Nuk ka besim te një gazetari e pavarur!

30 Korrik , 2020 • Media dhe Politika, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Interviste me gazetarin Mustafa Nano

–Sikur të hidhnit një vështrim retrospektiv në këto tridhjetë vjet të tranzicionit postkomunist, cilat do të renditnit si arritjet dhe dështimet më të qenësishme të medias shqiptare?

Si kulm të gazetarisë shqiptare gjatë këtyre tre dekadave do të konsideroja fillimin e viteve 2000, kur u vu re një konkurrencë e shëndetshme në shtypin e shkruar, e kur lindën televizionet private. Harku kohor 2000-2010 mund të quhet pa frikë si “koha e artë” e gazetarisë shqiptare. Disa gazeta të kësaj periudhe, si: Shekulli, Shqip, Korrieri, e më pas edhe Panorama, kultivuan praktikën e ndarjes së fakteve prej opinioneve, dhe ndihmuan në formimin e kulturës së raportimit korrekt. Në atë periudhë zuri fill edhe krijimi i kategorisë së opinionistëve, që është kaq e ndjekur në debatin e sotëm televiziv.

Por kjo arritje nuk rezistoi gjatë. Sot, jemi në situatën, kur raportimi është përzier frikshëm me opinionbërjen. Dhe ky lloj zhvillimi nuk është veç për shkaqe lokale. Kjo është një kulturë që na vjen edhe nga SHBA-të, ku televizionet CNN e Fox News, por edhe gazetat Washington Post e New York Times dominohen nga një raportim partizan.

Për të bërë një përmbledhje, më duhet të them se si arritje ka qenë krijimi i kulturës së raportimit të paanshëm në dhjetëvjetëshin 2000-2010, dhe si dështim ka qenë çbërja e së njëjtës kulturë në dhjetëvjetëshin pasues 2010-2020.

–Si mendoni se është perceptimi i publikut për median në përgjithësi dhe figurën e gazetarit në veçanti? Cilët gjykoni si elementët e duhur që mund të përmirësojnë këtë imazh? Si e gjykoni besueshmërinë e medias sonë sot?

Në ditët e sotme figura e gazetarit është nga më pak të respektuarat. Dhe kjo ka ndodhur prej perceptimit se gazetarëve nuk u interesojnë më shqetësimet reale të vendit e shoqërisë, dhe se agjenda e tyre përcaktohet me logjikë e motivime joprofesionale. Gazetat më të mira u shndërruan ngadalë-ngadalë në shtojca propagandistike të partive, ndërsa zërat më të rëndësishëm në opinionbërje e humbën gradualisht besueshmërinë e tyre publike. Por ilustrimi më i mirë i kësaj dukurie janë edicionet kryesore të lajmeve në televizionet kombëtare. Këto edicione janë të dominuara qartazi nga informacioni politik. I janë lënë në dorë propagandës politike. Puna ka arritur deri atje, sa partitë kanë krijuar “redaksi” të tyret, ku kanë edhe “kabina montazhi”. Ato i filmojnë vetë veprimtaritë e tyre, dhe me t’u kthyer në seli, i vihen punës për “të paketuar e ambalazhuar” lajmet mbi ato aktivitete. Pas kësaj, këto lajme të përgatitura i dërgojnë në redaksitë reale të televizioneve, ku puna e gazetarëve është thjesht “të fusin kasetën” në transmetim. Kjo ndodh rëndom gjatë fushatave elektorale. Sipas meje, çdo përpjekje për përmirësimin e imazhit të gazetarëve duhet filluar me pastrimin e edicioneve informative në TV prej politikës e propagandës, që nga ana e vet duhet të fillojë me bllokimin e menjëhershëm të praktikës së marrjes së lajmeve të gatshme prej selive të partive. Kjo e fundit është turpi më i madh i gazetarisë shqiptare. Është për “Guinness”.

–Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale?

Timothy Garton Ash, në një artikull të publikuar në The Guardian mbi lirinë e medias në Poloni, fliste për pluralizëm të jashtëm e të brendshëm. Me pluralizmin e jashtëm (external pluralism) ai nënkuptonte rrethanën e ekzistencës së shumë mediave me frymëzime të ndryshme partizane, në të cilën një zë i caktuar publik gjen hapësirë shprehjeje në gazetën apo televizionin që ideologjikisht e politikisht puqet me opinionet e veta. E kështu, gjendet gjithnjë një outlet, ku mund të shprehesh. Kjo vihet re jo vetëm në Poloni. Vihet re kudo. Edhe në Shqipëri, sigurisht. Nuk ka më pluralizëm të brendshëm (internal pluralism). Me fjalë të tjera, nuk ka më media të hapura për të gjitha llojet e opinioneve, qëndrimeve, pikëpamjeve e vizioneve, nuk ka më media ku të jenë bashkë gazetarë me bindje të ndryshme. Është koha e CNN-it dhe e FOX NEWS-it, jo e BBC-së. Në këtë klimë, një gazetar që shkon të punojë në një televizion a gazetë e ka te qartë detyrën: t’i shërbejë qëllimit, për të cilin është ngritur apo ekziston ai televizion apo ajo gazetë.

–Sot po përjetojmë nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj. Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë, dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit?

Noam Chomsky ka ëndërruar vite të shkuara një mass-media që të mos kontrollohet nga tycoon-ët (oligarkët, për ta thënë shqiptarçe). Dhe ai e mendonte këtë gjë si një zhvillim të bukur, pozitiv, që do t’i jepte fund epokës së informacionit të kontrolluar nga qendra me fuqi politike apo financiare. Dhe çfarë ai ëndërronte është bërë papritur realitet. Ne kemi të tillë median më të madhe të botës. Është fjala për mediat sociale. Mirëpo unë nuk mendoj se Chomsky ka arsye të jetë i lumtur sot. Mediat sociale e kanë dëmtuar gazetarinë në thelbin e vet. Thënë ndryshe, raportimi i pacensuruar i lajmeve dhe transferimi i kontrollit mbi informacionin te “populli anonim” (këtë kanë bërë mediat sociale) ka rezultuar më problematik sesa media klasike e tradicionale. Përveç kësaj, mediat sociale, ku qarkullon një informacion i shkurtër, rozë, i pathelluar (sepse të tillë e duan përdoruesit përtacë të tyre), janë bërë shkak që të lindin media “profesionale” të këtij lloji e stili. Breitbart-i, me informacionin telegrafik, partizan, të shkujdesur, pa burime, po konkurron gazetat New York Times e Washington Post. Dhe modeli i Breitbart-it po bëhet dominant në botën online. Gazetaria shqiptare është krejt e breitbart-izuar.

Në këtë rrethanë, mediat klasike, për të mbijetuar, detyrohen të tabloidizohen. Dhe kështu kemi arritur në pikën, ku një Twitter i Trumpit, apo një set fotografish skimpy i Rita Orës në hajatin apo oborrin e shtëpisë së saj, tërheqin vëmendje më shumë sesa një reportazh.

–Gazetaria duket se po kalon në një periudhe krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik, dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimist apo pesimist?

Jam pesimist. Në Shqipëri efekti është dhënë. Shtypi i shkruar kanë vdekur tanimë. Edhe disa tituj që kanë mbetur, po mbahen veç që t’u lexohen faqet e para në programin e mëngjesit të Bashkim Hoxhës. Kam përshtypjen se kjo që ka ndodhur në Shqipëri (po shndërrohemi në vendin e parë të botës pa shtyp të shkruar) paralajmëron në një farë mënyre atë që do të ndodhë nesër në të gjithë botën. Për të mbijetuar, gazetave të njohura do t’u duhet të “përshtaten” me gazetarinë e rrjeteve sociale, ku çdo gjë është e kollajshme, e lehtë, e shkujdesur, e ku burimet e sigurta të informacionit janë zëvendësuar gjithnjë nga “burime që nuk duan të identifikohen”. Dhe ky është rasti më i mirë. Sepse rëndom as që i referohen ndonjë burimi. Duket se ditët më të këqija për gazetarinë ende nuk kanë ardhur. Dhe kam frikë se do të vinë shpejt.

–Si mendoni se ka evoluar marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës ndër vite? Si e shihni zhvillimin e këtij raporti në të ardhmen?

Media është bërë gjithnjë e më varur. Dhe kjo nuk ka ardhur prej presionit të drejtpërdrejtë të politikës ndaj gazetarëve. Për fat të mirë në Shqipëri nuk kemi dënime e burgosje të gazetarëve. Varësia realizohet nëpërmjet një hallke ndërmjetëse, që janë botuesit apo biznesmenët që financojnë mediat. Kemi dy marrëdhënie varësie pra, që finalizohen me varësinë e medias prej politikës: varësinë e pronarëve të medias ndaj politikës dhe varësinë e gazetarëve ndaj pronarëve të medias. Varësia e parë theksohet më shumë prej faktit që financuesit e medias shqiptare janë ose sipërmarrës që punojnë vazhdimisht me para publike, ose njerëz që janë shndërruar në biznesmenë pasi janë bërë pronarë mediash. Qeveria e ka fare të lehtë t’i mbajë nën kontroll biznesmenë të tillë, të cilët nga ana e vet e kanë fare të lehtë (“e kanë edhe për detyrë”) të mbajnë nën kontroll gazetarët.

–Gazetaria profesioniste kudo në botë është në gjendje të vështirë edhe për një arsye madhore: ka ndryshuar modeli tradicional i biznesit, me hyrjen në lojë të internetit, medias online dhe rrjeteve sociale. Po në Shqipëri si e shihni këtë problem, dhe a shihni një model biznesi që është në gjendje të mbështesë një gazetari të pavarur, në interes të publikut?

Sot është më pak e kushtueshme për një biznes të mbështesë një projekt mediatik online, por kjo nuk po ndodh, megjithatë. Biznesmenët nuk janë të interesuar të mbështesin një projekt gazetarie të pavarur. Ata nxiten më shumë prej modeleve që ekzistojnë tanimë. Gazetat online, me pak përjashtime, nuk janë projekte gazetareske. Përkundrazi, janë projekte biznesmenësh, të cilët një website të ngritur e shohin si zgjatim të interesave të tyre të biznesit.

Kjo ndodh edhe për një arsye tjetër, që fajin nuk e lë vetëm te biznesmenët: nuk ekziston besimi te një gazetari e pavarur. Çdo projekt për një gazetari të tillë biznesmenët janë të prirur ta shohin me dyshim. Pretendimin për një gazetari të pavarur, ata e shohin si një marifet të një gazetari a të një grupi gazetarësh për të bërë, a fshehur, një dëshirë të tyre, për të bërë biznes me ndikimin publik/mediatik, gjithashtu. Në këtë mes ndikon prishja e imazhit të gazetarit prej modeleve që ekzistojnë në treg. Një pjesë e gazetarëve më të rëndësishëm në vend shihen si biznesmenë në llojin e tyre.

-Një nga fushat ku gjërat kanë ndryshuar më pak gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicioni postkomunist kanë qenë marrëdhëniet e punës në media. Cilat do të renditnit si problematikat më të mprehta në këtë fushë dhe si e shihni perspektivën?

Sikur politika të kishte interes e vullnet të bënte ndërhyrje në media me synimin për të ndrequr çfarë mund të ndreqet në fushën e gazetarisë, kjo përpjekje mund të fillohej pikërisht me marrëdhënien e punës në media. Duhet një ligj që të mbrojë gazetarin prej trilleve të pronarit. Në këtë ligj do të ishte mirë të përcaktohej edhe një pagë minimale për gazetarët, tok me detyrimin e pronarëve për të paguar sigurimet shoqërore për gazetarët, tok edhe me përcaktimin e rrethanës, në të cilën dikujt t’i hiqet e drejta për të ushtruar profesionin e gazetarit në çfarëdo lloj media. Duhet bërë edhe kjo e fundit, pasi ka shumë njerëz që ose nuk duhen pranuar të bëjnë gazetarin, ose u duhet hequr e drejta për të bërë gazetarin. Ata e ndotin dhe e turpërojnë profesionin e gazetarit.

Sot për sot marrëdhënia e pronarëve me gazetarët rregullohet nga kontratat e rregullat që diktojnë të parët. Një situatë e tillë duhet çbërë. Kjo marrëdhënie duhet rregulluar me ligj. Në këtë mënyrë, do t’i jepej dinjitet e pavarësi gazetarit. Por unë nuk shoh asnjë faktor politik të interesuar ta bëjë këtë gjë. Sepse mes gazetarëve e pronarëve, politika e ka bërë zgjedhjen e vet: ajo është me pronarët. Këtë punë do ta zgjidhte fare mirë presioni i komunitetit të gazetarëve, por një presion i tillë nuk ka gjasa që të krijohet. Sepse gazetarët janë të paorganizuar.

-Si do ta shihnit qasjen e medias ndaj problematikës së korrupsionit në vend dhe a gjykoni se gazetaria investigative mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?

U shpresua për ca kohë se “Birn Albania” do të shërbente si model për gazetarinë shqiptare. Por Birn-i mbetet e vetmja “gazetë” që kryen një punë të lavdërueshme në këtë drejtim. Askush nuk e ka ndjekur. Të tjerët, në stilin e krahut politik, të cilit i përkasin, bëjnë thjesht zhurmë kundër korrupsionit. Me fjalë të tjera, flasin shumë kundër korrupsionit, por këtë e bëjnë në funksion të qëllimit propagandistik të partisë. Dhe për këtë u mjaftojnë prova të pjesshme. Shpesh u mjaftojnë edhe hamendje, bindje e opinione të tyret, të cilat s’e kanë për gjë t’i shesin për fakte. Kjo lloj qasjeje nuk jep asnjë kontribut në të mirë të luftës kundër korrupsionit. Akuzat e rreme apo të pabazuara bëjnë që çdo akuzë, edhe ajo më e provuara, të shihet me dyshim, të zhvleftësohet, dhe kështu çdo akt korruptiv të relativizohet. Ndërsa akuzat e të gjithëve kundër të gjithëve kanë krijuar një mjedis të ndotur, ku nuk ka mbetur asnjë i pabaltosur, ku besohet se të gjithë, politikanë, gjyqtarë, gazetarë, intelektualë publikë, kush më shumë e kush më pak, janë të korruptuar (luhet shumë me besimin popullor në Shqipëri se “ku ka zë nuk është pa gjë”). Më e rënda në këtë mes është ideja, që ka zënë vend tanimë në kokën e shumë njerëzve, se “media vetë bën lojën e korrupsionit” apo se “media është një nga gjërat më të korruptuara në vend”.

Burimi: https://a-news24.com/2020/07/nuk-ka-besim-te-nje-gazetari-e-pavarur/

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend