Ballkani në shtypin e përditshëm shqiptar

2 Janar , 2012 • Media dhe Politika, Profesionalizmi në media • by

Duke pasur parasysh marrëdhëniet e komunikimit politik, mediat e kanë akoma më të vështirë të jenë aktore të pavarura në procesin e komunikimit përtej kufijve dhe nuk se dalin jashtë kornizës së agjendës politike në vend.

Vështirësia më e madhe që hasin jo vetëm gazetarët shqiptarë të politikës, por edhe gazetarët e tjerë në rajon është përballja e përditshme me stereotipet dhe klishetë ballkanike në raportimin mediatik. Fqinjët tanë janë sidomos prezent në informacionet mbi emigrantët, keqtrajtimin e tyre, drogën dhe trafikun, korrupsionin; dhe ndonjëherë, me rastin e vizitave të krerëve të shtetit te njëri-tjetri hidhet pak dritë mbi ekonominë, tregtinë e fusha të tjera. Sigurisht nuk është e lehtë t’i shpëtosh joshjes së raportimit të njëanshëm, aq më tepër kur flitet për një model shtypi si ai shqiptar, që i afrohet më tepër modelit sensacional (bulevardesk), dhe ku filozofia: “Lajmi që shet më shumë, është lajmi i duhur!” Dhe këtu nuk janë vetëm gazetarët shqiptarë që e shohin Ballkanin dhe banorët e tij brenda një optike bardhezi.

Lehtësia me të cilën janë krijuar dhe krijohen këto stereotipe, duhet ta shqetësonte shtypin dhe masmedian në tërësi, pasi vetë media është një aktore politike, pikërisht për rolin e saj aktiv në ndërmjetësimin e informacioneve politike. Por mënyra si media raporton në lidhje me problematika të caktuara në Ballkan ndikon direkt në perceptimin që shoqëritë e vendeve të rajonit krijojnë për njëra-tjetrën. Jo rrallë, mediat mund të luajnë një rol pasiv, kur në prezantimin e çështjeve të ndryshme, qofshin këto zhanret informative, apo ato opinionbërëse, ato priren të orientohen nga debati qeveritar, pra, mainstream. Ky stil elitar i raportimit mediatik vihet re veçanërisht kur flitet për  çështje të politikës së jashtme apo konflikte më të thella.

Duke pasur parasysh marrëdhëniet e komunikimit politik, mediat e kanë akoma më të vështirë të jenë aktore të pavarura në procesin komunikativ përtej kufijve dhe nuk se dalin jashtë kornizës së agjendës politike në vend. Sa më i gjerë të jetë konsensusi politik mbi një tematikë të caktuar, aq më e madhe është mundësia që raportimi mediatik të orientohet drejt, dhe përtej politikave të ngushta ndërkufitare. Në këtë kontekst, sidomos në dy fushatat e fundit elektorale në Shqipëri, ato të vitit 2005 dhe 2009, postulati i vjetër për paqe dhe stabilitet në Ballkan është zëvendësuar me atë të integrimit në NATO, në familjen evropiane (BE), reformat në kuadër të MSA dhe rrjedhimisht drejt bashkëpunimit ekonomik mes shteteve të rajonit.

Një specifikë përbën këtu marrëdhënia me shtetin e ri të Kosovës, ku pas shpalljes së pavarësisë më 2007, politikat e bashkëpunimit janë forcuar, edhe pse kjo mbetet ende në rrafsh simbolik dhe nuk se dallon tërësisht nga vendet e tjera të rajonit. Vitet e fundit shihet një tendencë në rritje e Shqipërisë, përmes pasqyrimit mediatik, në forcimin mbi të gjitha të bashkëpunimit ekonomik në Ballkan. Në pamje të parë, duket sikur raportimi në shtyp këto dhjetë vitet e fundit është profesionalizuar dhe zhveshur nga mentaliteti “lokalist” që i shihte politikat e rajonit në një prizëm politik pak a shumë të pandryshueshëm. Por a qëndron kjo edhe në realitet?

Në Shqipëri mund të gjesh lirisht gazetat dhe revistat e disa vendeve perëndimore, deri dhe amerikane, por asnjë gazetë nga rajoni: madje as nga Kosova apo Maqedonia që ndodhen më afër gjeografikisht, për të mos folur për shtetet e tjera, ku si justifikim sillet gjuha e ndryshme. Pra, çfarë shqiptarët njohin nga vendet e rajonit e njohin kryesisht nga masmedia: nga shtypi i përditshëm dhe televizioni. Me gjithë aspiratat e përbashkëta për në Bashkimin Evropian, aderimi i shteteve ballkanike aty shihet më tepër me xhelozi dhe si një garë politike, e tipit: “T’ia kalojmë Bosnjës!” ose “Pse jo ne, po serbët!”

