Mediat e minoriteteve, një peizazh që sa vjen e varfërohet

12 Dhjetor , 2011 • Profesionalizmi në media • by

Për hir të së vërtetës, në Shqipëri gjendja e mediave të minoriteteve është tejet e paqëndrueshme, me një peizazh që sa vjen e varfërohet.

Një pjesë shumë e rëndësishme e diskutimit mbi median dhe minoritetet është edhe vetë media e komuniteteve minoritare. Për hir të së vërtetës, në Shqipëri gjendja e mediave të minoriteteve është tejet e paqëndrueshme, me një peizazh që sa vjen e varfërohet.

Media e minoriteteve në Shqipëri është me të vërtetë në minorancë, madje një minorancë e dobët, e përballur kryesisht me probleme financiare, të ngjashme me problemet e shumë mediave lokale në vend. Ndërkohë që situata paraqitej e tillë në vitin 2005, kur është monitoruar për herë të fundit kjo pjesë e peizazhit të medias, gjendja ishte akoma më e vështirë pas katër vitesh, kur u bë i njëjti monitorim. Në fund të anketimit të vitit 2005 ishin gjithsej 11 media minoritetesh që u evidentuan nga monitorimi. Kjo shifër përfshinte nëntë gazeta me periodicitet të ndryshëm, një revistë dhe një radio. Përgjatë viteve, peizazhi i medias së minoriteteve ka qenë mjaft i paqëndrueshëm, me gazeta që ndalonin publikimin për ca kohë, ose në rastin më të keq e mbyllnin aktivitetin njëherë e mirë.

Përsa i përket periodicitetit së medias së shkruar, ajo ka qenë mjaft e lëkundur po të krahasojmë të dhënat e vitit 2005 me ato të vitit 2009. Së pari, asnjë nga gazetat nuk është e përditshme, as në 2005 e as në 2009, gjë që tregon mundësitë dhe rëndësinë relativisht të vogël që kanë këto media në komunitetin e tyre. Në vitin 2009 ky periodicitet është më i konsoliduar, pasi gazetat ndahen në dy grupe: tre janë të përmuajshme, ndërsa tre të tjerat botohen dy herë në muaj. Megjithatë, peridiociteti i çrregullt i botimit  të gazetave mbetet një tipar i përhershëm i peizazhit të medias së minoriteteve.

Ndër problemet e përgjithshme me të cilat përballet media e minoriteteve ai më i mprehti është financiar: asnjë prej këtyre mediave nuk është e vetëmjaftueshme nga ana financiare. Kryesisht ato mbështeten në donacione apo grante të rastësishme. Si të tilla, rregullsia e periodicitetit të tyre rrezikohet, së bashku me mundësinë e tyre për t’u përmirësuar profesionalisht dhe për t’u shërbyer më mirë komuniteteve të tyre.

Siç u përmend edhe më parë, situata e vështirë financiare e bën akoma më të vështirë funksionimin e mediave elektronike, të cilat kanë shumë më tepër shpenzime. Radio Prespa, e vetmja media elektronike e minoriteteve deri para dy vitesh, i ka ndërprerë tashmë transmetimet. Gjithashtu, edhe pse rregullatori i medias elektronike ka krijuar të gjitha mundësitë nga ana e sigurimit të frekuencës për një radio dhe televizion në gjuhën greke në zonën e Gjirokastrës, një iniciativë e tillë nuk është materializuar ende. Në këtë pikë, media elektronike nuk ekziston për minoritetet. Ka degë të radios publike që transmetojnë greqisht (Radio Gjirokastra) dhe maqedonisht (Radio Korça), por është e qartë që kjo  nuk mjafton për të plotësuar nevojat e minoriteteve.

Një arsye tjetër për nivelin jo edhe aq të kënaqshëm ekonomik të mediave të minoritetit mund të jetë dhe kualifikimi i tyre profesional, i cili nuk është në nivele të kënaqshme. Sipas statistikave tona, ka një përqindje shumë të vogël të stafit të diplomuar për gazetari. Gjithashtu, ka një moshë mesatare të stafit shumë më të madhe sesa mosha e re që mbizotëron në median shqiptare në përgjithësi.

Në përgjithësi mund të thuhet që rruga e medias së minoriteteve drejt konsolidimit do të jetë ende një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Vështirësitë ekonomike dhe arritja e një qëndrueshmërie të kënaqshme financiare janë pengesat kyç që këto media ende duhet të kapërcejnë.

Marrë nga “Raportimi i diversitetit në media, prirjet dhe sfidat”, publikuar në www.institutemedia.org , më 5 dhjetor 2011

Send this to a friend