Temat sociale zenë pak hapësirë në mediat shqiptare

16 Mars , 2017 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Kur gazetarja e re gjermane, Adelheid Feilcke, vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 1988 kishte vetëm një stacion televiziv, një stacion radiofonik dhe një gazetë. Të gjitha të kontrolluara nga shteti. Ndërsa sot, 28 vjet më pas, ajo vjen në një vend ku transmetojnë dhjetra stacione televizive, qindra stacione radifonike, dhjetra gazeta e qindra portale online. Adelheid Feilcke ka drejtuar për 13-të vite departamentin shqip në transmetuesin ndërkombëtar të Gjermanisë, Deutsche Welle, ndërsa aktualisht drejton departamentin e vendeve të Europës po në DW.

Znj.Feilcke që prej themelimit dhe drejtimit të departamentit shqip në Deutsche Welle, Shqipëria ka qenë gjithnjë në vëmendjen tuaj e në veçanti media. Si e sheh zhvillimin kësaj të fundit në këto vite 25 vite demokraci?

Është e vërtetë që unë e kam ndjekur këtë proces të rritjes së medias në Shqipëri dhe zhvillimin e saj gjatë 25 viteve të fundit. Ka qenë një proces i dhimbshëm, i vështirë, por më vjen mirë që tani në Shqipëri ka një shumëllojshëmëri mediash. Ky është një lajm i mirë. Por nga ana tjetër duke e parë që Shqipëria është një treg i vogël unë shoh dy probleme kryesore. I pari është lufta për tregun e reklamave sepse mediat duhet të mbijetojnë financiarisht. Ndërsa problemi i dytë ka të bëjë me vënien në rrezik të profesionalitetit në raportimin e lajmit sepse nëse ka kaq shumë media, gjithçka banalizohet ose shitet si skandal. Të dyja këto probleme janë shumë të dukshme në Shqipëri. Cilësia e raportimit humbet sepse në këtë treg të çmendur të gjithë duan të dallojnë nga të tjerët dhe për këtë duhet të kesh diçka të jashtëzakonshme. Prandaj shumë lajme nuk përbëjnë lajm.

Pikërisht në këtë situatë të tillë mediatike në Shqipëri, çfarë mendoni se duhet bërë?

Kjo gjendje në fakt nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe shumë vende të tjera. Nga njëra anë është diçka pozitive që ka një numër të madh mediash, por nga ana tjetër duhet të ketë standarte të pranuara dhe të respektuara nga mediat. Unë mendoj se ndryshimi mund të vijë nga vetë gazetarët, të cilët në radhë të parë duhet të zbatojnë personalisht etikën e raportimit. Gjithashtu gazetarët duhet të jenë më solidarë me njëri-tjetrin duke krijuar instrumenta vetë-rregullues si Këshilli i Medias, që funksionon shumë mirë në Gjermani dhe në disa vende të rajonit këtu në Ballkan.

Në mediat tradicionale shqiptare lexojmë, shikojmë e dëgjojmë shumë për qendrime politikanësh, kronikë të zezë dhe shumë pak për problemet e vërteta të qytetarëve. Cili ëshë vendi që duhet të zënë këto lloj lajmesh në një media?

Ky debat nuk është vetëm në Shqipëri sepse ka një lloj aleance të fshehtë mes politikanëve dhe gazetarëve. Ata flasin gjithnjë për të njëjtën temë, shahen me njëri-tjetrin, lavdërojnë njëri-tjetrin. Çdo deklaratë politikanësh raportohet gjithandej, por çfarë mendojnë njerëzit nuk merret parasysh. Sigurisht që duhet raportuar më shumë për tema sociale, për njerëzit e varfër dhe problemet që ata përballen. Sërish këtë gjendje mund ta ndryshojnë vetë gazetarët duke kuptuar forcën e vërtetë të tyre nëpërmjet bashkëpunimit.

Pra duke marrë parasysh çka thatë më sipër në këtë treg të tejmbushur ka vend edhe për një media të re me profilin e Citizens Channel?

Më vjen shumë që në Shqipëri ka një media me profilin e Citizens Channel. Unë shpresoj të jeni të suksesshëm dhe të keni rezonancë, që njerëzit me të vertëtë të marrin parasysh mundësinë për të komunikuar pa komplekse, pa cenusrë dhe pa interesa financiare për problemet e tyre. Shpresoj që Citizens Channel të ngrejë sa më shumë tematika sociale dhe më pas shembulli juaj të ndiqet edhe nga mediat tradicionale. Suksese!

Intervistoi: Amarildo Topi

Burimi: https://citizens-channel.com/2016/12/21/felicketemat-sociale-duhet-te-zene-me-shume-hapsire-ne-mediat-shqiptare/

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend