Ndërsa Evropa përballet me një valë të dytë dhe pret një vaksinë premtuese, Stephan Russ Mohl reflekton se si media ka raportuar për COVID-19 dhe ofron tregues se çfarë mund të kishin bërë më mirë.
Së pari,dua të sqaroj se unë nuk jam teoricien i konspiracionit dhe sigurisht jo i ashtuquajtur “Covidiot” që propagandon se virusi nuk ekziston. Deri më tani, të paktën një mik në rrethin tim është infektuar me virusin. Ai është redaktori i medias ‘Tagesspiegel’, Joachim Huber, i cili publikoi një llogari dramatike dhe të tmerrshme të kësaj përvoje.
Për më tepër, duhet të kemi një admirim të madh për shumë gazetarë që kanë bërë punë të jashtëzakonshme në muajt e kaluar në prodhimin e lajmeve në rrethana të jashtëzakonshme, shpesh nga zyret e tyre të shtëpisë. Kjo është punë me të cilën shumica e publikut gjerman duket se është e kënaqur – sipas sondazhit të fundit të Infratest-Dimap, i cili raporton se besimi në media po rritet edhe një herë, ku dy të tretat e qytetarëve shprehin kënaqësi me mënyrën se si është mbuluar pandemia.
A do të thotë kjo se gjithçka është mirë në botën e medias? Fatkeqësisht jo!
Në muajt e fundit, shkalla në të cilën gazetarët kanë trumbetuar rreth virusit është bërë gjithnjë e më shqetësuese, duke krijuar të ashtuquajturën ‘orkestër e panikut të koronës’. Si një studiues i mediave, unë e vërej me shumë shqetësim këtë frikë të tepruar që drejtohet nga mediat kryesore gjermane – veçanërisht televizioni publik, krahas gazetave cilësore si Süddeutsche Zeitung dhe Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Përderisa teoricienëve të konspiracionit u pëlqen të pretendojnë se qeveritë po kontrollojnë raportimin e mediave, mund të ndodhë që mbingarkesa groteske e medias duke raportuar për koronën,ka krijuar një klimë shqetësimi që e bën izolimin një pashmangshmëri për të gjitha qeveritë demokratike.
Javët kur 75 përqind e raportimeve ishin rreth virusit korona
Sipas ‘Institutit për Kërkime në Media’ në Këln, në muajt mars dhe prill, raportimi për Covid-19 në emisionet kryesore të lajmeve,në transmetuesit e shërbimit publik gjerman ARD dhe ZDF, “Tagesschau” dhe “Heute”, ishte rreth 60 deri 75 përqind.
Duke vëzhguar shtypin zviceran, Mark Eisenegger i Universitetit të Zyrihut paraqiti gjetje të ngjashme, duke theksuar se ishte e rrallë që një temë të shfaqej në mbulimin e lajmeve aq më e dukshme sikurse ishte tema e pandemisë. Në disa ditë në gjysmën e parë të vitit 2020, deri në 70 përqind e të gjithë raportimit në Zvicër ishte rreth virusit.
Për krahasim, përqindja e raportimit mbi debatin për klimën ishte rreth 10 përqind e mbulimit të përgjithshëm të lajmeve një vit më parë. Media Tenor, një institut tjetër kërkimor zviceran i specializuar në analizën e përmbajtjes së medias, kishte deklaruar në mars se mbulimi i koronës nga mediat gjermane ishte shumë më voluminoz sesa raportimi për sulmet e 11 shtatorit 2001.
Një studim nga Dennis Gräf dhe Martin Hennig nga Universiteti i Passau në Gjermani, tërheqë gjithashtu vëmendjen se si media në javët para dhe gjatë gjendjes së ‘tronditjes’ që shoqëroi pandeminë, krijoi një ndjenjë që bota është duke u “ngushtuar” .Studiuesit shqyrtuan raportimet e veçanta mbi koronën nga televizionet ARD dhe ZDF, secila prej të cilave ishin në transmetimin e lajmeve kryesore në prime time, të larguara nga programimi i rregullt. Nga mesi i qershorit kishte pasur 51 raportime të tilla të veçanta nga ARD, dhe, 42 nga ZDF brenda 15 javësh. Kjo krijoi një “normalitet të ri”.
Sipas studiuesve: “Nëse e jashtëzakonshmja shfaqet pothuajse çdo ditë nën një vëmendje të tillë, kjo krijon një zhvendosje të fokusit në mënyrë që të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme shoqërore të zbehen në errësirë.”
Ata zbuluan se, në vitin e kaluar, kishte vetëm 12 programe të tilla speciale të ZDF që mbulonin një mori temash për shkatërrimin e tokës. Kjo është më pak se një e treta e programeve speciale për Covid-19 të transmetuara në dy muaj, nga mesi i marsit deri në mes të korrikut.
Gräf dhe Hennig e karakterizuan tonin e vetë raportimit si “retorikë të krizës hiperbolike”, duke vërejtur sesi kjo përhapë konfuzion për virusin tek lexuesit.
Ekspertët vazhdimisht kishin shprehur dyshime në efikasitetin e përpjekjeve të qeverisë për të zgjidhur problemin. Në të njëjtën kohë, ata dënuan një mungesë të ndërhyrjes së qeverisë ndërsa bëjnë thirrje për udhëzime të qarta. Kjo “retorikë e krizës” e njëanshme është “dyfishuar dhe ekzagjeruar në një nivel vizual” – pretendojnë autorët, ndërsa gjithashtu kujtojnë “botët e rrëfimeve apokaliptike”.
Për më tepër, thirrjet e përditshme të mediave për vëmendje kanë çuar në një ‘breshëri’ të papërmbajtur të statistikave mbi infeksionin e koronës dhe nivelet e vdekjes. Në javët e para të raportimit për Covid-19, numri i vdekjeve që u shkaktuan ekskluzivisht nga virusi mbeti i paqartë. Në Gjermani, kjo tani është sqaruar. Sidoqoftë, këto shifra vazhdojnë të përzihen globalisht – një fakt që shumë gazetarë nuk arrijnë ta vërejnë kur përdorin të dhëna krahasuese.
‘Vizioni i tunelit’ i nxitur nga media
Një nga detyrat më të rëndësishme të një gazetari është të vendosë se çfarë llogaritet si lajm. Perspektiva e sociologut Niklas Luhmann se ne mësojmë atë që dimë për botën nga masmedia është akoma e vlefshme – edhe pse rrjetet sociale dhe ‘dhomat e jehonës’ që ato krijojnë, i kanë shtuar një dimension ekosistemit të lajmeve. Media, e cila tani kontrollohet disi nga algoritmet, po orientohet gjithnjë e më shumë drejtë kërkesave të përdoruesve. Kjo është pikërisht pika në të cilën ekonomia e vëmendjes, e cila formëson shoqërinë, bëhet fatale.
Derisa një vëmendje e tepërt dhe një fokus i njëanshëm gjeneron interes, ajo gjithashtu krijon frikë. Kjo frikë nga ana tjetër rritë kërkesën për lajme mbi virusin, të cilat tani mund të maten në internet në kohë reale. Kjo kërkesë, pra, i bën zyrat e redaksisë t’i përgjigjen saj, duke ngushtuar më tej gamën e temave të mbuluara, në mënyrë të atillë që tema e koronës të dominojë pa u ndalur në titujt kryesorë, duke krijuar kështu një ‘vizion tuneli’ për konsumatorët e mediave, të cilët gjejnë shumë pak gjëra të tjera për të lexuar përveç lajmeve mbi virusin.
Fatkeqësisht, derisa media jepë atë që dëshirojnë përdoruesit, edhe politikanët japin atë që duan votuesit e tyre. Këta të fundit, ‘të zënë’ nga virusi,ka të ngjarë që mund të dëgjojnë pëlqimet e kryeminstrit ‘të vendosur’ të Bavarisë,Markus Söder – i cili kohët e fundit është kritikuar për ‘fermentimin e panikut të koronës’ – sesa të kthehen kah politikanët më të nuancuar dhe pyetës si kryeministri i shtetit të Nordrhein-Westfalen ,Armin Laschet.
Në “Letrën e Bardhë mbi Cilësinë e Informacionit në Gjermani” të botuar së fundmi, për të cilën unë u ftova të kontribuoj, ekonomistja zvicerane Margit Osterloh ka frikë se një ‘virus i autoritetit ‘është përhapur së bashku me virusin Covid-19. Me ‘virus të autoritetit’ ajo nënkupton një rritje të gatishmërisë për të tregtuar liritë e dikujt për mbrojtjen shëndetësore të siguruar nga qeveria.
Përvec kësaj, një çështje tjetër që ka lindur me rritjen e raportimit për Covid-19 është fakti që, ndërsa një grup ekspertësh shfaqen herë pas here para kamerave tona – domethënë, virologë, epidemiologë dhe zëdhënës të shtypit nga institutet kërkimore pranë qeverisë – shumë redaksive u mungojnë gazetarët e shkencës të cilët janë të aftë t’u bëjnë atyre pyetjet e duhura. Mungesa e gazetarëve me përvojë në mjekësi dhe shkenca natyrore, do të thotë që redaksitë nuk mund të sigurojnë që burimet e tyre të informacionit janë të ndryshme dhe të përshtatshme.
Mungesa e transparencës
Ndërkohë, vazhdon të jetë një mungesë transparence në mënyrën se si media i trajton informacionet e saj mbi virusin. Fatkeqësisht, shumë departamente të specializuara që do të merresheni me këto të dhëna janë zvogëluar në madhësi ose janë zhdukur plotësisht për shkak të reduktimeve nëpër redaksi. Gazetarët gjithashtu nuk duan ‘të prishin folenë e tyre’.
Ne nuk duhet të habitemi kur mësojmë se reporterët ishin aq pak të përgatitur për të trajtuar pandeminë sa ishin qeveritë. Gazetarët gjithashtu nuk janë të gatshëm të sigurojnë transparencë për çështje si: nëse raportimi i tyre është ndikuar nga marrëdhëniet me publikun(PR) apo jo, apo edhe nëse janë censuruar – për shembull për të publikuar informacione të disponueshme nga automjetet propagandistike të regjimeve autoritare. Kjo ishte një çështje që ndodhi,kur koronavirusi shpërtheu në Wuhan.
Përderisa teoricienët e konspiracionit duket se besojnë që media kontrollohet në distancë nga qeveria apo edhe Bill Gates, ekziston një shpjegim shumë më i qartë pse raportimi për koronën ka këtë element të vetë-konfirmimit – instinktin e tufës. Kjo është arsyeja pse heronjtë e mi personalë në kohë pandemike janë ekonomistë të sjelljes dhe psikologë socialë që gjurmojnë sjelljen e tufës (kopesë) nëpër kohëra të së panjohurës. Sidomos ata që sqarojnë fenomenin e “Grupmendimit” – në të cilin një grup që përpiqet për konsensus merr vendime irracionale. Ndonëse ne mund ta kuptojmë Grup-mendimin si një sjellje njerëzore, është megjithatë e pafalshme kur bie ndesh me vlerat gazetareske.
Do të jetë e ndërlikuar ta kthejmë këtë ‘anije’ . Ajo që na duhet tani më shumë se kurrë është përulësia përballë paparashikueshmërisë së kësaj pandemie, krahas një ndjenje më të madhe besimi në pjekurinë e qytetarëve për t’iu përmbajtur rekomandimeve të distancës sociale, standardeve të larta të higjienës dhe mbajtjes së maskave. Kjo është më e preferueshme sesa të mbështetemi në kontrollin e shtetit.
Ne gjithashtu kemi nevojë për media që i shmangen krijimit të frikës,si një ‘mjet’ për të rritur klikimet.
********
Përktheu: Liza Sadiku, studente e Departamentit të Gazetarisë, Universiteti i Prishtinës
Një version i shkurtër më i hershëm i këtij shkrimi është botuar në Süddeutsche Zeitung: Das Corona-Panikorchester – Medien – SZ.de (sueddeutsche.de)
Tags:coronavirus, media, paniku, raportimi, teorite e konspiracionit