pasi doli në shesh top-sekteti dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, gjest të cilin do duhej ta bënin edhe “shokët e tij” të përfshirë në këtë rast.

Në kohën kur bëhet luftë për deklarimin e pasurisë së pesonave publik, në këtë rast politikanëve, llogaria offshore, ua mundëson shmangien nga tatimi.

Se kush janë të gjithë personat/kompanitë që përfshihen në këtë skandal ende nuk është zbuluar tërësisht. Por, vala e madhe e personave të përfshirë  në këtë skandal është nisur pikërisht nga Evropa, prej tyre  një person u eliminua nga lista e skandalit me dorëheqjen e tij, tashmë përfshirjen në këtë çështje e ka pranuar edhe David Camerun. Ka zëra edhe nga Shqipëria se në këtë skandal  janë të përfshirë biznismenë apo kompani të ndryshme (deri tani është zbuluar emri i biznismenit Ismail Mulleti si i përfshirë në skandal) . Por, ende nuk dihet qartë se a do të ketë të përfshirë edhe nga Kosova dhe nëse po, kush do të jenë ata dhe a do t’i bashkohen gjestit të  tanimë ish-kryeministrit të Islandës?

Megjithatë, një mësim e kemi marrë nga tërë ky revolucion dhe ai  është se gazetaria e shkruar në ditët e sotme bënë kthesë dhe në një aspekt mbijeton pothuajse vetëm me anë të gazetarisë hulumtuese. Por, çështja  është se deri në zbulimin në tërësi të detajeve që lidhen me këtë hulumtim, nuk mund të sigurohemi nëse ky hulumtim nuk kishte diçka të ngjashme me atë që bënë Wikiliks dhe të tjerët, për shkak se si shembull mund ta marrim një indikacion: Asnjë amerikan nuk është përfshirë në këtë mega-skandal (së paku deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar) dhe a mund të jetë e tërë kjo e menduar  për t’u përdorur si armë e fortë “nga dikush, kundër dikujt” dhe nëse po,  për çfarë qëllimesh?

Krejt çfarë na mbetet të themi në tërë këtë rrëmujë është se më shumë se kurrë më parë, tani vlen thënia e Umberto Eco “Merrni seriozisht tigrat prej letre!”

Autorja është studente e Gazetarisë në nivelin master në UP.

Burimi: gazetaexpress.com

Tags:, ,

Send this to a friend