Me zhvillimin e teknologjisë, gjuha e urrejtjes, si dukuri është rritur gjatë viteve të fundit në hapësirën dixhitale. Kjo dukuri vihet re sidomos në mediat online, ku në shumicën e rasteve, komentet dhe gjuha e urrejtjes me bazë fetare, gjinore, etj nuk kontrollohen, nuk kalojnë në filtër nga redaksitë. Deri më tani ka mbizotëruar ideja se “gjuha e urrejtjes” mbulon të gjitha format e shprehjes që përhapin, nxisin dhe promovojnë urrejtjen racore, fetare, ksenofobinë, antisemitizmin ose forma të tjera të urrejtjes të bazuara në intolerancë e shprehur nga nacionalizmi dhe etnocentrizmi agresiv, diskriminimi dhe armiqësia kundër pakicave dhe emigrantëve. Kjo gjuhë përdoret më shumë gjatë bisedave, në mediat sociale; por gjuha e urrejtjes përdoret në mënyrë më selektive nga një kategori e caktuar e shoqërisë.
Rastet e luftëtarëve shqiptarë në Siri
Publikimi në median e gjerë, përfshi këtu televizionet, gazetat, por edhe në portalet e tyre online të luftëtarëve shqiptarë në Siri, nxori në pah gjuhën e urrejtjes fetare të përdorur nga komentuesit poshtë këtyre lajmeve. Komentet fyese, denigruese si: “farë e keqe”, “ju duheni zhdukur”, etj. shkonin tej limiteve. Me zhvillimet e rëndësishme mediatike si dhe të teknologjisë, panorama mbarëshqiptare është e kërcënuar nga “gjuha e urrejtjes”. Deri më tani ekzistojnë disa iniciativa, por jo sistematike në lidhje me monitorimin e gjuhës diskriminuese. Opinioni shqiptar tre vjetët e fundit u njoh me një temë tejet delikate – arrestimet e disa personave të akuzuar si rekrutues të luftëtarëve shqiptarë të përfshirë në konfliktin sirian. Pasqyrimi mediatik dhe komentet rreth kësaj ngjarjeje hapën një debat të gjerë përsa i përket qëndrimeve ndaj këtij rasti, bazuar në raportimin e ngjarjeve, gjuhës së përdorur, stereotipet, si dhe filtrave vetërregullues të medias online. Media ndihmon në përforcimin e imazheve apo edhe stereotipeve ekzistuese në shoqëri. Në këtë aspekt nëpërmjet vëzhgimit të medias ne mund të hasim mangësitë dhe gabimet, të cilat mund të shërbejnë më pas për të zhvilluar një model të sjelljes së saj me qëllim parandalimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes.
Lufta e Sirisë është një nga vatrat më të nxehta të konflikteve në botë. Që nga nisja e saj, në pranverën e vitit 2011, ka shkaktuar një numër të konsiderueshëm viktimash civilë dhe ushtarakë. Media shqiptare është përpjekur ta përcjellë atë referuar informacioneve të medias botërore, por, ajo që e detyroi të ishte më e vëmendshme dhe t’i kushtonte më shumë rëndësi, ishte përfshirja e një grupi shqiptarësh në konfliktin sirian. Lajmi që ngacmoi opinionin publik shqiptar ishte ai i datës 12 mars me titullin: “Lufta në Siri, zbulohet celula terroriste në Tiranë”, i botuar pothuajse në të gjitha gazetat brenda dhe jashtë vendit. Lajmi jepte informacion të detajuar për mënyrën e arrestimit, akuzat që rëndonin mbi të arrestuarit, intervista të personave okularë rreth mënyrës sesi policia kishte kryer aksionin e detaje të tjera. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, sipas të cilit personat e arrestuar janë imamë të vetëshpallur dhe se xhamia në të cilën ata kryenin shërbesat e tyre nuk ishte nën juridiksionin e Komunitetit.
Në gazetat shqiptare qarkulloi lajmi i profilit të dy imamëve të vetëshpallur me titull “Rrjeti i rekrutimeve, profili i imamëve të vetëshpallur”. Ky informacion u dha tejet i zgjeruar dhe me foto në faqe të parë në pjesën dërrmuese të shtypit shqiptar. Duke cituar prokurorinë shtypi i paraqiti si teologë radikalë që propagandonin islamin e dhunshëm, nxitnin urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxitnin frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman, si dhe frymëzues dhe organizatorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për “Xhihad luftarak” në Siri.
