Gazetarët kameleonë

6 Qershor , 2013 • Liria e medias • by

Në Mapo Weekend të 1-2 qershorit, kolegu Henri Çili me të drejtë fton gazetarë, analistë dhe editorialistë që të pozicionohen për votën apo qëndrimin që ata do të mbajnë për zgjedhjet e 23 qershorit. Deri këtu nuk ka asnjë të keqe, madje siç e thekson edhe Çili, eksperienca botërore në këtë drejtim është e hershme dhe shpeshherë me ndikim jo të vogël ndër qytetarët. Por ajo që më duket mua se nuk shkon apo është e parakohshme në atë çka thotë Henri në shkrimin e tij “Për një pozicionim pa komplekse, djathtas ose majtas për 23 qershorin”, është pjesa ku thotë se analistët duhet të investohen me qëndrimin e tyre të drejtpërdrejtë për t’u kumtuar qytetarëve se çfarë është më e dobishme për interesin publik më 23 qershor. Kjo është mosdakordësia që kam unë me shkrimin e Çilit, dhe kjo për disa arsye.

E para, nëse shikohen me vëmendje opinionistët, analistët, por edhe në përgjithësi gazetarët dhe drejtuesit e emisioneve televizive që kanë në dorë përpunimin e opinionit publik (pikërisht për shkak të fuqisë mediatike që kanë arritur për shumë arsye), nuk është e vështirë të konstatohet se shumë pak prej tyre mund t’u “zihet besë” në sensin e moralit profesional apo edhe kohezionit të qëndrueshëm politik. Qytetarët e thjeshtë, që për fat të keq, shpenzojnë përnatë orët e mbrëmjes duke dëgjuar nëpër ekrane komentet e gazetarëve në favor apo kundër njërit grupim apo parti politike, i mbajnë mend mirë në vite po këta gazetarë e analistë që kohë pas kohe kanë “moderuar” (siç u pëlqen ta thonë) qëndrimin e tyre kundrejt partive politike të caktuara apo liderëve të tyre. Nuk është nevoja të përmend këtu asnjë emër, pasi memoria e qytetarëve, si e atyre që e shohin veten të grupuar në “detashmentet” e partive, apo edhe e atyre që nuk kanë simpati për asnjërin prej kaheve politike, është në gjendje t’i kujtojë ata soj gazetarësh që deri dje nuk linin gjë pa thënë për Berishën dhe sot shajnë si t’u vijë nëpër gojë Ramën, apo anasjelltas. Për këtë kategori analistësh, i vetmi interes është ai personal dhe aspak ai publik dhe rreshtimi kohë pas kohe pro Nanos, Berishës, Metës, Ramës, Bashës apo tjetërkujt nesër, është vetëm për shkak të interesit momental personal dhe jo për t’u hapur sytë qytetarëve se për kë ia vlen të votojnë. Përpara se ndonjë kolegu t’i mbetet qejfi për këtë opinion timin, të mendojë nëse ia ka vlejtur pirueta e tyre “politiko-mediatike” në vite. Dhe përgjigja në sensin personal sigurisht është PO, pasi rreshtimi sipas motit politik i ka ndihmuar ata të paktën për të ngjitur shkallët e karrierës profesionale, e cila shpeshherë, sigurisht që ka nevojë për një suport politik. Kurse në aspektin e të ardhurave, kjo kategori mes gazetarësh njihet si “elita e kolegëve me zemrën majtas dhe xhepin djathtas, apo anasjelltas”. Por kjo nuk do të thotë se të gjithë janë të njëvlefshëm në këtë pikë dhe dallimin e bëjnë përditë e përnatë dhe vetë qytetarët. Sigurisht ekziston edhe kategoria e analistëve, gazetarëve apo drejtuesve të emisioneve dhe redaksive të veçanta, që ndjekin së pari parimet morale ashtu dhe ato të respektimit të profesionit, pavarësisht preferencave politike, të cilat nuk kanë ndikuar shumë pak ose aspak në gjithë këto vite punën e tyre.

E dyta, shumë pak prej njerëzve të medias me ndikim në opinionin publik nuk është se nisen në pozicionimin e tyre nga analiza që iu bëjnë programeve të partive politike. Përkundrazi, ata vetëm sa komentojnë sipas oreksit dhe interesave të tyre të momentit liderët e partive politike. Nëse qytetarët do të shihnin në darkë një debat të përqendruar në atë çka ofrojnë partitë politikë në investimet në infrastrukturë, në politikën e taksave, në atë të sistemit shëndetësor apo arsimit etj., do të kishim një interes më të madh të tyre për këto tema dhe për rrjedhojë edhe ndikimi që mund të kenë analistët mbi qytetarët, mbi këto interesa direkte publike, do të ishte i drejtpërdrejtë dhe më i madh. Por, të bësh debat mbi emra të përveçëm të politikës, nuk është se shkon në të mirë të interesit publik. Sali Berisha, Edi Rama apo Ilir Meta nuk kanë ndryshuar shumë në 20 vitet e fundit. Ata vetëm sa janë maturuar më shumë dhe janë bërë më të zgjuar e të sofistikuar për të gjetur mënyrat sesi kërkojnë të rrinë në pushtet, apo të vijnë në krye të tij. Ata që kanë ndryshuar janë një pjesë e mirë e gazetarëve, të cilët shpeshherë kanë ndryshuar “ngjyrimin e tyre politik” dhe si kameleonë të vërtetë iu janë përshtatur natyrave të njerëzve që na kanë udhëhequr në këto dy dekada. Aq sa edhe politikanët që bashkëjetojnë gjithë këto vite me gazetarët, duke qenë zgjatime të njëri-tjetrit, nuk janë më as vetë në gjendje të mbajnë mend se cilën parti apo grupim politik kanë mbështetur gazetarët në krye të herës kur janë njohur me njëri–tjetrin, pasi edhe gazetari edhe politikani e kanë ndryshuar disa herë pozicionin apo mbështetjen politike.

E treta arsye që nuk jam dakord me përcaktimin se analistët duhet të tregojnë se cili është interesi ynë publik, është edhe fakti se shumë pak prej atyre që na japin leksione zgjedhjesh përnatë nëpër ekrane TV apo faqe gazetash, nuk janë ekspertë të fushave të ndryshme për të cilat flasin me aq kompetencë. Nëse në vend të tyre do të kishim specialistë të ekonomisë, mjekë, arsimtarë, juristë, apo teknicienë të zotë në drejtimet e tyre, sigurisht që interesi i publikut për t’i dëgjuar do të jetë shumë më i madh dhe ekranet apo faqet e gazetave do të ishin më të dobishme për qytetarët ende të pavendosur ose për ata votues që kanë nevojë që dikush t’u japë një dorë për të zgjedhur se cilën forcë politike duhet të mbështesin më 23 qershor. Por duke qenë se këta gazetarë dhe analistë, shpeshherë janë edhe drejtues emisionesh të ndryshme aktualiteti dhe ato të politikës, sigurisht që i mbajnë hermetike studiot apo faqet e tyre të gazetave. Sigurisht që e keni vënë re që ata ftojnë përnatë me radhë njëri-tjetrin duke u bërë qokën e radhës kolegëve. A thua se në këtë vend duhet të jenë politikanët e gazetarët dhe jo ekspertët që duhet të flasin për gjithçka ndodh në këtë vend, që nga lindjet në maternitete, vendet ku duhet të pushojmë, çështjet e emigracionit, mbjellja e bimës së duhanit, futbolli, librat, taksat, 1 qershori, zhvillimet më të fundit teknologjike, ndryshimet klimaterike, terrorizmi, droga, obeziteti, filmat, festivalet e këngës etj., etj!

Në këtë mënyrë veçse krijohet një qark i mbyllur njerëzish që japin mend për gjithçka dhe kjo, përkundrazi, nuk është se i bën njerëzit e thjeshtë që të orientohen për çështje apo problematika për të cilat kanë nevojë të dëgjojnë dikë që ia ka haberin. Ndaj dhe nuk mund të jem dakord që një kastë e tillë njerëzish që mbahen sistematikisht të lidhur me politikën (duke i shërbyer secila palë reciprokisht njëra-tjetrës), të na diktojë se ku duhet ta hedhim votën. Mbase pas disa kohësh, kur me të vërtetë të kemi krijuar atë grup analistësh dhe mediash serioze që nuk ndërrojnë padronin politik, sa herë që ndryshon pushteti, atëherë opinioni i tyre do të mund të konsiderohet i besueshëm dhe me ndikim jo të vogël tek votuesit e pavendosur apo tek ata që kanë nevojë për “një dorë mend” kur të shkojnë tek kutitë e votimit.

Botuar në gazetën Mapo, datë 4 qershor 2013

Tags:, ,

Send this to a friend