Ka një tendencë të përgjithshme, që gazetarët sa vijnë dhe po marrin rolin e historianëve. Ata jo vetëm raportojnë, por dhe sendërtojnë vazhdimisht historinë përmes mënyrës së tyre të raportimit.
Një rast i mirë për të parë si paraqitet ky fenomen në Shqipëri është vdekja e Ramiz Alisë më 7 tetor 2011, e cila tërhoqi vëmendjen e medias shqiptare dhe të opinionit publik shqiptar. Media përcolli gjerësisht lajmin mbi vdekjen e Alisë, ashtu sikurse u mundua të bënte edhe një zhbirim të figurës së tij dhe rolit që ka luajtur në historinë e vendit. Raportimi mediatik i kësaj ngjarjeje mund të shërbejë si një tentativë për të analizuar debatin publik rreth të kaluarës, raportin e ndërtuar në Shqipëri midis të tashmes dhe të shkuarës, si edhe rolin e medias në ndërtimin e këtij raporti. Duke analizuar artikujt e botuar në tetë gazeta kryesore të përditshme shqiptare gjatë muajit tetor 2011, në të cilat trajtohen vdekja e Alisë si ngjarje dhe ai vetë si individ dhe bartës i pozicioneve politike e shoqërore, dalin në pah disa tendenca të medias shqiptare dhe qasjes ndaj historisë dhe kujtesës së përbashkët mbi të kaluarën.
Pikë së pari, pavendosmëria ose ndrojtja e gazetarëve për të përcaktuar qartë pozicionin e Alisë: Presidenti i Parë pas ndryshimit të regjimit apo Diktatori i Fundit (ose ish-udhëheqësi i fundit komunist). Pothuajse të gjitha gazetat zgjedhin termin “ish-Presidenti i Fundit”. Duke reflektuar dyzimin e elitës politike në lidhje me figurën e Alisë, gazetarët kanë preferuar fillimisht të ruajnë një lloj distance sigurie, duke raportuar botimin e plotë ose të perifrazuar të “deklaratës për shtyp” të familjes Alia, deklaratat e figurave të ndryshme politike në vend, pjesë nga shtypi jashtë vendit apo intervista me historianë të huaj. Kësisoj, gazetarët shmangën pothuaj tërësisht input-in personal në lidhje me ngjarjen. Kështu, lexuesi shqiptar mësoi për ngjarjen dhe mbi Alinë nëpërmjet autoriteteve të tjera publike, politike, diplomatike apo dhe ish-veteranë e të njohur personalë të Alisë, por jo nëpërmjet gazetarëve, të cilët mbetën në rolin e raportuesit (vëzhguesit) neutral.
Së dyti, në këta artikuj bie në sy përshkrimi i detajuar i vdekjes dhe i ceremonisë mortore kundrejt një trajtimi të cekët dhe të përgjithshëm të figurës së Alisë dhe rolit që ai ka luajtur në shoqërinë shqiptare. Ndërsa lexuesi mëson me imtësi mbi ditët e fundit të Alisë, sëmundjen, sjelljen e tij në spital, vdekjen, ceremoninë mortore, kur bëhet fjalë për atë si figurë politike, gjuha e gazetarëve turbullohet dhe mëton kah pasaktësia: “Pavarësisht debatit mbi rolin e tij në shumë ngjarje të kohës së diktaturës dhe të fillimeve të pluralizmit, duket në një farë mënyre, Ramiz Alisë do t’i rezervohet një trajtim prej ish-presidenti” (GSH: 9 tetor). Tendenca mbizotëruese është lënia e gjykimit të Alisë “kohës”, duke e ilustruar këtë me thëniet e politikanëve të sotëm, si Meta p.sh kur deklaron se “nderimin më të mirë (për Alinë) e bën historia” (Mapo 10 tetor), edhe pse “nuk dihet se në ç’rreshta të historisë do të përfundojë” (Metropol, 11 tetor).
Së treti, ajo çka na duket më sipër si neutrale nga ana e gazetarëve, nuk do të thotë detyrimisht neutralitet në përzgjedhjen e citateve apo deklaratave, të cilat e paraqesin Alinë si “human”, “shumë të dashur”, “të sjellshëm”, “të kthjellët”, “optimist”, “pa pretendime” (për kurën, për shtratin etj), dhe “me humor”, përshkrime këto që i gjejmë pothuaj në të gjitha gazetat e marra në shqyrtim. Gazetarët pa e lëshuar pozicionin e vëzhguesit përzgjedhin të citojnë apo intervistojnë figura që shprehen qartazi pro apo kundër Alisë, përzgjedhje kjo që duket e diktuar nga orientimi politik redaksional.
Kështu, gazetat me orientim të majtë i botuan vlerësimet pozitive nëpërmjet “mesazheve të simpatisë” të ardhura nga “miqtë, shokët dhe dashamirësit e shumtë nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera”, të cilat tregonin, siç shkruhej në një artikull, se Alia “ende gëzonte popullaritet të lartë brenda dhe jashtë Shqipërisë” (GSH 14 tetor). Në raste të rralla gjejmë edhe vlerësime të tipit “që (Alia) sigurisht është dhe do të jetë pjesë e historisë së Shqipërisë” (GSH: 11 tetor), apo edhe ekzaltime emocionale si “i paharruar i qoftë emri”.
Së katërti, bie në sy se një prononcim më i qartë (dhe kritik) për figurën dhe rolin e Alisë vjen kryesisht nga gazetat me tirazh të vogël dhe me orientim të djathtë politik. Kështu p.sh. në gazetën “Metropol” shkruhet se Ramiz Alia ishte pasues i Enver Hoxhës, babait të tij shpirtëror, i cili ende kur ishte gjallë e kishte caktuar atë “trashëgimtar të fronit të tij” (Metropol 24 tetor). Në gazetat me tirazh më të madh kritikën e gjejmë tek intervistat, si ajo që i bën “Mapo” Liliana Hoxhës (Mapo: 14 tetor). Gjithsesi, gazetarët nuk i shpëtojnë dot pasigurisë dhe mëdyshjes së tyre duke nxjerrë sërish në pah dyzimin personal dhe atë shoqëror kur pyesin: “…disa figura publike kanë shprehur skepticizmin e tyre ndaj figurës së Alisë. A mos vallë brezat e tanishëm janë shumë konfuzë e të ndikuar për të sqaruar në mënyrë të kthjellët figurën e tij si shtetar dhe dimensionin e tij publik?”. Apo kur e përforcojnë “dyzimin” gazetaresk përmes burimeve jashtë redaksisë: “Ndërkohë, figura të tjera që kanë qenë njëkohësisht anëtarë të PPSH-së dhe më pas të PSSH-së janë shprehur të dyzuar mbi pjesëmarrjen ose jo në ceremoni”; “heshtja dhe njerëzit e paktë, […] tregojnë edhe dyzimin e mjaft shqiptarëve përballë vdekjes së pasardhësit të diktatorit” (Mapo: 10 tetor).
Si përfundim, duke perifrazuar shprehjen “media e rikrijon realitetin” mund të themi se gazetarët shqiptarë e kanë kryer këtë duke e pasqyruar Alinë si një “konspiracionist” të madh, duke nënkuptuar rëndësinë e figurës së tij, siç duket te kjo pyetje e një gazetari: “Mendoni se ish-udhëheqësi Alia ka marrë me vete sekrete të rëndësishme që lidhen me transfuzionin e pushtetit në fillimin e viteve ‘90?” (Mapo: 14 tetor). Në disa raste ka një përpjekje për ta mitizuar figurën e tij duke i dhënë rolin e aktorit vendimtar në ndryshimin e regjimit në Shqipëri qoftë pozitivisht si kur thuhet se “shumë njerëz e pranojnë se, ashtu siç i njihet nga një pjesë merita e lejimit të rrëzimit pa dhunë të diktaturës komuniste dhe pranimit të pluralizmit dhe një tranzicioni të paqtë, Alisë duhet t’i njihet edhe merita e fillimit të reformës në PPSH dhe themelimit të PS-së” (Mapo: 10 tetor); apo disi negativisht si në si në komentin e një gazetareje: “Me vdekjen e tij humbi një ndër arkivat e hapura të viteve komuniste, të krimeve komuniste, një dëshmitar kyç i mënyrës se si u ndërtua ajo makinë vrastare, se si u krijua njeriu i ri, i cili sot, 20 vite që atëkohë, në një proces të thellë metamorfoze, në një përpjekje demoniake për të rilindur nga hiri i tij, jo rrallë i ngjan një Frankeshtajni, një njeriu pak komunist, pak kapitalist, pak amerikanist, pak islamist, pak liberalist dhe konservatorist, pa u definuar ende në një identitet pa ekuivoke” (Shqip: 12 tetor). “Dyzimi” dhe “neutraliteti” në dukje i “Mainstream-it” shqiptar kundrejt përzgjedhjes së termave të përdorur për Ramiz Alinë mund të interpretohet si dyzim i shoqërisë shqiptare në lidhje me të kaluarën komuniste të vendit dhe figurave drejtuese të saj, si pasojë (dhe tregues) i mungesës së ballafaqimit me këtë të shkuar. Kritikat mbi figurën e Alisë vijnë nga “jashtë redaksisë”. Kjo lloj gazetarie “neutrale” e heq përgjegjësinë e gjykimit të drejtuesve komunistë duke e lënë atë në dorën e koncepteve të vagullta si “koha” dhe “historia”.
* Artikulli është një variant i shkurtuar i punimit me të njëjtën temë që u prezantua në Konferencën Shkencore të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit/UT, më 15 nëntor 2012, nga J. Godole dhe S. Danaj.