Deepfake dhe rreziku nga masivizimi i video mashtrimeve

14 Mars , 2024 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Para rreth 6 vjetësh, shkruaja për një ‘virus’ të ri për gazetarinë. Pavarësisht se kanë kaluar disa vite, ende nuk ekziston ‘anti-virusi’, ndërkohë që deepfake ka avancuar, është përsosur dhe hapi i fundit është thjeshtësimi i procesit të prodhimit të këtyre video mashtrimeve. Deri tash, në diskutimet për deepfake, një vend të rendësishëm e zinte nevoja për aftësi të caktuara në përdorim të programeve specifike për të prodhuar deepfake. Zhvillimi i aplikacioneve të reja, të bazuara në inteligjencën artificiale, por më lehtë të përdorshme, po çon në masivizim të prodhimit të deepfake. Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shumë kishte cheapfakes se sa deepfakes dhe arsyeja kryesore ishte në faktin se cheapfakes prodhoheshin lehtë dhe mund t’i bënte secili. Tashmë që kjo po bëhet e mundshme edhe për deepfake, pra, lehtë për t’u prodhuar, nuk duhet shumë persiatje e kalkulime për të thënë se në procese të rëndësishme shoqërore, zgjedhje apo …, deepfake do të jetë rreziku kryesor në botën e informacionit, meç po bëhet manipulim më lehtë i realizueshëm, në kuptimin teknologjik.

Deepfake është një përmbajtje e rreme vizive, e bazuar në inteligjencë artificiale dhe ku mund të paraqitet një person i vërtetë duke thënë ose duke bërë diçka që ai nuk e ka bërë asnjëherë. Në këto vite të ekzistencës së deepfake, ka të tilla të prodhuara për argëtim, të tjera që janë për ndërgjegjësim, por janë edhe rastet kur është synuar manipulimi i shoqërisë nëpërmjet deepfake për motive politike, ekonomike e kështu me radhë.

Deepfake po bëhet çdo herë më e lehtë të prodhohet, çka e bën emergjente ndërgjegjësimin e shoqërisë për këtë fenomen. Shembujt e fundit në rajon, me videon erotike të një vajze, por që me përdorimin e inteligjencës artificiale i ishte vendosur fytyra e moderatores, Luana Vjollca, apo edhe vetë videoja e publikuar nga gazetari, Blendi Fevziu, janë shembujt që tregojnë se, tashmë, të prodhosh një deepfake është shumë më e lehtë se sa para pak vitesh. Nëse zgjerohet thjerrëza e analizës përtej rajonit, atëherë një deepfake viral ishte ai i modeles së famshme, Belle Hadid, ku ajo paraqitej si mbështetëse e veprimeve të Izraelit në luftën ndaj Hamas-it, që ajo s’e kishte thënë. Deepfake i Hadid kishte mbi 28 milionë shikime në X (ish-Twitter). Zhvillimi i teknologjisë dhe i programeve lehtë të përdorshme të bazuara në inteligjencën artificiale, po krijon një tjetër rrezik për të vërtetën. Tashmë, e vërteta është buzë ‘vdekjes’, sepse me rritjen e deepfake në qarkullim, do të jetë gjithmonë e më e vështirë të kuptohet cila është e vërteta. Duke marrë parasysh krizën e besueshmërisë ndaj medieve, gazetaria do të sfidohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt. Mirëpo, e gjithë kjo mund të luftohet më së miri me gazetari profesionale, me gazetari që i përmbahet standardeve profesionale dhe vë në rend të parë, interesin publik. Përndryshe, gazetaria sensacionale dhe e dhënë pas klikimeve vetëm do të ushqejë edhe më shumë mosbesimin ndaj medieve dhe do të shtyjë qytetarët të ndjehen të pasigurt me informacionet që i marrin në media, duke krijuar hapësirë edhe për akterë të tjerë në ambientin informativ. Në këtë situatë gjithmonë përfitojnë ata që u pëlqen të funksionojnë në mjegullë, të përfitojnë me qasje makiaveliste, pa menduar për dëmin që i shkaktohet shoqërisë.

Masivizimi i deepfake si rezultat i zhvillimit të programimit me bazë inteligjencën artificiale hap një kapitull të ri në informim, qoftë për dërguesin, apo pranuesin e informacionit. Ndaj këtij zhvillimi të hovshëm e shumë të rëndësishëm, duhet të bëhen përpjekje që edhe mënyra e verifikimit të jetë një proces më i thjeshtë dhe më i shpejt seç është aktualisht. Aktualisht janë disa programe që ndihmojnë në zbulimin e këtij fenomeni që të bën të jetosh në realitet të rremë, siç janë FakeCatcher e Sentinel, por ende nuk ka të tillë që janë në dispozicion për përdorim nga të gjithë, e pa pagesë. Gjithashtu, është me rëndësi që metodat e detektimit të avancohen, në mënyrë që të mbajnë hapin me progresin e deepfakes, sepse teknologjia që po lehtëson prodhimin e deepfakes po zhvillohet me hapa të shpejt. Aktualisht, këto platforma nuk detektojnë manipulimet në audio, një element i rëndësishëm në manipulimet audiovizive sepse tashmë janë disa raste kur pamja është reale, ndërkaq, zëri është i gjeneruar nga inteligjenca aritificiale.  Mjetet për zbulimin e deepfakes janë të rëndësishme, por gjithashtu duhet angazhim i madh në shoqëri për të ndërgjegjësuar e vetëdijësuar shoqërinë për ekzistencën dhe implikimet e deepfakes në jetën e përditshme. Njohuritë për deepfakes dhe ndërgjegjësimi për këtë fenomen ndihmon shoqëritë të jetë më kritike ndaj çfarëdo video që i ekspozohet.

Tags:

Send this to a friend