U bënë pesë vjet nga koha kur në Poloni erdhi në pushtet partia populiste konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS) dhe qysh atëhere sistemi mediatik ka pësuar ndryshime të një spektri të gjerë. TV dhe Radioja Publike janë shndërruar në “media kombëtare”, duke nënkuptuar se ato po mbështesin fuqishëm qeverinë. Që nga 2015-ta, qindra gazetarë dhe redaktorë që punonin për transmetuesit publikë janë pushuar dhe janë zevëndësuar nga “të miratuarit e politikës”. Pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, të fituara nga kandidati i PiS Andrzej Duda, situata duket se po përkeqësohet më tej pasi qeveria ka deklaruar se ka ndërmend të ndërmarrë hapa për të reduktuar pronësinë e huaj në kompanitë mediatike polake. Lind pyetja: A do të vuajnë mediat e pavarura polake të njëjtin fat si dhe si-motrat e tyre hungareze?
Goditja e parë serioze ndaj lirisë së mediave në Poloni erdhi pas dy fushatave zgjedhore të vitit 2015. Në maj kandidati i PiS Andrzej Duda fitoi zgjedhjet presidenciale. Pesë muaj më vonë, kjo parti mori nën kontroll te dyja dhomat e parlamentit polak (Sejm-in dhe Senatin). Menjëherë pas kësaj u ndërmorën një numër amendamentesh të legjislacionit për median. Si rezultat, disa qindra të punësuar në transmetuesit publikë humbën vendin e tyre të punës brenda ditës dhe të parët që u larguan ishin anëtarët e bordeve. Ai që deri në atë moment kishte qenë një sistem i arsyeshëm dhe i diversifikuar mediatik, ndryshoi në mënyrë të dukshme. “U eleminua pluralizmi nga debati në radion dhe TV publik dhe ato nisën t’i dedikohen vetëm promovimit të “arritjeve” të qeverisë”, siç thotë Piotr Sula, studjues i politikës në Universitetin e Wrocław.
Liria e medias në Poloni ka marrë të tatëpjetën
Pasi mori nën kontroll mediat publike, partia në pushtet shpalli planin e saj për ri-Polonizimin e sektorit privat. Liderët e PiS ankoheshin gjithë kohës se kompanitë e huaja – sidomos ato gjermane – zotëronin një pjesë të madhe të aksioneve në mediat polake dhe kjo kishte një efekt të dëmshëm. Termi “ri-Polonizim” mbizotëroi për disa muaj debatin publik, deri në momentin kur u la mënjanë dhe u zëvendësua me termin e ri: de-koncentrim. Një nga shpjegimet e mundshme të këtij zëvendësimi të papritur, ka lidhje me faktin se Polonia është anëtare e BE (që nga viti 2004) dhe reduktimi i pronësisë gjermane në mediat polake do të ishte të paktën problematik. Gjatë mandatit të parë të PiS (2015-2019) nuk u ndërmor ndonjë akt për këtë qëllim dhe partia në pushtet thjesht po priste momentin. Gjithsesi edhe në këtë periudhë renditja e Polonisë në Indeksin e Lirisë së Medias ra nga vendi i 18 në të 59-in.
Pasi spastruan gazetarët kritikë dhe të respektuar, “mediat kombëtare” (Radioja Polake, Televizioni Polak, Agjencia Polake e Lajmeve) u detyruan të fokusohen tek lajmet nga vendi dhe t’i trajtojnë lajmet e jashtme si diçka thjesht sa për të thënë që ka edhe lajme të jashtme. Polakët u inkurajuan të besonin se ata ishin të kërcënuar nga “Europa e kalbur”, nga “Skandinavia moralisht e rrënuar”, nga “gjermanët e shekullarizuar” apo nga një “Francë e përcëlluar plot me emigrantë” – siç vinte në dukje Jędrzej Morawiecki, studjues i medias dhe sociolog në Universitetin e Wroclaw. Sipas Morawieckit ky portretizim negativ ngjan shumë me mbulimin propogandistik të çështjeve europiane nga mediat ruse.
Një gazetar me përvojë që punon për Radion Polake – i cili preferon të mbesë anonim pasi stafit i është ndaluar që të japin intervista – paraqet një situatë alarmante lidhur me mënyrën se si ndërtohet agjenda e lajmeve: “Redaktorët dhe reporterët marrin çdo ditë telefonata “këshilluese”. Një nga shprehjet më të përdorura prej menaxherëve tanë është: “Ju duhet të mbroni interesin polak”, duke lënë të nënkuptohet “interesin e PiS”. Pas muajsh të tërë tru-shplarjeje, shumica e redaktorëve janë të frikësuar madje edhe që të sugjerojnë ndonjë temë kritike ndaj qeverisë ose thjesht nuk janë në një linjë me propogandën e PiS. Kjo është arsyeja pse mediat kombëtare i paraqitën si anarki protestat në Shtetet e Bashkuara që u shkaktuan nga vrasja e George Floyd prej policisë – për të justifikuar deklaratat dhe veprimet e Donald Trump, që është njëherësh aleat i madh i liderëve të Polonisë.
Akses i refuzuar
Gazetarët zakonisht merren me përgjigjje ndaj e-mail-eve të paqarta ose me komente të departamenteve të shtypit.
Mediat private konsiderohen akoma si të pavarura dhe të besueshme, megjithëse ato po ndeshen me pengesa. ‘Po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të marrësh informacion nga institucionet kombëtare”, thotë një reportere e Radio Zet, e cila preferon të flasë jashtë mikrofonit. “Mediat publike trajtohen haptazi me preferencë dhe në shumë raste pyetjet e mia mbeten pa përgjigje, deri në momentin kur ato shfaqen në ndonjë deklarim zyrtar, përshembull në ato të zyrës së prokurorisë.”- thotë ajo. Kjo qasje – mosdhënia e informacionit tek mediat e pavarura dhe refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve – po përdoret nga institucionet shtetërore për të shmangur analizat kritike dhe publicitetin negativ.
E vështirë ta besosh, por njëra nga ministritë më të rëndësishme në vend, pikërisht Ministria e Mbrojtjes Kombëtare ende nuk ka zëdhënës. Gazetarët zakonisht marrin përgjigjje ose komente të vagullta përmes e-mailit nga departamenti i shtypit. Për reporterët e radios dhe TV, pamundësia për të siguruar video ose audio nga eventet, bën që ata të mos i ilustrojnë raportimet e tyre me pamje apo audio apo të heqin dorë nga lajmi. Një gazetar që punon për TVN (një nga kanalet private televizive më të mëdha në Poloni në pronësi të kompanisë amerikane Discovery) jep një shembull se si institucionet publike përpiqen të kontrollojnë informacionin: “Pas një interviste me një oficer policie, mua m’u kërkua që të nënshkruaj dy dokumente: njëri për masat e sigurisë që lidhen me Covid-19 dhe tjetri ku unë duhet të bija dakort që i gjithë lajmi duhet të shikohej më parë prej tyre. Unë u inatosa. Natyrisht që e injorova këtë kërkesë.”
Armiku nr. 1
Për partinë në pushtet në Poloni, media armike nr.1 në vend është e përditshmja e pavarur më e madhe Gazeta Wyborcza. Dy janë arsyet për këtë: Së pari, gazeta e mirënjohur është përfshirë në një betejë ideologjike me PiS qysh në momentin e themelimit të saj. Gazeta Wyborcza e kritikoi ardhjen në pushtet për herë të parë në 2005 të PiS (atëhere në koalicion me dy parti të tjera – një marrëvëshje kjo që zgjati vetëm dy vjet) Së dyti, Gazeta Wyborcza është në pronësi të kompanisë polake Agora, tek e cila 11.49 % të aksioneve i zotëron Media Development Investment Fund me bazë në New York, e cila nga ana e vet mbështetet nga Fondacioni Open Society i George Soros.
Pikërisht për këtë arsye, kur PiS në 2015 arriti të ketë shumicën në qeveri, ndaloi kompanitë shtetërore që të reklamonin në gazetat e përditshme, duke i hequr kompanisë Agora miliona euro të ardhura të përvitshme. Fondi shtetëror i reklamave u nda kryesisht tek mediat që kishin dhënë prova besnikërie ndaj PiS dhe që vijonin të mbështesnin qeverinë. Antipatia e partisë në pushtet ndaj Agora arriti deri aty saqë në Mars të këtij viti bëri një deklaratë për ndalimin e abonimit të shkollave tek Gazeta Wyborcza .
Termi “re-Polonizim” pati një ringjallje të papritur gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. Pas humbjes së maxhorancës në senat në zgjedhjet e 2019 nga ana e PiS u bë më e rëndësishme për partinë për të siguruar ri-zgjedhjen e aleatit të vet Andrzej Duda në presidencë në 2020-ën. Ishte e qartë se fushata do të ishte e fortë dhe partisë në pushtet do t’i duhej të eleminote të gjitha pengesat për t’u siguruar që Duda të kishte një mbulim më të mirë mediatik se sa rivali i tij kryesor Rafal Trzaskowski. Ka fakte të mjaftueshme se mediat publike i kushtuan në mënyrë të dukshme më shumë kohë transmetimi fushatës së Dudës dhe e paraqitën atë në një dritë shumë më positive se sa Trzaskowski.
Ngjarja më e debatuar e fushatës ishte ajo e tabloidit më të shitur në vend Fakt, në zotërim të kompanisë zvicerano-gjermano-amerikane Ringier Axel Springer Polska (RASP), i cili botoi një kryeartikull rreth amnistisë që presidenti i kishte bërë një pedofili. Mundësia që kjo ngjarje të dëmtonte zgjedhjen e Dudës, nxiti sërish fushatën e “ri-Polonizimit”. Presidenti akuzoi tabloidin Fakt për përzjerje në fushatë, duke bërë pyetjen “ A e duan gjermanët zgjedhjen e një presidenti polak?, kurse zëvendës kryeministri në profilin e tij në Twitter bëri apel që tabloidi të braktisej.
Thjesht një shprehje?
Analistët theksojnë se një politikë e tillë nuk ka bazë ligjore. Sipas Piotr Sula, “Plani për një “re-Polonizim” të mediave private do të thotë se mekanizmi i kontrollit i aplikuar tek mediat publike, të aplikohej edhe tek mediat private. Gjithashtu mediat private që kritikojnë qeverinë do të vuajnë mungesën e reklamave nga kompanitë shtetërore, ndërkohë bizneset private do të rrezikohen nëse reklamojnë tek mediat armike të partisë në pushtet.” Është e vështirë të parashikosh se çdo të ndodhë më tej por Jędrzej Morawiecki beson se ‘kufizimi i aksioneve të kompanive të huaja” në mediat polake do të thotë kufizim i pluralizmit të këndvështrimeve dhe dhe një ndarje më të thellë mes mediave pro-shtetit dhe atyre opozitare.”
Gjithsesi disa gazetarë të intervistuar për këtë shkrim janë skeptikë për planet e “ri-Polonizimit”, e cila nëse do të aplikohet do të mund të përdoret për të limituar edhe pozitën e kompanisë amerikane Discovery dhe të TV të saj privat TVN. Qeveria polake nuk do të donte të rrezikonte në raport me administratën amerikane dhe të humbiste mbështetjen e Donald Trump, sidomos në një kohë kur ka shumë pak aleatë prestigjiozë me vete. Ka mundësi që “ri-Polonozimi” të përdoret thjesht si një term që synon kryesisht audiencën vendore dhe sidomos mbështetësit e partisë në pushtet. Mesazhi që përcjell është jo thjesht marrja e pronësisë së medias nga kompanitë e huaja, por – më e rëndësishmja – kalimin e këtyre mediave në duart e biznesmenëve të lidhur me qeverinë. Dhe në këtë këndvështrim ne mund të shohim një model të ngjashëm me zhvillimet e fundit në mediat ruse dhe ato hungareze.
Opinionet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht shprehin apo përfaqësojnë këndëvshtrimet, politikën apo pozicionet e EJO
Fotografitë
Imazhi kryesor: Foto e flamurit polak nga PxHere (CC0 Public Domain)
Faqja e parë e Gazeta Wyborcza riprodhuar me lejen e tyre.
Foto e Jarosław Kaczyński nga Piotr Drabik / Burimi: Flickr / Licensed under CC BY-SA 2.0