Seymour Hersh: Si të bëhesh një gazetar investigativ i mirë

30 Gusht , 2015 • Gazetaria e Medias, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Nga Thomas Schmidt.

Seymour Hersh, një prej gazetarëve legjendarë dhe më të nderuar të Amerikës, i  cili është përballur me sulme të ashpra për një shkrim të kohëve të fundit, mblodhi më shumë se dyqind gazetarë nga të gjitha anët e SHBA për t’iu folur për teknikën e tij të raportimit.

Hersh, që shkruan rregullisht për revistën The New Yorker është kritikuar për një shkrim që u botua në London Review of Books muajin e kaluar, në të cilin vihet në dyshim versioni zyrtar i vrasjes së Osama bin Laden. Ai akuzoi administratën e Obamës për mashtrim në lidhje me disa fakte kyçe të këtij operacioni ushtarak.

Si rezultat, një falangë reporterëshish zyrtarësh të qeverisë dhe zëdhënësish të administratës së Obamës  e akuzuan Hersh se kishte krijuar një teori konspirative duke u bazuar në burime të pabesueshme dhe anonime.  Pretendimet e Hersh u mbështetën edhe nga disa  media të tjera, por pavarësisht nga kjo furia e kriticizmit nuk është ndalur ende. Hersh kundërshohet sidomos për përdorimin nga ana e tij të burimeve anonime, por gjithsesi ai është fitues i Çmimit Pulitzer për ekspozimin që i bëri masakrës së My Lai gjatë Luftës së Vietnamit dhe luajti një rol të rëndësishëm për nxjerrjen në dritë të abuzimeve ndaj të burgosurve të kryera nga ushtarët amerikanë në burgun e Abu Ghraib në Irak.

Në konferencën vjetore të IRE (Investigative Reporters and Editors) në Philadelfia, Hersh – me një përmbajtje jo karakteristike – nuk u mor drejtpërdrejt me kritikat ndaj tij. “Mua nuk më pëlqen që të mbroj atë që shkruaj” –tha ai.- “Le ta bëjë koha. Gjithçka do të merret vesh”.

Duke parashtruar qasjen personale ndaj raportimit investigativ, Hersh bëri një prezantim të strategjisë së tij të investigimit.

Ja një përmbledhje e aksiomave të tij:

Gjej burime të vlefshme. “Mendo të gjesh ndonjë të brendshmëm, që është nënçmuar për aftësitë dhe për trurin e tij dhe që gjithashtu nuk ka frikë që të jetë kritik ndaj politikave dhe nuk trembet nga pasojat. Kjo ndodh rrallë. Por kur e gjeni atë, atëhere nis puna juaj. Këtë gjë kam bërë unë. Të tjerë mund të mos e kenë bërë dot. Fat i keq. Unë kam 45 vjet në këtë punë”.  

Mbro burimet e tua. Hersh insiston se disa shkrime investigative mund të bëhen vetëm duke garantuar anonimitetin e burimeve. Ai insiston shumë në mbulimin e gjurmëve që mund të çojnë tek identifikimi i burimeve. “Asgjë në kompjuter”, rekomandon ai.

Ji kritik, por jo cinik. “Mos nënvlerëso pjesën e njerëzve të mirë dhe dashamirës në komunitetin e shërbimeve sekrete apo të ushtrisë. Ata janë njerëz të cilëve nuk iu pëlqen ajo që ndodh, që janë investuar në komunitet dhe të cilëve nuk iu pëlqen mashtrimi.”

Ji i guximshëm dhe besoji gjykimit tënd. “Kam parë shumë shkrime të mira që janë shkruar para kohe. Unë nuk mendoj se nëse ka kundërshti mes A dhe B, roli i medias është që të thotë se ka kundërshti mes A dhe B. Ne duhet të zbulojmë se kush ka të drejtë. Pra duhet të bëjmë një gjykim të çështjes. Dhe kjo nuk është një punë e lehtë”.

Qëndroji kursit tënd. Duke u shfaqur i qetë përballë breshërive të kritikave, Hersh thotë: “Në fund të fundit për mua ka rëndësi e vërteta”.

Përktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri

Tags:,

Send this to a friend