Edukimi medial, e vetmja rrugë për ta mbrojtur shoqërinë nga lajmet e rreme dhe për t’i ruajtur vlerat demokratike të vendit

5 Tetor , 2020 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Ndër sfidat më të mëdha që po e shoqërojnë njerëzimin, vendet e qytetërimet në kohët e sotme pa dyshim është ballafaqimi me zhvillimin teknologjik dhe përfshirjen e tij në sfera të ndryshme të jetës sociale. Ky ndryshim që ka ndodhur në jetën tonë, përveç të mirave që ka sjellë dhe dobive të shumta, ka rrëmbyer me vete edhe shumë të papritura, të cilave njerëzimi po përpiqet t’u japë përgjigje. Njëra nga fushat më të prekura në këtë rrëmujë pa dyshim që mbetet zhvillimi i medieve të reja dhe rrjeteve sociale.

Zgjedhjet e fundit në SHBA u shoqëruan si asnjëherë më parë me debate për mundësinë e manipulimeve në zgjedhje përmes medieve të reja dhe rrjeteve sociale, ndërkaq edhe pas katër vjetësh, kur zgjedhjet po afrojnë, ende temë e nxehtë mbeten rrjetet sociale, mediet e reja dhe rreziqet që këto platforma mund të sjellin në zgjedhjet e nëntorit. Nëse kjo është temë dhe sfidë për njërin nga vendet me arsimin më cilësor në botë, me gjykim të theksuar kritik dhe me një model të demokracisë, dilema e pakalueshme do të ishte se çfarë mund të ndodhë me vende të tjera, ku arsimi është sipërfaqësor, demokracia e paqëndrueshme dhe mundësitë për manipulime janë të mëdha.

Zhvillimi i hovshëm i medieve, përshtatja e tyre me teknologjinë dhe mundësia që secili pjesëtar i shoqërisë të këtë në dorë të gjitha llojet e medieve, në mënyrë të pavarur, të pakontrolluar, të pambikëqyrur dhe të ketë mundësi që të jetë pjesëmarrës aktiv në përdorimin e tyre, e ka ngritur shqetësimin e gjithë atyre që merren me studimet e komunikimit. Përdorimi i kësaj teknologjie dhe pjesëmarrja masive në mediet e reja dhe në rrjetet sociale sot konsiderohet diçka laike, pa pasur dijen bazike, e cila do të fitohej përmes edukimit medial, që të paktën do të ndihmonte në formësimin e gjykimit kritik mbi produktet mediale që ne i përdorim dhe ndaj të cilave jemi të ekspozuar në mënyrë permanente.

Lajmet e rreme janë nga dukuritë më të theksuara në vendin tonë, që janë dominuese dhe që shfaqen në vazhdimësi. Ky fenomen, i cili në këtë periudhë të pandemisë ka marrë epitetin e infodemisë, tregon më së miri se sa rrezik për publikun paraqesin këto përmbajtje të manipuluara, të cilat shumë herë vijnë nga persona që kanë vetëm qëllimin e përfitimeve materiale dhe aspak interesin e publikut. Shumica nga këto veprimtari madje vijnë nga individë që nuk kanë përgatitje profesionale në këtë fushë. Nëse do ta vendosnim një paralele, kjo do të thoshte sikurse një ekonomist ta luante rolin e pediatrit, që në esencë qëllimin do ta kishte te përfitimet materiale. Jorastësisht në vendin tonë një numër i lartë i qytetarëve nuk besojnë fare në pandemi, por askush nuk e analizon tiposin social. Natyrisht që njëra nga arsyet kryesore se pse këta njerëz e kanë këtë bindje ka të bëjë edhe me manipulimet që u bëhen atyre përmes përmbajtjeve të rreme mediale.

