Ekonomia e medias midis rrezikut të fundosjes dhe mundësive për ristrukturim

20 Shkurt , 2014 • Ekonomia e Medias • by

1. Një monitorim shkarazi.

Kolegët e mi në departamentin e gazetarisë dhe komunikimit të Universitetit publik të Tiranës si edhe doktorantët e monitorojnë me detaje evoluimin e mediave tona dhe të industrisë së informimit. Por, shkarazi, për studimet e mia edhe unë ndonjëherë bëj diçka.
Pra disa ditësh po i hidhja një sy shtypit botëror dhe lajmeve të aktualitetit ndërkombëtar. Mediat e ndryshme evropiane pasqyronin atë ditë frikën e Brukselit nga deflacioni, pra nga mungesa e parasë në treg, si rezultat i politikave shtrënguese të rripit të konsumatorit. Hodha një sy në mediat tona deri dy a tre ditë më pas, asgjë. Mediat amerikane flisnin atë ditë për analizën e politikës së Obamës lidhur me shëndetin publik dhe raportet e tij me Senatin në kuadrin e reformës së madhe të ”obama care”. Një përvojë e madhe me shumë mësime. Kërkoj në mediat shqiptare, asgjë. Shtypi italian fliste për faktin se qeveria italiane kishte hedhur në gjyq dy shoqëritë e vlerësimit financiar sepse në analizën e tyre nuk kishin marrë parasysh kapacitetet e trashëgimisë kulturore të vendit në përmirësimin e buxheteve ekonomike vendase. Pres të shoh ndonjë gjë në shtypin shqiptar, asgjë. I gjithë shtypi i shkruar evropian analizonte lojërat olimpike dimërore. Kujtoj se mund të kishte ndonjë analizë gjeopolitike, kulturore, turistike, sportive, financiare në mediat tona, asgjë.
Pyetja vjen vet: Çfarë kapacitetesh kanë mediat shqiptare për të mbuluar aktualitetin ndërkombëtar apo e braktisin publikun vendas në një izolim dhe errësirë informative krejt të padëshiruar ?
Pastaj analiza të tjera plot.

 

2. Më mirë media e keqe sesa pa media fare

Kur Lazarsfeld shqyrtonte rolin e medias në jetën amerikane disa dekada më parë, pyeste se çfarë ndodh në një qytet të madh, kur nuk ka media. Mirëpo, nuk mund të bësh një eksperiment për ta vëzhguar këtë gjë. Qëndronte në pritje dhe rasti ja solli në derë fatin. Gazetat bën grevë të përgjithshme. Kur qyteti është në krizë, studiuesi ka rastin e mirë të kryejë kërkimin e vet shkencor. Ai bëri anketa dhe i rezultoi se ato ditë ankthi i qytetarëve nga padija se çfarë ndodh, nga mosinformimi, u bë i padurueshëm.

Kështu është me mediat. Shpesh dëgjojmë kritika, sharje, përbuzje ndaj medias dhe gazetarit. Publiku ka të drejtë të kërkojë më tepër, por mbi të gjitha, fillimisht, duhet vlerësuar puna e përditshme, e lodhshme, e vështirë, e gazetarit që i duhet përditë të përballojë streset e punës, për të na informuar, i ndodhur brenda një trekëndëshi fatal, shpesh infernal, pra midis publikut, pronarit, politikanit.

3. Faktorët e vështirësive që e brejnë industrinë e medias

Në të gjithë botën industria e medias njeh një periudhë që disa e quajnë krize dhe disa fazë ristrukturimi, e mbase të dyja bashkë. Por, këta faktorë veprojnë më egërsisht në peizazhin mediatik shqiptar për shkak të tregut të vogël të  krijuar nga publiku shumë i reduktuar shqiptarofolës, praktikat menaxhuese relativisht të prapambetura në mjaft raste, me përjashtime të vogla, nga konkurrenca e mediave dhe industrisë kulturore botërore në kushtet e transmetimeve numerike satelitore, etj.
Sikurse theksojnë analizat më të mira sot në botë faktorët e kësaj krize me mundësi ristrukturimi, por edhe fundosjeje, janë si më poshtë :

-Ç’mediatizimi i reklamës e cila ndofta në vlerë monetare shkon shumë më pak drejt mediave klasike, shtyp i shkruar, radio në ajër dhe televizion në ekran televizori, sesa më parë. Vende vende edhe 50 % më pak.

-Në kushtet e informimit në web, vlera financiare e informacionit, por edhe e muzikës, filmave, veprave artistike shkon drejt zeros, kurse masa e shpenzimeve rritet gjithnjë e më shumë, çka bën që industria mediatike të ketë probleme shumë të rënda me funksionimin sipas rregullave të tregut. Nëse fitimi shkon drejt uljes dhe shpenzimet shkojnë drejt rritjes, dihet se cili është përfundimi për një sipërmarrje çfarëdo.

-Publiku gjithnjë e më shumë informohet pa pagesë në Internet dhe preferon përherë e më shumë të besojë informacionet e ardhura nga rrjetet e miqve sesa nga mediat. Besimi në vërtetësinë e mediave dhe asnjëanësinë e tyre ka arritur pika shumë të ulta. Mbi të gjitha ka rënë interesi i qytetarit për informim sa kohë që burimet e informacionit janë bërë të pafundme.

-E kësaj i shtohet fakti që kriza ekonomike, (por ky është një faktor i fundit), shkakton një rrudhje të kapitaleve të lira që të kalojnë nga sferat jashtëmediatike të sipërmarrjeve drejt atyre që lidhen me funksionimin e mediave.

-Shtimi i teknologjive të komunikimit dhe i terminaleve të tyre me zgjatime drejt përdoruesit masiv, sidomos i telefonisë celulare, ka ndryshuar strukturën dhe gjinitë e informacionit, të artit, të kulturës duke i bërë gjithnjë më pak të adaptueshëm për mediat klasike dhe në përputhje me kompetencat e gazetarit klasik.

Duke numëruar këto shkaqe nuk është se mohojmë të tjerë akoma edhe më të hollë, por nuk është vendi të zbresim më poshtë. As po themi se këta faktorë çojnë medoemos drejt falimentimit ekonominë e medias. Po theksojmë vetëm se ata veprojnë dhe shkaktojnë sfida e vështirësi të përditshme në administrimin dhe menaxhimin e komunikimit dhe për to duhet një përgjigje adekuate dhe politika publike e strategji sipërmarrëse të duhura.

4. Pasojat e kushteve të sotme

Nuk mund të qëndrojmë gjatë sepse fusha  kërkon analiza shumë të hollësishme dhe të detajuara, çka mund të gjenden të dokumentuara në qindra faqe kërkimi shkencor kolektiv dhe individual pranë departamentit të gazetarisë dhe komunikimit masiv të Universitetit publik të Tiranës, por disa parametra të një lloj stanjacioni ekonomik dhe profesional mund të përmenden.

Së pari kemi një strukturë mediatike që është në raporte funksionale të brendshme krejtësisht të ndryshme nga ato që konstatohen brenda peizazheve të mediave të zhvilluara në vendet e përparuara ose më të përparuara sesa ne. Dihet se sot në botë tirazhet e shtypit lokal, të specializuar dhe profilizuar, si edhe drejtuar segmenteve të veçanta të opinionit publik, për banorë, janë më të larta sesa tirazhet e mediave gjeneraliste, me informacion politik në nivel kombëtar. Kurse te ne edhe shtypi i shkruar edhe televizionet janë në atë situatë ku mediat gjeneraliste, me informacion kryesisht politik dhe drejtuar një publiku të përgjithshëm janë mbizotëruese ndaj lokales dhe të profilizuarës.

