Kush e përcakton axhendën në epokën e Internetit?

10 Korrik , 2017 • Profesionalizmi në media • by

Teoria e përcaktimit të axhendës së medias (agenda-setting theory) presupozon se publiku i merr lajmet nga një numër i limituar burimesh dhe se kjo inkurajon një axhendë të ndarë. Megjithatë, në epokën dixhitale, ka një larmi kanalesh dhe burimesh, duke i lejuar individëve të formojnë axhendën e tyre personale. Numri i kanaleve informativë në rritje, secili me një numër të vogël përdoruesish, po i ndan audiencat.
Fragmentimi në rritje është komplikuar nga mënyra sesi individët i aksesojnë lajmet: ndërkohë që numri i burimeve të lajmit rritet, audiencat përdorin teknologji për të filtruar dhe rregulluar aksesin në informacion, sipas pëlqimeve dhe interesave përsonale.

Kështu pra, kush e përcakton axhendën në epokën dixhitale? Audienca apo media?

Audienca….?

Jo më shumë se rreth 20 vjet më parë, Nicholas Negroponte, themelues i MIT Media Lab, propozoi konceptin e ‘Daily Me’: një ekran kompjuteri me lajme dhe një buton i cili, si një komandë volumi, do të lejonte përdoruesin të rriste ose të ulte personalizimin. Komanda të tjera mund të përfshinin një slider që lëviz si fjalë për fjalë, edhe politikisht nga e majta në të djathtë për të përshtatur lajmet për çështjet publike.
Me të njëjtën ide dhe me ton kritik vjen kohët e fundit edhe Republic.com 2.0, një libër në të cilin Cass R. Sunstein thekson se teknologjia i ka rritur shumë aftësitë e njerëzve për të ‘filtruar’ atë që duan të lexojnë, shikojnë dhe të dëgjojnë.

Me ndihmën e internetit, ne kemi mundësi të dizajnojmë revistat dhe gazetat tona online. Mund të bëjmë programin tonë, duke përfshirë filmat, lojërat, sportet, shopping dhe programet e lajmeve sipas zgjedhjes sonë. I përzjejmë dhe i përshtasim. Kur fuqia e filtrimit është pa limit, njerëzit kanë mundësi të vendosin që më parë me saktësi të përkryer, se çfarë duhet të gjejnë dhe çfarë nuk duan të gjejnë në kërkimin e tyre.

Shumë shembuj tregojnë se tregu i mediave po ecën në këtë drejtim.

Gazetat dixhitale inkurajojnë nivelet e personalizimit që rezulton në krijimin e versionit të gazetës së individualizuar të lexuesit, me garancinë se do të përmbajë ekzaktësisht atë që i intereson, duke përjashtuar gjithçka që nuk i intereson.

Aplikacione të tjera iu mundësojnë sajteve të shfaqin automatikisht informacione të cilat përputhen me zgjedhjet dhe bazohen në vëzhgimin e kërkimeve të mëparshme të përdoruesit. E njëjta logjikë aplikohet nëpërmjet pajisjeve të regjistrimit të televizionit ose sistemeve të abonimeve të radios në RSS – që bazohen në idenë e kontrollit dhe personalizimit të axhendës.

… apo media?

Një linjë tjetër arsyetimi vazhdon t’i japë mediave kryesore një rol të rëndësishëm në përcaktimin e axhendës publike. Disa nga argumentet që mbështesin këtë interpretim bazohen tek një nga promovuesit e  hipotezave klasike të agenda-setting.. Në vitin 2005, në një kohë kur po fillonte të ndihej impakti i internetit, Maxwell McCombs, nga Universiteti i Teksasit, bëri implementimin e propozimeve të mëparshme që vareshin nga dy kushte të cilat  ende nuk ishin vërtetuar në mënyrë empirike.
E para, i referohet numrit të njerëzve të cilët bëjnë rregullisht kërkim për informacion nëpër sajte. Nëse funksioni klasik i përcaktimit të axhendës së mediave ka tendencë të dobësohet ndërkohë që audiencat fillojnë të shtojnë vëmendjen përgjatë një aradhe të gjerë subjektesh të disponueshme në internet, pyetja është a mund të thuhet se një audiencë kaq e gjerë dhe e fragmentuar ekziston në të vërtetë?

Kushti i dytë është ndoshta më i vështirë për t’u arritur: axhendat e informacionit online do të duhet të jenë shumë të ndryshme nga njëra tjetra, krahasuar me axhendat relativisht të fryra të mediave tradicionale.

Studimet që krahasojnë audiencën e gazetave më të lexuara me sajtet më të vizituara të informacionit tregojnë se vëmendja në web është edhe më e përqëndruar se sa në botën e printuar. Ato gjithashtu tregojnë se shumë burime online janë zgjatime të burimeve të medias tradicionale, duke rezultuar në tepri të axhendave të të dy mjediseve.

Axhendë e qytetarëve?

Le të marrim në shqyrtim mediat sociale. Nëpërmjet pjesëmarrjes së një numri të madh përdoruesish, është e mundur të krijohet një axhendë e temave alternative ndaj atyre që përzgjidhen nga redaktorët e mediave kryesore. Vitet e fundit është përmendur shpesh roli i përcaktimit të axhendave nga ana e YouTube, Facebook dhe Twitter, sidomos gjatë protestave që u zhvilluan pas zgjedhjeve iraniane të vitit 2009, (i njohur gjithashtu si revolucioni i Twitter). Në shumicën e rasteve, lajmet vinin në fillim nga mediat e reja, pastaj botoheshin të kontekstualizuara dhe të vlerësuara nga mediat kryesore. Në çdo rast, duke imponuar një rivlerësim të konceptit të agenda setting.

Ky rivlerësim nxjerr në pah faktin se funksioni i gatekeeping është tashmë gjerësisht i ndarë me përdoruesit e medias, të cilët përveç kësaj grumbullojnë dhe selektojnë informacionin që konsumojnë. Siç thotë edhe  Jim Hall, ata ndërtojnë “dietën” e tyre informative.
Rezultati i këtij procesi mbart (ose më mirë ndan) rreziqe që  lidhen me pjesën më të madhe të komunikimit që zhvillohet nëpërmjet mediave të reja.  Ben Smith, kryeredaktori i portalit të lajmeve dixhitale BuzzFeed, kohët e fundit ka denoncuar tendencën tonë për të jetuar në filter bubbles, sidomos gjatë aktivitetit tonë në mediat sociale. Çdokush që punon me informacionin, thotë ai, mund ta ketë vënë re se si mediat sociale ndikojnë në opinionet e njerëzve për botën dhe se si ato janë të mbyllura ndaj mendimeve mospajtuese.

Rikthimi tek ‘ngjitësi’ i nevojshëm social

E shkuara zbulon qartësisht dëmtimin e shkaktuar nga operatorët e vjetër të përcaktimit të axhendave, të cilët ishin të palëkundur në refuzimin e argumenteve që ata i konsiderojnë jashtë konsensusit kryesor ose politik. Në ditët e sotme, mund të vihet re se si mungesa e një standardi minimal të rregullave të diskursit pengon, në një mënyrë tjetër, njohjen dhe kuptimin e çështjeve të interesit të përbashkët. Diversiteti dhe pluraliteti janë kushte për funksionimin e duhur të jetës qytetare. Ato kanë qenë edhe dy nga vlerat shoqërisht të institucionalizuara të gazetarisë, të cilat duket se po kërcënohen nga mediat sociale.

Moria e axhendave të fragmentuara nuk rezulton të  jetë një platformë e përshtatshme për diskutimin politik.

Pa eksperienca dhe interesa të përbashkëta, një shoqëri heterogjene do ta ketë më të vështirë identifikimin dhe përgjigjen ndaj problemeve sociale. Siç thekson edhe Sunstein, janë këto eksperienca të ndara, duke përfshirë edhe ato që janë bërë të mundura nga media, të cilat përftojnë “ngjitësin” social. Si rrjedhojë, një sistem komunikimi që ul numrin e këtyre eksperiencave në mënyrë radikale, do të krijojë kushtet për lindjen e të gjitha problemeve që shkaktohen nga fragmentimi social.
Kemi dëgjuar shumë kohët e fundit për to. Rreziku më i madh qëndron në lindjen e një pseudo-komuniteti që po zëvendësosh komunitetin real. Materializmi i rreziqeve të tilla do të varet edhe nga aspiratat që në terma demokratikë rregullojnë praktikat tona.

Ky artikull u botua për herë të parë në faqen e EJO në Portugalisht

Pic credit: Evan, The Beginning, Flickr CC licence

Tags:, , , ,

Send this to a friend