Eklipsi, emocionet dhe lajmet e rreme

31 Korrik , 2018 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Ndërkohë që hëna përg jakej nga eklipsi, buisën dhjetëra mesazhe. Rimerrnin të njëjtin tekst: Televizioni i Singaporit paskësh njoftuar se, nga ora kaq në orën aq, duheshin fikur celularët. Ndryshe, rrezatime të shtuara kozmike mund të na dëmtonin rëndë. NASA, ku punojnë kozmologët më të mirë të  rruzullit, thoshte të kundërtën. Eklipsi nuk do të sillte rrezatim të shtuar. Qindra mesazhe miqsh përsërisnin lajmin e rremë, me rrezatim e rreziqe. Pothuajse asnjë lajmin e saktë.

Kur vemi në market, përpiqemi të zgjedhim mall të mirë dhe shmangim në maksimum mallrat skarco. Pse kur është fjala për lajme, një shumicë njerëzish janë të prirur të bëjnë të kundërtën? Vështirë të besosh se ua ka ënda të mbushin kokën me skarcitete. Po ta shohësh këtë dukuri në sipërfaqe dhe të lektisesh në rrafsh metaforik, mund të thuash se kemi të bëjmë me një prirje tej njerëzores. E liga përhapet vetiu, e mira dhe e dobishmja duan mund e djersë. Gruri e do bujkun në këmbë, me kujdesje e me shërbime. Barishtet e këqija mbijnë e rriten vetë, përhapen e shtohen edhe pse i luftojmë.

Veç këtij shpjegimi, gjithsesi sipërfaqësor, ka edhe një tjetër, me lidhje më të brendshme. Lajmet e rreme, si ky me rrezatim e rreziqe, ngjallin frikë dhe emocion. Çdo gjë e frikshme dhe emocionuese krijon më shumë reagime dhe përcillet e përflitet shpejt e gjerë. Jo vetëm kaq. Pothuajse asnjëherë nuk mungojnë institucionet që nxisin përhapjen e lajmeve të tilla, për një arsye a tjetrën.

Në rastin e lajmit me eklips dhe rrezatim p.sh., ngjan se nxitja ka ardhur nga njerëz që janë të interesuar të kenë sa më shumë mesazhe e klikime në rrjetet e tyre. Rrjeti është gracka, ku mediat e sotme kapen si laraska! Lajmet më traumatike të kronikës së zezë merren e rimerren, fryhen e stërfryhen, duke shtuar ditë pas dite detaje të reja si të ishin telenovela.

Ndodh kështu jo thjesht se njerëzit kanë interes dhe i lexojnë e i klikojnë, por edhe se mund të luajnë rolin e tymuesit: të tërheqin vëmendjen nga plagë më të thella që diskretitojnë këtë apo atë klan politik, mediatik, biznesi etj.. Eklipset, tërmetet, zjarret masive, përmbytjet etj., prej natyre ngjallin frikë, ankth, kërshëri etj.. Është kjo arsyeja që, pothuajse në çdo kohë janë përdorur për të rritur ndikimin mbi njerëzit.

Pleqtë qëmoti tregonin se kur përgjakej hëna nga eklipsi, burrat shtinin në ajër për të përzënë lanetin. Pastaj vinte radha e klerikut të shpallte fajtorët e të trembte miletin. Këto ditë një imam shqiptar u kujtonte besimtarëve lëkundjet e përsëritura të tërmeteve dhe u thoshte se edhe më keq do bëhej, po qe se do vazhdonin të pinin alkool e t’i linin gratë të zhvisheshin nëpër plazhe.

Një hierark i kishës greke shfrytëzoi tragjedinë me zjarret për të sulmuar ateistët. Perëndia po na dënon, predikoi, ngaqë kemi zgjedhur një ateist për kryeministër. Parë kështu, lajmet e rreme nuk rriten e përhapen vetiu, si barishtet e këqija. Meqë kanë materie që ngjall emocion dhe kërshëri, kthehen lehtë në instrumente që i shërbejnë kësaj apo asaj kauze. Herë më hapur e herë më fshehur. Vetëkuptohet sa të mbrojtur e të lirë jemi, kur edhe gjëra thellësisht personale e intime si emocionet, frika etj., thirren në shërbim të kësaj apo asaj kauze, të këtij apo atij ustai.

Burimi: http://www.panorama.com.al/eklipsi-emocionet-dhe-lajmet-e-rreme/

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend