Mediat sociale janë sot një realitet i prekshëm, të cilat kanë shndërruar rrënjësisht mënyrën sesi shoqëritë tona komunikojnë. E zhvilluar me një shpejtësi marramendëse, mediat sociale nuk u lanë kohë të mjaftueshme teoricienëve të përpunonin tezat e tyre për efektet që ajo prodhon, sepse kanë ndodhur tashmë. Kjo ndihet edhe në lëmin e gazetarisë, një fushë që për vetë natyrën e saj do prekej më shpejt dhe më thellë se të tjerat. Ajo që mund të bëjmë ne tani është vetëm një renditje e tyre dhe një reflektim nëse ato kanë ndodhur për mirë apo për keq.
Piramida e Përmbysur: Lajmi i mirë është lajm
Rrjetet sociale janë një lloj gazete e vetvetes. Njeriu aty ndërton profilin e tij nëpërmjet thënieve, të vetat ose të huazuara, vendos foto, informon për ngjarje, ndan me të tjerët gjëra që i kanë bërë përshtypje, në njëfarë mënyrë regjistron jetën e vet. Në një masë dërrmuese, shumica e këtyre lajmeve për veten janë lajme të mira, situata të gëzuara, udhëtime, anekdota, shumë rrallë mund të gjesh lajme të trishtuara me përjashtim të ngjarjeve madhore si humbja e të afërmeve ku muri yt bëhet si pritës ngushëllimesh. Por në shumicën e rasteve rrjetet sociale, sidomos Facebook, janë pasqyra e një shoqërie që mundohet të kapet pas së mirës, pas të bukurës. Çfarë na mëson kjo për gazetarinë? Që njerëzit e duan lajmin e mirë, që jo gjithmonë lajmi i keq është lajm i mirë. Një aksiomë kjo që ka mbizotëruar për dekada manualet e gazetarisë, me supozimin se mbi të keqen ka një konsensus më të madhe se mbi të mirën dhe e keqja tërheq më shumë. Po ja që duam që edhe e mira të nxitet, të flitet për të, të shohim shembuj frymëzues, pasi jeta i ka të dyja, edhe të mirën dhe të keqen. Për shekuj gazetaria është fokusuar te skandalet me shpresën se duke mbajtur presionin mbi atë që nuk shkon, gjërat do të rregullohen. Është fisnike edhe kjo, por me sa duket e kemi tepruar, sepse edicionet tona të lajmeve janë të mbushura vetëm me lajme të këqija, edhe mbi bazën e një supozimi tjetër se lajmet “e mira” janë vetëm propagandë ose marrëdhënie publike të fshehura. Rrjetet sociale na mësojnë se njerëzit kanë interes edhe për to. Ne jemi brezi i ushqyer me kulturen e negativitetit si vlerë e lajmit, ndoshta brezi që po vjen do ta kuptojë që edhe lajmi i mirë është lajm.
Publiku në lajme
Media sociale ka rikthyer vëmendjen e mediave masive te publiku i thjeshtë. Kur ka ngjarje të mëdha, rrjetet sociale janë testi më i mirë se çfarë mendon publiku dhe gazetarët i kanë kthyer sytë drejt kësaj duke krijuar rubrika të posaçme që rreken të kapin thelbin e këtij opinioni publik. Nëse je interesant sa duhet, mund ta gjesh edhe ti veten të publikuar diku. Më parë nuk ndodhte, ose vox pop-et ishin e vetmja mundësi, por shumë e kufizuar. Tani mund të gjesh rubrika të posaçme se çfarë ndodh në rrjet, psh një revistë italiane e ka titulluar “flitet për….” dhe zgjedh postimet më pikante të rrjeteve sociale ku ka akses. Po kështu, emisione të ndryshme televizive kanë si pjesë të tyre edhe pyetjet apo komentet nga publike duke e zgjeruar rrezen e atyre që bëhen pjesë e një debati publik.
Gazetari-përfaqesues i publikut?
Për shumë kohë, miti i gazetarit/es si përfaqësues/ndërmjetës i publikut ia ka ruajtur prestigjin profesionit ndër shekuj duke e kthyer gazetarinë përveçse profesion, edhe në një mision. Me kalimin e kohës, u kuptua se formësimi i mediave në ndërmarrje /operatorë biznesi e bënte të vështirë ruajtjen e këtij miti, duke qenë se gazetarët edhe pse mëtonin t’i shërbenin të vërtetës dhe publikut, e zhvillonin veprimtarinë e tyre brenda sinorëve të mirëpërcaktuara të një biznesi që kishte një pronar, ca interesa, etj. Megjithatë miti vazhdon të gjallojë në komunitetin e gazetarëve, të paktën ende mësohet nëpër shkolla edhe pse realiteti të ofron një pamje tjetër.
