Aplikacioni i mesazheve Telegram ka në qendër idenë se komunikimi duhet të jetë personal dhe i enkriptuar. Por në disa vende, ai është bërë një mjet popullor për gazetarët për të krijuar kanale të reja drejt publikut. Ja 3 gjetje nga Ukraina:
Arritja e audiencës së re
Kur Fedir Popadyuk krijoi kanalin e parë të Telegram në vitin 2017 për Ukrains’ka Pravda, aplikacioni i mesazheve ishte duke fituar terren në Ukrainë. “Mendova se kjo është një platformë dhe se ka njerëz që janë të interesuar për të”, thotë Popadyuk, i cili është përgjegjës për kanalin e Telegram të Ukrains’ka Pravda. “Ne duhet të shkojmë tek kjo audiencë”. Pothuajse gjysma e audiencës së Telegram në Ukrainë janë të moshës nën 25 vjeç, sipas një anketimi të organizuar nga kompania e kërkimit dhe e marketingut Kantar. Shumica e kësaj gjenerate nuk i shohin lajmet në televizor apo në radio.
“Qëllimi i përdorimit të këtij aplikacioni ka ndryshuar”, thotë Marina Kostromina, drejtore në Kantar, Ukrainë. “Nëse vitin e kaluar ai përdorej kryesisht për të komunikuar me miqtë, tani ai përdoret edhe për shpërndarjen dhe leximin e lajmeve”. Ky është një trend global i hasur gjatë viteve të fundit. Gjithsesi, karakteristikat rajonale janë komponent të rëndësishëm për t’a kthyer aplikacionin në një nyje multimediale efektive për shpërndarjen e informacionit, sipas një raporti të Tow Center for Digital Journalism.
Eksperimente me formatet
Një arsye tjetër se pse shumë gazetarë në Ukrainë e kanë adoptuar këtë aplikacion chat-i është se shumë prej tyre e gjejnë atë mjaft të përshtatshëm për të eksperimentuar me formatet dhe me tonin në kanalet e lajmeve të Telegram. Gjithashtu, në kontrast me WhatsApp, i cili e limiton numrin e anëtarëve në një kanal të caktuar, Telegrami ofron një numër të pakufizuar abonentësh dhe paraqet numrin e shikimeve për postimet e shpërndara.
Oksana Denisova dhe Tetyana Nikolayenko drejtojnë kanalin popullor “The Newsroom”. Ato e nisën kanalin e tyre në kohën kur punonin për The Insider, por pasi u larguan prej këtej, Denisova dhe Nikolayenko hapën këtë kanal që mbahet me produktet e veta. “Ne e kuptuam se Telegram është një mjet shumë efektiv”, thotë Nikolayenko. “Nëse ju postoni diçka në Facebook, kjo s’do të thotë që gjithsekush do ta shohë mesazhin tuaj. Me Telegram, ju realisht mund të arrini të gjithë audiencën e kanalit tuaj”.
Përfshirje efektive dhe konvertim i lartë
“Unë mendoj se janë disa arsye që e bëjnë kaq popullor për gazetarët Telegram-in”, thotë Ivan Oberemko, që krijoi në Telegram kanalin e një programi popullor të quajtur “#@)₴?$0,”, i cili është një nga 20 kanalet me rritjen më të shpejtë në vend. “Për lexuesit, është një platformë komode e pambingarkuar me përmbajtje, e cila gjithashtu ka edhe akses offline. Për botuesin, nuk ka nevojë për komente. Gjithsecili është i ngopur me to në Facebook dhe Twitter. Telegram ofron edhe një shkallë shumë të lartë konvertimi për përgjigjet e audiencës, konvertim të shikimeve në vizita të faqes dhe në shikime reale.
Enkriptimi i Telegram luan një rol të rëndësishëm për kanalin tjetër të lajmeve të Ukrains’ka Pravda të quajtur “УП. Off the record”. Redaksia e këtij kanali boton informacione të brendshme që vijnë nga burime zyrtare të politikës apo biznesit. “Disa herë, gazetarët përdorin chat-e sekrete në Telegram për korrespondenca me politikanët”, thotë Popadyuk. “Është shumë komode sepse të gjitha mesazhet zhduken dhe nuk mbetet gjurmë”. Ndërkohë që Telegram është kritikuar për mangësi në mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve dhe është vënë nën presion në Rusi dhe Hong Kong, asnjë nga të intervistuarit për këtë artikull nuk përmendin çështje sigurie apo presioni nga qeveria. Në fakt, politikanët në Ukrainë, siç është edhe presidenti aktual Volodymyr Zelensky, aktualisht po e përdorin Telegramin për fushtat e tyre elektorale.
Imazhi kryesor: Screen shot i Telegram në Google Play
Tags:aplikacionet e mesazheve, gazetaria, mediat e reja, Telegram, Ukrainë