Njëqind për qind e pavërtetë

30 Nëntor , 2018 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Mundësia për të krijuar dhe shpërndarë dezinformata në periudha tensionesh në mes të Kosovës dhe Serbisë është e madhe. Gazetarët, politikanët por edhe qytetarët duhet të tregohen të vëmendshëm në mënyrë që vendimet politike të mos ndikojnë në punën profesionale dhe qasjen ndaj komunitetit.

Situata politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet Kosova ka bërë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind mbi produktet e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës të zgjojë interesimin e madh  të qytetarëve të Kosovës.

Një masë e tillë nga Qeveria e Kosovës ka entuziazmuar shumë qytetarë dhe ka gjetur mbështetje të gjerë shoqërore pas politikave agresive të shtetit serb në po të njëjtën javë kur Kosova dështoi të bëhej pjesë e INTERPOL-it.

Megjithatë, përtej entuziazmit platformat online të komunikimit nuk shpëtuan nga publikimi i lajmeve të paverifikuara,  citimi i gabuar i autoriteteve, si dhe nxitja e gjuhës së urrejtjes brenda spektrit politik në Kosovë.

“Vuçiq: zbritni taksën në 10 për qind dhe do të diskutojmë çdo temë që dëshironi”, është titulli dezorientues për një deklaratë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq vetëm dy ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.  E vërteta e kësaj deklarate është se presidenti serb kërkon heqjen e tërësishme të taksës në mënyrë që të vazhdojë dialogu. “Tërhiqni tarifat barbare dhe menjëherë do të bisedojmë”, citohet të ketë thënë Vuçiq transmeton portali “Koha.net”. “Bllokimi i mallrave evropiane që kanë destinacion Kosovën nga Serbia”, është një tjetër lajm që ende qarkullon në faqet online të informimit, ndonëse nuk është verifikuar. Në këtë lajm është marrë si burim vetëm “biznesmenë”, të cilët në artikull paraqiten si anonimë.

Më vonë lajmi është mohuar nga ministri serb i Tregtisë.

Siç shkruan gazeta “Insajderi”, ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka thënë se Serbia nuk ka marrë asnjë vendim që t’i ndalojë mallrat nga Evropa që kanë destinacion tregun kosovar.

Lajmin për bllokimin e mallrave evropiane e mohon edhe zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci. Ai tha se ky lajm nuk është i vërtetë sepse edhe pas vendosjes së taksës 100 për qind ka pasur mallra nga vende të treta (si Gjermania), të cilat e kanë përdorur Serbinë si vend transit për të hyrë në Kosovë. I publikuar fillimisht nga gazeta “Insajderi” lajmi për bllokimin e mallrave evropiane nga Serbia është shpërndarë shpejt në mediet e tjera dhe ende trajtohet si të ishte i vërtetë. Nuk është.

“Pjesëtarët e FSK-së me 20 automjete janë nisur kah veriu i Kosovës”, ky ishte një tjetër lajm i importuar nga mediet serbe. Mediet nuk arritën ta verifikojnë praninë e FSK-së në veri të vendit, ndërsa gjatë ditës lajmi u hodh poshtë edhe nga autoritetet e sigurisë në Kosovë. Politikanët iu referuan këtij lajmi si pjesë e propagandës që ka për qëllim t’i shërbejë qëllimeve politike të udhëheqjes në Serbi.

Por në raste të tjera janë vetë politikanët e Kosovës që sjellin versione propagandistike të medieve serbe, të afërta me qeverinë serbe, siç është shembulli në vijim me tabloidin “Informer”, i cili njihet për stilin e gazetarisë.

Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, tashmë e ka hequr një postim në “Facebook” përmes të cilit e kritikonte deputetin e LDK-së Driton Selmanajn për një deklaratë të dhënë në gazetën “Informer” një ditë pas vendimit për taksën. “Ndale veten o trim” – kështu i referohet në mënyrë ironike Arifi deputetit Selmanaj, duke publikuar një foto të gazetës “Informer”, si dhe përkthimin në shqip të përmbajtjes se gazetës. “Me serbët do ta rrëzojmë Qeverinë”, citohet të ketë thënë Selmanaj për gazetën “Informer”.

“Deklaratën” e Selmanajt e solli për ndjekësit e tij dhe mediet këshilltari i kryeministrit. Por Driton Selmanaj reagoi pas shumë komenteve negative në adresën e tij. “Po ju njoftoj se përgjigjja për mocionin nuk ka qenë në kontekstin e tanishëm pas vendimit për taksën 100 për qind, por si çështje që LDK-ja dhe LVV-ja kanë në diskursin dhe në angazhimin e tyre tashmë një vit për ta gjetur mundësinë që ta rrëzojmë këtë qeveri abuzuese. Qasja e medieve serbe është në agjendën e tyre për ta sulmuar Qeverinë për vendimin e saj e që në fakt deklarata ime ka qenë në kontekst krejtësisht tjetër”,  shkroi mes tjerash Selmanaj.

Politikanë të ndryshëm u janë referuar këtij lajmi si pjesë e propagandës që ka për qëllim t’i shërbejë qëllimeve politike të lidershipit në Serbi. Por në raste të tjera janë vetë politikanët që sjellin versione propagandistike të medieve serbe, të afërta me qeverinë serbe; siç është shembulli në vijim me tabloidin “Informer”.

Nuk munguan edhe komentet me tone kërcënuese e urrejtëse ndaj deputetit Selmanaj. Kur mesazhet propagandistike shpërndahen nga zyrtarët shtetërorë ose partiakë efekti përherë ka mundësi të jetë më i madh dhe më i dëmshëm për palët e tjera. Selmanaj tha se kurrë nuk ka folur për medien serbe që e “citoi”.

Të tilla lajme jo vetëm se e dëmtojnë reputacionin e një individi, por ato rrezikojnë vlerat e përgjithshme të informimit të drejtë të qytetarëve për proceset politike e shoqërore. Për më tej, plasimi i tyre mund të ndikojë dhe të rrezikojë direkt edhe në sigurinë e qytetarëve.

(Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN-i e nga AGK-ja. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose i BIRN-it e i AGK-së).

Burimi: https://zeri.info/zerat/227763/100-e-pavertete/

Tags:,

Send this to a friend