Përpara disa ditësh AMA njoftoi se do të mbyllej transmetimi analog për zonën Tiranë – Durrës, ku përfshihen edhe pjesa më e madhe e konsumatorëve të programeve televizive në vend. U paraqit si një sukses dhe në fakt, megjithë vonesat dhe historitë e pakëndëshme që shoqëruan procesin, një sukses është kalimi nga transmetimet analoge në ato dixhitale. Shqipëria nuk mund të qendrojë te televizioni me rezervuar vajguri. Kalimi drejt teknologjive numerike duhet bërë urgjentisht në të gjitha fushat sepse ende Shqipëria jeton në shekullin e XX në shumë fusha, pra jemi një shekull me vonesë. Aq i shpejtë është progresi teknik sot saqë mjafton një dekadë të mos e ndjekësh, merr vonesa që mund të maten me shekuj. Të duket vetja jashtë kohe. Për shembull, arsimi shqiptar nga pikëpamja e njohurive numerike në të gjitha fushat i ngjan një fushe ku të duket vetja se je në Mesjetë.
Mirëpo ajo që AMA deklaroi si sukses nënkuptonte edhe faqen e padukshme të Hënës, pra që nuk do të kishte më transmetime analoge. E hidhura vjen pas së ëmblës. Të gjitha ata dhjetëra mijra e qindra mijra konsumatorë përmbajtjesh televizive që nuk kishin bërë përçapje për t’u pajisur me dekodera, u ndodhën para ekraneve gri, pa imazh e zë, një ditë të bukur. Të përjashtuar nga marrja e ofertave televizive vendase dhe të huaja. Me siguri janë ndjerë edhe të përjashtuar, por edhe të fyer . Ndofta kujtonin se ndërprerja nuk do të ishte aq brutale, por ja që ndodhi. Nuk besoj se nuk ishin informuar nga klipet e marketingut dhe të njoftimeve publike. Por, nuk u kishin besuar veshëve, dhe tani nuk u besonin syve.
Qërojuni!
Televizioni është bërë si patatja ose domatja. Nuk ke lekë, nuk blen dot!
E hidhur !
Po atë ditë në mëngjes mërmërima masive zbarkoi në emisionet e mëngjesit ku teleshikues të nervozuar nisën të hedhin sharje, fyerje, kritika ndaj politikës dhe gjithkujt që kishte marrë atë vendim. E vërteta është se mllefin e kishin me qeverinë, sepse tashmë janë mësuar se të gjitha agjencitë e tjera sado të duken të pavarura, varen nga qeveria. Hapur ose jodrejtpërdrejt. Kush beson se AMA ka aq fuqi sa të fikç antenat e transmetimeve analoge për të kaluar në transmetimet numerike !
Nuk kaluan disa orë dhe ngjarjet ndoqën njera tjetrën. AMA u tërhoq nga vendimi i marrë, transmetimet analoge rifilluan, qeveria me deklaratën e kryeministrit veprimin e parë e quajti të gabuar duke e shtyrë mbarimin e procesit për disa muaj më vonë. U duk se konsumatori korri një fitore. Por, e vërteta është se fitorja nuk është ruajtja e analoges kundër numerikes. Ja, do të vijë janari, dhe procesi do të rifillojë, atëhere konsumatorët e përmbajtjeve televizive do të jenë të detyruar të blejnë dekoderat, drëng paratë, dhe ata që do të bëjnë shaka të mos kenë blerë teknologjinë e duhur për marrjen e sinjalit, do të rrinë me sy hapur përpara ekraneve bosh.
Pyetja e parë që bëhet është: përse u tërhoq qeveria ?
Unë nuk besoj dhe nuk dua të uroj që të ketë rënë në analogjizëm, pra të jetë bërë armike e progresit në këtë fushë, sikurse janë ata që ndalojnë përdorimin për qëllime mësimdhënieje të telefonit celular në shkolla. As se, pse i ra papritur qendrimi i AMA-s që nuk ka asnjë fuqi të marrë kësisoj vendimesh kaq politike që influencojnë konsumatorin masiv. Arsyet janë të tjera.
E para, sepse qeveria kishte nxjerrë disa mësime mendoj unë nga revolta e rrugës së Kombit në Kukës.
Nëse edhe antenat e transmetimeve numerike do të digjeshin sikurse u dogjën kabinat dhe teknologjia e taksës të kalimit në Kukës, ngjarja do të ishte e përsëritur.
Dhe duhet kuptuar se qeveria po këtë javë priste rivendosjen e traut të taksës të kalimit mbi rrugën e Kombit, pra nuk kishte asnjë dëshirë dhe interes që po ato ditë të kishte mbi kurriz edhe revoltën e konsumatorëve të përmbajtjeve televizive.
Do të kishim revoltat e rrugëve, njera e rrugës fizike, tjetra e bulevardeve të informacionit numerik.
Do të ishte shumë.
E dyta, sepse mendoj unë përmbajtja televizive nuk është si çdo mall tjetër. Nuk është si domatja, ose fiks si patatja, preshi, trangulli, banania apo shalqiu. Supozojmê se qindra mijë persona do të mbeteshin pa sinjal televiziv për arsye të fikjes të antenave të transmetimit analog. Por, çfarë transmetojnë televizionet tona me shumicë ? Mos filma të rinj nga kinematografia botërore ? Mos emisione për librin, artin, shkencën ? Mos dokumentarë nga bota ? Mos emisione të dobishme për qytetarët ? Aspak ! Në më të shumtën e kohës të transmetimeve japin politikë, fjalime, intervista politikanësh, mbledhje dhe bisedat në studio për politikën. Pse, budallaqe është politika dhe qeveria që t’i privojnë konsumatorët televizivë nga një përmbajtje që bën lavazhin politik të trurit të tyre?! Sigurisht që të vilen lekë nga audiencat masive – kjo ka interes. Por, ndërkohë, që të ndërpritet lavazhi i trurit cdo ditë, orë e minutë i kësaj pjese të popullsisë vetëm sepse ajo nuk ka blerë dekoder, kjo do të ishte e pafalshme!
Për propagandën politike paguhen miliona! Pse duhej që me një vendim politik vetë politika të pengonte propagandën e saj në opinionin publik? Humbja kësisoj do të kishte qenë shumë më e madhe sesa disa miliona lekë të fituara nga kompanitë apo shpërndarësit në treg të dekoderave.
Duke u ndodhur përpara një humbjeje për vete, pra prerjen e kanaleve të propagandës politike dhe përpara një fitimi të pritshëm, nga ana e bizneseve që shesin dekodera, kuptohej që edhe më budallai nga vendimmarrësit në planet do të zgjidhte lehtësisht: Rikthimin e transmetimeve analoge për një periudhë disamujore! Bizneset të presin edhe pak ! Aty e kanë fitimin.
E treta sepse gjithkush e di që në Shqipëri televizioni është pothuajse i vetmi mjet që shpërndan kulturë, nëse e marrim këtë term në një kuptim shumë të gjerë. Ose loto, ose kafene, ose televizion. Ndêrpreja e sinjalit televiziv për mijra familje do të krijonte një kohë bosh që kur masat nuk kanë me çfarë e mbushin bëhet një fakt sociologjik i rrezikshëm për sunduesit e të gjitha llojeve. Publiku do të kërkojë filma në kinema, por kinema nuk ka ! Do të kërkojë ndeshje sportive, por çfarë t’u shohi ekipeve shqiptare ! Do të kërkojë muzikë, por ku ka të tillë veç tallavave në televizion ! Prandaj, procesi kërkonte kujdes dhe mori menjëherë vëmendjen e ndërhyrjes qeveritare. Me kohën televizive nuk bëhet shaka.
E imagjinoni se çfarë qetësie therrëse do t’i mbulonte qindra mijëra familje shqiptare ! Se mos kanë para të blejnë libra, piano, të rregjistrohen në klube argëtimi, të bëjnë turizëm! Televizioni i zëvendëson të gjitha. Nuk ke lekë të shkosh në Jug për pushime?! Mos e bëj kaq të madhe. Ja, shihe Jugun gjithë ditën në televizion.
Në vitet ’40 në ShBA është bërë një studim kur gazetat nuk dolën për disa ditë për shkak të një greve masive. Çfarë ndodh me publikun kur nuk ndodhet i ekspozuar ndaj mediave ? Nuk rritet kërkesa për informacion, jo. Nuk ndodhi ajo që supozohej. Ndodhi diçka tjetër. Rritet ankthi dhe pasiguria sociale. Qytetari eksitohet, merr ankth, dhe ankthin kolektiv e shpërthen pastaj ku mundet.
Tags:dixhitalizimi, televizioni