‘Cheapfakes’, rreziku kryesor nga manipulimi në ditët e sotme

10 Mars , 2021 • Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Zhvillimi i teknologjisë ofron risi të vazhdueshme edhe në fushën e manipulimit dhe të dezinformimit. Kohëve të fundit, çdo herë e më shumë, po diskutohet për një formë të re manipulimi, emri i së cilës është ‘cheapfakes’. Krahas ‘deepfakes’, që është manipulim më i avancuar teknologjik, tanimë, vëmendje më të madhe në mbarë botën ka fituar ‘cheapfakes’, sepse është manipulim më lehtë i realizueshëm, në kuptimin teknologjik.

Pra, ‘cheapfakes’, që ndryshe njihet edhe si ‘shallowfakes’, është manipulim i videos, audios dhe fotografisë. Kjo formë e manipulimit mund të bëhet me programe më të thjeshta kompjuterike, të cilët mundësojnë ndërhyrje në video, audio apo në fotografi. Përzgjedhja e qëllimshme e sekuencave të caktuara të videos bën që të mos tregohet se çfarë është thënë, apo çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por të devijohet realiteti dhe t’u përshtatet atyre që e dëshirojnë deformimin e të vërtetës. Një nga format e ‘Cheapfakes’ është kur ndërhyhet në shpejtësinë e audios, duke e shpejtuar apo ngadalësuar atë, me qëllim që personi i cili flet të paraqitet në një mënyrë të caktuar para publikut. Një manipulim i tillë ishte realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur,  Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ishte paraqitur në një video si e dehur teksa po fliste për Donald Trumpin. Mënyrë tjetër e ‘Cheapfakes’ është dekontekstualizimi i përmbajtjes audiovizive. Një shembull i tillë është manipulimi në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane, kur është ndërhyrë në një përgjigje të kandidatit demokrat për president, Joe Biden, duke e paraqitur Biden-in sikur po e pranonte mashtrimin me vota, që i përshtatej narrativit të Trump-it dhe mbështetësve të tij, të cilët flisnin vazhdimisht për mashtrim me vota në zgjedhjet presidenciale. Kjo video ishte shpërndarë në media sociale nga i biri i Trumpit, Eric Trump, nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany dhe të tjerë. Në fakt, e vërteta është se Biden në atë video flet për orvatjet që të luftohet mashtrimi me vota.

Pra, një mënyrë e lehtë për të prodhuar ‘Cheapfakes’ me pretendime të rreme duke montuar videon duke marrë pjesë nga deklarimet e një politikani dhe duke ua ndërruar renditjen, në mënyrë që të përçohet një mesazh krejt tjetër te publiku. Diçka e tillë ishte prodhuar në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore të 2019-s, kur në një video të nxjerrë nga konteksti ishte paraqitur njëri nga nën-kryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Deklarata e manipuluar e Hazirit ishte kundër kandidates për kryeministre të partisë së tij në ato zgjedhje, Vjosa Osmanit, dhe ajo video ishte thjesht një ‘cheapfake’.

Çdo herë, kur diskutohet për mënyrën se si shoqëria mund të mbrohet nga dezinformimi, përgjigja ndërlidhet me sistemin arsimor dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së edukimit medial në edukimin formal, por pa harruar edhe shtrirjen në edukimin joformal, një tjetër çështje që do të duhej të trajtohej me urgjencë nga qeveria e Kosovës. Shoqëria kosovare duhet ta kuptojë se mbajtja e gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale është vendimtare. Ajo nuk duhet të besojë kaq lehtë në informacionet që i merr nga mediet, sidomos ato në internet. Qytetari i sotëm duhet ta ketë të qartë se në çdo moment mund të ‘sulmohet’ nga një dezinformatë dhe se, në çdo kohë, ai duhet t’i kontrollojë dhe t’i verifikojë informacionet që i merr. Një tjetër element shumë i rëndësishëm në procesin e marrjes së informacionit është mbrojtja e vetvetes nga paragjykimet, sepse, qytetari, shpesh i beson a-priori një informacioni, vetëm për faktin se i pëlqen dhe ia forcon bindjen e tij paraprake për një çështje. Kjo formë e marrjes së informacionit është gjithashtu e rrezikshme, sepse, kësisoj, qytetari mund të bie lehtë pre e manipulimit. Rrjedhimisht,  nuk është aspak e lehtë të sendërtohet mbrojtja gjithëpërfshirëse nga këto manipulime pa pas investuar në edukimin dhe aftësimin e tërë shoqërisë në sferën e edukimit medial.

Publikuar në hive-mind

Send this to a friend