Gazetaria e sektorit të sigurisë në Shqipëri

7 Korrik , 2014 • Gazetaria e Medias • by

Dekadën e fundit mund të vërehet një rritje profesionale e gazetarisë në sektorin e sigurisë, dhe një mbulim më i specializuar i këtyre institucioneve (Polici, Ushtria, Gjykatat, Burgjet, Ministritë përkatëse, etj). Kjo sepse me kalimin e viteve mediat kryesore në vend punësuan gazetarë të formuar, ndërkohë që eksperienca dhe njohuritë e kontigjentit të gazetarëve të profilizuar në çështjet e sigurisë u thelluan dhe konsoliduan duke rritur cilësinë e raportimit në këtë sektor.

Dinamika e zhvillimit të medies në tërësi dhe procesi i demokratizimit të institucioneve të sektorit të sigurisë përcakton kushtet e zhvillimit të gazetarisë së sektorit të sigurisë në vendin tonë, që mbetet ende një zhanër i pazhvilluar, dhe me mjaft probleme. Në këtë kornizë, për të përshkruar influencat më të rëndësishme ndaj gazetarisë së sektorit të sigurisë nevojitet të marrim në konsideratë këto fusha kryesore:

–          Korniza ligjore

–          Influencat politike në gazetarinë e sektorit të sigurisë

–          Konteksti ekonomik dhe zhvillimi i medies komerciale

–          Kualifikimi i gazetarëve të sektorit të sigurisë dhe tregu i punës

  1. Korniza ligjore

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (Neni 23), parashikon transparencën e plotë të të gjitha organeve qeverisëse përfshirë edhe sektorin e sigurisë, edhe pse dështon të përcaktojë kushtet e kur ky informacion mund të klasifikohet. Duhet të theksohet se veprimtaria e institucioneve dhe aktorëve të sektorit sigurisë është e ndërlidhur ngushtë me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe si e tillë kërkon një mbulim rigoroz nga media dhe publiku.
“Kodi i Procedurave Administrative” si dhe “Ligji për Informim nga Dokumentet Zyrtare” mundësojnë akses të plotë nga gazetarët dhe publiku në dokument zyrtare të institucioneve të sigurisë në tërësi. Megjithatë ligji paraqet mangësi si në përcaktimin e ‘informacionit zyrtar’ edhe në realizimin e një skeme të qartë përjashtimesh në rastet kur informacioni refuzohet të jepet nga strukturat shtetërore[1].

Krahas kornizës ligjore ekzistuese në vend, Neni 10 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ratifikuar nga Shqipëria, në mënyrë të veçantë mbron të drejtën e fjalës dhe të shtypit si një e drejtë themelore. Shqipëria ka ratifikuar edhe Konventën Europiane për Korrupsionin në vitin 2000 (hyrë në forcë në vitin 2003), duke i njohur punonjësve të administratës të drejtën e mbrojtjes kur zbulojnë rastet korruptive. Megjithatë kjo përqasje nuk gjendet në legjislacionin kombëtar në asnjë nivel të tijin (Kushtetutë; Ligje; Rregullore) duke krijuar mospërputhshmëri me ligjin ndërkombëtar.

Në këtë kontekst një nga problemet kryesore që evidentohet edhe nga OSBE, është mungesa e dispozitave të veçanta që të përcaktojnë me hollësi përjashtimet për të justifikuar mosdhënien e informacionit, si dhe një vlerësim e interesave të qytetarëve, që duhet të merren në konsideratë përpara se një informacion të shpallet ‘sekret’[2].

Pavarësisht se Kushtetuta nuk i referohet informacionit të klasifikuar, korniza ligjore është kompletuar me ligje dhe akte nënligjore për rregullimin e kushteve të informacionit të klasifikuar si: mbledhja dhe administrimi i informacionit të klasifikuar (Ligji Nr. 8839); certifikimi i informacionit të klasifikuar, procedurat e klasifikimit, informacionit sekret në sistemet e komunikimit[3], zhdukja e informacionit sekret[4] apo sekreti industrial[5] etj.

Kujtojme se në vitin 2006, qeveria prezantoi disa ndryshime në “Ligjin për Informacionin e Klasifikuar” që synonin të sinkronizonin legjislacionin vendas me standardet e NATO-s. Megjithatë këto ndryshime u kritikuan nga shoqëria civile se cenonin ndjeshëm aksesin publik në informacionin zyrtar, në veçanti Forcat e Armatosura te Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes.

Institucionet e sigurisë, nën principin e mbrojtjes së interesave publike ose kombëtare, klasifikojnë informacionin sipas nevojave. Institucione të rëndësishme të sigurisë si Policia e Shtetit[6]; Policia Ushtarake dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve[7][8] kanë të drejtë për kufizimin e informimit publik mbi bazën e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor e interesave kombëtare. Por, procesi dhe kushtet e kufizimit të informacionit mbeten evazive dhe të fshehta. Autoriteti i Sigurisë Kombëtare u krijua për të organizuar, drejtuar dhe kontrolluar informacionin e klasifikuar si sekret shtetëror. Drejtori i këtij institucioni caktohet nga kryeministri duke ngritur shqetësimin për mundësinë e influencave politike ndaj këtij organi.

Ndërkohë secili institucion publik i sektorit të sigurisë ka themeluar Komisionin për Analizimin e Informacionit të Klasifikuar për çështje të brendshme. Ky organ rishikon dhe propozon informacionin që duhet klasifikuar si pasojë e rrezikshmërisë qe paraqet për sigurinë publike dhe kombëtare. Ndërkohë brenda secilit institucion të sektorit të sigurisë funksionon “Komisioni i De-Klasifikimit të Informacionit të Klasifikuar” me 5 anëtarë të kryesuar nga drejtuesi i këtij institucioni. Ndërkaq ligji pa hyrë në detaje i njeh Shërbimit Inteligjent Shqiptar të drejtën për të rekomanduar procedura speciale për de-klasifikimin e informacionit[9].

Në maj 2006 Parlamenti miratoi disa ndryshime në ligj për të krijuar një kategori të re të quajtur “informacion i kufizuar”, për informacionin që ekspozimi i paautorizuar mund “…të dëmtojë veprimtarinë normale të shtetit dhe interesat ose efektivitetin e institucioneve shtetërore”.  Një qasje e tillë u kritikua me forcë nga grupet e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare. Në një vëzhgim të kujdesshëm mund të vihet re se dispozitat ligjore për informacionin e klasifikuar janë më superiore se ‘Ligji për të Drejtën e Informimit për Dokumentet Zyrtare’ duke e lënë të drejtën e informimit të kufizohet thjesht nga një ligj tjetër[10].

Ndërkaq  veprimtaria e institucioneve kyçe në sektorin e sigurisë: Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, ndryshe nga çdo institucion tjetër publik, përjashtohen nga detyrimet që rrjedhin nga “Ligji për të Drejtën e Informimit për Dokumentet Zyrtare”, duke lënë kështu një numër paqartësish në lidhje me mbikëqyrjen publike të këtyre organeve qeveritare nga organet e medies.

Në sistemin e transparencës dhe të qeverisjes së hapur së sektorit të sigurisë, mund të merret në konsideratë fakti se Kodi Penal vazhdon të dënojë zbulimin dhe përhapjen e informacionit/dokumenteve që përbëjnë “sekret shtetëror”[11]. Përdorimi i masave ligjore për të penalizuar përhapjen e informacionit fals (dispozitat për lajmet false), nuk është as i ligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, dhe as në favor të parimeve të dhënies së lirë të informacionit dhe të transparencës. Edhe pse dënimet me burg të gazetarëve kanë munguar 10 vitet e fundit ky ligj vazhdon të mbetet një kërcënim i hapur dhe një mjet presioni në duart e pushtetit, ndaj gazetarëve investigativë dhe kritikë.

Një tjetër çështje e debatueshme përsa i përket kornizës ligjore, vërehet në mbulimin e aktivitetit dhe performancës së Kompanive Private të Sigurisë, të cilat edhe pse  kryejnë funksione publike në sektorin e sigurisë, nuk përfshihen në detyrimet që rrjedhin nga “Ligji për të Drejtën e Informimit për Dokumentet Zyrtare” duke  mbetur jashtë fushës së veprimit të ligjit[12] dhe mbulimit mediatik.

  1. Influencat politike në gazetarinë e sektorit të sigurisë

“… Një numër i lartë organesh mediatike i janë dorëzuar influencave dhe varësisë të partive politike, më së shumti të partisë në pushtet. Tashmë media dhe gazetarët e pavarur janë specie në zhdukje…”

 IREX: Media Sustainability Index 2012

Pavarësisht kornizës ligjore dhe mangësive që ajo paraqet, praktikimi i të drejtës për informim nga gazetarët e sektorit të sigurisë mbetet problematik. Edhe pse nga studime të ndryshme vërehet se në vitet e fundit në tërësi ka një përmirësim i aplikimit të ligjit për informim, institucionet e sigurisë mbeten më të mbyllurat ndaj transparencës dhe mbikëqyrjes publike. Kjo edhe si pasojë e kulturës së ulët institucionale të trashëguar të sektorit të sigurisë, si dhe frikës se informacioni i ndarë me gazetarët më tepër se mund të cenojë sigurinë dhe interesat kombëtare, do të ndikonte negativisht në reputacionin e institucionit që ata punojnë e të cenojë autoritetin e pushtetit.

Si rrjedhojë aplikimi i të drejtës për informim edhe pse i mirëpërcaktuar me ligj, varet më së shumti nga vullneti i titullarëve të institucioneve të sektorit të sigurisë, dhe nga lidhja që gazetari/media ka me burimin/zyrtarin e këtij sektori. Në ato raste kur media bëhet kritike ndaj një institucioni, rrezikon të humbasë burimin (shpesh herë edhe konfidenciale) në këtë organ, pavarësisht garancisë në letër që të jep Ligji për Informim. Sipas të dhënave të mbledhura nga gazetarët në terren, në mënyrë të vazhdueshme strukturat shtetërore refuzojnë aksesin në informacion duke krijuar pengesa të ndryshme burokratike, mjaft shqetësuese për gazetarët. Për të siguruar burime të qëndrueshme në institucionet e sigurisë shpesh gazetari ndjen presionin se duhet ose të reduktojë tendencat kritike ndaj politikave zyrtare, ose mos të arrijë të nxjerrë lajmin në kohë[13]. Në anën tjetër, mediet e njohura për mbështetjen ndaj pushtetit e zërin konformues, gëzojnë një qasje më të hapur dhe më bashkëpunuese të institucioneve shtetërore të sigurisë.

Një tjetër çështje në mbulimin e këtij sektori është fakti se raportimi në sektorin e sigurisë kërkon në mënyrë të veçantë burime dhe informacion të konfirmuar zyrtar. Por, për të siguruar ‘lajmin e mirë’ shpesh nevojitet edhe shumëllojshmëria e burimeve jo-zyrtare për të mbuluar aspekte që zyrtarët e këtij sektori mbajnë larg syve të publikut, edhe pse mund të jetë në interes të publikut. Pikërisht përdorimi i burimeve jozyrtare dhe mbrojtja e tyre, mund të cenojë gazetarinë për aq kohë sa nxjerrja e sekretit shtetëror mbetet pjesë e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe dënohet më gjobë deri në 5 vjet burg. Në monitorime të ndryshme nga organizata të pavarura si Instituti i Medies (2012) [14] apo Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve[15], vërehet pikërisht se institucionet e sektorit të sigurisë janë më problematiket përsa i përket aksesit në dokumentet zyrtare. Në veçanti Prokuroria, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme e Gjykatat janë institucionet me reagimin më të ulët ndaj kërkesave për informacion zyrtar.

  1. Konteksti ekonomik dhe zhvillimi i medies komerciale

Nëse shohim panoramën e zhvillimit të medies gjatë viteve të fundit, vërehet se numri i organeve të medies është shumëfishuar ndërkohë që përmbajtja e saj është thjeshtëzuar. Paralelisht karakteri argëtues i medias është vendosur në plan të parë duke lënë mënjanë karakterin informues.  Në këtë kontekst prej vitesh Media në Shqipëri është kthyer në një biznes dhe si çdo kompani ka si qëllim arritjen e fitimeve dhe respektuar rregullat e ekonomisë së tregut.

Në veçanti pronarët e stacioneve televizive që gëzojnë edhe audiencën më të madhe, për të përdorur median për qëllimet e biznesit të tyre, përgatisin informacionin që t’i përshtatet një agjende të caktuar[16], duke lejuar influencat politike në këmbim të favoreve ekonomike. Mund të pretendohet se gjatë 10 viteve të fundit iu hap rruga zhvillimit të një tjetër modeli të medias që nuk kërcënohej më nga autoritarizmi i pushtetit, por nga mungesa e lirisë si pasojë e presioneve të pronarëve të lidhur ngushtë me politikanët apo vendim-marrjen politike. Në një analizë të raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit vihet re shqetësimi mbi ndikimet e hapura politike mbi gazetarët në Shqipëri vit pas viti që arrinin deri në “censurë direkte ose indirekte, e praktikuar nga editorët apo botuesit si pasojë e interesave komerciale apo politike”[17]. Kjo hipotezë provohet me rritjen e financimeve shtetërore në formën e reklamës drejt mediave selektive dhe favorizimet e bizneseve paralele të lidhura me media të veçanta.

Në këtë kontekst, barra e drejtpërdrejtë bie pikërisht mbi njerëzit e medias, të cilët duhet të vuajnë mbi supet e tyre vetëcensurën si i vetmi mjet që mund të kënaqë kërkesat klientelistëve të pronarëve të medieve respektive. Për më tepër punësimi pa kontrata, mungesa e shoqatave të forta të gazetarëve dhe si rrjedhojë mungesa e mbrojtjes së gazetarëve ndaj pronarëve, mbeten shkaktarët kryesorë të vet-censurës si dhe të presionit e kërcënimit ndaj gazetarëve që mbulojnë sektorin e sigurisë[18].

Një tjetër pengesë e provokuar nga zhvillimi i medias komerciale është karakteri sensacionalist që media ka përqafuar në vitet e fundit duke u kthyer nga një mjet informimi në një mjet argëtimi. Si rrjedhojë raportimi në çështjet e drejtësisë – Polici, Prokurori, Gjykata dhe Burgje – përbëjnë fushën më afër lajmeve sensacionale shoqëruar me nota dramatike që tërheq vëmendjen e publikut etj. Kjo situatë pjesërisht është pasojë e atyre që quhen ‘vlera të lajmit’ në gazetarinë komerciale, duke favorizuar ngjarjet aktuale, urgjente, dramatike, të personalizuara, të pazakonta. Jo më kot faqet e kronikave të gazetave janë plot me ngjarje të bujshme kriminale, ndërkohë që pak thuhet për qeverisjen e institucioneve përgjegjëse të sigurisë.  Interesi i publikut për krimin dhe drejtësinë është kudo i lartë, ndërkohë që njohuritë për këto fenomene dhe politikat mbi sigurinë publike kanë pak gjasa të kuptohen dhe mbulohen nga media në tërësi.

Këto vlera të lajmit shpesh bien ndesh me gazetarinë investigative të sektorit të sigurisë, që bazohen në analiza dhe trajtim të detajuar të ngjarjeve. Paralelisht kjo mund të ketë efekte negative për publikun dhe shoqërinë në tërësi, pasi e percepton sigurinë personale apo kolektive pikërisht nga pasqyrimi që gjen në media i ngjarjeve sensacionale të kronikës së zezë. Duke e ushqyer publikun në mënyrë të vazhdueshme me këtë lloj gazetarie, e edukon atë që të kërkojë këtë format informacioni. Kjo e bën atë të prirur në kërkim të thashethemeve dhe informacionit sensacional duke lënë në hije analizat komplekse dhe trajtimin profesional të ngjarjeve të sigurisë[19].

Pikërisht gazetaria e sektorit të sigurisë dhe impakti që ajo ka tek publiku, në pjesën më të madhe përcakton edhe shkallën e reagimit të strukturave shtetërore ndaj krimit, duke nxitur dhe drejtuar debatin publik mbi masat e mundshme ekstreme dhe artikulimin e tyre në diskursin publik. Shpesh media n në diskursin publik vendos theksin tek deklaratat nga zyrtarë të sektorit të sigurisë si ‘Tolerancë 0 ndaj krimit” apo “ndëshkimin e pamëshirshëm të kriminelëve” “luftë e hapur ndaj korrupsionit”, si pasojë e aktualitetit të këtyre problemeve. Por në të njëjtën kohë media gjerësisht anashkalon analizimin e vërtetë të problemeve në dritën e politikave ekzistuese dhe afatgjata të parandalimit të krimit apo sigurisë në vend.

