Pas një dekade në transmetim, radio Klea në Elbasan tenton të zgjerojë shërbimet on line dhe performancën multimediale.
Radio Klea në Elbasan ka 10 vite në transmetim. Në një qark si Elbasani ku konkurojnë me sinjal dhe 15 radio të tjera shqipfolëse, ku arrijnë të depërtojnë dhe dhjetra stacione nga jashtë kufijve, Klea ka një pozicion dominat në treg. Në një studim për dëgjueshmërinë e radiove në automjete, zhvilluar në pranverën e këtij viti, ajo listohej e dyta pas Top Albania Radio. Ishin 14.4 % e drejtuesve të automjeteve që u shprehën se preferonin të ndiqnin programet e radios Klea. Në një transmetim 24 orësh, fasha orare nga 07:00 në mëngjes dhe deri pasdite në 17:30 konsiderohet nga stafi si më dinamike, me emisione dhe rubrika informative, tematike dhe argëtuese. Drejtori I radios Klea, Taulant Pilavi, në një intervistë me Reporterin tregon fillimisht faktorët që e kanë mbajtur gjatë një dekade këtë stacion në krye të preferencave të dëgjuesve në qarkun e Elbasanit. “Kolegë të mi, por dhe të njohurit më thonë vazhdimisht se si mbijeton në këtë konkurencë të fortë, që duhet thënë se nuk është vetëm mes radiove, por dhe ku televizionet janë mjaft agresive. Unë ju përsërit një krahasim jetësor: i referohem nga aktit që kryejmë çdo ditë, të ngrënit. Nuk mund të ushqehesh për çdo ditë me të njëjtën gjellë. Me këtë filozofi ne jemi përpjekur dhe vijojmë të përpiqemi që menu-ja jonë të jetë sa më e larmishme për dëgjuesit. Duke nisur që nga repertori muzikor, që të jetë sa më i përzgjedhur; pa ju shkëputur lëndës informative nga qarku i Elbasanit, sepse kjo i intereson dëgjuesve tanë; ndërkohë që pjesën tematike, atë që diskutohet apo komentohet në studio, e përzgjedhim nga çështje që janë të ndjeshme për komunitetin. Për cilindo format ne mbajmë ‘veshët ngritur’ për mendimet dhe gjykimet e dëgjuesve tanë. Ky është orientimi ynë nëse një emision do të vijojë, apo duhet modifikuar, pse jo, dhe të ndërpritet kur interesi është i vakët.
Si e merrni impaktin e ndjekësve për transmetimet?
“Në rradhë të parë nëpërmjet sms-ve, e-maile-ve,dhe nga kontaktet e drejtëpërdrejta me dëgjuesit. Si një media lokale e kemi këtë avantazh. Por në mjedise ku ka numër të madh njerëzish, psh: në gjimnaze apo në Universitet, kemi interes të marrin sa më shumë feedback. Mendimet e këtij kontigjenti rinor na pëlqejnë dhe janë referencial në përpunimin e structures programore. Për pjesën e transmetimeve on line përllogaritja e ndjekësve është më e thjeshtë.”
Duke qenë se në Elbasan ka dhe operatorë të tjerë mediatik lokalë, si e siguron radio Klea reklamën?
“Në këtë aspekt ndjejmë konkurrencën e pandershme që na bëhet nga media, nga ato që janë pa licencë, por dhe që nga ana tjetër që ju raportojnë bizneseve audiencë të fryrë, duke iu kërkuar reklama e promocione me çmime shumë të ulta. Kjo e dëmton realisht tregun e marketingut. Por duke qenë se radio Klea është prej 10 viteve në treg, klientët vijnë tek ne, sepse kanë besim tek qëndrueshmëria dhe serioziteti ynë. Ne kemi një emër për informacionin profesional dhe argëtimin që ofrojmë, qoftë në formë qoftë në përmbajtje. Jemi korrektë dhe për transmetimin sipas marrëveshjeve me klientët të reklamave dhe mesazheve promocionale.
Nuk na ka ndodhur si në rastin e disa operatorëve që publicitetin e bëjnë spontanisht, ca ditë e transmetojnë, ca ditë jo, për shkaqe organizative, apo për mungesa te tjera.”
Përmendët më sipër se një pjesë të programeve i emetoni dhe on line. Çfarë ofroni konkretisht si shërbime multimediale për ndjekësit tuaj?
Ne jemi konshientë për erën e internetit, si të thuash e kemi kapur sinjalin e tendencave që kanë aktualisht njerëzit për shërbime on line. Që të jem më konkret në përgjigje, po them se ne kemi nisur me shkarkimin në internet të emisioneve të veçanta dhe aktualisht jemi në përpjekje për të patur nje web tonin. Jo thjesht si një “adet”, që ja e kemi faqen tone on line, por për ta pasur sa më të aktualizuar, sa më dinamike me performancë mulimediale, me përmbajtje tekstesh, fotosh, inserte audiosh, video, ku të garantohet trasnmetimi live i programit, me link-e të dobishme për vizitorët e web-it, thjesht një dritare informimi, argëtimi e interaktiviteti për ata që na ndjekin. Në këtë dekadë të dytë të aktivitetit të radios Klea ky është një prioritet për stafin, është një orientim i natyrshëm për të ruajtur pozitat tona në tregun mediatik lokal.”
Kjo do të thotë se me këtë ambicie ju po punoni që nga aktor mediatik lokal të bëheni më global?
“Ne dhe aktualisht kemi ndjekës jashtë qarkut të Elbasanit. Po t’i hedhësh një sy reagimeve, opinioneve, sygjerimeve shumë të vlefshme, apo përshëndetjeve që na vijnë në Facebook, apo në kontaktet e tjera virtuale që ka Klea ose pjestarë të stafit- konstaton se ato janë të shumta. Në Facebook jemi shumë aktivë aktualisht. Janë njerëz që jetojnë jashtë shtetit, emigrantë që janë me origjinë nga Elbasani, por dhe të tjerë, që mbase nuk ka qenë asnjëherë në zonën tonë, por pëlqejnë programet, dëshirojnë të mësojnë më shumë nga historia, tradita, aktualiteti në qarkun tonë. Fundja ju pëlqen mënyra se si i realizojmë programet. Ne përpiqemi të modifikohemi, të përshtatemi me kërkesat e target-it tonë. Nëse tani njerëzit kalojnë më shumë kohë në internet, atëherë dhe ne aty do ta rrisim prezencën. Kjo na ndihmon për të qenë afër dhe asaj kategerie që dëshiron të na ndjekë nëpërmjet celularit apo pajisjeve më të fundit të komunikimit që ofron sot teknologjia e përparuar. Pra, ne po punojmë dhe do të punojmë më shumë, që akses për programin tonë të marrë cilido, pavarësisht se në cilën pjesë të globit ndodhet. Nga ana tjetër ne do të ruajmë përmbajtjen lokale të programit, pasi e mendojmë se kështu mund të kemi një produkt më “të shitshëm” në tregun mediatik.
Botuar në gazetën “Reporteri”, tetor 2012
Tags:Radio, radiot lokale