Citojmë disa nga titujt kryesorë: “Shërbimi Informativ Shtetëror: Shqiptarët në Siri janë rreshtuar me terroristët, jo me opozitën”, “Shqiptarët në Siri, luftojnë në krah të Al-Kaedas”, “Shqiptarët në Siri luftuan në grupin e çeçenëve”, “SHISH: fëmijë dhe gra të 13 luftëtarëve shqiptarë iu bashkuan luftës në Siri”, “Shqiptarët në Siri, luftë e pengmarrje mes njëri-tjetrit”. Siç vihet re media ka vënë theksin te “shqiptarët në Siri”, të cilët herë janë rreshtuar me çeçenët, herë me terroristët, herë janë në krah të Al-Kaedas, dhe se kanë edhe “luftë mes njëri-tjetrit”. Titujt janë domethënës, por të parë në grup janë njëherësh edhe çorientues, pasi nga njëra anë kërkojnë që në fillim të japin informacion, nga ana tjetër nuk sqarohet saktë se për kë po luftojnë shqiptarët në Siri. Mbi të gjitha, numrin e shtetasve shqiptarë të larguar për në Siri, nga ç’zona të vendit janë, çfarë moshe kanë kryesisht, etj.? A duhej të përgjithësohej që në tituj me “shqiptarët”?
Në gazetat online përmendet po ashtu edhe një arsye tjetër për përfshirjen e shqiptarëve në konfliktin sirian. Kështu në gazetën Mapo të datës 22.03.2014 botohet intervista e korrespondentit shqiptar të luftës, Vedat Xhymshiti dhënë për Revistën Mapo, sipas të cilit ka shqiptarë që atje janë thjesht për arsye ekonomike. Më tej vazhdohet me dialogun mes tij dhe njërit prej luftëtarëve: “Dëgjo Vudi, – më tha njëri prej tyre, – kam luftuar për Kosovën, për Preshevën, për Maqedoninë, por familja ime akoma vuan dhe unë nuk mund t’i shkolloj fëmijët e mi. Erdha të luftoj në Siri sepse dihet që në vendet arabe, luftëtarët pas çlirimit, kanë përfitime”. Korrespondenti Xhymshiti ngre mjaft pikëpyetje, madje flet edhe për konspiracion e për lejim (mbyllje sysh) nga shtetet në Shqipëri e Kosovë që këta persona të shkojnë në Siri, ku u bashkohen ekstremistëve, që sipas tij më shumë e dëmtojnë sesa e ndihmojnë Sirinë. “Celula terroriste e Tiranës, hetohen gratë e xhihadistëve” është një shkrim tjetër, ku “bëhet me dije se SHISH-i po punon mbi të dhëna të ndryshme për persona që mendohet se janë pjesë e stafit të ambasadave arabe në vendin tonë, për të cilët ka dyshime se janë ideatorë si dhe përkrahës të xhihadizmit”. Ky informacion është tejet i rëndësishëm dhe diskret për ta ndarë me publikun, aq më tepër që flitet në përgjithësi dhe çon në konfuzion dhe paragjykim nga ana e audiencës për stafet e përfaqësive diplomatike të vendeve arabe të akredituara në Shqipëri. Nga prokuroria nuk dalin vetëm këto informacione, por edhe përgjime të personave të akuzuar për terrorizëm. Kështu mësohet se i vetëquajturi imam i xhamisë së Mëzezit njoftonte ndjekësit edhe për vrasjet, të cilët i quante “shehid”. Bazuar në përgjimet që gjenden në dosjen kundër imamëve, mësohet se më 10 tetor 2013, besimtarëve të tjerë imami iu ka bërë të ditur se kishte rënë në luftë H. M., i njohur mes besimtarëve me emrin Ebu Enesi. Sipas përgjimit, imami mësohet të ketë thënë se: “Nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid vëllai mysliman me emrin fetar Ebu Enesi nga Lapraka dhe është vëllai mysliman Hamit Muslija. Inshalla Ebu Enesi, ka rënë shehid, dhe ne duhet të gëzohemi për këtë gjë, të gëzohemi për të që Allahu ia mundësoi xhenetin (parajsën) si shehid. Ne duhet të mërzitemi për veten