Konkretisht sa janë të pranishme vendet e Ballkanit në faqet e shtypit të përditshëm shqiptar dhe cilat fusha dhe tematika janë më përfaqësuese në raportimin mbi fqinjët e Ballkanit? Një analizë e tre gazetave të përditshme,“Panorama”, “Shekulli” dhe “Shqip” për një periudhë 15 mujore (janar 2009-mars 2010), që mori në shqyrtim 2005 artikuj që përmbanin informacione mbi gjashtë shtete të Ballkanit: Bullgarinë, Greqinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe Turqinë në fushat politikë, ekonomi, kulturë dhe lajme sociale doli në këto konkluzione: Fqinji më prezent në median shqiptare mbetet Kosova, pasuar nga Greqia, ndërsa më pak e pranishme është Bullgaria (gjithsej 66 artikuj). Kosova prezantohet sidomos me lajme dhe komente politike (gjithsej 375 artikuj), të cilat trajtojnë statusin e saj, problemet politike brenda vendit, por edhe në rajon. Problematika më e prekshme për Kosovën mbeten marrëdhëniet me Serbinë. Mund të thuhet se shtypi shqiptar pasqyron çdo konflikt dhe përplasje në këtë drejtim, sado i madh apo i vogël të jetë ai.

Në rastin e Greqisë, sipas analizës së bërë, rezulton se artikujt më të shumtë janë ata të rubrikës sociale/aktualitet, ku përgjithësisht bëhet fjalë për emigrantët shqiptarë atje dhe (keq)trajtimin e tyre, por edhe për luftën ndaj trafikut të drogës dhe kriminalitetit. Në lajmet dhe komentet politike (208 artikuj) mbizotërojnë kritikat për të ashtuquajturën “ksenofobia greke”, dhe politikën greke në përgjithësi kundër emigrantëve dhe politikës shqiptare në përgjithësi, por edhe kundër pretendimeve territoriale në Jug të vendit. Edhe pse duhet theksuar se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë të forta në fushën e biznesit, artit, kulturës dhe arsimit. Maqedonia e pasuar nga Serbia përmenden më tepër në komente dhe shkrime politike (respektivisht 169 dhe 189 artikuj), kur bëhet fjalë: a) për shqiptarët e Maqedonisë dhe përplasjet e tyre konfliktuale me shtetin, b) për rolin negativ të Serbisë në lidhje me Kosovën dhe zhvillimin e saj. Fusha të tjera si kultura, ekonomia, jeta sociale preken shumë pak. Nga paraqitja grafike të krijohet përshtypja se shqiptarët nuk dinë gati asgjë se si jetojnë fqinjët e tyre përtej politikës së ngushtë rajonale.

Raportimi mediatik për Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe Greqinë shpesh del jashtë kontrollit profesional duke u ngjyrosur emocionalisht dhe duke u luhatur nga raportimi “patriotik” te ai “armiqësor”. Madje nga bisedat me gazetarë shqiptarë të krijohet gati përshtypja se raportimi kritik mbi situatën e shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni, vështirësitë ekonomike me të cilat ata ndeshen, apo problemet politike brenda vendit, nuk është i dëshiruar dhe se ai rrezikon ta kategorizojë gazetarin në “sirtarin” e “tradhtarit” apo “jo-patriotit”. Nga studimet e pakta në rajon, vëren se gjendja nuk se paraqitet ndryshe në vendet e tjera në Ballkan.

Më i çlirët është pasqyrimi dhe raportimi mbi ngjarje që ndodhin në fqinjët më të largët si Bullgaria dhe Turqia, ku ndeshim një balancë mes politikës, sociales, kulturës dhe ekonomisë, Madje lajmet nga fusha e ekonomisë vijnë me tendencë në rritje duke konkurruar lajmet nga fusha e politikës.

Mund të shpresohet se me forcimin e marrëdhënieve tregtare mes vendeve, shtypi shqiptar dhe ai rajonal në përgjithësi, do të ndryshoj edhe raportimin gazetaresk duke u çliruar nga klishetë dhe emocionet. Por i vetëm, shtypi nuk mund të arrij shumë, duke qenë se ai para së gjithash është pasqyrë e politikës që bëhet në vend. Për të arritur këtë duhet arritur mirëkuptimi për të njohur dhe kuptuar shoqërinë jashtë kufijve. Deri diku kjo është arritur me zhanrin e reportazhit, ku jo rrallë është paraqitur një pamje tjetër, më sociale e vendeve të Ballkanit, por as ato nuk u kanë shpëtuar klisheve të njohura.

Një bashkëpunim më i ngushtë i strukturave mediatike rajonale dhe një vullnet i përbashkët pozitiv, do të ndihmonte që njohuritë e shqiptarëve për vendet e Ballkanit, si dhe të fqinjëve për Shqipërinë të mos mbeteshin vetëm te përshtypjet e vizitave të shkurtra turistike apo tregtare te njëri-tjetri, por të mëtonin drejt njohjes së vërtetë.

Send this to a friend