Demokracitë shemben aty ku kërcënohen mediet, aty ku censurohet fjala e lirë dhe aty ku gazetarët shihen si armiq dhe jo si mbrojtës të interesit publik. Dikë e pengojnë mediet se e thonë te vërtetën, dikë e pengojnë sepse janë të lira në punën që bëjnë, e dike e pengojnë sepse nuk i përmbushin idetë e tij
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, mediet dhe gazetarët i ka gjetur në front me pandeminë globale të COVID-19, ku sipas një organizate ndërkombëtare me seli në Gjenevë, 55 gazetarë kanë vdekur nga infektimi gjatë raportimit nëpër zona të ndryshme të botës. Kjo e dëshmon edhe kësaj radhe fisnikërinë e këtij profesioni dhe misionin fisnik të mijëra gazetarëve nëpër botë, që krahas mjekëve dhe policëve, po japin një kontribut të jashtëzakonshme në shërbim të informimit të publikut. Megjithatë, në këtë ditë në të cilën synohet ngritja e vetëdijes për rëndësinë e lirisë së shtypit, gjendjen e gazetarisë në Kosovë dhe gazetarët i gjenë në një situatë të brishtë e të atakuar në forma të ndryshme.
Ditë më parë njëra nga gazetat online në Kosovë u gjend nën sulmet brutale kibernetike dhe shumë të tjera u sulmuan vazhdimisht në këtë formë. Kjo është goditje dhe sinjal i qartë i kërcënimit të gazetarisë online dhe medies së lirë, në një kohë kur e gjithë vëmendja e publikut është pikërisht tek ato, në mungesë të atyre të shtypit. Gjatë këtyre ditëve janë kërcënuar me jetë e janë fyer shumë gazetarë, janë linçuar medie dhe është përdorur një gjuhë brutale ndaj tyre,kryesishtpërmes rrjeteve sociale, duke nxitur gjuhë të urrejtjes, dhe duke mos dhënë askush llogari për një gjë të tillë.
Demokracitë shemben aty ku kërcënohen mediet, aty ku censurohet fjala e lirë dhe aty ku gazetarët shihen si armiq dhe jo si mbrojtës të interesit publik. Dikë e pengojnë mediet se e thonë të vërtetën, dikë e pengojnë sepse janë të lira në punën që bëjnë, e dikë e pengojnë sepse nuk i përmbushin idetë e tij. Në këto ditë, në një situatë të paqëndrueshme dhe të tensionuar politike të komunikimit publik, më të atakuarat kanë qenë mediet nga grupe të ndryshme dhe individ të politizuar. Shumë herë në emër të përplasjeve politike dhe ideologjike janë atakuar dhe sulmuar mediet dhe është gjykuar puna e tyre profesionale.
Avancimi i teknologjisë dhe përdorimi masiv i rrjeteve sociale i ka bërë të gjithë pjesëmarrës në komunikimin dhe diskutimin publik, dhe shume herë në mënyrë të padrejtë, në qendër i kane pasur linçimet për medie dhe gazetarë, duke e shfrytëzuar këtë mundësi qe iu ka ofruar teknologjia për tu shprehur. Këto sulme ndaj medieve dhe ky komunikim i degraduar në rrjete sociale ka ndikuar në polarizimit e një mase të shoqërisë, në gjykimin dhe gjuhën e vrazhdë të përdorur ndaj medieve. Këtë e ka ndihmuar edhe fenomeni i lajmeve të rreme, që duke shfrytëzuar rrjetat sociale në mënyrë të pa ndërgjegjshme e kanë cenuar seriozisht lirinë e shprehjes, i ka dëmtuar mediet kredibile si dhe ka ndikuar ne deformimin e mendimin publik. Kjo është e vërtetë.
Gjithashtu ka pas tendenca, shumë herë që mediet kredibile të jenë në qendër të kritikave, pikërisht në emër të kinse luftimit të lajmeve të rreme, dhe në emër të mbrojtës së kauzës së drejtë. Prandaj sot, përmes grupeve të ndryshme, sidomos në rrjete sociale, përmes faqeve të rrejshme dhe jo kredibile, organizohen individë kundër lirë së shprehjes dhe lirisë së medieve, duke e marrë përsipër vlerësimin profesional dhe gjykimin publik .
Liria e medieve është e garantuar me aktet më të larta të shtetit të Republikës së Kosovës. Megjithëse është keqkuptuar në disa raste, ngjashëm me keqkuptimet ndaj teknologjisë që po keqpërdoret për shkak të mundësive që i ka ofruar shoqërisë. Në këtë ditë të shënimit të Lirisë së Shtypit, të gjithë duhet të bëjnë maksimumin për ta mbrojtur fjalën e lirë dhe medien e lirë. Një media e lirë është pasuri për shoqërinë dhe gardiane për demokracinë.
Situata e medieve në përgjithësi u keqësua edhe gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Për dallim nga shumë vende perëndimore që gjetën forma dhe module për t’i mbështetur mediet nga fondet emergjente, në Kosovë dhe disa vende të rajonit mediet u injoruan duke e vështirësuar realizimi i punës së tyre profesionale në përmbushjen e misionit të tyre. Shumë gazetarë kanë mbetur të pa pune sikurse edhe punëtorë nga sektorë të ndryshëm, ndërkaq ka edhe të tilla media, që e kanë larguar nga puna shumicën e stafit të tyre. Institucionet e vendit duhet që të bëjnë më shumë për mediet. Ato duhet që t’i shohin dhe t’i konsiderojnë si partnere në luftën e përbashkët ndaj të keqes, dhe aleate ndaj te mirës së vendit.
Institucionet e Kosovës në këtë ditë të shënuar për lirinë e shtypit, duhet të punojnë më tepër për të krijuar siguri për gazetarë, liri për shtypin dhe fjalën e lirë si dhe ndëshkim për gjithë ata që i pengon fjala e lirë dhe e drejta për t’u informuar.
(Autori është pedagog në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)
Tags:3 maj, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, gazetaria në Kosovë, Liria e medias