Keqkuptimet e multikulturalizmit dhe krizat e shoqërive ballkanike

28 Prill , 2012 • Media dhe Politika, Profesionalizmi në media • by

Mos jemi në një paradoks? Pra, mos përbën një paradoks fakti që nga njëra anë kemi një peisazh multikulturor, në një farë kuptimi, kurse nga ana tjetër kemi si të thuash një lloj “enklavimi” komunitarist të bashkësive etnike apo kombëtare?

Lajmet që na vijnë tregojnë për tensione të ndryshme mes popullsive me identitete kombëtare të ndryshme në Ballkan. Nuk mund të mos reflektojmë thellë mbi to, edhe në një rregjistër që i kalon analizat e shpejta, fluturake, të ditës, ndonjëherë të mbushura me klishe të gatshme. Prej kohësh në hapësirën ish-jugosllave, ku jetojnë në trojet e tyre shumëshekullore edhe popullsitë shqiptare të atjeshme, si në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni dhe në Kosovë, me statuse sociale dhe juridike të ndryshme, flitet për peisazh mediatik, edukativ, fetar, gjuhësor multikulturor. Disa janë të kënaqur prej këtij realiteti normativ apo empirik, disa janë të pakënaqur, varet nga rrethanat dhe konteksti i çdo pale, ndërkohë që, sipas meje, çështja nuk shqyrtohet ende teknikisht, sociologjikisht dhe nga pikëpamja e analizave shkencore në fushën e komunikimit dhe të informacionit masiv.

***

Pyetja e parë që do të shtronim do të ishte si më poshtë : A ka një peisazh mediatik shumëkulturor në Ballkan, veçanërisht në zonat e hapësirave ish-jugosllave, nëse nuk do të gjenim një etiketë tjetër për t’i emërtuar?

Në një farë kuptimi do të thoshim se “Po”. Biles jo vetëm në mediat masive, por edhe në shumë agjenci të tjera komunikimi sikurse janë shkollat, shtëpitë botuese, etj. Këtu nuk është çështja për të marrë në konsideratë sesa orë, me çfarë strategjie programacioni, me çfarë përbërjeje etnike redaksish, etj., funksionojnë mediat publike në vendet e përmendura. Edhe një sy fare i pastërvitur me këto punë do të gjente pabarazi në transmetime, padrejtësira, kontrolle, censura të ndryshme, çekuilibrime fondesh publike për redaksitë në gjuhë të ndryshme, etj. Por, sado të rëndësishme të jenë këto të dhëna, përsëri, mendoj se çështja qendron shumë më thellë.

Nuk qendron aq shumë të mënyra e funksionimit dhe administrimit të mediave publike të çdo vendi. Në kushtet e sotme të teknologjive të komunikimit dhe të informimit, ku çdo fshat a qytezë, me pak vullnet, mund të ketë stacionin e vet të radios apo të televizionit, mediat publike nuk kanë mundësi të kenë një rol vendimtar në zhvillimin e multikulturalizmit.  Theksoj, se çështja nuk është e neglizhueshme, por gjithësesi pa atë peshë që do të na bënte të thoshim se fatet e multikulturalizimit në vendet e Ballkanit varen nga mediat publike të çdo vendi.

Rasti e solli që në bashkëpunim me katër miq, pjestarë të shkollës doktorale të Departamentit të Gazetari-Komunikim të Universitetit të Tiranës, specialistë dhe ekspertë të studimeve për median në hapësirat ballkanike, të kemi në dorë shumë të dhëna për stacionet televizive dhe të radios të përhapura në hapësirat maqedonase, malazeze, kosovare, serbe, etj.

Një peisazh në pamje të parë multikulturor. Vërejmë agjenci informacioni masiv të subvencionuara nga këshilla lokale pushteti, me pronarë privatë me origjina etnike të ndryshme dhe të shumëllojshme, që transmetojnë në gjuhë të ndryshme. Po t’a krahasojmë me hapësirën mediatike të Europës qendrore dhe lindore do të vinim re ngjashmëri të rëndësishme.

Atëhere ku është problemi?

Përse insistojmë të themi që nuk është një multikulturalizëm i plotë dhe i vërtetë megjithëse statistikisht, ndonjë statisticen i paaftë që nuk e kupton statistikën, filozofinë dhe sociologjinë e medias, do të numuronte kaq statacione radioje dhe televizioni serbe në Kosovë, kaq stacione televizioni dhe radiosh në shqip, turqisht, gjuhë rome, në Maqedoni, apo në Mal të Zi, kaq televizione apo radio që transmetojnë në shqip, hungarisht, serbisht, kroatisht në Serbi. “Ja, multikulturalizmi në veprim, në realitet!” – do të thoshte.

***

Përpara sesa t’i japim përgjigje kësaj pyetje, ka vend të shtrojmë një tjetër : A ka një rol pozitiv ky lloj multikulturalizimi që ekziston aktualisht në hapësirat ballkanike? Dhe një pyetje të dytë : Çfarë është dhe çfarë nuk është ai?

E drejta për të transmetuar lirisht në një gjuhë të caktuar etnike apo kombëtare është shprehje e lirive politike dhe kulturore në zgjerim në hapësirën ballkanike. Prej asaj përfitojnë të gjithë popujt. Nuk mund të jesh partizan dhe njëkohësisht armik i multikulturalizimit. Pra, nuk mund të jesh kundërshtar i tij atje ku zotëron shumicën si popullsi brenda një territori të caktuar dhe të jesh, përkundrazi, partizan, mbështetës, i tij atje ku përbën pakicë kombëtare dhe etnike. Nga njera anë të thërrasesh me arësye  për të drejtat multikulturore atje ku përbën pakicë, dhe pastaj të çirresh kundër të drejtave multikulturore të pakicave të etnive a kombeve të tjerë në territore ku ti dhe të tutë janë shumicë. Kjo jo vetëm nuk do të ishte parimore, jo vetëm do të ishte krejt e dëmshme politikisht, por do të ishte edhe shprehje e një kameleonizmi politik që prej kohe ka prodhuar turma të eksituara ekstremiste në zona të ndryshme të botës.

Mbi të gjitha shqiptarët në Ballkan kanë përfituar shumë nga kjo liri. Por, jo vetëm, ata, kanë përfituar të gjithë kombet e popujt.

Veçanërisht po të krahasohet situata me disa dekada më parë ku si rezultat i politikave ideologjike dhe nacionaliste të kohës, minoritetet, apo kombet e shtypur nuk kishin mundësinë e komunikimit të liberalizuar në hapësirën publike, kur nuk kishte treg privat të komunikimit, ku shumë të drejta kulturore kombëtare ishin shkelur rëndë me këmbë nga nacionalizmat e murmë, kuptohet se jemi në  një botë tjetër, më të lirë.

Mirëpo, problemi i parë deri këtu do të dukej si i paraqitur shumë naivisht.

***

I duhet dhënë një përgjigje e saktë një pyetjeje të rëndësishme :

Përse atëhere ndërgjegjet etnike dhe kombëtare janë bërë edhe më shumë të veçuara, të ndara, të izolura, sesa më parë?

Ndoshta nuk kemi sesi e provojmë këtë gjë, prandaj shtrojmë një pyetje tjetër, pakëz më të moderuar : Perse komunitetet kombëtare në Ballkan në përgjithësi votojnë kryesisht për përfaqësuesit e tyre etnikë? Dhe më tej: Përse ka tensione etnike që shprehen në mënyrë latente apo të dhunëshme aty dhe këtu, sikurse konstatojmë kohët e fundit? Përse individët që i përkasin të njejtit komunitet grupohen gjithnjë e më shumë brenda lagjeve, komunave, territoreve ku si fqinj kërkojnë të kenë gjithëmonë e më shumë bashkëpatriotë të tyre? Përse nuk shtohet, por ka rënë, numuri i familjeve që quhen mikste, të krijuara pra nga parterë me identitet etnik të ndryshëm?

Fakte sociale si këto tregojnë se në kushtet e këtij multikulturalizmi të tanishëm mediatik, ka të dhëna që tregojnë se rritet diferencimi dhe ndarja midis komuniteteve etnike të ndryshme.

Mos jemi në një paradoks? Pra, mos përbën një paradoks fakti që nga njera anë kemi një peisazh multikulturor, në një farë kuptimi, kurse nga ana tjetër kemi si të thuash një lloj “enklavimi” komunitarist të bashkësive etnike apo kombëtare?

Në fakt, parë nga larg dhe sipërfaqshëm mund të thuhet se gjendja është e çuditshme, e papritur, kokëfortë, biles mund të shkohet deri atje sa të pretendohet se popujt dhe kombet, sado politika multikulturaliste që të zbatohen, përsëri mbeten të lidhur pas identitetit të tyre, të izoluar, të paaftë të bashkëjetojnë me të tjerët, e të tjera thënie ideologjike dhe të paverifikuara prej askujt. “Doni shembuj?” – pyesin shkencëtarë të tjerë që jetojnë më larg dhe dëshërojnë të gjejnë shembuj : “Shihni Ballkanin!”

Në fakt, gjendja mund të shpjegohet ndryshe. Nga pikëpamja e analizave të komunikimit masiv, nuk ka asnjë paradoks.

***

Kur një multikulturalizëm mediatik konsiderohet i vërtetë? Cfarë specifikash mund të ketë ai?

Së pari, nuk mjafton aspak që vetëm peisazhi mediatik i një shoqërie të jetë i populluar nga agjenci informimi masiv që t’iu përkasin komuniteteve të ndryshme etnike apo kombëtare. Nuk duhen ngatërruar dhe bërë lëmsh konceptet dhe kategoritë terminologjike. Kjo e shumta mund të quhet liri e shprehjes mediatike, por ende jo një multikulturalizëm kulturor. Duhet që cdo agjenci më vete të jetë e ndërtuar si një institucion dhe si një media multikulturore.

Multikulturalizmi mediatik nuk mund të përmblidhet te peisazhi mediatik multikulturor i një shoqërie. Kjo po ndodh deritani. Multikulturalizmi që të jetë i vërtetë dhe të sjellë rezultatet që vetëm ai mund të sjellë, në thelbin e vet metafizik, të ndjenjës pozitive për tjetrin që është i ndryshmi yt, duhet të jetë më së pari edhe një multikulturalizëm si marrëdhënie publike brenda institucionale e agjencive publike.

Nëse transmeton njëzet orë në gjuhën tënde etnike dhe lejon 30 minuta të transmetohet në gjuhën e të tjerëve – nuk kemi ende një stacion televiziv apo radioje multikulturor. Brenda një rajoni territorial mund të kemi stacione me dominim të njerës gjuhë apo tjetrës, peisazhi mediatik mund të quhet multikulturor,  ndërkaq, çdo media më vete është monokulturore, identitare, biles shumë fort identitare për shkak pikërisht të “fqinjve” të vet, televizioneve dhe radiove që iu përkasin komuniteteve kulturore që ndajnë të njejtën hapësirë territoriale.

Së dyti, multikulturalizmi në media është i vërtetë kur shfaqet edhe si politikë dhe strategji programacioni. Nëse mbetet vetëm si përshkrimi i peisazhit të përgjithshëm të mediave të një vendi – kaq nuk mjafton.

Çfarë etnie janë gazetarët që prodhojnë informacionin që transmetohet në një gjuhën e një pakice kombëtare? Cili është këndvështrimi i këtyre emisioneve? Flitet për pakicat nga këndvështrimi i shumicës që kontrollon agjencinë e komunikimit, apo është pakica që flet për veten e vet?

Së treti, nëse emisionet në gjuhën e pakicave etnike dhe kombëtare nuk janë veçse përkthime, shpesh të përçudnuara, të informacioneve që shumica kulturore jep për veten e vet, historinë e vet, sipas këndvështrimit të vet, atëhere këtu nuk ka më multikulturalizëm. Nëse një popullsie rome ne i transmetojnë në gjuhën rome sesi i sheh kombi numerikisht sundues romët dhe iu mësojmë atyre se çfarë duhet të bëjnë ata për të qenë të pranueshëm nga kultura sunduese – atëhere këtu transmetimi shumëgjuhësh nuk është më shenjë multikulturalizmi. Është akulturalizëm. Multikulturalizmi i shprehur vetëm në gjuhën e transmetimit është një strategji akulturalizmi e pakicave kombëtare. Eshtë një përpjekje e sforcuar për të integruar kulturalisht pakicën në kulturën e shumicës. Kjo është arësyeja që kjo politikë programi ngjall rezistencë.

Multikulturalizmi linguistik është thjesht një instrument i multikulturalizmit mediatik, por nuk mund të barazohet kurrësesi me të.

Së katërti, në multikulturalizmin mediatik rëndësi kryesore nuk ka thjesht natyra shumëkulturore e peisazhit të mediave, por aftësia multikulturore e audiencës për të përthithur fluksin shumëkulturor të informacioneve dhe mesazheve mediatike.

