Si po zëvendohen televizionet nga mediat sociale?

10 Mars , 2017 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Tendenca e ketij viti për të rritur rolin dhe ndikimin e videove live përmes mediave sociale po nxjerr jashte loje median tradicionale vizive. Ky trend ka mbërritur tashmë dhe në Shqipëri.

Facebook live apo Instagram live, jo vetëm që lidhin drejt përdrejt qytetarin  me atë që po ndodh realisht, por po mënjanojnë median tradicionale, zbehin nevojën për kudondodhjen e saj, pasi tashmë kameramanë janë vetë qytetarët, apo vetë institucionet që po i përqafojnë këto zhvillime të jashtëzakonshme të teknologjisë.

I pari që e dha këtë shembull në nivel institucional është presidenti amerikan Donald Trump, i cili nisi një erë të re në marrëdhëniet e institucionit më të lartë të SHBA me mediat. Ai gjykon se postimi i lajmeve të tij në Twitter e bën atë më të lidhur me votuesit dhe qytetarët, duke krijuar marrëdhënie personale me ta. Ai thotë madje se duke përdorur këtë komunikim të drejtpërdrejtë, shmang atë që bën media, e cila shpesh lajmit i jep deviacione sipas deshirës, apo  sipas ndonjë force politike që qëndron pas saj.

E ndërsa kjo mënyrë po kritikohet gjithandej, në Shqipëri po ndodh e njëjta gjë. Çdo gjë nisi me përgatitjen e kasetave të gatshme nga vetë politikanët apo institucionet gjatë fushatave zgjedhore, që u dërgoheshin televizioneve të montuara. Por kjo nuk e sfumonte fuqinë e mediave, pasi ato e kishin plotfuqinë ne eventet live. Pra nëse duhej të kishe mediat live, patjetër duhej t’u kërkojë atyre pjesëmarrje.

Por sot veç celularëve apo Ipad-ve që e ofrojnë mundësinë për live, kanë dalë dhe aparate të sofistikuara të cilat transmetojnë live si në fb, twitter, instagram, madje kanë dhe opsionet për afrim apo largim imazhi dhe opsione të tjera të kamerave tradicionale. Sot sheh që institucionet shqiptare në çdo event transmetojnë live, kanë apo s’kanë kamera nga pas. Kështu në këtë mënyrë rëndësia e mediave tradicionale televizive po humbet.
Nëse dikur ishin reklamat që devijuan të parat nga formati i televizioneve drejt mediat sociale, tashmë dhe lajmi po ndjek të njëjtin trend. Sot institucionet transmetojne live për fansat e tyre në social media dhe askush nuk shqetësohet për të thirur kamera, madje u thonë mediave që lajmin mund ta marrin prej transmetimit live të Facebook.

Pyetja që lind është: A po jetojmë në një erë të madhe ndryshimi në fushën e mediave? Pa diskutim që po. Fillimisht u zbehen gazetat, që u zëvendësuan nga portalet. Tashmë televizionet po zëvendësohen nga transmetimet Live në social media. Shumë njerëz nuk i ndjekin më me aq ankth e interes lajmet e mbrëmjes, pasi informacionin e kanë marrë në social media gjatë gjithë ditës. Qe teknologjia po zëvendëson mediat tradicionale nuk ka më diskutim. Por shumë pyetje ngrihen rreth kësaj situate: A është më profesionale kjo mënyrë e dhënies së lajmit? A duhet të centralizohet sërish media si pushtet? A është më pranë komunikimit me qytetarin dhe më pranë të vërtetës kjo mënyrë transmetimi i informacionit? Të gjitha janë enigma që në fakt nuk ka kush t’i zgjidhë, pasi teknologjia përparon shumë më shpejt sesa sistemet rregullatore të qeverisë për këto sfida të reja. Qeverive nuk u ngelet gjë tjetër, veçse ta përqafojnë këtë zhvillim teknologjik.

Burimi: http://blog.manderina.com/2017/03/si-po-zevendohen-televizionet-nga.html

Tags:, , ,

Send this to a friend