Mirëpo kur themi publik, çfarë kemi parasysh? Midis tyre ka nga ata që votojnë për qeverinë në pushtet dhe nga ata që janë në opozitë. Si t’i përfaqësojë gazetari të dy palët?
Edhe në rastin kur e marrim të mirëqenë se gazetari idealist përfaqëson interesat e publikut në kuptim të informacioneve që i duhen qytetarëve për të kuptuar mjedisin ku jetojnë, për të parë ku shkojnë votat dhe taksat e tyre, për të marrë vendime për jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, media sociale ka krijuar një urë për ta shmangur këtë lloj gazetari.
Vëmë re një prirje të politikës për ti shmangur gazetarët në emër të komunikimit direkt me publikun. Kjo lëvizje do të ishte vërtet një risi nëse vërtet publiku do bënte pyetjet që donte dhe jo të porositura nga shtabi i fushatës x apo y. Politikanët thonë se kanë zgjedhur të komunikojnë me publikun kur në fakt vetëm bëjnë monolog. Nuk i përgjigjen pyetjeve me spec, lançojnë nismat e tyre, dhe ndonjëherë edhe bllokojnë apo fshijnë kritikat në adresë të tyre. Ky nuk është komunikim, madje as në rastet kur shkon në takime publike nëse nuk i jep mundësinë njerëzve që t’i dëgjosh dhe t’i përgjigjesh, ja pse duhet gazetari si përfaqësues i publikut, por në kuptimin që thamë më sipër, në kushtet e ndërmarrjeve mediatike kjo nuk është e mundur më. Megjithatë ka një shpresë, të krijuar po nga rrjetet sociale.
Një rol i ri për gazetarin/en freelance (në profesion të lirë)
Gazetarët në profesion të lirë ose freelance kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me mediat që në krye të herës, pasi ndërmarrjet mediatike ishin të vetmet ku mund të shisnin produktet e tyre. Mirëpo duke qenë jo fiks, ata kishin lirinë dhe pavarësinë e nevojshme për të shkruar mbi një ngjarje të caktuar me kohën që nevojitej dhe objektivitetin e duhur. Në këtë kuptim ata ishin gazetarët realisht të pavarur sepse kur nënshkruanin një kontratë për botim, media, televizion apo gazetë e dinte se çfarë kërkonte nga x apo y dhe nuk bëhej fjalë për presion, pra ishte gazetari/ja që vendoste kushtet. Me lindjen e mediave sociale, gazetarët freelance gjetën platformat e ëndërruara ku mund të vendosnin punët e tyre dhe nëse janë mjaft të zotë, të krijojnë edhe mediat e tyre. Në kushtet kur gazetarët e enteve mediatike përfaqësojnë interesat e këtyre te fundit, gazetarët freelance janë të vetmit që mund të rikuperojnë vendin e lënë bosh nëpër debate, sepse përfaqësojnë vetveten dhe nuk kane interesa pronarësh për të mbrojtur. Suksesi i gazetarëve sipërmarrës si Andrew Sullivan, megjithëse i vetëm për momentin, është nxitës në këtë drejtim, po mund të përhapet nëse gazetarët freelance bëhen më shpesh pjese e paneleve debatuese me njerëzit e pushtetshëm. Në rregull, nëse flitet për debate televizive kjo mund të jetë dhe në pikëpyetje sa kohë televizionet mbeten media tradicionale që kanë kontroll mbi politikat editoriale të lajmeve dhe drejtuesit e talk show-ve.
Shpëtoni TV!
Megjithë suksesin e padiskutueshëm dhe përhapjen e madhe, mediat sociale vazhdojnë të konkurrohen fuqishëm nga televizioni, i cili vijon të mbetet mediumi kryesor i konsumimit të informacionit. Unë mendoj se televizioni do të vazhdojë të jetë në garë edhe për një arsye tjetër: ka mbetur i vetmi medium human, ku mund të shohësh në sy tjetrin dhe të ndërveprosh në çast, pa pasur në mes një ekran kompjuteri apo tastierë apo letër. Sado të mira që janë, mediave sociale u mungon kjo përmasë dhe shpesh kritikohet për këtë, pasi distanca me bashkëbiseduesit në rrjet shpesh shërben si një maskë ose parzmore për të folur pa dorashka, edhe duke fyer, edhe duke trimëruar më të dobëtit sa kohë ndërveprimi është virtual. Ndaj në këtë kontekst, vjen të themi: shpëtoni TV.
Botuar në revistën MediaLink, nr.4, 2013