Projektligji i propozuar nga aleanca e Grave Deputete për kontrollin dhe përgjegjësinë e komenteve në mediat sociale është një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes.
Kur isha student gazetarie, këtu e 15 vjet të shkuara, na mësonin mirë e bukur çështjen Sullivan Kundër New York Times, si çështja gjyqësore amerikane që themeloi lirinë e shprehjes dhe lirinë e gazetave në mënyrën siç e njohim ne sot.
Kjo çështje themeloi se shpifja, e shprehur në një gazetë, nuk konsiston thjeshtë në publikimin e një informacioni të pavërtetë. Akuzuesi që pretendon se është dëmtuar nga shpifja duhet të vërtetojë, mes të tjerash, që gazeta apo shpifësi e ka kryer “me vetëdije” shpifjen.
Gjykata Supreme përcaktoi se nëse gazetat dënoheshin për çdo informacion që mund të jetë i gabuar ose i pavërtetë nga pikëpamja faktike, atëherë gazetat do të kufizoheshin vetëm në publikimin e informacionit të konsideruar si “ligjërisht të sigurt”, dmth vetëm te informacioni i padëmshëm, te informacioni që nuk kritikon askënd në rastin më të mirë, ose te ai që përbën vetëm propagandë, në rastin më të keq.
Kjo nuk e heq detyrimin e medias për të verifikuar informacionin që publikon, por i jep asaj mbrojtje ligjore për rastet kur informacioni është i pasaktë, por ka përfunduar i publikuar për shkak të arsyeve të ndryshme.
Thënë këtë duhet të shtojmë se kjo shërben vetëm për “zyrtarët publikë”. Për figurat jopublike apo për qytetarët e thjeshtë, gazetat mund të mbahen përgjegjëse.
Psh, kur një politikan bën një deklaratë të pavërtetë, media, natyrisht që ka për detyrë ta verifikojë vërtetësinë e deklaratës, por nuk mund të mbahet përgjegjëse për pavërtetësinë e saj. E si do të shkonte puna në rast se, për akuzat e shumta dhe aspak normale të ndërsjellta të politikanëve tanë, këta të fundit të hidhin në gjyq gazetat për publikimin e tyre dhe jo akuzuesit?
Çdo student gazetarie e mëson këtë gjë që në vitin e parë të shkollës.
Kështu, kur mora vesh se në parlament ekziston një projektligj që synon të mbajë përgjegjëse gazetat për shpifjet apo “cënimin e dinjitetit” të kryer në hapësirat e komenteve të lexuesve, vetë ekzistenca e propozimit, që tani njihet si propozimi i Majlinda Bregut, nuk më krijoi asnjë përshtypje të veçantë. Propozimi shkon më tutje duke ngarkuar Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare “të mbyllë” portalet në internet të cilat nuk kanë publikuar të dhëna për administratorin. Dmth, sipas propozimit, një gazetë do të mund të mbahet përgjegjëse kur një komentator anonim, apo kur një politikan me emër dhe mbiemër, shpif, cënon dinjitetin e dikujt apo jo, portali online mund të hidhet në gjyq. Ky do të qe një atentat ndaj kushtetutës, themelit të lirisë. Normalisht nuk është asgjë serioze.
Shqipëria ka shumë probleme me lirinë e shprehjes, e cila, si kuadër ligjor teorik është çimentuar tashmë por ka probleme të rënda në nivel praktik. Problemi më i rëndë e ka emrin frikë. Frika, e kultivuar gjatë kohës së komunizmit dhe e mbarështuar gjatë kohës së partitizmit të 25 viteve të fundit i mban shqiptarët të palirë.
Media shqiptare ka shumë probleme me lirinë e shprehjes, dhe problemi kryesor është gjithashtu frika. Një media që sakaq është e shantazhueshme nga klasa politike dhe që efektivisht është kthyer në një përcjellës të deklaratave të politikanëve, nuk ka se si të jetë e lirë. Media është pjesë e të njëjtës shoqëri, e cila gjithashtu nuk është e lirë. Dhe kjo, jo se i mungojnë klauzolat ligjore apo kushtetuese për t’i garantuar lirinë e shprehjes, por për shkak se çdo individ shqiptar është thellësisht i cënueshëm në mirëqënie dhe dinjitet nga veprimet e paligjshme të politikanëve.
Propozimi që po diskutohet aktualisht në parlament paraqitet si një shtojcë e nenit 617 të Kodit Civil, por është në frymë krejtësisht të kundërt me këtë nen. Neni aktual thotë se çështje të tilla si publikimet mashtruese apo të pasakta zgjidhen në gjykatë, se personi i prekur duhet t’i drejtohet gjykatës dhe se kjo e fundit duhet të urdhërojë publikimin e përgënjeshtrimit. Asgjëkundi neni në fjalë nuk i jep të drejtë askujt të mbyllë një media. Përkundrazi, neni i propozuar urdhëron AKEP të mbyllë faqet që nuk kanë seksionin “na kontaktoni”. Dhe për më tepër, propozimi nuk ia ngarkon gjykatës ekskuzivitetin e gjykimit se çfarë përbën shkelje dhe çfarë jo. Propozimi detyron një faqe interneti të fshijë një koment sapo të marrë kërkesë nga një palë e prekur, duke e zëvendësuar konceptin “gjykatë” me konceptin “palë e prekur”.
Dhe ndërsa neni aktual në fuqi flet vetëm për “të dhëna të pasakta, jo të plota ose mashtruese”, neni shtesë i propozuar flet për një gamë shumë më të gjerë dhe subjektive shkeljesh. Propozimi flet për koment “që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin”. Dmth, duket se nuk bëhet fjalë nëse informacioni i publikuar është i vërtetë apo jo, i saktë apo jo. Propozuesi duket se nuk e kupton fort mirë dallimin mes opinionit dhe faktit, dallim që neni aktual e ka shumë të qartë kur i referohet “të dhënave” dhe jo “komenteve”, siç i referohet propozimi.
Dhe, duke qenë se ngarkon median me përgjegjësi për përmbajtjen e komenteve, e kthen edhe median në një lloj gjykate, ose në një strukturë të cenzurës paraprake.
Ky i fundit duhej të qe edhe elementi më shqetësues i këtij propozimi. Një strukturë apo një detyrim për cenzurë paraprake të komenteve të të tjerëve është një nga ato gjëra që për botën demokratike janë të paimagjinueshme. Kjo do të qe shqetësuese, por vetëm nëse Shqipëria do të kishte kulturën e nevojshme të zbatimit të ligjit. Por për shkak se Shqipëria nuk zbaton dot ato ligje që ka, nuk ka arsye se pse propozimi në fjalë të na sjellë ndonjë shqetësim.