Të reja nga industria e medias

12 Janar , 2015 • Ekonomia e Medias • by

Në ka gjë që zhvillohet më shpejt sot është industria e medias e marrë si teknologji, si sipërmarrje, si kuadër ligjor, si koncepte dhe si gazetari – profesioni që përbën zemrën e sistemit.

T’i njohësh bën mirë, mos t’i njohësh këto zhvillime mbetesh pas, u largohesh të rejave të botës dhe dalëngadalë kalon në epokën e gurit dhe që andej sheh trenat që ikin nga stacioni yt dhe ti i humb ata.

Çfarë mund të veçosh nga ato që ndodhin në këtë univers? Është e vështirë t’i japësh një përgjigje kësaj pyetjeje, sepse duhet të përzgjedhësh brenda prirjeve që janë të pasura me ngjarje dhe histori.

Megjithatë, le të veçojmë disa, pa pretenduar se kemi bërë patjetër zgjedhjen më të mirë.

  1. Falas apo me pagesë duhet bërë qarkullimi i teksteve në internet nga rrjetet sociale apo nga faqet web që janë agreguese të informacionit? Është bërë një problem i madh juridik, sepse shoqata botuesish në letër dhe shtëpish botuese kërkojnë nga Google që të paguajë për referimet që qarkullojnë në Net, nisur nga ky motor kërkimi, pra kërkohet e drejta e autorit. Në Francë ky problem gjeti zgjidhje të përkohshme meqë Google si kundërpeshë pranoi të investonte falas në rinovimin e shtypjes dixhitale të teksteve në letër, kurse në Gjermani gjykata dha verdiktin duke e lejuar Google të agregojë tekste të vegjël. Por, sa të vegjël mund të jenë, nuk është e lehtë ta kuptosh. Pritet nëse shoqatat e botuesve do të jenë ose jo dakord me këtë vendim, sidomos kur tekstet që qarkullojnë në net shpesh shoqërohen me reklama, të cilat sjellin fitime. Se edhe përdoruesi i netit, në motorët e kërkimit vendos fraza të ndryshme me të cilat kërkon tekste, por kush lejon vendosjen e këtyre frazave pa lejen e autorit? Ja, pra se e drejta e autorit ka hyrë në periudha shumë delikate interpretimi juridik.
  2. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është investuar në këtë çështje vetë presidenti Obama, deri këtu në Evropën tonë po debatohet ashpër për atë që quhet “neutralitet” i Internetit. Është një koncept që nuk mund të anashkalohet nga studiuesit e mediave dhe të industrisë të medias. Me “neutralitet” të Internetit nuk do të kuptohet asnjanësia e tij politike, ideologjike ose fetare. Jo, jo, nuk është çështje e tillë, por e barazisë të shanseve për përdorimin e tij nga përdoruesit. Ka faqe web që po bëhen gjithnjë e më shumë me pagesë? Po kjo krijon përsëri rrezikun e elitizmit në informacion. Elita të tejinformuara dhe masa të nëninformuara. Ku shkoi fuqia demokratizuese e Internetit??? Por, kjo, hajde nuk është edhe aq e rëndë sepse dihet që ai që paguan më shumë, merr më shumë shërbim. Industria e medias nuk mund të bëjë përjashtim nga industritë e tjera. Por, në fakt çështja është shumë më e ndërlikuar. Pse ata që paguajnë për të mbështetur informacionin e zakonshëm ose atë publicitar duhet të dalin më përpara të renditur në listat organike të informacionit? Pse shërbimi për ta është më i shpejtë sesa për të tjerët? Mirë kur është fjala për anë komerciale, por kur kemi të bëjmë me informimin e qytetarit? Nuk shkel kjo barazinë e shanseve në demokracitë politike bashkëkohore? Kjo është pyetja që shtrohet. Po ofruesit e Internetit a kanë të drejtë që për produktet apo shërbimet e tyre të vendosin në dispozicion një shpejtësi më të madhe qarkullimi informacioni sesa për të tjerët? Kjo deri tani quhet e papranueshme juridikisht, por debatimi po bëhet me përmasa gjithnjë e më serioze. Mos jemi në periudha diskriminimi të fshehur bazuar në teknologjitë e sotme të komunikimit? Ja kjo është pyetja.
