Termi i lajmeve të rreme u përdor shumë viteve të fundit. Atë më së shumti e “promovoi” presidenti i ShBA-së, Donald Trump që prej kur erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë në fund të vitit 2016. Sot, “Fake news” është e njohur për secilin prej nesh.
Në kuptimin më të thjeshtë, lajmet e rreme janë informata të pasakta të cilët përdoren për një qëllim të caktuar.
Edhe Kosova, si të gjitha vendet nëpër botë, përballet me fenomenin e lajmeve të rreme. Prodhimi i dezniformatave më së shumti ndodh kur afrojnë zgjedhjet nëpër shtete. Partitë politike organizohen që të sulmojnë kundërshtarët politik duke prodhuar lajme të rreme. Kështu ndodhi edhe gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale në vend.
Politika mbetet gjithnjë temë atraktive për lexuesin në Kosovë. Përveç lajmeve të pandemisë gjatë këtij viti, në vendin tonë ndodhën edhe disa zhvillime në skenën politike. Në fund të muajit mars, pas disa muajve pa qeveri, u rrëzua edhe qeveria të cilës i printe Albin Kurti. Kështu, shumë herë, agjenda politike dominoi atë të COVID-19. Ndërsa, partitë organizuan edhe grupe të ndryshme në rrjete sociale për të shpërndarë lajme dhe informata.
Mentor Hoxhaj, udhëheqës i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi (CSP), thotë se partitë politike nuk janë të interesuara ta luftojnë fenomenin e lajmeve të rreme.
“Ne fillim të muajit shtator 2019 (para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës) , kemi ofruar të bëjmë të njëjtin aktivitet për të luftuar lajmet e rrejshme me prapavijë politike. Por, asnjëra nga partitë apo institucionet nuk kanë shprehur interesim për një projekt të tillë”, thotë ai për KALLXO.com.
“Kjo na ka len te nënkuptojmë , që të gjitha partitë politike mund të kenë menduar “fake news” si një armë politike gjatë fushatës elektorale”, vlerëson Hoxhaj.
Sipas tij, partitë politike duhet të shprehen kundër përhapjes së lajmeve të rreme.
“Partitë politike mund të mos jenë duke i financuar drejtpërdrejtë lajmet e rrejshme me tema politike. Por, nuk kemi parë veprime për të dënuar apo thirrje për ti larguar lajmet e rreme me tema politike”, deklaron ai.
KALLXO.com përmes platformës KRYPOMETËR në vazhdimësi bën verifikimin e lajmeve që publikohen në media dhe rrjete sociale.
Njëra nga rrenat e politikës kosovare e cila u bë nga viti në vit ishte ajo për liberalizimin e vizave. Edhe sot, pas më shumë se katër viteve, Kosova nuk ka liberalizim vizash, ndërkohë që secili nga politikanët e kishin premtuar atë.
Në “radarin” e platformës për verifikim të lajmeve shpesh bien edhe mediat. Por, nuk shpëtojnë as politikanët.
Gjatë kohës së pandemisë u rritë numri i lajmeve të rreme thotë eksperti i kibernetikës, Driart Elshani. Sipas tij, gjatë kësaj kohe, rreth tre muaj, u rritë edhe përdorimi i rrjeteve sociale në vend. Krejt kjo, sipas tij, mund të të rritë numrin i lajmeve që nuk janë të bazuara në fakte.
“Pandemia i ka rritur shumë lajmet e rreme dhe gjuhen e urrejtjes në web. Efektet e pandemisë janë përtej shëndetit publik. Si rezultat, shoqëritë po bëhen akoma me polarizuese sidomos ne aspektin politik. Lajmet e rreme dhe te pabazuara ne evidence apo fakte e shumëfishojnë polarizimin”, thotë Elshani.
“Kjo pastaj ka pasoja te tjera dhe kështu pra si një efekt zingjiror ose një rreth vicioz qe ndikon në zhvillimin e demokracisë dhe progresin shoqëror”, vlerëson eksperti i kibernetikës.
Partitë politike në vend kanë shfrytëzuar kohën e pandemisë për të promovuar lajmet e pa verifikuara mirë, thotë Elshani.
“Po shfrytëzohet teknologjia për të ndikuar në publik dhe për ta manipuluar atë me lajme te rreme”, deklaron ai.
Sipas ekspertit të kibernetikës temat politike janë për disa arsye pse bëhen lajme të rreme.
“Temat politike janë më të lehtat për t’i shndërruar në lajme të rreme. Nganjëherë mjafton që të shkëputen nga konteksti disa përmbajtje multimediale për të arritur efektin manipulativ. Kur kësaj i shtohet retushimi teknologjik duke përdorur fotografi dhe video të montuara etj. dhe duke i shpërndarë në mënyrë virale atëherë lajmet e rreme behën një problem edhe me i madh”, thotë Driart Elshani për KALLXO.com.
Luftimi i lajmeve të rreme
Para se t’i besojmë një lajmi, duhet të shohim nëse ia ka të gjitha burimet e informacionit. Sipas ligjëruesit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, janë disa mënyra për ta verifikuar një lajm.
“Këshilla e parë, dyshoni në përmbajtjen që lexoni, pastaj shiheni a ka argumente dhe shihni burimet ku referohet teksti. Kujdes çfarë shpërndani në rrejte sociale, sepse ne rrezikojmë që edhe një pjesë tjetër e publikut të bëhet pre e lajmeve të rreme nëse ne nuk i kemi verifiku paraprakisht, kujdes çfarë shpërndani sepse ju mund të bëheni pa dashje, sikur bartës i virusit, bartës edhe i infodemisë ose lajmeve të rreme”, ka thënë Zeneli ditë më parë në një intervistë për KALLXO.com.
Në anën tjetër, Mentor Hoxhaj thotë se për luftimin e lajmeve të rreme duhet të bëhen ndryshme edhe në legjislacionin në fuqi që prek median.
“Plotësimi i legjislacioni sa i përket mediave digjitale dhe të drejtave digjitale. Marrja e masave ndaj medias dhe /ose gazetarit i cili ka prodhuar lajmin e rrejshëm, nga autoritet vetërregulluese dhe/ose KPM si dhe nga gjykatat(materiale) ne pajtim me legjislacionin ne fuqi”, thotë ai.
“Vazhdimi i fact-checking dhe bashkëpunimi me gjigantet e internetit Facebook , Googel dhe te tjerët.(Pune te cilën jemi duke e ber pothuajse 24/7)”, vlerëson Hoxhaj.
Në anën tjetër, eksperti i kibernetikës, Driart Elshani, si formë për luftimin e lajmeve të rreme e sheh edukimin për median.
“Rëndësia e edukimit medial në këtë situate është shumë e madhe. Te gjitha shtresat e popullsisë por sidomos të rinjtë duhet të kenë orë mësimore edukimin medial. Sepse avancimi i teknologjisë vetëm se do ta amplifikoje fenomenin e lajmeve te rreme”, thotë Elshani.
Në mënyrë që të shmangim manipulimin që mund të bëjnë lajmet e rreme secili lexues duhet të ketë qasje kritike ndaj përmbajtjeve mediale.
“Është me rëndësi dhe aftësia për ta kuptuar reagimin tonë emocional dhe moral ndaj lajmeve, e jo vetëm atë njohës. Këtë shkathtësi të mendimit kritik e synon edukimi për media, dhe prandaj është me rëndesi që individi të jetë i përgatitur për ta shfrytëzuar median dhe për ta prodhuar atë, meqenëse sot secili prej nesh prodhon media”, thotë Lindita Tahiri, profesoreshë universitare.
“E rëndësishme është që publiku të ketë mendim kritik dhe të jetë në gjendje ta dallojë faktin nga opinioni, si dhe të konsultojë burime alternative për ta verifikuar lajmin”, thotë Tahiri.
Emisioni “Jeta në Kosovë” gjatë vitit të kaluar trajtoj fenomenin e lajmeve të rreme. Grupe të organizuara në Kosovë janë angazhuar për të prodhuar lajme e më pas t’i shesin ato.
Burimi: https://kallxo.com/lajm/politika-gjate-pandemise-dhe-lajmet-e-rreme/
Tags:covid, Dezinformimi, lajmet e rreme, media, politika