Studim për komunikimin e shkencës, i realizuar nga një grup kërkuesish në Shqipëri dhe Serbi me mbështetjen e PERFORM
Në një shoqëri të informacionit dhe të bazuar kah dijes, si kjo që ne jetojmë, ku kemi të bëjmë me rrjeta të ndërlidhura digjitale të mundësuara nga teknologjitë e përparuara të informacionit dhe komunikimit, komunikimi i shkencës është bërë gjithmonë edhe më i rëndësishëm. Bazuar në parimet e demokratizimit të shkencës, të shkencës së hapur dhe shkencës së qytetarëve si edhe të mundësuar nga zhvillimet më të fundit teknologjike, komunikimi i shkencës është në përfitim të të gjithë aktorëve si kërkuesit shkencor dhe akademikët, studentët dhe publikun, sektorin publik e privat, shoqërinë civile si edhe mediat.
Ndërkohë që studime të shumta janë realizuar lidhur me komunikimin e shkencës në vendet e zhvilluara, në rastin e Ballkanit Perëndimor këto studime janë më të kufizuara. Për më tepër edhe praktikat më bashkëkohore dhe më të mira të komunikimit të shkencës që burojnë nga sistemet arsimore e shkencore të vendeve si Bashkimi Europian, SHBA-të, Kanadaja etj., janë ende në proces zbatimi dhe përbrendësimi nga sistemi arsimor e shkencor në Shqipëri.
Së fundmi, PERFORM, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, ka mbështetur një grup kërkuesish në Shqipëri dhe Serbi për të realizuar një studim të thelluar lidhur me praktikat më të mira bashkëkohore të komunikimit të shkencës, si edhe gjendjen aktuale të komunikimit të shkencës në Shqipëri dhe Serbi, me qëllim zhvillimin e disa veprimeve konkrete për të përforcuar më tej komunikimin e shkencës në këto vende. Lançimi i plotë i studimit si edhe i rekomandimeve specifike do të bëhet në fillim të vitit 2018 në Tiranë dhe në Beograd për të nxitur më tej vëmendjen dhe ndjeshmërinë e aktorëve ndaj nevojës për të përmirësuar komunikimin e shkencës.
Dr. Blerjana Bino, Universiteti Europian i Tiranës, shprehet për MAPO-n se ky studim është vetëm fillimi i një sërë veprimesh dhe nismash që do të ndërmerren në bashkëpunim me PERFORM, universitetet dhe aktorë të tjerë për të përmirësuar praktikat e komunikimit të shkencës në Shqipëri.
Por si ta kuptojmë komunikimin e shkencës?
Komunikimi i shkencës nënkupton përdorimin e disa instrumenteve si p.sh. aftësitë, mediumet komunikuese, mediat masive apo alternative si edhe aktivitete, në funksion të vendosjes së një dialogu mes komunitetit të shkencës dhe komuniteteve të tjera: publiku i gjerë, sektori privat, qeveria, shoqëria civile. Qëllimi final është që të ketë disa reagime apo përgjigje ndaj shkencës, si: ndërgjegjësim për arritjet shkencore, kënaqësi nga dija për shkencën, interes për shkencën dhe teknologjinë, formësim i opinioneve bazuar në gjetje dhe të dhëna kërkimore-shkencore, si edhe kuptueshmëri më e lartë nga publiku për fenomenet dhe botën që e rrethojnë përmes shkencës.
Si realizohet në praktikë komunikimi i shkencës?
Komunikimi i shkencës ka tri dimensione kryesore: komunikimi mes veti, pra komunikimi brenda komunitetit shkencor dhe në këtë rast merr formën e aktiviteteve shkencore, konferencave, botimeve akademike, artikujt shkencor etj.; komunikimi i shkencës me vendimmarrjen dhe politikëbërjen, në forma si publikimi i dokumenteve të politikave, tryeza të përbashkëta, ngritja e strukturave për qeverisje të bazuar kah evidencave dhe të dhënave shkencore etj.; komunikimi i shkencës te shoqëria e gjerë, pra te publiku. Në të gjitha rastet përdorimi i medieve masive apo të reja dhe alternative është një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e dialogut dhe urave të komunikimit.
Si është në rastin e Shqipërisë lidhja e shkencës me median?
Në rastin e Shqipërisë, sikurse edhe në atë të Serbisë, por edhe sikurse e konfirmon edhe literatura për praktikat e komunikimit të shkencës në vende të tjera, ka një tension mes kërkuesve, shkencëtarëve dhe gazetarëve apo përfaqësuesve të medies. Nga njëra anë shkencëtarët besojnë se gazetarët nuk kanë interes dhe kohë për shkencën, ose edhe kur kanë e thjeshtojnë së tepërmi lajmin shkencor duke ia ulur vlerat dhe shpesh cenuar kuptimin e saktë. Kjo vjen pasi gazetarët mund të mos kenë kapacitetet e duhura për raportimin e lajmit shkencor, ose për shkak se janë të kushtëzuar nga presioni i punës në media. Kështu shkencëtarët hezitojnë të komunikojnë me gazetarët. Nga ana tjetër, gazetarët mendojnë se shkencëtarët nuk dinë të komunikojnë me gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për publikun dhe janë më pak fleksibël në përshtatjen e gjetjeve të tyre shkencore për formate të tjera krahas atyre akademike. Ky paragjykim i dyanshëm megjithatë duket sikur thyhet nga përfshirja gjithmonë e më shumë në media e akademikëve nën statusin e ‘analistit’ apo ‘opinionbërësit’. Megjithatë studimi tregon se kërkuesit apo shkencëtarët stepen edhe më shumë nga ndërveprimi me median për shkak të një lloj ‘frike’ se mos perceptohen si ‘analistë’ apo ‘opinionbërës’, pra preferojnë të qëndrojë komunikimi i shkencës brenda komunitetit shkencor.
Po në lidhje me përdorimin e medieve të reja apo alternative?
Mediat e reja apo alternative të mundësuara edhe nga teknologjia e informacionit e komunikimit ofrojnë hapësira shumë më të aksesueshme për shkencëtarët dhe kërkuesit për të komunikuar gjetjet e tyre. Ndërsa kërkuesit në Shqipëri mund të hasin vështirësi në akses në median masive për shkak të agjendave të tjera prioritare të këtyre të fundit, si p.sh. ajo politike, mediat e reja mund të përdoren nga kërkuesit shumë më lehtësisht. Megjithatë ka nevojë për një kuptueshmëri më të madhe sesi këto media të reja si blogs, Facebook apo Twitter mund të përdoren për të komunikuar gjetjet apo arritjet shkencore. Kështu një nga rekomandimet e studimit është edhe zhvillimi i kapaciteteve të kërkuesve për përdorimin e mediave të reja dhe alternative për të komunikuar shkencën, për të arritur në kohë reale dhe të shpejtë publikun e gjerë. Kjo edhe sipas praktikave me të mira e të testuara në vende të tjera apo nga disa kërkues model sa i takon përdorimit të mediave të reja për të rritur kuptueshmërinë e publikut për shkencën.
Çfarë është Open Science?
Shkenca është në një proces radikal transformimi dhe duke u nisur nga parimi i demokratizimit të shkencës, sot fjala kyçe në komunitetet shkencore si edhe në politikërbërje në Bashkimin Europian e SHBA është Open Science ose shkenca e hapur. Open Science nënkupton një qasje të re ndaj të gjithë procesit shkencor, si edhe përdorimin e teknologjive digjitale, të informacionit dhe komunikimit për shpërndarë dijen dhe për të vendosur dialogu mes shkencëtarëve dhe publikut. Open Science i referohet aksesit të hapur në bazat e të dhënave, aksesit të hapur në publikimet akademike që aktualisht janë më pagesa shumë të larta, kërkimit të hapur dhe shkencës qytetare, rrjetave shkencore etj. Bashkimi Europian është nismëtari i Open ScienceInitiatives dhe studimi rekomandon që Shqipëria dhe aktorët përgatitës duhet të përgatiten për të gjitha mundësitë por edhe detyrimet që vijnë me Open Science.
Çfarë është PERFORM
Studimi u realizua nga një grup kërkuesish në Shqipëri dhe Serbi me mbështetjen e PERFORM, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, i cili po zbatohet në Shqipëri dhe Serbi nga HELVETAS dhe Universiteti i Fribourg si edhe me mentorimin e profesorëve nga Qendra për Studimet e Europës Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri.
Kërkuesit e studimit mbi komunikimin e shkencës
Dr. Blerjana Bino – Kapitulli për Shqipërinë
Dr. Irena Myzeqari – Kapitulli për Shqipërinë
Dr. Aleksandar Pavlović – Kapitulli për Serbinë
Tara Tepavac – Kapitulli për Serbinë
Mentorimi dhe qasja krahasimore
Florian Bieber
Marko Kmezić
Nën përkujdesjen dhe lehtësimin nga stafi i PERFORM
Martin Dietz
Svetlana Kijevcanin
Blerina Fani
Orkidea Xhaferaj
Burimi: http://www.mapo.al/2018/01/mediat-e-reja-ne-sherbim-te-shkences/