Politika luan me median si macja me miun

18 Dhjetor , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Një ndër botuesit e njohur të medias pas viteve 1990, Ylli Rakipi, rrëfen për gazetën “Shekulli” në një intervistë dhënë gazetares Entela Resuli, ndër të tjera se si e sheh zhvillimin e medias dhe gazetarisë sot në Shqipëri.

Zoti Rakipi, pyetja e parë është: Ku jeni? Si është jeta pa gazetën? 

Sigurisht është një mungesë e madhe. Është… si të të mungojë një gjymtyrë. Gazeta është si një gjë e gjallë. Ajo nuk përbëhet vetëm nga njerëzit që kanë punuar apo punojnë aty. Ndonjëherë duke shfletuar faqet e gazetës ndiej të zgjohet brenda meje koha, dita kur ajo është bërë, njerëzit që e kanë bërë, por edhe njerëzit që lëvizin brenda saj. Në këto çaste, ajo vjen dhe bëhet siç thotë një poet “më e nevojshme se mungesa”.

Nxorët një mësim nga përvoja juaj si botues gazete?

Shumë. Ekzistenca dhe rritja e saj ditë pas dite, më mësoi mua të kuptoj se shtypi ishte vërtet një pushtet i rëndësishëm në shoqërinë e re. Më mësoi të kuptoj që kur ekzekutohej keq, sillte vetëm probleme dhe ishte një gjë krejt pa vlerë. Dhe raste të tilla nuk kanë qenë pak. Gjithsesi mendoj që shtypi është ai që ka ecur më mirë se çdo gjë në këto 20-vjet në Shqipëri. I ka shërbyer më mirë kësaj shoqërie. Shqipëria ka sot probleme të panumërta. Probleme të rëndësishme me ndërtimin e shtetit të së drejtës, probleme me korrupsionin etj. Dhe në të gjithë këtë problematikë shtypi ka denoncuar të keqen, ka qene më së shumti një avokat i njerëzve.

Përveç të mirave, cili është problemi më i madh i shtypit sot?

I pashërueshëm mbetet problemi i varësisë. Ndoshta background-i ynë është i tillë që na limiton së tepërmi. Ja për shembull, në vitet ’90, menduam se nisëm një shtyp ndryshe, një shtyp të ri, por nuk është tamam kështu. Ne menduam se rrëzuam dikë dhe erdhëm ne. Jo me idenë e qartë se ndryshuam sistemet. Sot pas 20 vjetësh është evidente një politikë klanore mes politikës dhe medias.

Mund t’i shpëtojë një botues bashkëpunimit me politikën?

Jo! Deri tani nuk ka ndodhur dhe për këtë ka një marrëveshje të të dy palëve, politikës dhe medias. Le të marrim si fillim Televizionin Publik. Politika e ka pronësuar këtë institucion edhe pse ajo është pronësi e taksapaguesit shqiptar. Dhe nuk është vetëm shërbëtor i politikës, por dhe qesharak. Ky televizion ka dy kanale dhe transmeton të njëjtin program. E mora rastin e televizionit publik për të thënë se sa serioze dhe e interesuar është politika, në rastin konkret qeveria, për t’i dhënë hapësirë medias publike. Qesharake! Sidoqoftë problemi më i rëndësishëm është raporti mes medias private dhe politikës. Është një raport totalisht në dëm të publikut të gjerë. Pjesa dërrmuese e botuesve është nën influencën e trafikut të influencave me qeverinë.

Nga ana tjetër kemi një shpërthim të gazetave para fushatës. A i duhen vërtetë politikës ato?

Jo vetëm gazetat. Këto ditë kanë shpërthyer edhe ethet e televizioneve të rinj, që do të merren me marketing politik. Ideja e gabuar se është media që do t’i japë politikës vota, është totalisht korruptive dhe shkatërruese. Dhe në këtë gjë, jo pak faj kanë edhe botuesit.

Ju gjatë kohës që keni drejtuar një media dhe keni qenë botuesi i saj, keni qenë i varur nga politika dhe në momente të caktuara keni bërë kompromise.

Sigurisht që kam qenë i varur. Nuk dua të justifikohem, por në vitet ‘90 media dhe politika ishin gati një. Ishim, si të thuash, si vëllezërit siamezë. Shtypi i majtë ishte i ndarë gati me thikë me shtypin e djathtë. Në fillim unë kam punuar në një gazetë të djathtë, gazeta “Republika” si kryeredaktor. Gazeta ime “Albania” ishte gazetë totalisht djathtas. Gjithsesi nuk mund të themi që shtypi nuk ka pësuar një ndryshim. Sot kemi një të ashtuquajtur pavarësi të botuesve, por jo të mediave që ata bëjnë. Me këtë dua të them që media sot është një armë në duart e botuesve për trafik influencash. Dhe politika duke e ditur këtë, luan me botuesit si macja me miun.

Nëse do të hapnit një gazetë tani, çfarë do të bënit ndryshe?

Shkurt dhe qartë nuk do ta hapja.

Pse?

Sepse vendet janë zënë, pozicionet janë marrë. Në fund të fundit sepse media nuk mund të ekzistojë pa klane, siç e shihni. Si në asnjë vend tjetër në botë këtu ka media edhe me emra të tillë. Këtu të gjithë bërtasin për lirinë, por nuk kanë asnjë lidhje me pavarësinë.

Pse shtiren atëherë?

Sepse nuk e pranojnë sistemin. Ne jemi një vend dhe shoqëri që pretendojmë se po bëjmë demokraci. Por ne kemi 22 vjet që nuk e pranojmë si sistem. Ne kemi 22 vjet që flasim për tregun e lirë, por ne nuk pranojmë garën. Besoj që 22 vjet pas komunizmit e vetmja gjë që është ndërtuar me shpejtësi të jashtëzakonshme është pasuria e politikanëve. E ç’lidhje mund të kemi ne me këtë sistem kur biznesi më i mirë për t’u pasuruar është politika?! A e keni vënë re se, që njeriu të punësohet në administratën publike duhet të jetë patjetër anëtar i një partie të maxhorancës? Ndoshta sivjet edhe këngëtarët për në festival do t’i zgjedhin partitë. Shikoni universitetet private! Shumë më poshtë se universitetet e Hoxhës. Sot ne kemi ndërruar Eqrem Çabej me Metin e Kristalit. Apo jo?! Këtu kryetarët e partive janë pronarë, si ndërmarrje ekonomike. Ata mund të largohen prej tyre vetëm kur të vdesin.

Marrë me shkurtime nga gazeta “Shekulli”, 16.12.2012. Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=11263&kat=104. Titulli i shkrimit në original: “Mijëra njerëz në këtë vend marrin bukën dhe ushqimet me listë

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend