Shtyp i lirë në Islandë? – Too good to be true…

23 Shtator , 2016 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Për një kohë të gjatë, Islanda ishte parë si një shembull i shkëlqyer i lirisë së shtypit. Por a është kjo “too good to be true” (tepër e mirë për të qënë e vertetë)?. E verteta është se kohët e fundit politikanët e vendit janë përpjekur të ushtrojnë influencën e tyre në media. Shembulli i fundit vjen direkt nga kreu, kur Sigmundur David Gunnlaugsson, kryeministër deri para pak kohësh, u përpoq të censurojë një intervistë televizive lidhur me pronësinë e tij në një firmë të huaj në Panama. Kjo përpjekje dështoi, dhe Gunnlaugsson u detyrua të japë dorëheqjen.

Intervista – tashmë e famshme – tregon Gunnlaugsson-in që fillon të belbëzojë kur një gazetar suedez e pyet për kompaninë e huaj, Wintris. Pak më vonë, ai del nga dhoma e intervistës duke i mohuar të gjitha akuzat. Për t’i bërë gjërat më keq, asistenti i Gunnlaugsson më pas telefonoi në kanalin televiziv për të ndaluar transmentimin e intervistës.

Politikanët dhe transmetuesi publik i Islandës

Përpjekja për ndërhyrje e Gunnlaugsson-it nuk është e para nga politikanët islandezë: shumë  anëtarë të parlamentit janë ankuar se RUV, kanali televiziv publik i vendit, është i njëanshëm. Në gusht të vitit 2013, Vigdis Hauksdottir, një nga drejtueset e Partisë Progresive të Gunnlaughsson-it dhe kryetare e Komsionit të Buxhetit Parlamentar, lëshoi një kërcënim drejt RUV. “Mendoj se një sasi jo-normale parash i takon RUV-it. Sidomos kur ata nuk bëjnë një punë më të mirë në raportimin e lajmeve…” tha ajo. Muaj më vonë, në dhjetor 2013, buxheti i RUV, që kontrollohet direkt nga qeveria, u shkurtua me 20%.
Shkurtimi i buxhetit çoi në ankesa nga ana e Unionit Europian të Transmetimeve (EBU) dhe e detyroi RUV t’i shkurtojë programet si dhe të zvogëlojë stafin, duke e çuar rrjetin e rrallë të korrespondentëve të huaj në zero. Transmetuesi publik pret shkurtime të mëtejshme në shërbimin e tij në të ardhmen.
Valgerdur Anna Jóhannsdóttir, profesore e medias në Universitetin e Islandës, thotë se është e sigurt që “kritikat e vazhdueshme të paktën kanë një efekt potencial tek gazetarët”. Ajo shton se në Islandë ka më pak distancë midis politikanëve dhe shërbimit të transmetuesit publik se sa në vendet e tjera nordike.

Kompanitë private të medias: altoparlantë të më të fuqishmit

Shumë nga kompanitë private të medias në Islandë zotërohen apo drejtohen nga politikanë ose figura të fuqishme biznesi dhe mendohet se i shërbejnë interesave të veçanta. Si rezultat, besimi publik për median ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit.

Rivali i përhershëm i RUV është gazeta e përditshme Morgunbladid. E akuzuar shpesh për njëanshmëri nga kritikët, gazeta mund të shihet si një shembull i përgjithshëm i problemeve në shoqërinë e Islandës, dhe veçanërisht në peisazhin e medias. Investitorët e Morgunbladid janë pjesë e industrisë së peshkimit në vend. Ata kanë frikë se një qeveri e orientuar nga reformat mund t’ua kërcënojë pasurinë, duke imponuar sistemin e kuotave. “Kjo rezistencë është evidente në të gjithë artikujt e tyre op-ed,”, thotë Jóhannsdóttir.

Kryeredaktori i gazetës, David Oddsson, është një person shumë i debatuar. Oddsson, anëtar i Independence Party, ishte kryeministër nga viti 1991 deri në vitin 2003, pastaj u bë ministër i jashtëm për një kohë të shkurtër, para se të bëhej drejtori i Bankës Qendrore në 2005. Gjatë kohës së tij si kryeministër, u bë privatizimi i sistemit bankar, në një mënyrë të tillë që hodhi bazat e krizës financiare. Kritikët thonë se puna e tij si drejtori i Bankës Qendrore ishtë ndalimi i shpërthimit të flluskës financiare, por ai dështoi në këtë detyrë.

Oddsson u vu në listën e TIME Magazine “25 njerëzit për t’u fajësuar për krizën financiare”. Është thellësisht problematik fakti se ai u kthye në një nga personalitetet më të fuqishëm të medias në vend pas gjithë asaj që ndodhi. Për vite me rradhë ai e përdori gazetën për të rishkruar historinë. “Versioni i tij i eventeve zinte shumë vend në gazetë,”, thotë Jóhannsdóttir. Oddsson kandidoi për president disa muaj më parë (Qershor 2016) dhe gjatë fushatës, gazeta e drejtuar nga ai dhe mbështetësit e tij u shpërnda falas. Megjthatë, me më pak se 14% të votave, ai u rendit vetëm në vend të katërt në votim.

Besimi në median e Islandës po bie

Sipas një studimi të kryer nga kompania e anketimeve MMR, besimi në median e Islandës ka rënë që nga kriza financiare e vitit 2008. Morgunbladid ka njohur një nga rëniet më të mëdha. Nëse në fund të vitit 2008, 60% e lexuesve të saj deklaronin besimin e tyre tek gazeta, vetëm 40% kishin ende besim në vitin 2014 (të dhëna të mëvonshme nuk janë të disponueshme). RUV humbi 7 përqind, duke rënë nga 77% në 70% në të njejtën periudhë.
Një tjetër lojtar i madh në vend është Grupi i Medias 365 me pronësi private në gazeta, televizione dhe stacione të radios. Ai drejtohet nga Ingibjörg Pálmadóttir. Deri në krizën financiare, Pálmadóttir dhe i shoqi, biznesmeni Jón Ásgeir Jóhannesson, ishin ndër investitorët më të rëndësishëm në Islandë. Jóhannesson kishte aksione në bankën Glitnir dhe i zgjeroi ato nëpërmjet blerjeve të tjera (p.sh. House of Fraser, Karen Millen). Në vitin 2002, Grupi i Medias 365 mori nën kontroll Fréttabladid, një gazetë tabloide e përditshme e cila ka qarkullimin më të lartë në Islandë. Kjo e bëri Jóhannesson njeriun më të fuqishëm të Islandës, sipas profesorit të shkencave politike dhe mik i ngushtë i Oddsson, Hannes Hólmsteinn Gissuarsson.
Nga ana tjetër gazeta tabloide DV, aktualisht zotërohet nga Björn Ingi Hrafnsson, një ish politikan i Partisë Progresive (tashmë në koalicion qeveritar me Independence Party të Oddsson-it).

Veç kompanive të mëdha të medias, nën kontrollin e politikës janë edhe disa media online. Portale si Kjarninn.isStundin.is, dhe Kvennabladid.is operojnë disi më të pavarura sesa mediat e mëdha komerciale. Shtrirja e tyre është më e vogël por megjithatë janë të pranishme jo më pak, sepse përdorimi i Internetit në Islandë është rritur shumë, duke përfshirë edhe njerëzit e moshuar.

Roli i medias së huaj

Intervista për llogaritë në Panama që e detyroi kryeministrin të japë dorëheqjen u realizua për televizionin suedez SVT dhe ishte e bazuar në kërkimet e grupit internacional të Panama Papers. Edhe para se të transmetohej intervista, e shoqja e kryeministrit, Anna Sigurlaug Pálsdóttir, e pranoi ekzistencën e këtyre llogarive jashtë vendit. Megjthatë, kur media e huaj filloi të raportojë ngjarjen, ajo u kthye në një skandal të madh.
Ndërkohë që shtypi i huaj mund të shërbejë si një korrigjues, problem mbetet fakti se shumë shkrime për Islandën të publikuara në media ndërkombëtare janë të sipërfaqshme dhe stereotipike, me raportime  si ai për zëdhënësin e elfëve që mori më shumë klikime se sa shumë raportime investigative. Kjo mund të jetë edhe për shkak të faktit që vetëm disa gazetarë të huaj e njohin Islandën dhe kanë rrjete të fuqishme atje.

Renditja e shtypit

Politikanët e fuqishëm, interesat e biznesit dhe shkurtimet në financimet publike, të gjitha kanë ndihmuar në nxirjen e imazhit të dikurshëm të Islandës. Kështu nuk është befasuese që Islanda renditet poshtë vendeve të tjera Nordike në Renditjen e Lirisë së Shtypit nga Raportuesit pa Kufij. Në kontrast me Danimarkën, Finlandën, Norvegjinë dhe Suedinë, të cilat janë të renditura në krye së bashku me Gjermaninë dhe një numër shtetesh të tjera, Islanda renditet në kategorinë e quajtur vetëm “Kënaqshëm”. SHBA-ja, Afrika e Jugut, Polonia, Rumania dhe Franca ndajnë të njëjtën kategori.
Çdokush që e shikon me vëmendje peisazhin e medias Islandeze mund të pyesë nëse situata është me të vërtetë “e kënaqshme” apo mund të jetë më e komplikuar se sa përshkruhet nga Raportuesit pa Kufij.
Imazhi: screen shot, SVT and Reykjavick Media / Guardian website

Foto: Kristian Ridder-Nielsen

Ky artikull u botuar për here të parë tek faqjq e EJO në gjermanisht 

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend