Çfarë po ndodh me median?
Mediat? Një fushë ku do ketë zhvillime të forta në muajt e ardhshëm. Nuk do tu shmangemi dot lajmeve mbi “lajmëtarët”. Ne ndërkohë, le të hedhim një vështrim të shpejtë dhe shumë modest mbi situatën e sotme në median e shkruar dhe atë vizive
Disa ditë më parë, një investitor në media, i futur tashmë në politikë, ishte për vizitë në vilën e një tjetër investitori në media, i lidhur ngushtë me Berishën e rrëzuar në 23 qershor. Armiqtë e dikurshëm kanë gjetur tashmë tema të përbashkëta bisede që ndoshta nuk kanë të bëjnë domosdoshmërisht me median. Sepse edhe këtyre të dyve, pavarësisht etiketës, pak u intereson media si e tillë. Por ata që punojnë në media ndoshta e mendojnë ndryshe këtë punë. Shpresojmë ta mendojnë ndryshe. Zakonisht gazetarët nuk flasin për veten e tyre. Por ka ardhur koha ta bëjnë. Kjo është një temë e gjerë dhe shumë e rëndësishme. Është njëherazi një fushë ku do ketë zhvillime të forta në muajt e ardhshëm. Nuk do tu shmangemi dot lajmeve mbi “lajmëtarët”. Ne ndërkohë, le të hedhim një vështrim të shpejtë dhe shumë modest mbi situatën e sotme në median e shkruar dhe atë vizive.
Gazetat
Pak pas mesit të viteve 90, vetëm gazeta “Koha Jonë”, sot e falimentuar – (prej disa ditësh nuk po del më në treg, dhe askush nuk e ka vënë re këtë mungesë) – arriti të shiste mbi 50 mijë kopje gazetë në ditë. Sot këtë tirazh nuk e kanë të gjitha gazetat mbledhur bashkë (mbi 20 testata). Shumica mashtrojnë me tirazhet dhe shitjet por situata e sotme në vija të përgjithshme është kjo: Të përditshmet DITA dhe Panorama janë dy gazetat e vetme që kanë shitje mbi 10 mijë kopje secila në ditë, gazetat e tjera luhaten nga 3 mijë kopje në ditë në shifra qesharake prej vetëm disa qindra kopjesh në ditë. Por vijojnë të botohen.
Që të mbash në këmbë sot një gazetë duhen paguar gazetarët, shtypshkronja, shitësit, shpërndarësit. Shtypshkronja dhe pagat e gazetarëve janë zëri më i kushtueshëm, me një paradoks të favorizuar nga çmimi i ulët i shitjes: sa më shumë tirazh të kesh, aq më shumë do rriten shpenzimet. Praktikisht, çmimi i shitjes së gazetës mbulon vetëm koston e shtypjes dhe atë të shitje-shpërndarjes në rastin më të mirë. Pagat e administratës, gazetarëve dhe pjesa tjetër e shpenzimeve duhet mbuluar me reklamë. Kjo e fundit ka ardhur duke u pakësuar, ose duke u kanalizuar drejt mediave që dikton pushteti politik. Ku e kompesojnë deficitin e tyre, gropën e zezë të humbjes financiare? Çfarë faktorësh të jashtëm, që nuk lidhen me logjikën e tregut ndikojnë që të mbahet në këmbë një medie e falimentuar? Me këto pyetje kemi dalë te “shtegu”.
Te marrëdhënia politikë-biznes-media. Është një histori jo vetëm shqiptare, por këtu është banalizuar tërësisht. Të shohim nëse do vijojë edhe pas 23 qershorit, por gjasat duken që do ketë viktima të reja në tregun e shtypit dhe në median vizive. Prej muajsh televizionet e vegjël po tentojnë të shiten tek pronarë të rinj, ndërsa gazeta të përditshme dikur të njohura po shkojnë me shpejtësi drejt mbylljes. Pagat e gazetarëve nuk janë dhënë prej muajsh, borxhet në shtypshkronjë kanë kapur majat dhe janë bërë asfiksuese për gjithë zinxhirin e biznesit të prodhimit.
Pagat
Një vit më parë në një gazetë kombëtare, u emërua Drejtori i gazetës me një pagë prej 4 mijë euro. Pas tre muaj punë në krye të gazetës, kopjet e shitura të saj ranë nga 750-copë në 450-copë, ndërsa Drejtori pas tre muajsh pësoi edhe ngritje rroge duke kapur një nivel page prej 5 mijë euro. Pasi ezauroi qëndrimin e tij në këtë gazetë për afro 7 muaj, Drejtori kapi një dritare televizive duke u bërë drejtues emisioni dhe duke vazhduar të përfitojë një pagë të majme. Ishte thjesht një shembull, për të transmetuar idenë se mediet i kemi “high definition” por hierarkinë dhe sistemin e vlerësimit në pjesën dërrmuese mediet e kanë si ish-kooperativat bujqësore dikur, në mos më keq.
Sigurisht që në një strukturë biznesi mediatike ku nuk dominon logjika e tregut goditet automatikisht struktura e meritokracisë mes punonjësve, ndaj dhe i gjithë ky zinxhir nuk mund të mos reflektohet dhe në sistemin e pagave. Sot në tregun e shtypit të shkruar, ka redaksi që ende nuk kanë marrë rrogën e muajit Prill apo Maj, sikundër kemi dhe kolegët e gazetës “Koha Jonë” që i kanë nisur me pushime pa afat dhe nën zë po përflitet mbyllja e kësaj gazete. Por kemi dhe kolegë që deri më tani kanë marrë vetëm gjysmën e pagës së muajit Qershor e kështu me radhë. Sistemi është i karakterizuar edhe nga një diferencë e skajshme në pagesa. Shembull tipik janë sidomos “dinozaurët e investuar politikisht”, drejtorë informacioni apo drejtues emisionesh politike që kanë paga mbi 4 apo 6 mijë euro dhe më shumë në muaj, ndërsa paga mesatare e gazetarëve rreh shifrat e 25 deri 40-55 mijë lekëve në muaj. Në televizione prej më shumë se një dekade është krijuar një kastë e milionerëve qarkullues në media, që janë kryesisht gazetarë të vjetër por qartësisht të atashuar në kampe politike që i investojnë dhe i emërojnë në medie si valvul kontrolli të tërthorta.
Televizionet
Partia Demokratike e Berishës, risolli në Shqipëri në mënyrë identike, modelin “Turbo-Folk” të televizionit shtetëror të Serbisë gjatë udhëheqjes së Millosheviçit. Filozofia ishte e thjeshtë: “Miletit thuaj në lajme dhe emisione politike se sa e mirë është qeveria, thuaj se sa shumë është zhvilluar vendi, vetëm thuaje s’ka rëndësi argumentimi, në fund shto se sa e frikshme do bëhet Shqipëria po të vijë opozita në pushtet. Pas edicionit të lajmeve dhe emisioneve politike ama, kënaqe popullin, jepi spektakle, jepi “high deffinition”, jepi Ezel, që jo vetëm ta besojnë atë që dëgjuan në lajme por edhe ta prekin në ekran. Në këmbim qeveria punon e qetë dhe pa presionin e opinionit publik dhe nga punët e qeverisë pa gjë nuk dalim as ne”. Në lidhje me situatën e televizioneve, në të njëjtin vend duket se fle lepuri: Te politika, te pushteti.
Portalet online
Janë platformat e informimit nëpërmjet internetit. Është një treg i ri, por që në Shqipëri ka prodhuar “mbretëreshën” e parë. Është fjala për portalin “Tema Online” me një numër të lartë klikimesh. Gazetatema.net nisi si një opsion emergjence 4 vite më parë kur Mero Bazes, qeveria e Berishës i hoqi të drejtën për të shtypur normalisht gazetën e tij në print dhe më pas duke e mënjanuar edhe nga hapësira që Baze kishte në “Vizion Plus” me emisionin televiziv “Faktori Plus”. Valenca që kishte Baze ishte tejet e rëndësishme, ai vinte si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës, si njeriu i paradhomës së tij, pasi marrëdhëniet mes tyre u shkatërruan, e plasi lufta, dëshmitë dhe këndvështrimi i Mero Bazes mbi atë çka po bënte qeveria dhe Berisha kishin një rëndësi të dorës së parë. Baze nisi faqen në internet në një garsoniere ku vendosi disa kompjuterë dhe krijoi një staf prej 4-5 personash. Ky portal është shembulli shqiptar se si presioni i hapur dhe arbitrar politik mbi mediet klasike si gazeta apo TV, hapi shtegun e tregut “online” duke transferuar lexuesit apo shikuesit që nuk bindeshin me propogandën qeveritare drejt “Desktop”-it të kompjuterit. Përveç “Temës” ka edhe portale të mediave të tjera kryesore të vendit “Online” të cilat kanë nisur garën e tyre për kapjen e këtij tregu virtual, i cili në botën perëndimore ka nisur të sjellë fitime dhe bilance tejet pozitive nga reklamat, por që në Shqipëri ende ka rrugë të gjatë përpara. E sigurt është se interneti u ka dhënë një shans të artë atyre që duan të bëjnë gazetari dhe të ushqehen me këtë zanat, pavarësisht politikës dhe duke mënjanuar kostot e larta të një gazete print.
Si do të jetë Rama si kryeministër në raport me Berishën lidhur me median?
Duke replikuar me një shkrim të Baton Haxhiut mbi situatën e mediave vizive në Shqipërinë e pas 23 qershorit, botuesi i njohur i gazetës Tema, Mero Baze, ndër të tjera shkruan: “…Klani qysh në fillim ka startuar si një medie servis për politikën, ose më mirë të themi servis për pushtetin. Qysh në vitin 1998 kur startoi, ajo ishte një servis politik i pushtetit dhe krijoi modelin e mbijetesës dhe pastaj pasurimit përmes këtij servisi. Ajo ishte medie besnike e Fatos Nanos deri më 1999, pastaj e Ilir Metës deri më 2002, pastaj sërish e Fatos Nanos deri më 2005 dhe vetëm dy- tre muajt e fundit para fushatës elektorale të 2005 u hapën ndaj opozitës për shkak të konflikteve personale me qeverinë Nano. Pas 2005, ata filluan një histori të re të neveritshme të të qenurit medie të pushtetit. Nën pushtetin e Sali Berishës, Klani nuk ishte vetëm medie pro pushtetit, por dhe një lloj drejtorie politike e shtypit që diktonte dhe persekutimin e mediave të tjera. Nën pushtetin e Berishës ata nuk ishin thjesht një medie pro pushtetit, por një pushtet kundër medies. Ata ishin gestapoja politike e Sali Berishës dhe me kilometra larg të qenit gazetarë. Ata ishin sekserët e bizneseve të mëdha, tenderuesit e rrugëve, ndërtuesit e Bankës Qendrore, shpërndarësit e fshatrave turistikë, ndërtuesit e pallateve 25 katësh, marrësit e pronave në bregdet, tutorët e disa ministrave, përfituesit e miliona eurove nga sponsorizimet shtetërore, etj. Thjesht Klani është një model i pashembullt pushteti kundër medies dhe jo një shembull medie pro pushtetit…”
Berisha krijoi në treg një model mediash të shpërblyera, që kishin luksin të paguanin propagandistë që dilnin në ekrane dhe merrnin miliona euro reklama. Dhe Baze shtron më pas një pyetje të rëndësishme: “Si do të jetë Rama si kryeministër në raport me Berishën lidhur me median?”
Sfida e Edi Ramës si kryeministër është të mos krijojë modelet e Berishës në media, por ta lërë median të lirë. Ta lërë të lirë të vdesë dhe të ringjallet, të falimentojë dhe të ringrihet, të strukturohet dhe të perfeksionohet, se vetëm ashtu do të ketë mundësinë të krijojë një treg real të medies në Shqipëri. Të mos imitojë Sali Berishën që komandonte shtetin me Sandrin, dhe as të mos imitojë vetveten e viteve më parë kur rendte të gjente para dhe reklama për Klanin e viteve 2000, se i duhej për mbështetje. Shqipëria meriton ato media që ia dalin të mbijetojnë duke bërë gazetari dhe duke shitur punën e tyre dhe jo ato që mbijetojnë në treg jo si produkt gazetaresk, por si servis pushteti. Nëse arrin të mbajë distancën e duhur nga media, dhe ta lërë atë të zhvillohet si një pushtet më vete, Edi Rama ka shanse të bëjë një histori të re dhe për median në Shqipëri. Nëse tenton të ngrejë mekanizma rregullatorë dhe të përfshijë sekserët e vet në media, do të dështojë…
Nëse do dhe di të bëjë diçka me mediat, le të provojë të fuqizojë median publike dhe të ç’tensionojë raportet e kësaj medie mercenare talibane me publikun, të cilit i merr taksat dhe i ofron një produkt torturues për çdo qenie të gjallë.
Ç’do ndodh me RTSH-në, ATSH-në, etj?
Radiotelevizioni Shqiptar, RTSH, ishte i vetmi televizion qe kishte Shqiperia ne fillimet e ekonomise se tregut ne Shqiperi ne vitet 90’. Kane kaluar mbi 21 vjet qysh nga ajo kohe…
RTSH ka bere vetem hapa mbrapa. RTSH qe paguhet me taksat dhe mundin e shqiptareve e gjen veten sot si nje parazit qe mbahet prej tyre e vepron kunder tyre duke i sherbyer me zell prej sherbetori e bythelepiresi çdo sundimtari te radhes. Niveli i tij eshte mjeran deri ne peshtirosje. Jo vetem RTSH-ja por edhe ATSH-ja, edhe cdo mjet informacioni publik duhet te kalojne ne konkurence te lire. Nuk ka pse paguan taksapaguesi shqiptar per institucione pa asnje vlere reale . Ato ti nenshtrohen konkurences se lire dhe ligjeve te ekonomise se tregut. Nese mbijetojne urime. Nese nuk mbijetojne udha e mbare pa dhimbje!
Botuar në gazetën Dita, datë 15 gusht 2013