Gazetari i njohur Agron Çobani në një intervistë para vdekjes së tij, flet për funksionimin e tregut radiofonik në Shqipëri, trendet e punës së redaksive në studio dhe jashtë saj, aplikimin e formateve informative në transmetime, etj.
Radio e sotme shqiptare ka një kufizim të theksuar të formateve të informimit. Produktet e përgatitura në terren janë si “specie në zhdukje”. A ndani dhe ju këtë vlerësim?
Kjo është një çështje që merr debat, jo vetëm në kushtet e Shqipërisë, por kudo ku ka transmetim radioje. Kam parasysh se një gjë të tillë e kam ndarë dhe me kolegë në Kosovë. Personalisht kam të pjekur një mendim të tillë: nëse do më jepej mundësia të drejtoja një redaksi radioje në rrethanat e sotme, do ti mbaja më pak gazetarët dhe reporterët në zyra dhe në godinë. Do t’u kërkoja të bënin më shumë reportazhe, më shumë intervista me njerëzit në terren, të përgatisnin portete – sepse radioportreti është një zhanër interesant që përzjen intervistën me teknika të tjera të informimit – do të kërkoja nga ata më shumë vox pop-e. Pra, do sillja më shumë frymë jetësore në programe. Se duke sjellë njerëz do të sillja më shumë tema në dukje të thjeshta, por nga ato afrohen më shumë dëgjues të interesuar në programet që transmeton . Në fund të fundit, kjo është një mënyrë që ta ndash perceptimin, gjykimin, emocionin e të përditshmes me njerëzit, me ata që ti ke për mision ti drejtohesh.
Nuk ka më shumë nostalgji të ish reporterit Agron Çobani në këto që thoni, se sa realizëm për mënyrën se si bëhet radioja sot?
Të falenderoj që ma thua me delikatesë këtë përshtypje, apo këtë rezervë. E di që ndokush mund ta thotë më troç kur më dëgjon me mendime të tilla: “Ore po ty të ka mbetur ora tek radio e së shkuarës, nuk po përshtatesh fare me të sotmen etj etj…” Unë thjesht përgjigjem se i kuptoj shumë mirë zhvillimet teknike, i kuptoj dhe i shijoj mrekulllitë që na jep sot teknologjia. Kuptoj prirjen që ka dëgjuesi i radios, kam parasysh mosdëshirën e tij për trajtime të stërgjata, rubrika lajmesh gjysëm ore e më shumë etj etj. Ama është e pakundërshtueshme që një dyzinë radiosh në Tiranë a në rrethe janë duke vegjetuar, duke lëshuar vetëm muzikë gjithë ditën e gjithë natën e duke u ankuar se nuk kanë fonde për afruar gazetarë e për të realizuar programe. Unë po adresoj opinione për ata drejtues radiosh e ata gazetarë që e ndjejnë se duhet të bëjnë një punë tamam. Pse të bësh radio sot është vetëm monolog para mikrofonit? Pse të bësh një emision është thjesht flit e flit vetë, lexo ndonjë sms që të vjen, lexon ndonjë e-mail, fut dhe muzikë sa herë që të merret fryma apo nuk gjen fjalë e argument? Nga një radio që ka një ose dy vetë në punë nuk mund të presësh shumë. Nuk pret ndonjë hata dëgjuesi, por nuk të mirëpret as ndonjë kompani a firmë që të të japë reklamë. Askush nuk do që t’i hedhë lekët kot në një program radiofonik pa bosht e anemik që nuk e ndjek kush. Ja ku dolëm dhe tek mungesa e të ardhurave. Si mund të marrësh reklamë, si mund të krijosh të ardhura për stacionin kur nuk në fakt ofron asgjë?
Jeni kundër zgjidhjeve të përditshme që bëjnë disa stacione shqiptare duke transmetuar muzikë dhe ndonjë edicion lajmesh shkurt?
