Reporter apo analist?!

12 Qershor , 2012 • Profesionalizmi në media • by

Reporteri raporton për gjërat në ter­ren, për atë që sheh, atë që ndjen, atë që hulumton, atë që verifikon! Puna e re­porterit është “lënda e parë” për analis­tin. Por, ëndrra e rishtarëve në profesion është “analisti”.

Cili është gazetari/gazetarja që e keni si model? Përgjigja e kësaj pyetje për një grup studentësh në degën e gazetarisë, i jep përgjigje më së miri problemin krye­sor të profesionit.

Modeli është analisti/opinionisti dhe jo reporteri. Analistët janë të njohur, kanë paga më të mira dhe pozicioni i tyre është i lakmueshëm. Në dallim nga reporteri, analisti thotë “atë që ndodh në kokën e tij”. Reporteri raporton për gjërat në ter­ren, për atë që sheh, atë që ndjen, atë që hulumton, atë që verifikon! Puna e re­porterit është “lënda e parë” për analis­tin. Por, ëndrra e rishtarëve në profesion është “analisti”.

Shoqëria jonë si traditë nuk është sho­qëri informacioni, por shoqëri thasheth­emi. Puna e reporterit asnjëherë nuk ka qenë e lehtë. Aq më tepër sot, në kohën e lulëzimit të mediave të reja, mediave so­ciale, ku biznesi i informacionit, lajmit e analizës nuk është pronë vetëm e indus­trisë tradicionale të medias, por e çdo personi, mjaft të ketë një aparat celular dhe qasje në internet.

Tregu është i mbingarkuar me anal­istë e opinionistë. Tabela e Mendelejevit nuk ka kuti bosh. Por, ka një zbrazëtirë të madhe për reporterë, për reporterë që raportojnë lajmin dhe jo thjesht pasqy­rojnë aktivitete. Për reporterë që mbajnë shënime dhe jo thjesht procesverbale, për reporterë që verifikojnë informacionet dhe jo thjesht për “rripa transmetimi”.

Për shkak të mungesës së mjedisit që nxit karrierë, shumë gazetarë të rinj pa shijuar ende xhaketën e reporterit, kanë kërcyer në rolin e redaktorit dhe kryeredaktorit. Shkrimtari më i mirë në botë ka nevojë për redaktorin e tij. Është fat i madh nëse reporteri ka një redak­tor të mirë. Por, për shkak të djegies së “etapave”, tregut i mungojnë redaktorët e mirë. Por në modë është analisti. Tur­ravrapi është për t’u bërë opinionist, për të dhënë mend dhe jo për të dhënë infor­macion.

Faktet janë të shenjta, komentet janë të lira-kjo është një maksimë e pranuar në gazetari. Këtë maksimë e kemi marrë pak mbrapsht: komentet janë të sh(tr)enjta, faktet janë të lira.!!!

Send this to a friend