Shtypi shqiptar – i margjinalizuar dhe i prapambetur

27 Korrik , 2012 • Ekonomia e Medias, Gazetaria e Medias • by

Në një intervistë për revistën “Java”, dhënë gazetarit Skënder Minxhozi, botuesi dhe publicisti Shpëtim Nazarko flet ndër të tjera për gjendjen e shtypit dhe të medias në Shqipëri dhe ndryshimet e bëra këto njëzet vjet.

I pyetur nga gazetari Minxhozi për ndryshimet që shtypi ka pësuar këto njëzet vitet e fundit, Nazarko e vendos veten në pozicionin e një vëzhguesi të huaj, i cili thjesht përshkruan. Nga një vëzhgim i titujve të panumërt të gazetave, që shiten në kioska apo nëpër rrugë, Nazarko thotë se “shtypi këtu përfaqëson një shoqëri të paorganizuar.” Tabloja për të bëhet më e qartë nëse analizohet edhe “tipi i reklamave përgjithësisht të karakterit tregtar dhe jo prodhues”.Shumica e këtyre reklamave vijnë nga kompanitë celulare apo nga bankat, dhe Nazarko thotë se “po të pyesësh për çmimet që i afrojnë publikut këto kompani që botojnë reklamat, tabloja bëhet më e qartë”. Por se ku konsistojnë problemet në lidhje me reklamat, shpërndarjen e tyre, apo me politikat e tyre financiare, këto fatkeqësisht nuk thellohen më tej.

Më tej Nazarko prek një pikë nevralgjike të shtypit, shpërndarjen e tij në Tiranë dhe kryesisht nëpër qytete, dhe margjinalizimin e fshatrave.Nisur nga kjo logjikë, Nazarko e quan shtypin shqiptar, “shtyp i një shoqërie nga ato të botës së tretë që ka rrugë të pafundme për të bërë”.

Pyetjes së Mixhozit, se “ku ndryshonshtypi i viteve ’90 nga ai i sotmi”, Nazarko, një ndër botuesit e hershëm të shtypit postkomunist, i përgjigjet se “nga pikëpamja e kostove, shtypi i sotëm, veçanërisht mediat elektronike, mund të shihen si një veprimtari e tipit industrial. Unë apo zoti Lesi që vinim nga provinca pas 90-tës dhe pa asnjë lloj prone tjetër, mund të quheshim në rastin më të mirë revolucionarë apo në më të keqin, aventurierë. Nuk ishte e vështirë të parashihej fati i kësaj iniciative. Gjithsesi i kam mbetur idesë që biznesi i afërt me shtypin të mbante gjallë këtë të fundit. Çka sot nuk është kështu…”

Nazarko gjithashtu bën një bilanc të shkurtër të gjendjes së medias, kur thotë se  “shtypi, veçanërisht ai elektronik, ka bërë përparime në lidhje me atë kohë (fillimi i 90-ës), kur shumica e artikujve ishin propagandistikë dhe me teknikë primitive të shkruari. Megjithëse mungon investigimi, sot prioriteti lidhet me lajmin, çka është gjë e mirë.” Për Nazarkon, përparimi i sotëm i shtypit,“në aspektin e përgjithshëm është vetëm i karakterit evolucionar”, në kuptimin që ai ka “ndihmuar vetëm të profilojë te publiku pak individë, që mbeten përfaqësues të interesave të tij”. Dhe këtu ai shton se nuk e quan normale që “editoriali të shkruhet nga njëzetvjecarë apo njerëz pa autoritet”. “Mbetem i idesë se media elektronike në raste të veçanta ka evoluar shumë më tepër se shtypi i shkruar, tirazhi i përgjithshëm i të cilit, me gjithë numrin e shumtë të titujve, nuk e kalon kurrsesi atë që kishte (dikur) Lesi apo unë…”

Send this to a friend