tonë që Allahu nuk na e ka mundësuar shehidllikun, e inshalla ia mundëson secilit prej nesh dhe çdo myslimani të devotshëm. Kjo është ajo që duhet të na mërzisë dhe jo vdekja e atij vëllait, se ai ka marrë gradën më të lartë tek Allahu, shehid inshalla…”. Veçojmë këtu po ashtu edhe botimin e bisedës së A. D. me një të afërm të një shqiptari të vrarë, në Facebook, ku u komunikon se ai u vra në Siri nga një shpërthim. “i tregon se iu copëtua kushëriri dhe e fton: Eja edhe ti në Siri…” (18.04.2014). Është nga shkrimet që ka pasur komentet më të shumta në numër nga ku mund të shkëputet një si më i moderuari me nickname Martin Gashi: Shqipëria tashmë u përça si në 1914: ca vriten për NATO-n, ca për Al-Kaedën…
Ndërsa tek Koha mundëm të gjenim 10 komente. Lajmi më i komentuar ishte: “Imami i vetëshpallur: Vdekja e Muslisë na gëzon, u bë dëshmor”. Objekt i diskutimit është përsëri çështja fetare, komentuesit debatojnë mes tyre nëse lufta në Siri është një luftë e drejtë apo jo. Por, këtu vlen të përmendim që lajmet shpërndahen edhe në faqet e këtyre gazetave në rrjetin social Facebook, ku ka komente të shumta në numër.
Komentet
Në lidhje me komentet, media online paraqet problematikë të theksuar. Një pjesë e madhe e komenteve jepen pa u moderuar dhe në të shumtën e rasteve fyejnë e denigrojnë pafund fenë Islame dhe personat e përfshirë në konfliktin e Sirisë. Madje shkojnë e më tej, duke nëpërkëmbur edhe besimtarët e tjerë myslimanë. Për gazetarinë online komentet janë një hapësirë ndërvepruese, sepse merret opinion dhe qëndrimi që kanë lexuesit në lidhje me ngjarjet dhe informacionet. Një nga arsyet se pse një pjesë e madhe e websiteve online nuk i moderojnë komentet është pikërisht numri i klikimeve; nga njëra anë ky mund të jetë një rritje e fluksit të lexuesve, por nga ana tjetër kjo çon në shkelje të rëndë të kodit të etikës. Gazetat Dita, Shekulli, Panorama etj., kanë gjithë hapësirën e tyre dukshëm pa asnjë moderim.
Në përfundim duhet thënë se ka një dallim të dukshëm mes përmbajtjes së paraqitur në media nga gazetarët dhe asaj që gjendet në komentet e vizitorëve, kur bëhet fjalë për gjuhën e përdorur në to. Kështu, gjuha e urrejtjes dhe gjuha denigruese, fyerjet dhe sulmet personale janë shumë herë më të theksuara dhe më të pranishme në komentet për shkrimet sesa në vetë shkrimet. Kjo, siç u tha më lart, vjen për arsye të mosfiltrimit të komenteve. Redaksitë e gazetave online vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore që mund të angazhoheshin për këtë qëllim, por në ndonjë rast edhe për shkak të politikës editoriale, që lejon qëllimisht komente të rënda që adresohen në lidhje me fenë islame, apo edhe luftëtarëve në Siri. Nëse marrim në analizë vetë tekstin e shkrimeve, gjuha më e rëndë gjendet tek etiketimet terrorist, xhihadist, fundamentalist.
Siç u tha më lart problemi qëndron te gjuha e komentuesve, e cila lë shumë hapësirë interpretuese. Ka ardhur koha që mediat online të aplikojnë domosdoshmërisht moderimin. Vetëm kështu do të arrihet minimizimi i diskriminimit dhe fyerjeve, më saktë, gjuha e urrejtjes në hapësirat mediatike online.
Burimi: https://debatiperfene.wordpress.com/2018/07/23/gjuha-e-urrejtjes-fetare-ne-mediat-online/#more-27
Tags:gjuha e urrejtjes fetare, mediat e reja, Mediat sociale