Me fjalë të tjera, zhvillimi i internetit, teknologjisë, medieve të reja dhe rrjeteve sociale i ngjan një oqeani, që përveç të mirave të cilat i ofron, brenda mund të ketë edhe shumë rreziqe, ndaj të cilave duhet të jemi shumë të përgatitur. E vetmja formë për t’u dhënë përgjigje adekuate këtyre dukurive negative dhe e vetmja formë që ne t’i përdorim mediet e reja dhe rrjetet sociale në dobinë tonë të përgjithshme është zhvillimi i gjykimit kritik përmes mësimit gjithëpërfshirës në shkolla të lëndës së edukimit medial.

Shoqëria jonë mund të konsiderohet si e ekspozuar me rrezikshmëri të madhe në këtë fushë për shumë arsye. E para, ka të bëjë me mungesën e një kujdesi institucional, i cili do të kujdesej që të paktën ndaj brezit të ri të bëhej shumë për t’i parandaluar përmbajtjet e paligjshme dhe të dëmshme, ndaj të cilëve mund të ekspozoheshin ata. Sot të rinjtë janë “viktimat” më të shpeshta të kësaj hapësire virtuale, që në mënyrë të vazhdueshme janë të ekspozuar ndaj pedofilisë, bullizmit dhe stereotipave të ndryshëm, viktima të lajmeve të rreme, ngacmimeve seksuale dhe shumë formave të tjera. Prandaj, mosha e tyre është e ndjeshme dhe e vetmja formë për t’u ndihmuar atyre në këtë drejtim do të ishte përkushtimi institucional.

E dyta, ka të bëjë me një arsim të brishtë publik. Shumica e të rinjve nuk arrijnë të zhvillojnë mjaftueshëm gjykimin kritik në shkolla dhe kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në përdorimin e medieve. Sa më pak që do të kemi të zhvilluar gjykimin kritik, aq më shumë do të jemi të ekspozuar ndaj dukurive negative që vijnë përmes këtyre platformave të reja.

E treta, ka të bëjë më familjen. Për shkak të proceseve historike dhe politike në të cilat ka kaluar vendi ynë në një pjesë të familjeve ende mbetet problem zhvillimi i gjykimit kritik, sidomos mbikëqyrja e fëmijëve nga ana e prindërve në raport me përdorimin e teknologjisë së informacionit, e cila masivisht është e pranishme në çdo familje. Sidomos gjenerata e të rinjve duhet të ketë mbështetjen e vazhdueshme të familjes në këtë drejtim.

Dhe e katërta, për nga renditja, por më e rëndësishmja, ka të bëjë me mungesën e lëndës së edukimit medial. E vetmja rrugë që do të ndihmonte kategoritë e ndryshme sociale do të ishte mësimnxënia përmes kësaj lënde. Kjo lëndë mësimore do të ndihmonte që të rinjtë të zhvillojnë gjykim kritik, të marrin informacione bazike për mediet, për përmbajtjet mediale, konstruktimet dhe mesazhet e tyre, të dallojnë të vërtetën nga e rremja dhe ato njohuri t’i bartnin te pjesëtarët e tjerë të familjes, si dhe të kenë aftësi që ta mbrojnë veten e tyre.

Në Kosovë ka pasur humbje jete nga sherret ose problemet që kanë nisur përmes këtyre platformave; kemi çdo ditë arrestime dhe viktima, të cilat vijnë nga përdorimi në formë të gabueshme i kësaj teknologjie, por është shtuar edhe degradimi social, manipulimi i opinionit publik me përmbajtje të rreme, si dhe janë rritur problemet shëndetësore, që mund të shfaqen nga ekspozimi i tepërt, i gabuar dhe i pagjykuar i këtyre platformave online. Prandaj, është momenti i fundit që institucionet të vetëdijesohen dhe të hartojnë plane e kurrikula që kjo lëndë të jetë në shërbim të të rinjve, sepse çdo vonesë në këtë drejtim do të sjellë probleme dhe çrregullime të mëtutjeshme sociale.

(Autori është Profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”)

Tags:, ,

Send this to a friend