Simptomat e krizës në median shqiptare

28 Prill , 2016 • Kryesoret, Modele Biznesi, Shkrimet më të fundit • by

Nga Ergi Picaku.

Tashmë pranohet nga të gjithë: media shqiptare është në krizë. Por cilat janë disa nga simptomat më të dukshme të kësaj krize dhe a mund të ketë rrugëdalje prej saj?

Mbizotërimi i lajmit politik, i kronikës së zezë dhe i mediave gjeneraliste

Po të shohim me vëmendje panoramën e mediave në Shqipëri do të vëmë re se media të ndryshme transmetojnë në mënyra të ndryshme lajme të njëjta. Gjithashtu lajmet që mbizotërojnë në televizionet shqiptare janë lajmet politike.

Sipas një studimi të kryer nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive rezulton se 16% të programit të Top Channel TV e zënë lajmet dhe debatet politike, kurse në televizione e tjera kjo shifër është edhe më e lartë, duke vijuar me Klan TV – 18% dhe TVSH – 28%. Në rastin e Vizion Plus lajmet dhe debatet politike zënë rreth 13% të programeve. Përveç kësaj, bisedat politike kanë okupuar edhe oraret prime time të mbrëmjes në të gjitha televizionet.

Krahas mbizotërimit të politikës, një simptomë tjetër e krizës është edhe prania masive e kronikës së zezë. Profesor Artan Fuga, në librin e tij “Komunikimi në Shoqërinë masive” thotë se emisionet politike po shtohen gjithnjë e më shumë, ndërsa audienca mbetet po ajo ose zvogëlohet, sepse bëhen të pakënaqur nga cilësia e informacionit. Shitja e mallit “informacion” gjen një treg gjithmonë e më të vogël. Pra të ardhurat bien. Duke mos pasur mundësi të kënaqë kuriozitetin e telespektatorëve, media i kthehet zakonit të saj të vjetër, kronikës së zezë. Fakti që të gjitha mediat duan të mbijetojnë, bën që të gjitha të transmetojnë lajme të kronikes. Kjo është arsyeja pse mediat me karakter gjeneralist janë në krizë.

Studjuesi amerikan Robert Ezra Park, flet për disa faza të evoluimit të medias. Fillimisht, lindën gazetat që u quajtën (one man newspaper) një gazetë- një njeri, më pas lindi shtypi politik, ku gazetari shkruante fjalimet e deputetëve dhe më pas lindën mediat e pavarura.

Por, Robert Ezra Park, flet edhe për një fazë të katërt, që mediat tona nuk e kanë prekur ende. Faza e katërt sipas Robert Ezra Park, është faza e mediave të profilizuara. Si mund të arrihet kjo?!

Si një rrugë drejt kalimit tek mediat e profilizuara shihet kalimi nga transmetimet analoge në ato dixhitale. Siç rezulton edhe nga  intervistat e kryera në kuadër të studimit të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit për dixhitalizmin e televizionit, pronarët dhe menaxherët e televizioneve kombëtare dhe atyre rajonale, bien dakord se me kalimin në transmetimet dixhitale, do të vijë duke u zvogëluar pjesa e politikës në strukturën programore të kanaleve gjeneraliste të përfshira në platforma dixhitale. Gjinitë më të suksesshme në të ardhmen dixhitale të transmetimeve audiovizive parashikohet të jenë programet familjare, zbavitëse dhe ato sportive. Me fjalë të tjera audienca dixhitale nuk pritet të jetë një audiencë masive, por një audiencë e fragmentarizuar, ku grupe të ndryshme duan programe të ndryshme, në orare të ndryshme, sipas preferencave të tyre.

Çmediatizimi i reklamës dhe paqartësia e modelit ekonomik

Një arsye tjetër që ndikon në krizën e mediave gjeneraliste në vendin tonë është edhe procesi i çmediatizimit të reklamës. Deri më sot, pjesa më e madhe e të ardhurave të mediave tona buronin nga reklamat. Sipas studimit të kryer nga Departamenti i Gazetarisë, vetë mediat raportojnë se 95% e të ardhurave të tyre burojnë nga reklamat. Po sot marketingu nuk kalon domosdoshmërisht nga mediat apo nga websitet e tyre, por kalon edhe nga motorët e kërkimit online. Gjithashtu efikasiteti i reklamës matet me numrin e klikimeve mbi reklamën. Reklama e çmediatizuar ka sjellë rënie të buxheteve të mediave dhe ka transformuar krejtësisht peizazhin mediatik.

Pikëpyetje të mëdha lidhen me të kuptuarit se çfarë të ardhurash do të mund të gjenerojë televizioni dixhital i të nesërmes në Shqipëri. Në sistemin dixhital, peshën më të madhe të kostos e zë mbledhja elektronike e informacionit, shkrimi dhe formatimi. Ndërkohë që prodhimi dhe shpërndarja elektronike zënë më pak se 15% të kostos. Për drejtuesit e mediave në Shqipëri investimet fillestare në teknologjinë dixhitale dhe sistemet e transmetimit dixhital janë pjesa më e madhe e kostos në procesin e kalimit në transmetimet dixhitale. Ndërsa, “blerja e formateve të reja” është pjesa tjetër e madhe ku do të përqëndrohet kosto

Modeli i biznesit televiz kushtëzohet edhe nga konkurrenca në tregun mediatik, e cila është ndikuar shumë nga teknologjia, aq më tepër me kalimin në transmetime dixhitale. Format e konkurrencës, të shprehura edhe në paqartësitë nëse kalimi në transmetime dixhitale do të sjellë përqëndrim apo liberalizim të mëtejshëm të tregut televiziv në vend, diferencojnë dukshëm opinionet e pronarëve të mediave në vend.

Një variant interesant për shmangjen e krizës që vjen nga konkurenca e monopoleve ofrohet nga drejtuesit e Vizion plus, kur shprehet se zgjidhja më e mirë është mbështetja e TVSH si arbitër për të shmangur konkurrencën e ashpër mes aktorëve. “Propozimi im është që të ketë një model të përbashkët mes privatit dhe publikut, ku të krijohet vetëm një rrjet i vetëm, dhe TVSH të ketë 51% – shprehet Dulaku, pronari i Vizion Plus.

Tags:, , ,

Send this to a friend