Kjo është zgjidhje e tyre. Pyeti pronarët dhe drejtuesit e këtyre stacioneve se si ju ecën ky variant pune. A kanë dëgjues? Unë personalisht nuk jam për një format të tillë. Nuk ka radio pa produktin e vet. Nëse gjithçka që do të transmetosh e var tek muzika e huazuar, sado të zgjedhur ta kesh, nëse angazhimi i vetëm i personelit në redaksi është mbledhja andej këndej nga kompjuteri e ndonjë lajmi për ta lexuar, apo përkthen aty për aty ndonjë kuriozitet a çudi – kjo do të thotë që e gjitha në programin tënd është produkt i të tjerëve. Atëherë cila është “fytyra” jote? Çfarë i tregon audiencës? Pse ekziston stacioni yt? Këngë që i kanë bërë të tjerët mund ti dëgjosh sot gjithkund? Me përmbledhje lajmesh të kopjuara nga të tjerët nuk mund të tërheqësh shumë vëmendje. Pa emisione, pa rubrika, si të thuash pa produktin tënd, nuk mund të bëhesh interesant dhe konkurent në treg. Mbijeton, ose shtyn ditët, por ama nuk je një zë serioz dhe me grind. Bën gjoja media, thua “radio jonë”, kur në fakt ajo është “radio e të tjerëve”. Muzika e selektuar me shije do të tingëllonte këndshëm në rast se do të alternohej me programe të mirëfillta të përgatitura nga ekipi në radio.
Mendon se një stacion nuk mund të mbijetojë vetëm me përmbajtje argëtuese për ndjekësit e vet?
Që të mos ketë keqkuptim: unë jam mbi të gjitha pro produktit të vetë radios. Nuk është e thënë që redaksia patjetër të ketë në program edicione informative të mirëfillta. Por informacioni mbi aktualitetin, mbi të shkuarën apo perspektivën nuk duhet të mungojë. Një radio me mision vetëm argëtues duhet të informojë rreth axhendës që ka zgjedhur të zbavisë dhe të kënaqë dëgjuesit, qoftë muzikë, sport, modë, shkencë e teknologji, histori etj. Nuk do të ishte e përshtatshme në rast se lëshon në transmetim vetëm muzikë njëpasnjë, me idenë fikse se kjo është ajo që argëton njerëzit. Nuk do të ishte e përshtatshme që të vësh para mikrofonit një llafezan, edhe më optimistin e kësaj bote, që t’ju flasë “pa frena” katër mureve të izoluara të studios. Kjo është monotoni, është bezdisje që kthehet shumë shpejt në një “zhurmë” dhe gjëja e parë që të bie në mëndje kur të mbërrijnë në vesh të tilla ngarkesa zanore është ndryshimi me indinjatë i kanalit.
Ka dhe formate programesh radiofonike që ndiqen, pavarësisht se gjithçka organizohet brenda studios dhe atë qe ke merak, “daljen në terren”, e zëvendëson komunikimi telefonik.
Telefoni në studio është përdorur dhe më parë. Është një instrument i hershëm, që ndihmon të sjellësh në trasnmetim zëra që japin opinione e mendime në distancë. Sot komunikimi telefonik është më në modë falë teknologjisë. Gjithashtu duke realizuar një emision mund të presësh dhe reagime të atypëratyshme, me sms, me e-mail etj. Këto elementë të komunikimit të ndihmojnë, të kursejnë energji dhe kosto financiare, pasi duke ndjetur në poltronin e studios mund të kesh zëra dhe mendime që nga distanca të ndryshme të mbërrijnë në kohë reale në program. Kjo e gjallëron kontributin radiofonik. Por ama duhet ta pranojmë se ky fluks që të vjen vetëm nga celulari apo posta elektronike është më së shumti spontane. Ka një lloj ngërçi në komunikim, në kuptimin figurativ, tingujt janë shumë metalikë dhe të thatë. Kur flasim për një radio lokale që i drejtohet një grupi të caktuar të popullatës, zërat që regjistron direkt në terren janë të pazëvendësueshëm, pasi ato japin gjallëri dhe jetë për audiencën që të ndjek.
Intervistoi: Arben Muka
Botuar në revistën Java, date 29.10.2012. Linku i shkrimit origjinal:
http://www.revistajava.al/kulture/20121029/nje-takim-me-mjeshtrin-agron-cobani