Përndryshe, nëse për shkak të gjuhës, prirjeve të shijeve, interesimit, kulturës, traditës, tensioneve sociale, kulturës së urrejtjes ndaj të tjerëve, një audiencë që përbëhet nga një publik identitar kulturalisht ndjek vetëm mediat e tij, mediat e tjera për të nuk kanë asnjë rëndësi.

***

Mesazhin nuk e krijon emetuesi, por receptuesi që e merr atë. Për një bashkësi kombëtare rëndësi marrin kështu mediat që përçojnë identitetin e vet kombëtar dhe kulturor dhe jo mediat e tjera, të bashkësive të tjera, që thjesht injorohen.

Bashkësitë etnike dhe kombëtare jetojnë kështu vërtet brenda një peisazhi multikulturor të caktuar, por vetë ato, si audienca, ndjekin një numur mediash të përzgjedhura sipas kritereve strikt etnike. Në këtë mënyrë brenda një peisazhi mediatik shumëkulturor bëhet e mundur të rritet fryma e përmbylljes, kampimit, kazermimit, strehimit, transheizimit, jetës brenda stereotipeve, klisheve, paragjykimeve, vlerave të izoluara kombëtare. Kjo e vërtetë mund t’i prekë të gjitha bashkësitë kulturore.

Si mundet që audiencat të ndjekin informacion me natyrë kulturore të grupeve të tjera kombëtare apo etnike kur qysh fëmijë, pjetsarët e tyre edukohen ngushtësisht vetëm brenda familjeve monoetnike dhe monokombëtare?

Nuk është e mundur.

Apo kur nxënësit edhe në të famshmet shkolla multikulturore nëpër Ballkan, shpesh ndahen në klasa sipas etnisë së tyre?

Shkolla është multikulturore por jo klasa. Për një nxënës nuk ka rëndësi sesa multikulturore është një shkollë. Rëndësi ka sesa multikulturor janë tekstet, mësuesit, mësimdhënia, gjuha e kësaj të fundit.

Nëse audienca është e identifikuar me kulturën e saj identitare, është e pamundur që peisazhi mediatik i quajtur multikulturor të funksionojë. Të dhënat e anketave tona tregojnë qartë se në masë dërmuese seicili komunitet ndjek mediat e tij.

Në këtë mënyrë territori bëhet i fragmentarizuar kulturalisht. Kjo shpjegon atë që nuk është paradoks. Rritjen e komunitarizmit, e segregacionizmit kulturor, në kushtet e krijimit të një peisazhi në pamje të parë multikulturor.

Në këto kushte nuk ka përse i thërrasim për shpjegim “shpirtin pastërtisht etnik të popujve” për të shpjeguar komunitarizmin e sotëm kulturor.

Janë teknikat, politikat dhe konceptete e multikulturalizmit të sotëm, parë thjesht si peisazh, që nuk mjaftojnë në Ballkan.

***

Ky lloj multikulturalizmi sigurisht që nuk është veçse një ndarje, një veçim, i komuniteteve etnike, pas një periudhe luftrash dhe represionesh. Liria e shprehjes ende nuk siguron vetiu bashkëjetesën e grupeve të ndryshme kombëtare. Biles ndodh që ajo t’a përkeqësojë këtë bashkëjetesë. Është çmimi i paqes që po “ruhet” disi duke e fragmentarizuar kulturalisht shoqërinë. Në këto kushte kur shoqëria ndahet gjithnjë e më shumë kulturalisht, gjuhësisht, mediatikisht, nga pikëpamja e informacioneve, çfarë ndodh pas kësaj në planin institucional, territorial?

A nuk sjell veçimi dhe izolimi brenda një “getozimi” kulturor, ndarjen e  shoqërive ballkanike që e kanë këtë problem në shoqëri të copëzuara ku secila bashkësi kërkon mbylljen brenda një lagjeje “të pastërt” etnikisht, një fshati “të pastër” etnikisht, një qyteti “të pastër” etnikisht?

Izolimi kulturor brenda “multikulturalizmit” të sotëm, i kuptar dhe i zbatuar sipas nje modeli të gabuar e të cunguar, a nuk bëhet shkak për tensione dhe kriza bashkëjetese sikur janë këto të tanishmet?

Historia do t’a tregojë.

Send this to a friend