Blerja e mediave në Ballkan – antidemokratike, e rrezikshme

3 Mars , 2013 • Liria e medias • by

Pa një media të pavarur Shqipëria nuk do ta ketë të lehtë integrimin në BE. Intervistë ekskluzive e Aidan White, Drejtor i Rrjetit për Gazetarinë Etike, me qendër në Bruksel.

DW: Media ka rolin e saj në ecurinë e procesit të integrimit europian në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Z. White, si po e luan media rolin e saj në promovimin e vlerave demokratike të BE?

Aidan White: Pas më shumë se 20 vjet nga vendosja e regjimit demokratik dhe pluralizmit politik shohim që të gjitha vendet e Ballkan Perëndimor kanë rrugë të gjatë për të bërë lidhur me anëtarësiminm e tyre në BE. Mendoj se ka një mungesë të pjekurisë politike në këtë rajon, nuk respektohet liria e medias dhe pluralizmi demokratik në media. Ka influenca politike, interesa të sektorit të biznesit. Media nuk po e luan rolin e saj për të kontribuar në progresin e procesit të integrimit europian. Mungon një zotim i qartë i të gjitha palëve ndaj peisazhit të medias së pavarur, ku gazetaria, që në thelb është e e pavarur të raportojë si duhet sesi ushtrohet pushteti. Në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për fat të keq ka një situatë të tillë ku media “është blerë” nga elitat politike me qëllim manipulimin e saj për ndikim politik. Kjo nuk është demokratike, kjo është antidemokratike dhe shumë e rrezikshme.

DW: Prej vitesh, në pozicionin e Drejtorit të Rrjetit të Gazetarisë Etike, me qëndër në Bruksel, keni ndjekur ecurinë e medias në Shqipëri. Cilat janë problemet më të mprehta me të cilat ajo përballet?

Aidan White: Shqipëria ka një sërë problemesh sidomos lidhur me organizimin e medias. Që media të luajë rolin e vet në progresin e demokracisë duhet të jetë e pavarur dhe sidomos të arrijë të ketë entet e saj rregullatore dhe transmetuesit publikë të pavarura. Por më e rëndësishme është rritja e vetëdijës në komunitetin politik dhe në atë të gazetarëve të për të mbështetur gazetarinë e pavarur. Kjo është një sfidë për gazetarët, ata duhet të tregojnë se mbështesin hapur respektimin e standarteve etike. Në Shqipëri nuk ka një sistem kombëtar vetërregullimesh. Kjo duhet të ndryshojë sa më shpejt, komunitetiti profesional duhet të operojë shumë shpejt dhe të dalë përpara veprimeve të komunitetit politik. Nëse kjo nuk ndodh mendoj se nuk do të jetë i lehtë pranimi i Shqipërisë në BE.

DW: Çfarë është më e rëndësishme, më prioritare që media të luajë rolin për të cilin ajo ekziston në demokraci?

Aidan White: Më e rëndësishme është që vetë media të marrë përsipër përgjegjësitë e veta. Organizatat mediatike duhet të kenë vetë rregullimet e tyre dhe të bëhen bashkë. Duhet të zotohen që të kenë një kod qëndrimi të përbashkët etik, të jenë të hapura dhe transparente ndaj çështjeve të pronësisë së medias dhe përkatësisë politike, ata duhet të shmangin rënien në kurth duke u bërë zëri i marërdhënieve publike të kompanive të të biznesit. Në fund të fundit gazetarët nuk mund të mbështeten tek shteti që t’u japë lirinë e shprehjes. Liria është pjesë e profesionit të gazetarit. Shqetësimi im më i madh lidhur me lirinë e shprehjes nuk ka të bëjë me qeverinë por me vetë gazetarët dhe këtu fillon ndryshimi i madh, i pritshëm. Por që media të luajë rolin e saj në demokraci ka rolin e vet edhe qeveria. Ajo duhet të krijojë një mjedis ligjor që të lejojë lirinë e shprehjes. Në Shqipëri janë shqetësuese kushtet e punës së gazetarëve, ata janë të paguar keq, të kërcënuar, ka autocensurë, nuk zbatohet si duhet kodi i punës qeveria dhe komuniteti i medias duhet të fillojë të mendojnë që të drejtat e gazetarëve të zbatohen, përndryshe nuk mund të krijohet ajo lloj gazetarie që i duhet demokracisë dhe perspektivës europiane të Shqipërisë.

Intervistoi: Ani Ruci

Intervistë e dhënë për DW në shqip. Linku origjinal: http://www.dw.de/blerja-e-mediave-n%C3%AB-ballkan-nga-elitat-politike-antidemokratike-e-rrezikshme/a-16616212

 

Tags:, ,

Send this to a friend