Reporterët pa Kufij: “Rruga drejt Evropës është e gjatë për Shqipërinë”
Në indeksin e vitit 2019 të hartuar nga organizata ndërkombëtare Reporters Without Borders (Reporterët pa Kufij), Shqipëria renditet në vendin e 82 nga 180 vende të vëzhguara. Ajo ka rënë 7 pozicione, krahasuar me një vit më parë kur vendi ynë kishte bërë përparime sa i përket lirisë së medias duke u pozicionuar në vendin e 75. Kjo është hera e parë që nga viti 2013 që Shqipëria pëson rënie në indeksin e lirisë së shtypit.
Në indeksin e vitit 2019, Shqipëria gjendet pranë vendeve si Panama, Kirgistan, Peru, Malta dhe El Salvador.
Organizata Reporterët pa Kufij në raportin e publikuar për situatën e medias në Shqipëri kritikon kërcënimet e qeverisë dhe krimit ndaj gazetarëve, si edhe iniciativat ligjore që synojnë kontroll shtetëror mbi median:
“Sulmet ndaj mediave nga qeveria dhe krimi i organizuar arritën një nivel të paprecedent në vitin 2018. Gazetarët u përballën me ofendime, kërcënime me vdekje dhe procedura ligjore të hartuara për të trembur dhe penguar ata në hetimin e korrupsionit. Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i kanë quajtur “plehra” (kazan) dhe si prodhues të lajmeve të rreme. Kryeministri ka propozuar një ligj për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediat elektronike dhe, sipas kritikëve, kufizon qasjen në lajme dhe informacione.”
Sipas një raporti të përbashkët të botuar nga Reporterët pa Kufij dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), në mars të vitit 2018, raportohen një sërë kërcënimesh ndaj mediave në Shqipëri. Raporti gjeti se standardet rregullatorë manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe se pronësia e mediave elektronike është e përqendruar në duart e disa biznesmenëve të mëdhenj. Kjo ka krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është e përhapur dhe 80% e gazetarëve nuk kanë besim në të ardhmen e tyre profesionale.”
Kosova dhe Rajoni
Lirina e medias në Kosovë është përmirësuar, duke u rritur në tre pozicione në rënditje, në vendin e 75 nga 180 të marra në studim. Reporterët pa Kufij shënojnë se situata politike në Kosovë u bë gjithnjë e më e tensionuar dhe e paqëndrueshme në vitin 2018 si rezultat i afrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la qeverinë e Kosovës të izoluar në mënyrë diplomatike. Mungesa e transparencës së qeverisë mbi çështjen e Evropës solli reagime të forta nga publiku kosovar dhe gazetarët.
“Media të caktuara të medias që ishin anashkaluar nuk hezitonin të kritikonin politikat nacionaliste të Presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë së tij Demokratike të Kosovës, ndërsa qeveria akuzoi gazetarët kritikë se ishin “tradhtarë” ose “simpatizantë serbë”. Ndarjet etnike të Kosovës janë burimi i probleme shumë shqetësuese për gazetarët që janë anëtarë të pakicës serbe. Mediat e këtij komuniteti shpesh janë objektivat e sulmeve verbale, ngacmimeve kibernetike dhe fushatave nga mediat pro-qeveritare. Sidoqoftë, peizazhi mediatik duket relativisht pluralist – në shikim të parë, të paktën – dhe shumë media kanë pronarë pa lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që rezulton në politika dhe mendim editoriale të ndryshme.”
Rumania edhe pse është pozicionuar në vendin e 47 nga 180 vende gjithsej, në raport me një vit më herët ka rënë tre vende. Pas zgjidhjes së çështjes së emrit, Maqedonia e Veriut është përmirësuar duke u ngjitur 14 vende në listë. Ndërkohë Serbia ka rënë 14 vende, për shkak të protestave që kanë paralizuar vendin dhe mungesa e pavarësisë së medias. Mali i Zi ka rënë me një pozicion këtë vit, duke u renditur në vendin e 104 nga 180 vende gjithsej.
Ndërkaq, Bullgaria nuk ka lëvizur asnjë pozicion në krahasim me vitin e kaluar, duke u pozicionuar në vendin e 111. Pas Shqipërisë, në vendin e 87 qëndron Hungaria, duke treguar një kërcënim për pluralizmin e medias në vend.
Në top 10 vendet me media më të lirë kryeson Norvegjia, ndjekur pas nga Finlanda, Suedia, Hollanda, Danimara, Zvicra, Zelanda e Re, Xhamaika, Belgjika dhe Kosta Rika.
Burimi: *Citizens Channel /E.K/