Pirateria me filmat e para viteve ’90

29 Nëntor , 2011 • Etika dhe Cilësia • by

Nga Julia Vrapi

Problemi i piraterisë së filmave të prodhuar para viteve 90 nga televizionet private nxjerr në pah nga njëra anë mosrespektimin e të drejtës së autorit dhe nga ana tjetër pafuqinë e organizmave shtetërorë për ta ndryshuar këtë gjendje.

Pirateria televizive nga dita në ditë po gllabëron miliona, ndërkohë që kineastët shqiptarë ngrenë zërin duke kërkuar të ketë sanksione të forta ndaj shkeljes së të drejtës së autorit. Fenomeni i transmetimit pa të drejta ose pirateria televizive mbetet ende i pranishëm dhe nga dita në ditë po korr fitimet e punës së kineastëve shqiptarë ndër vite. Kineastët pohojnë se ligji i së drejtës së autorit nuk zbatohet në vendin tonë, ndërsa ekranet televizive janë mbushur me prodhime pirate. Esat Musliu, drejtor i Forumit të Mbrojtjes së Autorëve  Audiovizualë (FMAA) tregon se sot fenomeni i piraterisë po bën kërdinë në vendin tonë, ndërsa institucionet shtetërore janë të pafuqishme përballë këtij fenomeni.

Vetëm disa ditë më parë, regjisorët shqiptarë kanë kërkuar që televizionet private në vendin tonë apo dhe platforma të ndryshme dixhitale si “Digitalb” “TringTv”, të mos shfaqin më filma shqiptarë të prodhuar para viteve ’90, ku bëjnë pjesë filmat artistikë me metrazh të gjatë, ata me metrazh të shkurtër, dokumentarë dhe filmi i animuar. Drejtori i FMAA, Esat Musliu pohon se sot janë 200 filma artistikë të prodhuar para viteve ’90, ndërsa kontratat shkelen duke shfaqur filma 20 herë më shumë se sa përmban ajo. “Kontrata me “Digitalb” ishte 2 vjeçare dhe për dy projeksione filmi plus riprezat, por kjo është tejkaluar 10-20 fish më shumë se sa përmban kontrata. Edhe platforma “TringTv” ka një kontratë për 190 filma në muaj dhe në vit arrin 2280. Deri më tani ato nuk kanë shlyer detyrimet dhe kjo quhet pirateri, ndërsa dëmi arrin në qindra milion lekë”, pohon Musliu.

Mes televizioneve që janë monitoruar, Esat Musliu rendit edhe kanale të njohur si Top-Channel apo Klan, të cilët nuk paguajnë detyrimet që kanë në kontratë. “TV Klan ka kontratë për 100 filma me QKK më 2009 për TV KlanKosova, por vazhdon ende projeksioni i tyre dhe nuk është rinovuar kontrata, e cila ka mbaruar më 2010. Është emisioni “Histori me zhurmues”, nga janari 2011 që ka lidhur kontratën 6 mujore me AQSHF dhe deri më tani nuk ka paguar asnjë lek, ndërsa emisioni vazhdon. Edhe Top-Channel në spektaklin tij “Portokalli” jep sekuenca nga filmat shqiptarë, ndërkohë që nuk paguan”, pohon Musliu. Sipas drejtorit të FMAA, nëse ekrane që quhen serioze bëjnë pirateri të këtyre përmasave duke shkelur kontratat, edhe më alarmante është gjendja me televizionet lokale, kabllore, apo dhe rishitjet që bëjnë “Digitalb” dhe “TringTv”, kur në kontratë nuk ka rishitje të prodhimeve kinematografike.
Në kërkesën zyrtare të firmosur nga FMAA dhe QKK, bëhet e ditur se operatorët televizivë si Alfa Kabëll, “Digitalb”, RTSH, Star-TV-ABCOM, Top-Channel, TringTv, TvKlan dhe TvOra nuk kanë respektuar kontratat dhe nuk kanë likuiduar detyrimet, duke bërë që humbja e regjisorëve të jetë me qindra milionë lekë. Me anë të kësaj letre drejtuar KKRT, ZSHDA dhe televizioneve, është kërkuar dhe mostransmetimi i prodhimeve të para viteve ’90, ndërsa bëjnë të ditur se ndërprerja e filmave është kërkuar deri në janar të vitit 2012 kur pritet të lidhen kontrata të reja. “KKRT dhe ZSHDA janë institucione paralele dhe për mua ato nuk zbatojnë ligjin. KKRT është institucioni që duhet të ndalojë piraterinë, që duhet të gjobisë, por deri më tani asgjë nuk është bërë dhe pirateria nga dita në ditë po rritet”, pohon drejtori i FMAA. Për të frenuar piraterinë e cila është shumë agresive, FMAA është abonuar pranë një qendre monitorimi që ka licensën përkatëse dhe monitoron të gjithë televizionet që mbulojnë kryeqytetin. Me kontratën që FMAA ka me agjencinë e monitorimit, ata paguajnë rreth 2 milionë lekë të vjetra për çdo vit dhe në çdo muaj marrin monitorimet për këto televizione. Në letrën zyrtare dërguar televizioneve, KKRT dhe ZSHDA, thuhet se nëse operatorët televizivë që kanë transmetuar në mënyrë të paligjshme apo kanë tejkaluar kontratat duhet të paraqiten deri më 31 dhjetor 2011 pranë QKK për të negociuar për shlyerjen e detyrimeve, në të kundërt QKK do t’i drejtohet organeve gjyqësore.

Botuar më 7 Nëntor 2011 në gazetën “Sot”

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend