Mediat dhe përkufizimi “kazan mediatik”

28 Tetor , 2017 • Media dhe Politika, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Mediat shqiptare janë kthyer në qendër të debatit publik pasi kryeministri i ka cilësuar si “idiote” pyetjet që po i bëheshin nga disa gazetarë. Gjykimi që Edi Rama ka për mediat është i njohur që kur filloi t’i përkufizojë si “kazan” dhe në të vërtetë ky nuk ndryshon shumë nga gjykimi i shprehur publikisht nga liderë të tjerë politikë kundër gazetarëve, duke filluar nga Donald Trump, i cili kundër medias ka thënë gjëra edhe më të këqia.

Nëse politika nuk i do mediat, kjo është një shenjë e mirë, pasi, në mos gjë tjetër, do të thotë se mediat e bezdisin pushtetin dhe reagimi arrogant i saj është prova më evidente se jo të gjitha mediat janë në shërbim të saj. Natyrisht, nëse pushteti sulmon mediat ose nuk tregon respekt për funksionin e tyre publik, mediat kanë të drejtën të mbrohen me të njejtën monedhë dhe të kritikojnë pushtetin.

Deri këtu kemi të bëjmë me lojën normale të palëve. Por çështja qendron diku tjetër. Çfarë mendon opinion publik për mediat shqiptare? Dhe, përkufizimi i shpifur “kazan mediatik” është vetëm një shpikje e kryeministrit, apo një opinion që e kanë të tjerë edhe jashtë pallatit?

Po të lexosh komentet e qytetarëve të zakonshëm për mediat sociale, për fat të keq, nuk duket se mediat tona gëzojnë besueshmëri dhe një imazh të mirë. Me përjashtime të pakta, pjesa më e madhe e mediave, gazetarë dhe botues shihen si “kazan” edhe nga lexues dhe telespektatorë. Por, në këtë rast, i kujt është faji?

Me thënë të drejtën, ne gazetarët jo gjithnjë sillemi në një mënyrë të tillë, sa të meritojmë një respekt më të madh. Gjetja e fundit vetëvrasëse e mediave janë “titujt karrem”, me të cilat janë mbushur faqet në internet. Në qoftë se rregulli i gazetarisë në gjithë botën është që lajmi duhet të përmbahet në titull, në Shqipëri edhe ky rregull (si shumë rregulla të tjera të gazetarisë profesioniste) është transformuar në krejtësisht të kundërtën e kësaj: Mos guxo të vesh lajmin në titull, se askush nuk e lexon përmbajtjen.

Nuk ka deklaratë politike që të mos shoqërohet me foljen “plas” apo “shpërthen” (si alternativë, ekziston vetëm “rrëfen” ose “thumbon”): tashmë nuk ndodh më të arrish të kuptosh se çfarë ka thënë politikani i radhës duke lexuar vetëm titullin, pasi gjithshka vijon me ”deklarata e fortë”, “e pabesueshme”, “e paimagjinueshme”, “për herë të parë”, “s’mund ta imagjinoni”, “e habitshme”, “ja çfarë tha”, ”bombe” pa shpjeguar asgjë dhe zakonisht duke e mbyllur fjalinë me tri pika, që duhet të lenë të imagjinohen shumë gjëra të tjera akoma.

Në 90 për qind të rasteve, pasi lexuesi i shkretë është detyruar të lexojë të gjithë lajmin deri ne fund për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, ajo çka gjen është një rutinë e pastër e nga “e paimagjinueshmja” nuk ka asgjë. Të zhgënjesh në mënyrë të vazhdueshme lexuesit është mënyra më e mirë për të humbur respektin e tyre dhe besueshmërinë tonë. Mund të imagjinoni të lexoni një titull në New York Times të tipit “Shpërthen Trump, nuk mund ta imagjinoni se ç’ka thënë”, siç lexohet rëndom në mediat tona? Natyrisht, jo. Kjo teknikë ”e tërheqjes” së lexuesit, e cila në Evropë përdorej në vitet ’70 vetëm nëpër gazetat skandalistike në përpjekje për të shitur ca kopje më shumë, për fat të keq është kthyer në rregull në gati të gjitha mediat shqiptare, edhe në ato që kundërshtojnë, të skandalizuara, të cilësohen si “kazan”.

Problemi është që kjo kategori titujsh karrem i është shtuar asaj të titujve “bombastikë” që për fat të keq ekziston prej vitesh (“Skandal”, “Turp”, “Tmerr”, etj, etj) dhe kjo shpjegon se pse, pasi ka kaluar një orë duke kërkuar të gjesh ndonjë lajm, imazhi i gazetarit në sytë e lexuesit del prej këtej i shkatërruar.

Bota e informacionit është, më tej, e kërcënuar gjithandej nga sëmundja e lajmit të sajuar. Por, ndërkohë në vendet e tjera perëndimore antidoti kundër “fake news” janë vetë gazetarët që bëjnë barrierë kundër përhapjes së lajmeve false të shpërndara në mediat sociale, në Shqipëri shpërndarësit më të mëdhenj të “fake news”-eve në të kundërt janë vetë gazetarët, pasi pjesa më e madhe e tyre (jo të gjithë, për fat të mirë) nuk kanë kohë, dëshirë apo aftësi për të verifikuar lajmet, që në shumicën e rasteve i kopjojnë nga të tjerët dhe i ripublikojnë pa asnjë kontroll.

Një fenomen tjetër, jo më pak shkatërrues, është vënë re kohët e fundit: gazetari që kthehet vetë në lajm. Kjo ndodh sidomos në televizion. Gazetari del në një studio televizive dhe tregon atë çfarë i vjen ndërmend sikur të ishte ulur në një kafene, pa treguar asnjë video, asnjë dokument, asnjë fotografi apo ndonjë provë që të tregojë se denoncimet e tij janë të bazuara.

Scoop-i në këtë rast është ai vetë, ashtu siç do të kishte bërë një prokuror që tregon direkt të fshehtat e hetimit të tij, apo një politikan që pohon veprimet e tij. Dallimi shumë i madh është se prokurori apo politikani tregojnë të fshehta, për të cilat progatonistë janë ata vetë, rrjedhimisht janë edhe përgjegjës për to, ndërkohë që gazetari tregon sekretet e të tjerëve dhe për atë, nëse ajo që thotë është e vërtetë apo e sajuar, duket se nuk i bëhet vonë askujt: në këtë kuptim, shtypi po kopjon aspektin më të keq të politikës, duke shpikur një lloj “gazetari dixhital”.

Etika profesionale (e cila në të vërtetë është logjika normale e gjërave) kërkon që një gazetar të nxjerrë gjithnjë një provë, pasi puna investiguese bazohet mbi një mbledhje të lodhshme provash dhe jo mbi mbledhjen, më komode, të thashethemeve, me të cilat zakonisht shoqërohet kafeja.

Por ajo që ka vlerë për gazetarët në të gjithë botën, nuk vlen këtu, në Shqipëri. Me një mani protagonizmi tipike për katundet, disa gazetarë tanimë kanë braktisur veshjen normale të një ndërmjetësi në informacion dhe kanë vendosur kurorën e Profetit të së Vërtetës: çfarëdo ideje apo fantazie t’u lindë në kokë, qoftë ky edhe vetëm një dyshim, ata e paraqesin në publik si një zbulim ekskluziv.

Scoop-e të rreme të këtij lloji po dëgjojmë ditë pas dite, në çdo emision televiziv. Debatet në orët “prime time” janë mbushur me këta “gazetarë investigativë pa prova”, të cilët, në pjesën më të madhe të rasteve, nuk kanë investiguar asgjë fare dhe tregojnë llafe kafenesh sikur të ishin histori të vërteta.

I rëndë është fakti që këto llafe kopjohen menjëherë dhe riprodhohen nëpër portalet web, gjithnjë e më të uritura për lajme sensacionale (por që nuk kërkojnë punë) dhe, në një qark të shkurtër informativ, ditë pas dite gazetaria shqiptare po vdes. Në disa raste, ”gazetari investigativ” përdoret nga dikush për të tjera qëllime, në disa raste është vetë gazetari që e përdor rolin e tij për qëllime të tjera. Problemi është që, në këtë shpërthim të vazhdueshëm shashkash, për fat të keq, zhduket zëri i atyre të paktën që thonë të vërtetën. Kjo mënyrë e deformuar dhe e pandershme e të bërit informacion po e shkatërron profesionin tonë, duke njollosur edhe imazhin e atyre kolegëve që çdo ditë përpiqen me djersën e ballit në terren ta bëjnë në mënyrë korrekte punën e tyre.

Pasoja e kësaj situate është që kredibiliteti ynë në Shqipëri shkon drejt zeros dhe kështu, kur kryeministri guxon t’i përkufizojë si “idiote” pyetjet e gazetarëve dhe mediat si “kazan”, ka rrezik që njerëzit, në vend që të ndërhyjnë për të na mbrojtur, të ngrihen në këmbë, ta duartrokasin dhe t’i thonë bravo. Dhe pikërisht është kjo që duhet të na shqetësojë me të vërtetë. Se, kur mediat cilësohen si ”kazan” edhe nga qytetarët, kjo është dhurata më e mire që mund t’u bëjmë politikanëve dhe qeveritarëve.

Redaksia Online J.Sh Shqiptarja.com

Burimi: http://shqiptarja.com/analiza/2709/media—kazan—–39-plas-bomba-as-s–39-mund-ta-imagjinoni—-39-ka-ndodhur–39–449135.html

Titulli në origjinal:Media & Kazan / ‘Plas bomba, as s’mund ta imagjinoni ç’ka ndodhur’”

 

Tags:, , ,

Send this to a friend