Hasan Saliu
Televizionet në Kosovë janë ngritur vetëm pas hyrjes së NATO-s në vitin 1999. Atëkohë hapen tre televizione me frekuenca nacionale, por tregu mbetet i kufizuar.
Edhe sot e kësaj dite veprojnë vetëm këto tre televizione meshpërndarje analoge në të gjithë vendin, njëri publik dhe dy të tjera private. Të gjitha televizionet e tjera janë lokaledhe transmetojnë vetëm në rrjetin kabllor, i cili mbetet i kufizuar veçanërisht në zonat rurale. Ky treg i kufizuar televiziv rrit oreksine politikës për të ndikuar mbi politikën editoriale të televizionit publik (RTK),jo vetëmpse ky televizion ka audiencën më të madhe në vend, por edhe për shkak të moslejimit të hyrjes së privatëve të tjerë në treg. Për ndërhyrjet e shpeshta politike mbi transmetuesit publik nuk kanë munguar kritikat e institucioneve ndërkombëtare ndaj qeverisë, si nga EBU, OSBE, Freedom House, Reporterët pa kufij etj.
Pyetja që shtrohet këtu është nëse organi i vetëm kompetent për licencimin dhe mbikëqyrjen e transmetuesve publikë dhe privatë në Kosovë (KPM) ka pavarësi për të liberalizuar tregun televiziv, për sa i takon pavarësisë financiare dhe përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të këtij rregullatori.Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) zgjidhen nga Kuvendi republikan, prej të cilëve pesë janë shqiptarë dhe dy të pakicave kombëtare. Propozues mund të jetë gjithkush për gjithkënd, ndërsa deri më tani është parë se vetëm anëtari i parapëlqyer nga maxhoranca në Kuvend mund të bëhet anëtar i KPM-së (që në Shqipëri njihet si KKRT). Po të krahasohet mënyra e përzgjedhjes së këtyre anëtarëve nëagjencinë homologe në Maqedoni, atje anëtarët e bordit vijnë nga institucione të veçanta, si nga: Akademia e Arteve, Konferenca ndëruniversitare, Lidhja e Gazetarëve etj., ndërsa në Shqipëri propozimet vijnë nga shoqata të mediave, profesoratit, shoqata e juristëve, avokatëve, partive etj. Kjo dëshmon se anëtarët e këtij trupi rregullator mediatik në Kosovë, janë më të kontrolluar nga politika sesa në dy vendet fqinje.
Sa i përket financimit të këtij institucioni në Kosovë, ai financohet direkt nga Ministria e Financave. Në Kosovë nuk kanë munguar kritikat e aktorëve të interesuar për t’u futur në tregun mediatik televiziv me shtrirje nacionale, se politika nëpërmjet KPM-së qëllimisht e mban të kufizuar konkurrencën në tregun televiziv, duke përfituar nga fakti se televizioni publik ka shikueshmëri më të madhe dhe mundësia e ndikimit politik mbi këtë televizion përmes bordeve dhe financimit, është më e madhe.
Ndërsa në Kosovë KPM-ja financohet nga shteti, në Shqipëri, institucioni homolog, KKRT, financohet në radhë të parë nga të ardhurat nga pagesat për marrjen, rinovimin e licencave dhe pagesave vjetore të licencës, por pas këtyre mënyrave të financimit, neni 11 Ligjit për radion dhe televizionin publik e privat, radhit edhe buxhetin e shtetit si mundësi financimi. Ndërsa, në Maqedoni financimi bëhet vetëm nga parapagesa radiodifuzive (e qytetarëve) dhe nga taksat që mblidhen nga dhënia e licencës radiodifuzive, pra jo nga shteti. Ky lloj financimi garanton një pavarësi më të madhe në punën e këtij institucioni sesa në Kosovë.
Problem tjetër është ai i radiotelevizionit publik të Kosovës (RTK).Ligji i ri për RTK-në (2012), lë një periudhë trevjeçare që transmetuesi publik të financohet direkt nga Ministria e Financave, me 0.7 për qind nga buxheti i përgjithshëm shtetëror. Kjo do të thotë se aktualisht kemi një televizion i cili financohet direkt nga shteti. Nëse do ta krahasonim me Radio- Televizionin Shqiptar (RTSH), shteti financon vetëm projekte të rëndësishme apo programet që kanë të bëjnë me shqiptarët jashtë kufijve, ndërsa financimi bazë mbetet taksa e aparatit marrës (fatura e energjisë elektrike), kontrata të ndryshme dhe një pjesë e kufizuar nga buxheti. Edhe më i pavarur në këtë aspekt është Radio-Televizioni i Maqedonisë, i cili financohet nga parapagimi i qytetarëve dhe pagesat e licencave radiotelevizive.
Më pak i pavarur vlerësohet të jetë edhe bordi drejtues i transmetuesit publik të Kosovës, i cili zgjedh menaxhuesit kryesorë të Radio-Televizionit. Ky bord i përbërë prej11 antarësh, dy prej të cilëve duhet të jenë joshqiptarë, zgjidhet nga Kuvendi, por gjithkush mund të propozojë gjithkënd, përfshirë edhe veten. Për emërimin e të propozuarve apo vetëpropozuarve vendos shumica parlamentare dhe bordi rezulton të ketë sot në mesin e tyre vetëm të parapëlqyer nga politika. Në krahasim me Shqipërinë, Këshilli Drejtues i RTSH-së zgjidhet nga Kuvendi, por propozimet vijnë nga shoqatat mediatike, senatet e universitetet publike, profesorati, shoqata e juristëve etj. Dhe, disa prej tyre duhet të kenë grada shkencore dhe tituj nderi, gjë e cila nuk kërkohet në Kosovë. Në Maqedoni, Këshilli drejtues i transmetuesi publik (RTM) ka një pavarësi shumë më të theksuar dhe me profesionale edhe se ai në Shqipëri. Këshilli numëron 23 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, por të drejtë propozimi kanë vetëm institucionet akademike, gazetarët, institucionet kulturore, sportive, artistike, teatrot etj dhe 5 anëtarë propozon Komisioni parlamentar. Kuvendi vetëm miraton emrat e propozuar pa eliminim, përveç kur kandidati nuk plotëson kushtet ligjore.
Pra, si organi rregullues i frekuencave, ashtu edhe bordi drejtues i televizionit publik i Kosovës si dhe financimet e tyre, janë shumë më të varur nga politika sesa në dy vendet fqinje, Shqipëri e Maqedoni.
Zgjidhja shihet në kalimin e platformës analoge tokësore në atë digjitale dhe përhapjes më të madhe të rrjetit kabllor, ku shikuesi ka një peizazh të bollshëm të ofertës televizive, në radhë të parë të platformës Digitalb. Afati i fundit i digjitalizimit të plotë të sinjalit televiziv Kosovës i është caktuar të jetë qershori i vitit 2015.