Sigurisht ky është një tregues ende i përgjithshëm, por që fsheh brenda vetes elemente të tjera, si mungesa e lajmit lokal, hiperpolitizimi i informacionit, ndërvartësitë e medias ndaj politikës, përjashtimi i qytetarit nga hapësira publike mediatike, etj.

Së dyti, parametrat e përmbajtjes cilësore të medias kanë krijuar shqetësime krahasuar me standardet e përparuara. Pak kulturë, mungesë e informimit për lajmin e jashtëm, mungesa e lajmit lokal, mbivendosja e propagandës dhe marketingut mbi informacionin, zbehje e gazetarisë investigative, heqje nga orët e transmetimit intensiv i kulturës së kultivuar dhe mbisundimi nga politika, ndonjë lloj sporti dhe pak emisione të qenësishme, ulja e nivelit të analizave shkencore dhe të thelluara prospektive të shtyra tej nga bota e opinioneve, etj.

Së treti, vështirësi financiare që lidhen si me pagesat e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias ashtu edhe për mbështetjen e formave të kushtueshme të gazetarisë cilësore. Nga kjo pikëpamje vjen një vartësi prej politikës në kërkim të beneficeve ekonomike të privilegjuara, të lajmërimeve dhe reklamave publike, çka sjell një politizim të fortë të informacionit dhe raportimit.
Sidomos në tregun televiziv kemi pasur mungesa transparence në licencimin e operatorëve, mungesë platforme strategjike për prospektivat e zhvillimit të mediave audiovizuale, si edhe një mungesë ushtrimi kontrolli dhe aplikimi të normave në planin etik, dhe nga pikëpamja e ruajtjes së balancave mes lajmit të mirëfilltë dhe marketingut politik.

5. Për një model të ri makro-menaxhimi të peizazhit mediatik

Sigurisht normativizimi i peizazhit mediatik është diçka delikate. Modeli perfekt jo vetëm që nuk ekziston, por ai bie ndesh edhe me lirinë e të shprehurit në një shoqëri demokratike. Këtu liria e shprehjes dhe cilësia e informacionit nuk janë e njëjta gjë. Mbi cilësinë e informacionit si vlerë e lartë qëndron edhe një vlerë edhe më e lartë, ajo e lirisë së shprehjes.
Nuk ka gjë më të lehtë që të bësh që media të ndryshme të falimentojnë duke lënë në lojë ato më të cilësuarat. Por, nuk është këtu fjala. Mjafton të vendosësh detyrimin e pagës minimale për gazetarin, në një nivel paksa më të lartë sesa ai spontani, dhe e krijon këtë efekt. Problemi është nëse është e drejtë kjo ? Jo, nuk duket shumë. Brenda disa rregullave, edhe ai që shpërndan informacion të keq ka të drejtë të jetojë, edhe lobisti mediatik, edhe media e politizuar, etj. Unë i përkas atyre që e besojnë teorinë se lajmi jo cilësor e mund lajmin cilësor në treg, se liria e shprehjes nuk është ende saktësia e lajmit, por problemi është se liria e shprehjes nuk mund të preket në asnjë rast.

Mirë është që media të jetojë nëpërmjet burimeve financiare specifike, reklamat, abonimet, blerjet, por a mund të ndalosh që një grup financiar të kalojë flukse financiare nga një veprimtari tjetër drejt mediave ? Vështirë ta  ndalosh. Mediat e firmave dhe e multinacionaleve nuk e njohin këtë pengesë.
Atëherë çfarë mund të bëhet ?
Nuk është nevoja të shpikim sidoqoftë. Sikurse në botën e financave ku politikat e bankave qendrore, e Rezervës Federale, ndikojnë dhe orientojnë përqindjen e interesave të bankave të nivelit të dytë, edhe në tregun mediatik ka një rol shumë të madh tërësia e agjencive publike ose e politikave publike për të bërë që industria e informimit dhe e kulturës të eci drejt një rruge të mbarë dhe jo kuturu, të mos bëhet industri manipulimi, mos politizohet, t’i shërbejë qytetarit, si hapësirë demokratike.

Mbi të gjitha ka nevojë të ketë norma juridike të qeëdrueshme dhe të aplikueshme kundër shpifjes, fyerjes dhe prekjes së privatësisê. Mediat tona e dërmojnë dinjitetin qytetar edhe kur bëhet fjala për një të arrestuar, për krimin në familje, apo jetën private të një politikani. Pa një bazë juridike të fuqishme dhe veprim të shpejtë gjyqësor, media nuk shëndoshet nga ana deontologjike.

Pastaj  ka vend që të krijohet një kuptim më i gjerë për mediat publike. Nuk është vetëm RTSH, e vetmja media publike që duhet marrë në konsideratë, por parë gjerë strukturën e saj në kushtet e sotme.

–              Rtvsh
–              Agjencia Telegrafike shqiptare
–              Mediat dixhitale të institucioneve publike dhe agjencive shtetërore
–              Mediat e shtypura të dikastereve qendrore dhe një radiotelevizion i mundshëm dixhital i Kuvendit të Shqipërisë

Kur mediat shqiptare e kanë kaq vështirë ta përballojnë lajmin e huaj, Agjencia Telegrafike Shqiptare me forca të përqendruara dhe me efikasitet mund ta furnizojë cilësisht këtë shërbim, dhe jo si deri më sot. Po kështu faqet $eb të agjencive publike kërkojnë një përcaktim normativ dhe jo të jenë dritare propagande për imazhin e titullarëve të tyre. Ato duhet të realizojnë komunikimin ndëraktiv me publikun dhe të ofrojnë madje edhe shërbime në linjë. Po kush merret me këtë punë ? Kjo vlen edhe për pushtetet lokale.

Ç’mediatizimi i informacionit politik dhe administrativ do ta çlironte medien masive nga politizimet dhe do t’ia ulte vlerën informacionit politik duke e balancuar atë me informacione nga fusha të tjera të shoqërisë që sot janë të nën-raportuara.

Pastaj ju vjen radha agjencive publike rregullatore dhe bordit drejtues të RTSH që sa më shpejt, sipas përfundimit të mandateve, duhen të kthehen në administrata civile që nga maja deri në bazë, me drejtues me status juridik dhe financiar të pavarur dhe jo si deri tani me anëtarë rrezik të paguar me honorare dhe pa asnjë fuqi të vërtetë dhe të pavarur nga politika. Modelet e ndërtimit të këtyre agjencive janë dhe nuk kanë nevojë të shpiken. E njejta gjë për bordin drejtues të RTSH. Konceptimi dhe strukturimi i këtyre agjencive duhet bërë para sesa të mendohet për kandidaturat e njerëzve që do të ulen në karriget e tyre.

Vetëm kështu këto agjenci do të kenë mundësi të supervizojnë mediat audiovizive duke kërkuar jo vetëm respektimin e ligjit, por edhe duke imponuar ato që quhen “ngarkesa“ për çdo televizion : sa emisione të prodhuara vetë, sa për gjuhën dhe kulturën shqiptare, sa kulturë artistike, etj. Në të gjithë botën, nga ShBA deri në Evropë këto janë praktika shumë të njohura.

Sigurisht, ka vend që fushatat elektorale të bëhen pothuajse falas dhe të mos kthehen në thesare për industrinë e informacionit e që pas kësaj e humb interesin për publikun. Mbi të gjitha reklamat dhe informacionet e veta qeveria dhe administrata i bëjnë në mediat e tyre dhe nuk kanë përse i kthejnë ato në grepa për të kapur “për gjuhe” mediat.

Sigurisht subvencione për median mund të ketë nga të gjitha drejtimet. Edhe publike, por ato duhet të mos prishin rregullat e tregut, të mos jenë politikisht selektive dhe të jenë në përputhje me peshën e matur realisht të hapjes së çdo medie ndaj publikut. Kjo kërkon promovimin e agjencive të mediametrisë dhe të matjes së impaktit të mediave kryesore mbi publikun. E mbi të gjitha ka vend të mbështeten e subvencionohen për të hyrë në treg mediat e reja, mediat lokale, ato të profilizuara në audienca të segmentuara, si dhe mediat e krijuara si asamble aksionerësh e formuar nga vetë gazetarët dhe punonjësit e tyre.

Mbi të gjitha personalisht jam i interesuar,sepse si pedagog i komunikimit masiv konstatoj se sistemi mediatik piramidal i sotëm, që kërkon maksimizimin e fitimit, i përqendruar në disa media gjeneraliste kombëtare, me prirje komerciale, me informacion të kufizuar kryesisht politik, nuk ka fuqi më të punësojë gazetarë të rinj, por përpiqet të lehtësohet nga burimet njerëzore dhe t’i keqpaguajë e mbingarkojë gazetarët që mbesin ende në punë. Vetëm transformimi i këtij modeli drejt një modeli medieje të specializuar, segmentizuar, jo të politizuar, një hapësirë shprehjeje qytetare, një media lokale që mbulon si rrjet gjithë hapësirën e fragmentarizuar, një media qytetare, si edhe media të komunikimit të firmave dhe organizatave me publikun dhe klientët, si edhe mediat e marketingut, mund të kenë fuqi të rigjallërojnë tregun e punës për gazetarët e rinj. Dhe pastaj për gazetari të re.

Piketat për nisjen e një reforme në media

-Me anë të politikave publike dhe prospektivave përpunuar nga agjencia rregullatore ka nevojë të ndiqet strategjia e transformimit gradual të raporteve brendamediatike duke ndjekur trendin bashkëkohor të industrisë të medias ku mediat lokale, të profilizuara, interaktive, dhe drejtuar një publiku të targetuar kanë më shumë peshë specifike sesa mediat gjeneraliste kombëtare, mbështetur kryesisht mbi lajmin politik.

– Kuptimi shumë më i gjerë i mediave publike sesa kuptohet deri sot duke përfshirë brenda këtij koncepti edhe faqet ëeb të institucioneve dhe agjencive publike si komunikim i detyruar interaktiv me qytetarin, si transparencë e plotë publike, dhe si ofrim shërbimesh në linjë për qytetarin.

– Transformimi i Agjencisë Telegrafike shqiptare në një agjenci publike dhe me kontribute kapitali privat, si co-gestion mes fuqisë publike dhe operatorëve privatë për prodhimin e informacionit të reflektuar dhe analitik për industrinë shqiptare të informacionit dhe kulturës.

– Ndjekja e një politike nga ana e mediave publike që moderojnë të gjithë peizazhin mediatik kombëtar, duke e orientuar gjithnjë e më shumë informacionin drejt lajmit lokal, regjionalizimi i radiotelevizionit publik, drejt segmenteve të shoqërisë të nën-raportuara, drejt kulturës dhe informacionit jo vetëm politik.

– Heqje dorë nga lajmërimet dhe reklamat shtetërore në mediat private, botimi i tyre në mediat publike, dhe mbështetja e mediave private me anë të krijimit të lehtësirave në funksionimin e tyre, sidomos  modeleve të mediave lokale, dhe mediave të krijuara si shoqata profesionistësh të mediave, etj. Mbulimi falas i fushatave elektorale si thellim i demokracisë.

– Përpunimi i një kuadri ligjor adekuat që mbron dinjitetin dhe privatësinë personale, mbron individin nga shpifjet dhe praktikat fyese, si edhe normativizimi i të drejtave dhe detyrimeve edhe për rrjetet sociale, duke krijuar “librin e ngarkesave” si pjesë e përgjegjësisë shoqërore të mediave për mbrojtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare.

-Shndërrimi i agjencisë rregullatore dhe i bordit të radiotelevizionit publik nga agjenci ekulibrash politike në institucione publike, të pavarura, nën kontrollin ligjor dhe me statusin e administratave publike.

 

Tags:

Send this to a friend