Një media serioze dhe e përgjegjshme nuk merr të botojë a të transmetojë “copy-paste” çdo gjë që gjen online, por vetëm nëse ajo që kanë gjetur përbën një ngjarje, e cila ia vlen që t’i kumtohet publikut të gjerë.
Në pak minuta videoja e dy personave me maskë që djegin një flamur shqiptar duke bërë thirrje për zhdukjen e tyre bëri xhiron e botës. Dhe kjo falë mediave, të cilat me një lehtësi shqetësuese shumëfishuan mesazhin racist të asaj videoje që ishte publikuar në një kanal interneti ku njerëzit mund të postojnë cdo gjë, që nga rënia e zjarrit në një magazinë deri tek të brendshmet e fundit që kanë blerë. Pse duhet të përcillej me kaq zell kjo video pa bërë asnjë hulumtim të mëtejshëm? Të çmendur ka plot, ksenofobë sa të duash, racistë me kile. Një media serioze dhe e përgjegjshme nuk merr të botojë a të transmetojë “copy paste” çdo gjë që gjen online, por vetëm nëse ajo që kanë gjetur përbën një ngjarje, e cila ia vlen që t’i kumtohet publikut të gjerë.
Nëse bën një kërkim të thjeshtë në internet me emrin e të ashtuquajturës organizatë, “Hristianska Organizacija” të dalin 558 rezultate dhe 98 % e tyre kanë lidhje me videon, e cila është ripublikuar nga media të rëndësishme të Shqipërisë. Shikoni cfarë jehone i është bërë pa dashje kësaj videoje, që nëse do të ishte lënë midis 1 milion videove të tjera, do të kishte humbur! Një publicitet për t’u patur zili! Dhe pa asnjë kosto! Ajo që të bie në sy është teksti i këtij lajmi, i cili shfaqet pikë për pikë në të gjitha sajtet. Një tekst që përshkruan veprimin e protagonistëve: dy persona me maskë, me muzikë liturgjie në sfond, i vënë zjarrin flamurit shqiptar dhe mesazhi është përkthyer me titra në anglisht. Ku është gazetaria këtu? Gazetari do të ishte po të na shpjegonin ç’është kjo organizatë, sa kohë ka që vepron,sa anëtarë ka, cfarë ka bërë më parë, cfarë informatash ka policia maqedonase për këtë, etj etj. Nëse të dhënat do të ishin të një përmase që justifikonin ngritjen e alarmit, atëherë po, mund ta kishin shfaqur videon. Të marrësh të shfaqësh të parën video që të bie në dorë më synimin për të ngjallur interes mund të quhet cdo gjë, por jo gazetari.
Praktika e marrjes së përmbajtjeve të gatshme nga internet ka infektuar gazetarinë e sotme. Me sa duket , tundimi për të bërë lajm pa lëvizur nga karrigia është shumë i fortë. Kjo praktikë është e dënueshme në të gjitha rastet, që nga marrja dhe përdorimi pa leje i fotove personale në rrjetet sociale deri tek rasti që po diskutojmë, veçse në këtë të fundit, pasojat janë shumë më shkatërrimtare. Nuk ka truall më të përshtatshëm se Ballkani për nxitjen e urrejtjes ndëretnike. Rajoni ende nuk e ka marrë veten nga luftrat e përgjakshme të pas ’90. Prandaj lehtësia me të cilën përcillen këto lajme në Shqipëri është shqetësuese. Nëse ju duhet një model, shikoni si vepronte media perëndimore me videot e Bin Ladenit, ish terroristit numër një në botë. Vetëm pas një shqyrtimi tepër të kujdesshëm, BBC apo CNN vendoste nëse do të transmetoheshin apo jo. Organizatat ekstremiste e shfrytëzojnë internetin për të shpërndarë mesazhet e tyre, po synimi i tyre është që të arrijnë mediat kryesore pasi nëpërmjet tyre arrijnë më shumë njerëz dhe faktorizohen.
Për fat të keq, konteksti ndëretnik në Maqedoni është i rënduar nga rrahja e një grupi nxënësish dhe vrasja e një shqiptari nga një polic maqedonas. Kjo duhet të bëjë median dy herë më të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve. Nëse duam vërtet që të raportojmë për ngritjen e tensionit midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, ka plot mënyra që janë objektive, të paanshme dhe të ndershme. Të veprosh në këtë mënyrë do të thotë t’i hedhësh benzinë zjarrit. Kur flamujt digjen online, detyra e medias nuk është t’i përhapë flakët edhe atje ku nuk mund të arrijnë ndryshe, por ta izolojnë “zjarrin” me profesionalizëm dhe përgjegjësi shoqërore.
Botuar në gazetën “Shqip”, 14 mars 2012
Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip