Politikani që konkurron me mediat

5 Dhjetor , 2019 • Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Monopolizimi i informatave, kryesisht në ERTV, dhe shpërndarja e informatave të kornizuara nga vetë Rama shihen si rrezik për lirinë e medies në Shqipëri, si një nga liritë themelore në një shtet demokratik

Media në botën e internetit ka ndryshuar, tok me të edhe mënyra e përdorimit të saj nga politikanët. Viteve të fundit, çdoherë e më shumë po shfaqen politikanë të cilët krijojnë ‘mediet’ e veta në internet dhe i shndërrojnë ato në pikë referimi për gazetarët dhe mediet serioze të vendit përkatës. Studimet për medien, në krye të herës, janë përqendruar rreth ndikimit që ato kanë në shoqëri, në krijimin e opinionit publik dhe në rolin për të mbajtur të mirinformuar një shoqëri. Që këndej, së fundmi, media sociale është bërë ‘gjilpëra hipodermike’ apo ‘plumbi magjik’ që i mundëson politikanit të kontrollojë lehtësisht opinionet e njerëzve. Media sociale ka bërë të mundshme krijimin e hapësirës për një medie në sferën publike për gjithsecilin, dhe këtë po e shfrytëzojnë çdo ditë e më shumë politikanët. Donald Trump me ‘medien’ e tij në Twitter fitoi ‘betejën’ e ndikimit kundër medieve më të fuqishme të vendit, CNN, “New York Times” apo “Washington Post”. Shembullin e tij, kryeministri Edi Rama po përpiqet ta zbatojë në Shqipëri. Rama me ‘medien’ e tij, ERTV, është duke konkurruar me mediet e tjera në Shqipëri. Nga njëra anë, kryeministri Rama u ka hapur ‘luftë’ medieve tradicionale dhe të reja duke i denigruar gjatë gjithë kohës, duke u marrë me to gjatë gjithë kohës, dhe njëkohësisht prezanton ‘të vërtetën’ e tij në ERTV. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vetëm në 24-orëshin e së hënës ka arritur mbi 1.1 milionë shikime të videove dhe informacioneve të publikuara në faqen e tij në Facebook. Tash e disa muaj, ambienti medial në Shqipëri është i kontaminuar me dezinformata jo vetëm nga Rama që vazhdimisht sulmon mediet dhe gazetarët, si dhe nga disa pseudomedia, të cilat përhapin dezinformata duke u bazuar në emër të profesionit fisnik të gazetarit.

Gjendja aktuale në Shqipëri, e shpallur e jashtëzakonshme nga kryeministri Rama, po përdoret nga vetë Rama për t’ia vënë drynin medies që ai vlerëson se nuk po bën punën e saj, ose ose për t’i kërcënuar edhe më shumë mediet, raportimi i të cilave nuk përputhet me interesat e tij politike. Pra, kryeministri Rama po bën rolin e mbikëqyrësit të medies. Kjo është pikërisht një gjë që politikani nuk duhet assesi ta bëjë. Kjo është pikërisht ndërhyrja në punën e medies dhe cenimi i lirisë së saj dhe të profesionit të gazetarit. Me veprime të tilla, Rama po bëhet kombinimi i modelit të politikanit si Trumpi dhe modelit të politikanit si Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, i cili e ka ngufatur lirinë e medies në shtetin hungarez tash e disa vjet.

Nuk do diskutim standardi profesional që duhet të ketë një medie, raportimi objektiv, i paanshëm, verifikimi i informacionit, etj., dhe cilado medie që nuk i respekton këto standarde duhet të marrë dënimin nga mekanizmat e krijuar me rregullim shtetëror, apo vetërregullim. Gjithsesi, kjo asnjëherë nuk duhet të rregullohet nga një politikan. Nëse shkelet ligji, janë organet kompetente që merren me shkelësit e ligjit.

Është e njohur se politikanët historikisht kanë ushqyer ‘ndjenja romance’ ndaj medieve, për të bashkëpunuar dhe për t’i mbajtur në anën e tyre, por në epokën e sotme digjitale, këto ‘ndjenja’ janë të turbullta, për shkak të ndryshimit të rrjedhës së informacionit me futjen e rrjeteve sociale në botën e informimit. Mirëpo, sot, politikani ndihet i fuqishëm t’u konkurrojë medieve dhe nuk e ndien nevojën për të bashkëpunuar me to. I ‘lufton’ nga larg, siç bën Trump, ose i sulmon nga afër duke i detyruar të jenë me të, ose rrezikojnë falimentimin. Në Hungari, media më opozitare e pushtetit të Orbanit, ‘Magyar Nemzet’ ishte mbyllur më 2018, vetëm dy ditë pasi Viktor Orban kishte fituar mandatin e tretë në krye të Qeverisë. Në Hungari, gati 80% e medieve janë pronë e aleatëve të Qeverisë, sipas raportit të Freedom House për vitin 2019.

Konteksti shqiptar me një audiencë që nuk është e vetëdijshme për të gjykuar lajmin/informacionin dhe atë që mund të ‘fshihet’ pas tij, është terren shumë i përshtatshëm për politikanët si Rama që të shpërndajnë informacione të ndryshme, qoftë edhe propagandë. Sot, shumë informacione, Rama fillimisht i publikon në ERTV-në e tij, e më pas ato shpërndahen në shumicën e medieve në Shqipëri, të cilat i referohen ose përdorin ERTV-në si burim informacioni.

Edukimi medial është temë e lënë në ‘dollap’ edhe në Shqipëri, ndërkohë që, në ditët e sotme, është zgjidhja më e mirë për t’i dhënë çdo qytetari levën për të dekonstruktuar informacionin dhe për të dalluar dezinformatën.

Në vendet demokratike duhet të ekzistojë një ambient medial i përshtatshëm për gazetari profesionale, të paanshme dhe objektive, ç’gjë garanton edhe informacion më cilësor për tërë shoqërinë. Kjo nuk e kërcënon demokracinë, përkundrazi e forcon dhe e mbështet atë. Ndikimi dhe ndërhyrja nga politika në ambientin medial dëmtojnë drejtpërdrejt funksionin primar të gazetarisë, informimin. Monopolizimi i informatave, kryesisht në ERTV, dhe shpërndarja e informatave të kornizuara nga vetë Rama shihen si rrezik për lirinë e medies në Shqipëri, si një nga liritë themelore në një shtet demokratik. Interpretimi se mediet janë kërcënim i demokracisë nuk është i ri, megjithatë, në fakt, ndërhyrja e politikës në medie është dhe gjithmonë do të jetë kërcënim i demokracisë.

Tags:, , , ,

Send this to a friend