Siç përmendëm, çështjet e sigurisë, në veçanti në një vend në tranzicion si Shqipëria, kanë tendencë të kenë një qasje dramatike. Ndërkohë në anën tjetër raportimi mbi reformat e sigurisë kryesisht është një proces më teknik dhe legal, e shpesh nuk kualifikohet si ‘lajm interesant’ për masën e gjerë në modelin e gazetarisë komerciale. Në këtë kontekst, kronika e një krimi është një proces më i lehtë se mbulimi i mbikëqyrjes parlamentare, politikat e sigurisë rajonale apo ecuria e reformave në forcat e armatosura etj. Si rrjedhojë çështjet e sigurisë janë tejet komplekse për të hyrë në kornizat e një artikulli të shkurtër në një kohë që lajmet mbi kronikën e krimit preferohen më tepër nga media komerciale sepse shesin me lehtësi, kanë kosto të ulët dhe e lexohen gjerësisht nga publiku.

Në anën tjetër nëse marrim në konsideratë praktikat e punës së gazetarit në Shqipëri mbeten ende të pastrukturuara për t’i dhënë hapësirë profilizimit dhe gazetarisë investigative. Në pjesën më të madhe, gazetarët e sektorit të sigurisë janë nën presionin e kohës dhe të lajmit të ditës, duke e bërë të pamundur mbulimin profesional të temave të sektorit të sigurisë. Si rrjedhojë në faqet e shtypit shqiptar gjen një mbulim të gjerë të temave të sigurisë, por që i mungon thellësia dhe analiza. Sipas profesionistëve të medias, kjo është pasojë e disa faktorëve kryesorë që lidhen me menaxhimin e dobët të medias; kushtet e vështira të punës në gazetari, influencat e pronarëve dhe klaneve të ndryshme, si dhe mungesa e njohurive në fushë. Në këtë kontekst gazetarët e afirmuar të sektorit të sigurisë me njohuri dhe eksperiencë në mbulimin e sektorit të sigurisë, shpesh nuk gjejnë hapësirën dhe mundësitë për të përgatitur artikuj të mirë në fushën e sigurisë.

Një tjetër faktor që pengon zhvillimin e gazetarisë investigative janë edhe përhapja e mediave online dhe informacioni që shpërndahet nëpërmjet rrjeteve sociale të cilat kanë ulur ndjeshëm audiencën e shtypit të shkruar dhe elektronik. Kjo sepse ato kanë një audiencë në rritje dhe i janë përshtatur karakteristikave të medieve komerciale, duke servirur gati në kohë reale ngjarjen, e njëkohësisht duke anashkaluar kontekstin dhe analizimin në thellësi, me justifikimin se nuk kërkohet nga publiku. Në këtë kontekst në Shqipëri mungon një praktikë pune në lidhje investigimin e ngjarjeve që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë, dhe si rrjedhojë investigimi nuk konsiston një rutinë pune në punën e gazetarit, por një përpjekje personale e tij me kosto dhe rreziqe që ai s’mund t’i përballojë dot i vetëm.

Në realitet, në Shqipëri gazetaria investigative është përjashtim, ndërkohë që “raportimi” – kryesisht realizohet nga gazetarët e shumtë të cilët “qëndrojnë orë të gjata pas një dere të mbyllur në kërkim të një deklarate, dhe një sinkroni 10 sekondash[20] – është ende rregulli”. Prandaj nuk është rastësi që zyrtarët e marrëdhënieve me publikun në institucionet e sektorit të sigurisë, janë ish-gazetarë të lodhur nga puna e reporterit…

  1. Kualifikimi i gazetarëve të sigurisë dhe tregu i punës

Raportimi i specializuar në lidhje me çështjet e sigurisë si korrupsioni, raportimi i gjyqësorit, krimeve dhe aktivitetit të policisë e ushtrisë, kërkon kapacitete dhe kualifikime të përcaktuara, të cilat aktualisht janë të limituara në vendin tonë. Pavarësisht përhapjes së edukimit privat në fushën e gazetarisë, përsëri kurrikula mësimore mbetet jashtë kornizave të profilizimit të gazetarëve në çështjet e sigurisë, duke munguar një formim i duhur teorik. Profilizimi i gazetarëve në çështjet e sigurisë është më së shumti i rastësishëm, e realizohet me kalimin gjatë punës së tyre në terren, edhe pse mund të mungojë baza e njohurive mbi qeverisjen dhe reformat e sektorit të sigurisë. Bazuar në intervistat me redaktorë dhe kryeredaktorë, vërehet se edhe pse vitet e fundit edukimi në fushën e gazetarisë është zgjeruar, përsëri mungon një fokus i rëndësishëm në çështjet e sigurisë përsa i përket kurrikulës së formimit profesional në fushën e gazetarisë.

Në anën tjetër gazetaria e sektorit të sigurisë vazhdon të mbetet atribut i administratorëve të medies (kryeredaktore / redaktore) të cilët nuk kanë lidhje e as njohuri të mjaftueshme mbi sektorin e sigurisë, reformat dhe qeverisjen demokratike të tij duke administruar e drejtuar keq gazetarinë në sektorin e sigurisë[21]. E kombinuar me problemet në tregun e mbipopulluar të gazetarëve në Shqipëri, i jep më shumë mundësi pronarëve dhe administratorëve të keqpërdorin punën e reporterit nën presionin e humbjes së vendit të punës.

REKOMANDIME

Duke marrë në konsideratë çështjet e trajtuara në këtë studim dhe faktorët që kanë ndikuar në zhvillimin e sektorit të sigurisë mund të veçojmë disa konkluzione e rekomandime:

–    Në gazetarinë e sektorit të sigurisë, nevojitet një rikonceptim i ‘sektorit të sigurisë’ përtej kornizës tradicionale që kufizohet më së shumti në ‘kronikën e zezë’, por të përfshijë edhe perspektiva e aspekte të tjera që lidhen me qeverisjen e këtij sektori dhe aktorëve të tij. Kjo do të siguronte një qasje holistike të mbulimit mediatik të sektorit të sigurisë.

–    Korniza ligjore duhet të rishikohet dhe harmonizohet sipas acquis communautaire, me qëllim për të mundësuar një mbrojtje të plotë të lirisë së shtypit si dhe një skemë të qartë përjashtimesh mbi aksesin në informacionin e institucioneve kyçe të sektorit të sigurisë.

–    Presionet ekonomike / politike mbi organet mediatike duhet të ndalojnë. Praktikat dhe strukturat institucionale të organeve të sektorit të sigurisë duhet të zhvillohen, që të mundësojnë aplikimin e plotë të ligjit për marrjen e informacionit zyrtar nga gazetarët, pavarësisht kritikave të tyre.

–    Organet mediatike duhet të funksionojnë të pavarura nga bizneset paralele dhe duhet të jetojnë si ndërmarrje të qëndrueshme që bazohen në vlerat e gazetarisë e kodin etik, në kombinim me rregullat e tregut.
Në një kohë që media në Shqipëri po ‘shet’ integritetin e saj në këmbim të financimeve të jashtme, synohet që organet mediatike të varen nga burime të vet-qëndrueshme duke rritur cilësinë e raportimit, përhapjes së gazetarisë investigative dhe mbulimit profesional të institucioneve të sigurisë.

–    Më shumë mundësi duhet t’i ofrohen gazetarëve të rinj, por edhe gazetarëve profesionistë për t’u specializuar në fushën e sigurisë. Kjo mund të realizohet nëpërmjet ofrimit të një lënde të veçantë gjatë studimeve të tyre të larta, kurseve të tjera profesionale apo profilizimi i tyre gjatë punës si gazetar.

