Dilemat e RTSH

20 Prill , 2014 • Menaxhimi i Redaksisë • by

Këto ditë pritet të kalojnë në Kuvend 10 kandidaturat për Këshillin Drejtues të RTSH, organi kryesor mbikëqyrës i transmetuesit publik, i cili nga ana e tij do të zgjedhë menaxhmentin e ri të RTSH. Në bisedat, diskutimet dhe artikujt e profesionistëve të fushës mund të dëgjosh mendime të ndryshme për këtë zhvillim. Prej shpresës për hapjen e një faqe të re në historinë e RTSH dhe vendosjen e tij vërtet në shërbim të publikut, e deri tek pesimizmi i skajshëm për kalimin e RTSH nën varësinë politike të radhës shoqëruar ndonjëherë dhe me pikëpyetjen mbi vetë rëndësinë dhe nevojën e ekzistencës së tij.

Kjo dilemë e fundit shihet nga punonjësit aktualë të RTSH, në mënyrë të kuptueshme, si një herezi a tabu që as nuk duhet t’i shkojë kujt në mendje. Por a është kjo dilemë vërtetë e tillë? Dhe si do të duhej RTSH t’u ndryshonte mendje skeptikëve? Argumenti, sipas këtyre zërave, gjendet në marrëveshjet ndërkombëtare si, Protokolli i Transmetuesve Publikë në Traktatin e Amsterdamit të Bashkimit Europian. Por, ky protokoll, i dakorduar mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian, përveç pranimit në mënyrë të përgjithshme të rolit të transmetuesit publik në demokratizimin e shoqërisë dhe pluralizmit të medias, vë theksin tek e drejta e secilit vend anëtar për të zgjedhur mënyrën e financimit të transmetuesve që ofrojnë shërbime publike me kusht që këto financime të mos ndikojnë mbi barazinë e tregut dhe konkurrueshmërinë. Siç shihet, ky protokoll është larg të qenët një argument në favor apo disfavor të ekzistencës së një transmetuesi publik në një vend jo anëtar i BE-së me kushte të veçanta dhe kontekst historik, social e politik unik.

Për ta vazhduar diskutimin, është e udhës të bëjmë një ndarje midis asaj që quajmë, transmetues publik dhe transmetues që ofron shërbime publike. Ndryshimi duket si lojë fjalësh, por është i rëndësishëm. Një program i një formati të caktuar në një transmetues publik, si RTSH, mund të jetë komercial dhe një program tjetër në një kanal privat mund të jetë me interes publik. Nuk është e rëndësishme nëse një program për historinë e vendit apo problematikat e komunitetit rom transmetohet në RTSH, apo në një kanal privat, efekti dhe përfitimi publik është i njëjtë. Në këtë pikë, kanalet komerciale në Shqipëri kanë se me çfarë të krenohen dhe e konkurrojnë RTSH-në.

Dilema qëndron te pyetja nëse tregu, konkurrenca midis kanaleve komerciale mund të ofrojë në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive shërbime të tilla. Përgjigjja e kësaj është komplekse, por duket se anon në favor të ekzistencës së transmetuesve publikë. Sot ekzistojnë edhe modele të veçanta ku shkrihet privatja me publiken në të ashtuquajturën Transmetues Publikë Komercialë, si në rastin e ITV në Angli, i cili është i obliguar të transmetojë sasi të përcaktuara të programeve me interes publik (aktualitet, programe për fëmijë, programe për grupe me nevoja të veçanta, etj). Në shkëmbim, ITV, mund të shfrytëzojë infrastrukturën dhe transmeton pa pagesë (free to air) në të gjitha platformat dhe rrjetet televizive të vendit.

Këtu nuk është fjala që të kërcejmë në konkluzionin se RTSH-ja duhet të privatizohet, por që të mbajmë një mendje të hapur në lidhje me rrugët dhe mundësitë për një reformë të suksesshme. Duket sikur ka një rezistencë të brendshme në RTSH ndaj çdo lloj ideje apo kritike ndaj saj, duke i konsideruar si komplote konspirative të mediave private të gjitha idetë e hedhura. Mendohet sikur problemi i  RTSH-së është diçka midis RTSH-së dhe politikës. Por në radhë të parë ky është një problem midis RTSH-së dhe publikut. Pastaj është edhe çështje e politikës e, sigurisht edhe e privatëve, të cilëve nuk mund t’jua mohojë askush të drejtën që të kërkojnë të respektohet dhe të sigurohet konkurrenca e ndershme në treg.

RTSH-ja sot, në formën aktuale të organizimit, ka shumë pak lidhje dhe llogaridhënie me publikun. Mungesa e saj e transparencës bën që financuesi i saj, publiku, të mos dijë e as të ketë zë në raportin e zhanreve të programeve të transmetuara, objektivat e ardhshëm e, aq më pak, gjendjen financiare të saj. Sa para shpenzohen nga buxheti i RTSH për rrogat e punonjësve dhe sa për produksionet e ndryshme do të duhej të ishte patjetër një e dhënë e njohur për publikun.

Shumë prej transmetuesve publikë europianë po aplikojnë Kontrata të Shërbimit Publik me qytetarët të cilëve ju shërbejnë. Këto kontrata cekin objektiva specifikë të kanalit, përveç misionit dhe principeve të përgjithshme, duke e vënë përpara përgjegjësisë transmetuesin publik. Vjelja e taksës së aparatit përmes faturave (kontratës) të një tjetër kompanie nuk duhet të shërbejë si mur mbrojtës ndaj detyrimeve karshi publikut. Kontrata nxit transmetuesin publik që të shpenzojnë në mënyrë më efektive paranë publike, të justifikojë burimet financiare dhe të rrisë të ardhurat përmes aktiviteteve vetë ndihmuese, siç është reduktimi i vendeve të tepërta, apo të dubluara të punës.

Kuptohet se reforma nuk është e plotë pa ristrukturimin organizativ brenda institucionit. Një praktikë e suksesshme është ndarja e departamentit të blerjeve të programeve nga departamenti i produksionit. E aplikuar fillimisht nga BBC (‘Producer Choice’ 1992) dhe më pas e përqafuar nga të tjerë, filozofia e kësaj praktike lejon blerjen e programeve përveçse nga departamenti prodhues brenda televizionit edhe nga prodhues të pavarur jashtë tij, varësisht prej çmimit dhe cilësisë së ofruar. Kjo praktikë, përveç avantazhit të reduktimit të kostove (BBC-ja gjatë 1992-1996 kurseu 300 milionë sterlina), nxit, përmes mbështetjes së producentëve të pavarur, evidentimin e talenteve të reja në tregun mediatik, shkëmbimin e përvojës dhe rritjen e cilësisë së programacionit.

Shoqëria shqiptare nuk i ka asnjë borxh as të shkuarës e as të tashmes së RTSH-së, përkundrazi. Ndaj mbetet detyrë e vetë stafit të RTSH-së që t’i dëshmojë publikut se ka mundësinë dhe dëshirën për të ndryshuar. Sigurisht, edhe politika ka rolin e saj në një reformë të mundshme të RTSH-së, përmes zgjedhjeve të duhura në këtë fazë delikate. E sidomos qeverisja aktuale, e cila ka detyrimin e natyrshëm për shkak të filozofisë së saj të majtë, të ndihmojë në shndërrimin e RTSH-së nga një oborr i pasmë nepotik i politikës në një institucion model të menaxhimit të sektorit publik.

Botuar në gazetën Shqip, datë 13 shkurt 2014

Tags:,

Send this to a friend