Gazetat shqiptare nuk kanë të ardhme. Kanë vdekur. Studentët e gazetarisë nuk duhet të mendojnë të bëhen vetëm gazetarë. Ata duhet të mendojnë për zanate tjera si: menaxherë audiencash, si animatorë spektaklesh televizive, si shkruajtës skenarësh, si kameramanë, si gazetarë të fotolajmit… Ne jetojmë fazën e superpozimit, të klonimit, të departamenteve të njëjta, të fakulteteve të njëjta, dhe ky është krimi ynë për edukimin kombëtar. Si nuk pati kjo hapësirë mbarëkombëtare një Ministër Arsimit t’i thotë ndal kësaj gjëje dhe të hynte në histori. Në një intervistë me shkrim, profesori i Universitetit të Tiranës dhe Parisit, Artan Fuga, përgjigjet për Express.
Express: Çka duhet të ketë parasysh sot një student i gazetarisë kur vendos t’i përfundojë studimet për gazetari?
Artan Fuga: Gjëja e parë që duhet të mendojë është se gazetaria nuk është hartim apo ese e kërkuar nga zysha e letërsisë të gjimnazit. Nuk është sipas meje më afër artit dhe letërsisë sesa është sot më afër kibernetikës, informatikës, ekonomisë, shkencave të komunikimit. Gazetaria si dell intuitiv, si frymëzim poetik, si delir hamendjesh të shfrenuara nuk është veçse një dështim. Nuk mohoj rolin e talentit, por studenti duhet ta harrojë që është në një degë të lehtë, por shumë të vështirë, sepse shkencat e komunikimit janë nga më të vështirat sot. Departamenti i gazetarisë dhe komunikimit në Universitetin Publik të Tiranës është i pari në hapësirat shqipfolëse dhe në historinë kombëtare të arsimit shqip që i bëri shkencat e komunikimit pjesë e shkencave albanologjike. Por, derisa të kuptohet kjo, dhe deri sa të përqafohet nga universitetet e tjera mund të dojë kohë. Kush të dojë të vijë të shkëmbejmë përvojë, përndryshe të bëjnë si të duan. Edhe profesioni i shkencave të komunikimit, apo i gazetarit, apo i specialistit në komunikim nuk është i lehtë. Të mos kujtojë studenti se do ta ketë të lehtë, ai mund të bëhet i pasur me korrupsion, mund të trafikojë në politikë, mund të bëjë propagandë partiake, por gazetar nuk bëhet dot kurrë pa pranuar se do t’i shërbejë shoqërisë në kushte presioni. Pra, ta masë mirë hapin. Egoistët nuk kanë vend si studentë gazetarie a komunikimi. Nxënësi i dobët të mos kujtojë se duke shkuar në degë gazetarie a komunikimi do t’ia hedhë lehtë për të marrë diplomën. Veçse diploma është një copë letër që shitet e blihet.
Express: Ku duhet të orientohet një student i gazetarisë – në mediat online, televizion, gazetë apo radio për të gjetur punë pas shkollimit?
Artan Fuga: Kudo ka mundësi, edhe i vetëpunësuar si gazetar, ose në kabinete reklamash mund të lulëzojë. Por nuk duhen konceptuar sot zanatet e fushës së informacionit masiv në mënyrë të ngushtë, sikur kishim gazetarë nja njëzet vjet më parë. Kjo është epoka skënderbejane e gazetarisë, e kohës të Gutenbergut, pra e mediave autoritare, lineare, kurse sot kemi industrinë e informacionit masiv. Zanatet kanë ndryshuar shumë në këtë fushë. Studentët duhet të mendojnë për zanate të reja në këtë fushë. Mund të formohen si menaxherë audiencash, si animatorë spektaklesh televizive, si shkruejtës skenarësh, si spikerë, si menaxherë reklamash në media, si këshilltarë në komunikim, si administratorë faqesh web, si financierë të komunikimit dhe ekspertë ligjorë në fushën e komunikimit, si kameramanë, si gazetarë të fotolajmit, si strategë komunikimi për biznesin, si dizajnues mediash online, si specialistë të software-ve për industrinë e informacionit, si sociologë të informacionit, pra nuk duhet thënë vetëm gazetarë, sepse industria e mediave dhe punonjësi i industrisë të medias është një koncept shumë i gjerë. Kurse mediat shqiptare ende vazhdojnë të propozojnë profesione të vjetra, sikur në epokën e anijeve kozmike t’u propozosh të rinjve të bëhen mbledhës plehrash urbane ose punëtorë kazme, ndonëse unë i admiroj këto zanate.
Studentët duhet të mendojnë për zanate të reja në këtë fushë. Mund të formohen si menaxherë audiencash, si animatorë spektaklesh televizive, si shkruajtës skenarësh, si spikerë, si menaxherë reklamash në media, si këshilltarë në komunikim, si administratorë faqesh web, si financierë të komunikimit dhe ekspertë ligjorë në fushën e komunikimit, si kameramanë, si gazetarë të fotolajmit, si strategë komunikimi për biznesin, si dizajnues mediash online, si specialistë të software-ve për industrinë e informacionit, si sociologë të informacionit,
Express: Sot ekzistojnë shkolla të gazetarisë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni si publike ashtu edhe private. Çka duhet të kenë parasysh këto universitete kur marrin brenda një maturant për ta shkolluar për gazetari?
Artan Fuga: Po, po çdo lagje do të ketë universitetin e vet… Më duket se edhe në Kosovë në këtë rrugë po ecet si në Shqipëri. Krejt mbrapsht në krahasim me atë që ndodh në Perëndim. Por, le të shpresojmë se nga ky bum universitetesh, nga konkurrenca do të mbeten vetëm disa më të mirët. Privatët ta harrojnë se misioni i tyre është të shesin diploma pa dije dhe se detyra e tyre është të diplomojnë, por jo të krijojnë kushte edukimi për lehtësim punësimi. Të mos harrojnë se një shkollë nga një sipërmarrje keqbërëse e ndan vetëm një fletë cingari. U merr jetën dhe të ardhmen të rinjve nëse nuk je ku duhet. Fiton para duke gënjyer e ushqyer iluzione te rinia, i mashtron ata. Unë njoh universitete që janë në fakt, realisht, “banda keqbërësish të njohura dhe pranuara nga ligji”. Por, ministritë përkatëse të arsimit nuk kanë sy t’i shohin. Kurrikulat e një pjese të këtyre shkolla vijnë era myk, të vjetra, me tema propagandistike, gjithë ideologjizma. Unë kam guximin dhe kurajën qytetare të pohoj se arsimi shqiptar në fushat humane dhe sociale e ekonomike ende nuk e ka kaluar fazën e parë dhe të dytë të evolucionit të ndërgjegjes kolektive, po t’i mbahemi skemës madhore të Ogyst Kontit. Pra jemi akoma në fazën fetishiste, të shpjegimit sipas bindjes ndaj autoritetit, citatit, pra besimit të verbër, në fazën e filozofimeve të kota dhe ideologjisë, pa arritur ende në kurse lëndësh që të jenë shkencore dhe teknike e profesionale. Kur shoh ndonjë profesor pa diplomë në fushën ku hiqet si profesor më vjen të qesh, qaj, çirrem, shkul flokët, grindem, tallem, trishtohem, thërras, ulërij, por ja që kështu është. Ne jetojmë fazën e superpozimit, të klonimit, të departamenteve të njëjta, të fakulteteve të njëjta, dhe ky është krimi ynë për edukimin kombëtar. Ne prodhojmë të papunë sepse prodhojnë të diplomuar të klonuar, të gjithë njësoj, dhe me dije e aftësi profesionale, të tejkaluara qysh nga vitet ‘60. Por, si nuk pati kjo hapësirë mbarëkombëtare një ministër arsimi t’i thotë ndal kësaj gjëje, dhe pastaj po të mos e dëgjonin t’ua hidhet çelësat e zyrës në këmbë atyre që s’e kuptonin dhe të hynte në histori!
Express: Cili është parashikimi juaj për mediat e shtypura që po vazhdojnë të mbijetojnë pavarësisht mediave online?
Artan Fuga: Në gjendjen që janë sot dhe pa u pozicionuar sipas asaj që quhet “skemë ekologjike”, pra një adaptim në kushtet e informacionit në Internet, gazetat në letër shqiptare nuk kanë të ardhme, janë të vdekura. Le të rrejnë e të rrehen se jo kanë kaq mijë lexues e jo aq. Nuk kanë lexues, pikë. Lexuesi po shteret, reklama po shteret, edhe ai lexues që i blen, me ato para nuk nxirret gazetë. Merr para nga biznese të tjera dhe futi në media, kjo funksionon, por kjo skemë financimi bën median të funksionojë por shkatërron gazetarinë. Më vjen keq të them se ne nuk kemi menaxherë mediash, kemi menaxherë malli informacion që për t’u shitur kthehet në propagandë, për të ushqyer biznesin me tenderë nga politika. Informacioni kritik për qytetarin dhe në shërbim të qytetarin ka vdekur. Çfarë doni më? Merrni lexoni librin tonë kolektiv të sapobotuar nga departamenti i gazetarisë dhe komunikimit mbi “demokratizimin e mediave” dhe do ta gjeni të shtjelluar katastrofën informative ku gjendet sot bota shqiptare, shumë më keq se në epokën mesjetare, ose parakapitaliste, të keqen e informimit te pusi i fshatit në botën rurale përpara kësaj gjendjeje. Por gazeta në letër, ajo e vërteta, nëse ndryshon koncept, parime, pronësi, skemë financimi, fokus audience, etj., ka të ardhme të madhe. Asnjë medie nuk del jashtë historisë, por vetëm transformohet. Gazetat shqiptare në letër nuk pranojnë të transformohen për arsye të ndryshme që unë i njoh me shumë hollësi. Gazeta në letër ofron leximin horizontal, kënaqësi që ekrani i tabletës ose kompjuterit nuk ta jep në jetë të jetëve. Por, kush e kupton këtë, për ta bërë gazetën në letër një enciklopedi e informacionit të shtuar analitik mbi aktualitetin. Shihni gazetat e huaja më të mira dhe kuptoni se çfarë është gazeta e shkruar. Jo paçavure ku gjëja që tërheq më shumë janë vithet e kardash-ianit, ku sheh vithet por nuk sheh mbathjet, ndërsa më parë shihje mbathjet, por nuk shihje vithet… Unë pasi studioj për interesat e mia shtypin e huaj në Internet, pushoj duke shkuar në kafe e lexuar në letër “romancën, “shkencën”, “shpjegimin” e aktualitetit nga gazetat në letër të zemrës sime. Më hiq këtë dhe më ke hequr kënaqësinë e ditës në planin intelektual. A e kupton se çdo të thotë enciklopedi e aktualitetit??? Shkruajnë mendje të ndritura, nuk shkruajnë servilë, militantët e partive, gjyhnaqarët që nuk dinë se ku kanë kokën e tyre, mediokrit, tmerr, që gazetarit të gjorë i thonë të ftojë në faqet e gazetës dhe pastaj ky i fundit i tall nëpër kafene, pasi i nderon në redaksi.
Në gjendjen që janë sot dhe pa u pozicionuar sipas asaj që quhet “skemë ekologjike”, pra një adaptim në kushtet e informacionit në Internet, gazetat në letër shqiptare nuk kanë të ardhme, janë të vdekura.
Express: Keni thënë se gazetarinë po e shkatërron media, kurse median po e shkatërron politika, ndërsa politikën po e shkatërron gazetaria e shkatërruar nga media e shkatërruar nga politika. Mund të ndryshohet ky raport apo s’ka fare shpresë?
Artan Fuga: Po, pra, këtë po them. Nëse industria e medias nuk gjen skemën e duhur të financimit ekonomik, nëse aktorët e kësaj industrie, pra pronarët, aksionerët, menaxherët, gazetarët, etj., nuk gjejnë pikën e ekuilibrit midis tyre, nëse media bëhet një thes bosh që furnizohet nga pjesa jomediatike e kompanisë, pra nuk vetëfinancohet, e gjithë pasoja e rëndë do të bjerë mbi gazetarin që do të bëjë gazetari të keqe, dhe gazetaria e keqe janë vithet e kardash-ianit dhe propaganda për partitë politike gjoja e fshehur, se kujtojnë se publiku është tufë idiotësh që nuk e kupton hilenë…
Nëse media bëhet një thes bosh që furnizohet nga pjesa jomediatike e kompanisë, pra nuk vetëfinancohet, e gjithë pasoja e rëndë do të bjerë mbi gazetarin që do të bëjë gazetari të keqe
Express: Është e natyrshme që secila media në botë po lufton për lexueshmëri dhe klikueshmëri. Në këtë garë lexuesit i servohen lajme edhe për Shkëndije Mujaj, Kallashin e Kim Kardashian, por edhe vetë lexuesit po i përgjigjen këtyre lajmeve duke i lexuar me zell….A shihni ndonjë problem në lidhje me këtë përmbajtje?
Artan Fuga: Patjetër, nuk e kam shpikur unë zgjidhjen, po e kanë gjetur menaxherët e mediave të huaja dhe gjendet poashtu në manualet teorike mbi industrinë e mediave. Nëse media e shkruar në letër nuk zhvillon gjinitë e veta në kushtet e sotme, pra analizën, reportazhin, shkrimin tematik me informacion të shtuar dhe me bacground të arsyetuar mbi aktualitetin, nëse nuk specializohet për audienca të veçanta, nëse nuk zhvillon lajmin e vërtetë lokal, sigurisht do të hyjë në krizë. Dhe kërkon për të dalë nga kriza duke bërë gazetari të keqe, të shëmtuar, pa cilësi, çka e fut edhe më shumë në krizë, sepse humb lexuesin dhe reklamën, e pastaj si mbetet gjë tjetër veçse të kërkojë zgjidhjen duke nxitur fantazmat seksuale ose etjen për pushtet të një lexuesi devijant psikologjikisht, që e tërheqin vetëm vithet e Kardashian dhe ethet për pushtet. Ethet dhe vithet, vithet dhe ethet. Ethe për vithe dhe vithe për ethe.
Express: Po flasin pak edhe për Charlie Hebdo. Në fakt, ku duhet ta ketë vendin në gazetari kjo ngjarje dhe kjo revistë?
Artan Fuga: Çfarë të flasim! Ishte një akt i pastër terrorist, një masakër që nuk ka fe që e legjitimon. Një akt tmerri.
Express: Ka shumë debate se deri ku duhet të shkojë gazetaria. Liria e shprehjes e lejon edhe ironinë, sarkazmin e satirën. Sa është e gatshme shoqëria shqiptare për një gazetari të tillë?
Artan Fuga: Shiko, vërtet kur bëhet ironi duhet bërë ironi me veten, jo me të tjerët, se ironia dhe sarkazma ndaj ta zëmë politikës që është një fakt universal është një gjë, kurse sarkazma ndaj fesë godet identitetin e tjetrit që nuk qesh me ironinë që bëjnë me të, por, e përsëris, nuk mund të justifikohet apo të lehtësohet një akt terrorist me natyrën e një medieje.
Express: Në një monolog tuajin në Facebook keni shkruar se gishti juaj po ju thotë se qytetarët e Kosovës po emigrojnë për t’i rinovuar kombet e BE’së. Ka diçka të vërtetë në këtë rrëfim figurativ tuajin?
Artan Fuga: Nuk e di, di që e dëmton ekonominë, shtetin dhe demokracinë e Kosovës. Remitancat e emigrantëve janë kurthi i djallit për një ekonomi, pavarësisht se ato emigrantët i dërgojnë me dashuri dhe mundim. Por, nuk përjashtohet që ekonomia globale të ketë nevojë për forcë punëtore të ardhur nga periferia ballkanike.
Nëse media e shkruar në letër nuk zhvillon gjinitë e veta në kushtet e sotme, pra analizën, reportazhin, shkrimin tematik me informacion të shtuar dhe me bacground të arsyetuar mbi aktualitetin, nëse nuk specializohet për audienca të veçanta, nëse nuk zhvillon lajmin e vërtetë lokal, sigurisht do të hyjë në krizë. Dhe kërkon për të dalë nga kriza duke bërë gazetari të keqe.