  3. Duke nisur nga viti i kaluar, nisur nga Suedia, pastaj u përhap edhe në vende të tjera nordike e më gjerë, ka dalë koncepti dhe praktikat ekonomike dhe menaxheriale të gazetës të printuar te kioska. Kioskat nuk janë si ato që kemi ne, as si libra të hedhur në barishte, por smart kioska. Shkon njeriu dhe porosit gazetën dhe revistën që dëshiron. Fitojnë të gjithë, edhe kioska, edhe botuesit, edhe përdoruesit, edhe kursehet letër. Mbi të gjitha kioskistët nuk mund të mbyten e përmbyten nga tonelata revistash të cilat nuk dinë se ku t’i ekspozojnë më parë. Kujt t’ia prishin e kujt t’ja ndreqin. Ja pra se përse fundi e zgjidh fillimin, ja pse i fundit, tregtia, bëhet e para, drejton prodhimin dhe editimin e informacionit. Audienca në qendër, ky parim e vlerë e zhvillon industrinë e mediave të shtypura. Ja përse Interneti dhe printimi dixhital nuk është vetëm armiku i letrës, por edhe i mbështet, nëse di, botimet dhe mediat në letër.
  4. Industria e tregut publicitar është në krizë. Por mos harrojmë se ajo është një nënpjesë e rëndësishme e industrisë të medias. Kanalet e mëdha televizive po vuajnë hyrjen në treg të kanaleve televizive dhe radiofonike numerike tokësore. Zbret shifra e tregut të reklamave me shifra me një ose edhe me dy shifra në varësi të vendit ku analizojmë. Nga njëra anë rënia e reklamës i detyron kanalet e mëdha televizive ta ulin çmimin e anonçimit të reklamës brenda kohës së tyre televizive, por nga ana tjetër edhe reklama ka rënë. Pra, boshllëku financiar bëhet edhe më i madh. Ndërkohë shpenzimet për prodhimin e informacionit dhe të spektakleve nga ana e kanaleve të mëdha televizivë, klasikë, janë shumë të mëdha, disa herë më të mëdha se ato të kanaleve TNT që me më pak shpenzime janë bërë më tërheqëse me specializimin e tyre tematik për grupe audiencash të veçanta. Beteja mes kanaleve televizive klasike dhe peizazhit të ri të TNT do të zhvillohet e fortë dhe ku duket se “i vogli” ka disa superioritete hëpërhë ndaj të “madhit”. Nisur nga kjo në Evropë po bëhen përpjekje për ta lehtësuar disa ndalesën që u vihet kanaleve televizive për të transmetuar reklama. Ta zëmë pengesa që ndalon promovimin e një produkti në mbështetje të një emisioni për të cilin shpenzon firma që prodhon atë produkt. Deri tani lejohet të përmendet firma, por jo produkti. Por, gjërat duket se po vihen në diskutim.
  5. Problemet dhe nivelet në të cilat ndodhet industria e medias prekin edhe llojin e gazetarisë dhe gjendjen e statusin e gazetarit. Prirjet që vihen re sot tregojnë se ndonëse Interneti është gjithnjë e më shumë burimi i informacionit për audiencat globale, sidomos ato perëndimore, brenda internetit, janë mediat lineare gjithsesi që kanë mbizotërim si burime informacioni. Pra janë gazetat, televizionet dhe radiot që transmetojnë edhe në letër ose on air, që shfaqen edhe në web, të cilat zotërojnë burimet e informacionit global. Po kështu ka ndryshuar editoriali duke shkuar drejt marketingut editorial si zhanër i ri mbizotërues i gazetarisë, kanë ndryshuar edhe profesionet e gazetarit duke shkruar drejt videonautëve, fotografëve, infografistëve, gazetarëve administrues të komunitetit, etj. Kompjuteri po humbet gradualisht vendin e vet të dikurshëm si terminal informacioni, për t’ua lënë fillimisht vendin smartfonëve dhe tani gjithnjë e më shumë tabletave. Informacioni më i rëndësishëm po bëhet ai që quhet informacion viral, pra ai që qarkullon me më shumë “like” nga një faqe web te tjetri, nga një rrjet te tjetri.
  6. Vazhdon lëvizja e tregjeve me shitjet dhe blerjet e start-up – eve dhe e sipërmarrjeve të komunikimit masiv në Internet dhe e mediave lineare. Ideja është e një konkurrence të ashpër dhe e asaj që quhet “mbyllje e tregjeve të komunikimit”. Kompanitë gjigante si Google, Yahoo, Facebook, Microsoft, Apple etj., përpiqen të blejnë sipërmarrjet më të vogla të cilat nga ana e tyre synojnë ose të shiten duke ruajtur pavarësinë në planin e identitetit të tyre profesional, ose të ushqehen nga kapitale të tjera duke hapur fondet e tyre të aksioneve. Gjithsesi, prirjet janë kontradiktore. Një sipërmarrje e vogël forcohet ekonomikisht duke u blerë nga një më e madhe por nga ana tjetër duke humbur identitetin dhe pozicionimin në treg, rrezikon të kthehet në një investim mediokër. Google pasi bleu Youtube arriti ta transformojë atë nga një rrjet piraterie videosh, në një prodhues përmbajtjesh për televizionet legale dhe e ndihmoi vetë Google të kalojë në televizionin e lidhur në Internet. Kështu bëri edhe sipërmarrja e telekomunikacioneve Orange me Daylimotion, por kjo e fundit duke prodhuar përmbajtje për televizionet ka një prirje shkëputjeje dhe divergjence me Orange që mbetet një sipërmarrje që jep akses në informacionin numerik për përdoruesit e terminaleve dixhitale mobile. Prirja e industrisë të telekomunikacionit për të prodhuar edhe përmbajtje, pra edhe për të blerë sipërmarrje ofruese të ndërmjetme që e realizojnë këtë, vazhdon të rritet, të mbetet, por me problematika shoqëruese. Cili është niveli i përmbajtjes të këtyre televizioneve që propozohen nga shoqëritë e telekomunikacioneve? Po, kështu vazhdon prirja e integrimit pronësor midis shoqërive gjigande në Informatikë dhe e prodhuesve të terminaleve mobile. Kështu Microsoft është angazhuar në blerjen e aksioneve te Nokia për të bërë të mundur që kjo e fundit të përdorë versione të Windows-it në smartfonët e saj. Këtu interpretimet juridike për lirinë e tregut dhe konkurrencën e ndershme, apo për politikat monopolistike, vazhdojnë të jenë shumë të gjalla. Apple edhe sot është në gjyq pikërisht sepse gjykohen të thëna të rregjistruara nga biseda të Steeve Jobs, ku ai udhëzon për politika monopolistike. ITune prodhonte muzikë, por që nuk mund të shkonte në asnjë terminal tjetër, veçse drejt IPodit, pra mbetej mbyllur brenda të njëjtit kanal që bashkon në mënyrë të kyçur industrinë informatike, rrjetet ndërmjetëse të transmetimit të përmbajtjes dhe terminalet mobile të po asaj industrie. Ndërkohë një sipërmarrje tjetër arriti ta zhbllokojë pengesën që ndalonte teknikisht kalimin e përmbajtjes të Itune në terminale të tjera çka e bëri “perandorin” Apple të reagojë me fjalë, që sot citohen në salla gjyqesh, tre vjet pas vdekjes së tij. Çfarë do të bëjë Facebook me Instagramin, Yahoo me Tumblr, ose Google me Waze? Të shohim, por koha është e përqendrimeve.
  7. Brenda ndryshimeve të vrullshme në industrinë e mediave, po ndodhin edhe rimodelime të stileve, kodeve, gjuhëve, llojeve të komunikimit mediatik, stileve të gjuhës kulturore, modifikime në format estetike të komunikimit të artit etj. Koncepti i “transmedia” është një term që ngurtëson shumë prej këtyre prirjeve novatore. Nuk është crossmedia, as multimedia, por transmedia, çka do të thotë që e njëjta përmbajtje e komunikuar merr forma dhe versione të ndryshme, komplementare, në media të ndryshme online ose offline. Një teatër mund ta ndjekësh online nisur nga kamera që mund të jenë vendosur në trupin e personazhin që adhuron. Ose nga kamera që e shohin shfaqjen nga kuintat. Mund të shohësh një webseri televizive dhe në Facebook të ndjekësh komunikimin në këtë rrjet social të personazhin kryesor të dramës filmike. Bashkë me promocionin e një filmi të ri jepet edhe numri telefonik i aktorit real që luan personazhin kryesor me të cilin mund të komunikosh drejtpërdrejt. Audienca mund ta zhvillojë serinë televizive sipas disave versioneve që seicili zgjedh tamam sikurse bëhet në një videogame. Në një farë mënyre po ndodh ajo që quhet “gamification”, shndërrimi i artit në një lojë video, me bashkëpjesëmarrjen e audiencave që kërkojnë të jenë interaktive si spektatorë në qendër të veprës të artit. Producentëve të serive televizive në web u shkojnë video, zëra, pamje, foto nga audienca që ata t’i integrojnë në film. Në një farë mënyre përmbajtja informative ose artistike e komunikuar zbërthehet, pluralizohet, diversifikohet, në media të ndryshme duke krijuar dukurinë transmediale si një shërbim i ri i industrisë të medias që sot bashkon në një të vetme gazetarinë, marketingun, administrimin e komunikimit, si edhe pasurimin e kodeve dhe fuqinë e vetëshprehjes të komunikuesve duke krijuar një sinergji midis mediave dhe audiencave të tyre.
  8. Brenda netit po ndodhin ndryshime që tregojnë se industria e komunikimit dhe informacionit dhe ajo e reklamës po shkon drejt horizonteve të paparashikueshme. Nga njëra anë gjinitë mediatike dhe gjinitë e marketingut po shkrihen me njëra-tjetrën, gazetaria e informimit publik po shkrihet me gazetarinë e markës, përmbajtja po shkrihet me strategjitë e zhvillimit të kanaleve ndërmjetëse të shërbimit të Internetit si edhe me industrinë e prodhimit të terminaleve dixhitale, por ka edhe prirje të tjera kundërshtare. Sot flitet për përhapjen e programeve soft që ndalojnë reklamën të shoqërojë përmbajtjen informative të komunikimit. Teknikisht është krejt e mundur së paku ta filtrosh atë në hyrjen e saj si SPAM në rrjetet personale të komunikimit. Anketat botërore flasin se qytetari perëndimor është i gatshëm të paguajë për të ndërtuar “mure” kundër reklamave. Mure të paguar, paywalls. Por deri në një farë mase. Ndalimi i reklamave do të shoqërohej edhe me mbarimin e komunikimit falas në rrjet. Si i bëhet? Modeli mbetet i hapur. Po aq i hapur sa edhe kur dihet që një shkrim i mirë në gazetë sot në planin global nuk lexohet aq nga përmbajtja që ka se sa nga fjalët kyce që përmban e që e bëjnë të gjendet në motorët e kërkimit nga një audiencë e orientuar nga moda leksikore e kohës. Çfarë bëhet me pluralitetin e informacionit në kushtet kur motorët e kërkimit e homogjenizojnë atë? Po lindin praktikat e atij që quhet “ephemeralnet” ku përmbajtjet e komunikimit nuk janë të përjetshme, por vijnë e zhduken në efemeritetin e tyre. Brezi i sotëm, në ndryshim nga të parët e tyre, si “dixhital natives” kanë një prirje për t’u fshehur dhe jo vetëm për t’u shfaqur në net. Pamje videosh që vijnë në tabletën tuaj dhe pastaj zhduken, zhduken sms dhe emails pas një kohe, shuhen përmbajtjet tekstuale, fotot, në një komunikim që nuk do të lejë pas vetes “tracks”, gjurmë.
  9. Teknologjitë online që barten në trup, “wearablenet”, po e çojnë industrinë dhe teknologjinë e medias drejt horizontesh të panjohur. Ora e lidhur në Net, byzylyku, unaza, syzet, të lidhur me bluetooth me një tabletë ose smartphone në xhep a në çantë ka transformuar krejtësisht marrëdhëniet midis trupit të njeriut dhe mediave si zgjatime të tij, po transformojnë edhe mënyrën sesi individi administron komunikimin e tij. Yves Saint Lorent është i lumtur se ka prodhuar një unazë të lidhur në Internet. Nuk janë thjesht teke teknologjike, por mund të kenë pasoja si për lehtësimin e komunikimit, ashtu edhe për individualizimin e tij nga pikëpamja e përdorimit duke e çliruar njeriun nga shtrëngesat fizike të mbajtjes të terminaleve materiale të këtij komunikimi. Por, rrezikojnë edhe të prekin të drejtat dhe liritë qytetare. Me syzet e konceptuar dhe prodhuar nga Google mund të kontaktosh rrjetin Youtube dhe të pyesësh: “What song is it?” dhe syzet përgjigjen me zë. Aty nga viti 2020 parashikohet që çdo individ i shoqërive të zhvilluara teknologjikisht do të ketë deri në tre ose edhe më tepër nga këto “gadgets” në trupin e tij. Madje, madje, madje, thuhet se qysh sot është realizuar që po të injektosh në trup një “plesht”, vetë trupi hyn në komunikim me sistemin e mjeteve të telekomunikacionit që njeriu përdor pa pasur nevojë të mbajë mend fjalëkyçe që janë bëri shumë kokëçarëse me shumësinë e tyre. Harrohen fjalëkyçet, si një gjyshe që harron çelësin e dollapit ku ka kyçur reçelin. Është si një gjyshe e mirë që fshihte reçelin në një dollap dhe pastaj harronte se ku e kishte fshehur… Por, kjo hap shumë probleme në kuadrin e ruajtjes të privatësisë dhe të jetës personale… Sidoqoftë një si lloj tatuazhi i vizatuar në trup, tatuazh informatik, lejon që të kryesh veprime bankare në rrjet pa asnjë problem.

Bazuar te një lexim i La Revue Européenne des Médias (REM)

Send this to a friend