Gazetari që denoncoi FIFA-n

6 Qershor , 2015 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Nga Philip Di Salvo

“Zoti Blatter! A keni marrë ndonjëherë rryshfet?” Ky ishte një moment i tensionuar në marrëdhëniet e hershme mes Andrew Jennings, një gazetari investigativ dhe zyrtarëve të FIFA-s. Jennings e bëri këtë pyetje gjatë një konferenece shtypi të Sepp Blatter menjëherë pas zgjedhjes së tij si President i Fédération Internationale de Football Association (FIFA).  Kjo pyetje kishte një domethënie të veçantë për Jennings: ajo shënoi fillimin e punës së tij investigative për zbulimin e sekreteve dhe të korrupsionit që rrethonte organizatën më të fuqishme të qeverisjes së futbollit ndërkombëtar. Një investigim i cili zgjati pothuajse 15 vjet.

Gazetari investigativ Andrew Jennings është autor i librit “FOUL! The Secret World of FIFA: Bribes, Vote-Rigging and Ticket Scandals” (“Faull! Bota sekrete e FIFA-s: Rryshfete, manipulim votash dhe skandale biletash”) të vitit 2006, i reportazhit “The Beautiful Bung” (“Taposje e mrekullueshme”), i transmetuar nga BBC në të njëjtin vit, dhe i ekspozesë “Omerta: Sepp Blatter’s FIFA Organised Crime Family” (Omerta: Familja e krimit të organizuar të FIFA-s së Sep Blatter”), botuar në vitin 2014. Kjo punë e thellë investigative u realizua falë nuhatjes së Jennings dhe falë burimeve të tij të vyera brenda organizatës që kishte vënë në objektiv.

Në një profil  të Jennings botuar nga Washington Post kohët e fundit tregohen historitë pas kuintave të raportimeve të tij për FIFA-n. Jennings u bazua tek këshillat dhe dokumentet që rrodhën prej një burimi të brendshëm, fill pas konferencës së shtypit të vitit 2002. Dokumentat që provonin korrupsionin e Blatter dhe të FIFA-s e kishin origjinën nga zyrat qëndrore në Zyrih. “Burimi është atje”, thotë Jennings për Washington Post, “dhe vazhdon të jetë akoma”.

Unë i dhashë FBI-së dokumentat kryesore që sollën arrestimin e djeshëm. Do të vijojnë edhe të tjera. Objektivi është Blatter — Andrew Jennings (@AAndrewJennings) 28 Maj 2015

Hetimi i FBI-së që çoi në arrestimin e para pak kohëve, u nxit edhe nga puna e Jennings: Autoritetet amerikane e kontaktuan atë sërish në vitin 2009: “Unë iu dhashë atyre dokumentat që ndikuan në atë që ndodhi”, tha Jennings për Washington Post, “Tani unë thjesht shpresoj të përballoj udhëtimin për në New York dhe që dikush të më ofrojë një qosh ku të shtrihem dhe të gdhihem në një cep redaksie, duke thënë: “Përshëndetje çuna, Ishte një rrugë e gjatë, apo jo”?

Jennings tani është 71 vjeç dhe gjendet në prag të pensionit. Më parë ai kishte investiguar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, krimin e organizuar, qarqet e kontrabandës së drogës dhe korrupsionin në rradhët e policisë. Puna e tij në rastin e FIFA-s u vlerësua edhe nga Guardian kur shkruante për hetimin e FBI kurse raportimet e tij të vitit 2012 në Sunday Times nxitën një hetim tjetër kriminal në SHBA lidhur me organizimin e kampionatit botëror në Katar dhe në Rusi.

Për Jennings kjo është puna e tij e përditshme: “Unë jam një gjahtar dokumentesh. Nëse unë gjej dokumentat tuaja, unë di gjithçka për ju”, thotë ai. “Ky lloj gazetarie bëhet lehtë, ju e dini. Thjesht gjeni tipat e pështirë, të ndotur dhe të korruptuar, dhe kërkoni rreth tyre.  Ju duhet ta bëni këtë gjë. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë. Pjesa më e madhe e medias është komode me ta, Kjo është e gabuar. Mamaja juaj ju ka mësuar se ç’është e gabuar, Dhe ju e dini se ç’është e gabuar. Puna jonë është të investigojmë, të rrëmojmë për dokumenta”, thotë ai për Washington Post.

Historia e Jennings është një rrëfim emblematik i asaj se çmund të bëjë gazetari kur sfidon komoditetin e qetë të shtypit dhe merr vendimin që të investigojë për sekretet dhe ushtrimin e pushtetit të organizatave jo-transparente. Jennings ia arriti të shndërrohet në një katalizator të gazetarisë investigative. Rasti i tij tregon gjithashtu se sa i rëndësishëm është burimi për arritjen e transparencës dhe të ndryshimit, në mjedise ku abuzohet me përgjegjësinë, si në rastin e FIFA-s dhe të zyrtarëve të saj.

Tags:, , ,

Send this to a friend