BURIME

  • Article 19, Memorandum on the Albanian Law on Right to Information, London September 2004
  • Article 19, Memorandum on the Albanian Law on Right To Information, Londër – shtator 2004
  • Banisar David; Comments on Legal Regulations on Access to Information and State Secrets in Albania; OSCE 2006, http://www.osce.org/fom/18934
  • Borici. Hamit, Interviste; Dt. 5 Mars 2013Centre for law and Democracy, Ask your government;  September 2011
  • Cipa. Aleksander; Intervistë Dt. 26 Shkurt 2013
  • DCAF – Working paper 131, Gjenevë, Janar 2004Këshilli i Ministrave, VKM. 387; Date 28.6.2007, “Per disa ndryshime ne ligjin ‘Mbi rregullat e sigurisë fizike te informacionit te klasifikuar”
  • IREX, Media Sustainability Index 2012; http://www.irex.org/resource/albania-media-sustainability-index-msi
  • Kalaja. Djana, Little Berluskonis Threaten Real Albania Media Freedom, Media Online, 2003
  • Këshilli i Ministrave, VKM. 381; Date 28.1.2008, “Mbi përcaktimin e kritereve dhe procedurave për eleminimin e informacionit te klasifikuar”
  • Këshilli i Ministrave, VKM. 121; Date 2.2.2009, “Mbi sigurine e informacionit te klasifikuar si ‘sekret shtetëror” në fushen e industrisë”.
  • Këshilli i Ministrave, VKM. 63; Date 9.3.2000, “Mbi Rregulloren e Burgjeve”
  • Këshilli i Ministrave, VKM. 124 ; Date 15.03.2001, “Mbi de-klasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar sekret”
  • Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë
  • Konventa e Këshillit të Europës për Akses në Dokumentat Zyrtare,  Tromso 2007.
  • Ligji Nr.9749
  • Ligji Nr.9069
  • Reljic. Dusan, Who builds Civil Society? Civil Society, Massmedia and Democracy in Post-Communist Countries;
  • Reljic, D., Media, Civil Society and the Quest for Transparency and Accountability of the Security Sector, Working Paper FGZ, 2005, German Institute for International and Security Instituti Shqiptar i Medias; Monitorimi i Aksesit ne Institucionet Publike; Tiranë 2012
  • US Department, Country Reports on Human Rights Practices, 2004-2011

____________________________________

[1] Article 19, Memorandum on the Albanian Law on Right to Information, London September 2004

[2] Banisar David; Comments on Legal Regulations on Access to Information and State Secrets in Albania; OSCE 2006,http://www.osce.org/fom/18934

[3] Këshilli i Ministrave, VKM. 387; Date 28.6.2007, “Per disa ndryshime ne ligjin ‘Mbi rregullat e sigurisë fizike te informacionit te klasifikuar”

[4] Këshilli i Ministrave, VKM. 381; Date 28.1.2008, “Mbi përcaktimin e kritereve dhe procedurave për eleminimin e informacionit te klasifikuar”

[5] Këshilli i Ministrave, VKM. 121; Date 2.2.2009, “Mbi sigurine e informacionit te klasifikuar si ‘sekret shtetëror” në fushen e industrisë”.

[6] Ligji Nr.9749: Neni 66&4

[7] Ligji Nr.9069: Neni 4

[8] Këshilli i Ministrave, VKM. 63; Neni 18; Date 9.3.2000, “Mbi Rregulloren e Burgjeve”

[9] Këshilli i Ministrave, VKM. 124 ; Date 15.03.2001, “Mbi de-klasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar sekret”

[10] Article 19, Memorandum on the Albanian Law on Right To Information, Londër – shtator 2004

[11] Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, neni 294; 295

[12] Për një përkufizim të qartë të “autoritetit publik” shihni Nenin 1 / 2 të Konventës së Këshillit të Europës për Akses në Dokumentat Zyrtare,  Tromso 2007.

[13] Reljic. Dusan, Who builds Civil Society? Civil Society, Massmedia and Democracy in Post-Communist Countries; DCAF – Working paper 131, Gjenevë, Janar 2004

[14] Instituti Shqiptar i Medias; Monitorimi i Aksesit ne Institucionet Publike; Tiranë 2012

[15] Centre for law and Democracy, Ask your government;  September 2011

[16] Kalaja. Djana, Little Berluskonis Threaten Real Albania Media Freedom, Media Online, 2003

[17] US Department, Country Reports on Human Rights Practices, 2004-2011,

[18] IREX, Media Sustainability Index 2012; http://www.irex.org/resource/albania-media-sustainability-index-msi

[19] Borici. H, Interviste; Dt. 5 Mars 2013

[20] Reljic, Media, Civil Society and the quest for accountability

[21] Cipa. A; Intervistë Dt. 26 Shkurt 2013

 

Send this to a friend