Ligjërimi politik në anët tona, përpara se të jetë i majtë apo i djathtë, madje përpara se të jetë shoqëror, ekonomik, ambientalist etj., është konfliktual. Mediat priren ta theksojnë edhe më këtë tipar, gjë që bëhet më e perceptueshme në rastin e televizionit.
Nuk kemi të bëjmë me një dukuri specifike shqiptare. Në të gjithë botën ligjërimi politik priret të jetë konfliktual dhe televizioni e ka funksion, si të thuash organik, ta nxjerrë edhe më në pah. Ky tipar global jo rrallë mishërohet alla shqiptarçe nga mediat tona.
Konkurrencë vs. konflikt
Parë në rrafsh semantik, politika është e pandarë nga konkurrenca dhe ndeshja. Thënë ndryshe, kuptimet konkurrencë dhe ndeshje janë bërthama kuptimore të fjalës politikë, qoftë kur e përdorim për të emërtuar artin e të qeverisurit, qoftë kur e përdorim në kuptimin strategji dhe taktika për të fituar dhe mbajtur pushtetin. Demokracia nënkupton gjithmonë dy palë, dy aktorë: mazhorancën që synon ta mbajë pushtetin dhe opozitën që bën oponentin dhe konkurron ta marrë. Rrjedhimisht, politika nuk rezulton vetëm art apo praktikë qeverisjeje, por edhe konkurrencë e ndeshje.
Prirjen e politikës që hera-herës të shkojë tej konkurrencës dhe të shndërrohet në konflikt e mishëron më mirë semantika e konceptit kulturë politike. Është ky një koncept i përpunuar në vitet gjashtëdhjetë dhe nënkupton besime, vlera dhe norma për mënyrat sesi duhet organizuar jeta shoqërore dhe ekonomike (Almond & Verba). Klasifikimi më bazik i kulturave politike është mbase ai i Arend Lijphart: konsensuale vs konfliktuale. Realizohet kulturë konsensuale kur palët konkurrojnë për vlera të njëjta, por ndahen sepse propozojnë qasje të ndryshme për mishërimin e tyre. Kemi kulturë konfliktuale kur, në mungesë të vlerave, palët luftojnë thjesht për pushtet. Shoqëria shqiptare jeton sot një krizë të thellë vlerash, ndaj apriori është e prirur nga konfliktualiteti, gjë që do të thotë se alfa dhe omega e konkurrencës politike mbetet pushteti. Situata të kujton atë mokrën folklorike që, në mungesë të drithit të vlerave, vërtitet në të thatë dhe bluan veten.
Që të bindesh se politikanët tanë luftojnë më shumë për pushtet sesa për vlera shoqërore, mjafton të sjellësh ndërmend prirjen ligjërimore që përpiqet të zëvendësojë dihotominë e majtë – e djathtë me komuniste – antikomuniste. Kjo pirje, që gjallërohet sidomos në prag zgjedhjesh, është konfliktuale dhe prapavajtëse.
Rrafshi konceptual i dihotomisë e majtë – e djathtë organizohet mbi paradigmë të tipit: fitim – rishpërndarje, politika tregu – politika sociale, private – publike, barazi – individualizëm etj. Si izotopi e gjithë këtij boshti rezulton: e ardhme, zhvillim. Kurse rrafshi konceptual i dihotomisë komuniste – antikomuniste strukturohet mbi paradigma të tipit: kolaboracionist – antifashist, patriot – tradhtar, sigurimsa – të burgosur, dosje – transparencë etj. Si izotopi e këtij boshti rezulton: e shkuar, konflikt.
Përtej analizave strukturore, zbehja deri në eklipsim e dihotomisë e majtë – e djathtë dhe zëvendësimi i saj nga dihotomia komuniste – antikomuniste shërben si burim ujëplotë konfliktualiteti që vjen nga e kaluara, nga kohët e ndeshjeve ideologjike sa të ashpra, aq edhe gjakatare. Gjallërimi i këtij lloj ligjërimi në prag zgjedhjesh dëshmon më së miri se kemi të bëjmë me strategji ligjërimore për të ndikuar elektoratin jo aq në rrafshin e arsyes, sa në atë të emocioneve.
Në rrafsh etiologjik ky zëvendësim i ka rrënjët në faktin se palët politike nuk kanë shumë dallime programore nga që reformat themelore projektohen nga FMN, Banka Botërore, BE etj. dhe na imponohen në këmbim të integrimit. Me që përgjithësisht mungojnë dallimet në plan programesh, ligjërimet zgjedhore priren të ndërtohen jo mbi të tashmen dhe të ardhmen, por mbi të kaluarën. Madje, duket se kthimi në histori nuk bëhet aq për të vendosur drejtësi e paqe sociale, sa për të yshtur votues e vota, qoftë edhe duke i ndërsyer.
Të mos keqkuptohemi: një shoqëri postdiktatoriale si kjo e jona e ka të nevojshëm ligjërimin komunist – antikomunist. Fjala është që ky të mos mbetet një strategji ligjërimore false dhe, akoma më e rëndësishme: të mos llapashitet në baltërat e përgjakura të së kaluarës, por t’u shërbejë ndërtimit të ekuilibrave shoqërorë për sot e për nesër. Fjala pastaj është që edhe të ruhet një hierarki. Në majë të hierarkisë janë gjithnjë ligjërimet që i kanë sytë nga zhvillimi dhe e ardhmja.
Klientelizëm, maskilizëm etj.
E tepërt ta përsërisim. Ligjërimi politik në vende me demokraci të pjekur ka lidhje organike me konkurrencën dhe ndeshjen. Në vende si Shqipëria priret të jetë thellësisht konfliktual. Mediat dhe sidomos televizioni i theksojnë edhe më këto lidhje. Me që koncepti ligjërim politik televiziv është mjaft i gjerë, në vijim do të merremi vetëm me një zhanër të tij: lajmin.
Lajmi është mbase zhanri më dinjitoz televiziv, por kur është lajm prej vërteti rezulton edhe tejet i kushtueshëm. Duhen mjete financiare dhe energji njerëzore të çosh makineri, pajisje, reporterë etj. që të qëmtojnë në qytet e në fshat, në fushë e në mal ngjarje që prestojnë për t’u bërë lajme. Televizionet që gjallojnë me fitimet e tregut mediatik i sigurojnë burimet financiare kryesisht nga reklamat. Bizneset i porosisin reklamat në proporcion të drejtë me audiencën: sa më shumë shikues, aq më shumë reklama. Është ky një stimul i fshehur që lajmi televiziv të lakmojë shpesh të veçantën, përfshirë këtu edhe konfliktualen. Qarkullon prej kohësh aforizmi që thotë se lajmi është ajo që printohet në anën e pasme të reklamës (J. Fiske).
Në anët tona këto punë i kemi rregulluar alla shqiptarçe. Audiencat sa kanë filluar të studiohen. Televizionet, si rregull, nuk gjallojnë me të ardhurat e tregut mediatik, por me të ardhura që pronarët e tyre i sigurojnë nga biznese të tjera, shpesh mbi baza klienteliste, sipas parimit: bëj një televizion, përdore si kulaç a kërbaç për politikën dhe mil fondet publike. Kuptohet se në raste të tilla reportimi funksionon jo mbi parimin e objektivitetit, por mbi parimin klientelist nxij dhe lustro sipas interesit të pronarit.
Kufizimi i hapësirës së raportimit kryesisht në konferenca rreth bulevardit është një tjetër arsye që i shtyn reporterët tanë të rendin pas deklaratave konfliktuale, qofshin këto edhe përgojime që s’kanë gjë të përbashkët me interesin publik. Në djerrinat e lajmeve të strukturuara mbi deklarata të përditshme e të rëndomta qeveritarësh, politikanësh, ambasadorësh etj. përgojime të tilla ngjajnë ngashënjyese si oazet në shkretëtirë.
Ka studiues që mendojnë se lajmi është kulturë mashkullore. Sipas tyre, ekziston një ndarje tipologjike e audiencës: lajmi i tij, serialet e saj (Hobson, Tulloch, Moran etj.). Me që edhe në këtë fushë kërkesa formëson ofertën, lajmi priret nga ato që i pëlqejnë mashkullit: ndeshja, ashpërsia, konflikti. Në kushtet tona, kur jeta politike është kryesisht sferë e burrave, lajmi priret nga mashkullorja/e ashpra jo vetëm si receptim, por edhe si popullim: hyjnë më lehtë në të politikanët e gjuhës së ashpër. Jo vetëm kaq, por ato të pakta gra politikane që kemi e kanë të sigurt se mund të hyjnë në lajm nëse do flasin për plumb ballit apo varje në palmat e Kryeministrisë.
Mes faktit dhe trillimit
Për nga përmbajtja, zhanret televizive janë të bigëzuara, ndahen prerazi në dy blloqe: informim dhe argëtim. Blloku i parë ka në themel fakte reale, i dyti – trillimin, apo atë që anglezi e quan fiction. Lajmi televiziv i përket bllokut të parë, nuk pranon asnjë lloj trillimi. Por kjo rezulton e vërtetë vetëm në rrafsh mimetik, d.m.th. vetëm në raport me realitetin. Në rrafsh strukturor kufijtë mes faktikes dhe të trilluarës shpesh përzihen. Lajmi jo rrallë huan struktura të tëra nga zhanret artistike. Këto lloj huazimesh nuk janë thjesht forma, por ndikojnë dhe përmbajtjen (L. Hjelmslev). Për ta ilustruar, po shqyrtojmë përdorimin e metaforës në lajme si dhe strukturimin e konfliktit si duel vipash, me që në të dy rastet huazimi rrit konfliktualitetin.
Me që merret me fakte reale, gjuha e lajmit priret të strukturohet në një bosht metonimik, bosht që nxjerr në pah lidhjet logjike të tipit shkak-pasojë, sipërfaqe-thellësi, pjesë-tërësi etj. Por pas një kërkimi fare të përciptë të rezulton se lajmi, sidomos ai politik, jo rrallë flirton me metaforën, që, sipas R. Jakobsonit, është karakteristike për ligjërimin artistik. Kujtojmë p.sh. tituj televizivë të tipit Beteja për Tiranën; Kundërsulmi i Priftit; Monologu i Ramës; Topi e kalon topin në fushën e Berishës; Debati Rama-Fevziu: Barazim në pjesën e parë, fitore e Ramës në të dytën etj. Nëse tituj të tillë i analizon në rrafsh semantik, të rezulton se lufta, sporti dhe teatri janë veprimtaritë tipike që përqasen me politikën. Që të tria kanë në themel ndeshjen, konfliktin.
Strukturimi i konfliktit politik jo si ndeshje programesh, alternativash etj., por si duel personash e afron lajmin me krijimtarinë artistike, veçanërisht me konvencionet e realizmit kritik. Reporterët tanë bëjnë edhe një hap më tej: jo rrallë duelet e liderve i paraqesin si beleg folklorik. Kujtojmë p.sh. raportime fushatash elektorale ku Berisha, megjithëse ka përpara banorët militantë të Beratit, i drejtohet liderit të opozitës në trajtë vokative, sikur ta kish përballë me shqyt dhe parzmore: Ti Edvin Rama akuzon pa fakte dhe dëshmon se trillon. Ti akuzon 20 mijë komisionerë… Unë të garantoj ty, se në 8 maj do fitojmë edhe Tiranën edhe Beratin… Ose kujtojmë raportime mbështetur mbi twitterin e Ramës, ku përdoret e njëjta teknikë: Për cilët të varfër e ke fjalën, Sali!…, paçka se presupozohet që autori u drejtohet miqve virtualë dhe jo armikut real.
Situata të tilla edhe mund të legjitimoheshin si ligjërime individuale: liderët duan të ngrenë temperaturën emocionale të mbështetësve, ndaj përdorin këtë trajtë retorike, paçka se arkaike e folklorizante. Por nuk mund të legjitimohen kurrsesi si lajm apo pjesë e lajmit. Raportime të kësaj natyre të kujtojnë personazhet e Shekspirit, që i çmeritin të pranishmit kur ia ngulin sytë zbrazëtisë dhe flasin me fantazma. Vetëm se, të transplantuara nga një tragjedi në një raportim televiziv, marrin trajta komike dhe të shtyjnë të pyesësh: gazetar apo gaztor?
Sipas kumtesës “Ligjërimi politik nën ndikimin e televizionit. Rasti i konfliktualitetit”, prezantuar në konferencën shkencore për komunikimin organizuar nga UET.
Botuar në gazetën MAPO, datë 13 maj 2012