Afera në Austri: “Ne konsiderohemi si media armike”

27 Shtator , 2018 • Kryesoret, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Ministria e Brendshme e Austrisë donte të mënjanonte disa media kritike, ndër të tjera gazetën javore, Falter. Kryeredaktori i revistës, Armin Thurnher shprehet për Deutsche Wellen se është i zemëruar, po jo i habitur.

Në një E-Mail drejtuar Drejtorive të Policisë në landet austriake, Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga politikani i FPÖ-së, Herbert Kickl kishte rekomanduar që komunikimi me media si Kurier, Standard dhe Falter “të kufizohet në masën më të nevojshme (e paraparë nga ligji). Ky disfavorizim i mediave të caktuara solli reagime të forta në Austri. Kancelari austriak, Sebastian Kurz dhe ministri Herbert Kickl u detyruan të distancohen nga njoftimi.

Deutsche Welle: Z. Thurnher, pse Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga partia populiste djathtiste, FPÖ nuk do t’i japë më, siç thuhet në E-Mail, “sheqerka” mediave si Standard, Kurier apo gazetës suaj Falter?

Armin Thurnher: Këto janë natyrisht media që janë kritike ndaj ministrit të Punëve të Brendshme. Falter është përgjithësisht shumë kritik dhe shumë jokomod, sepse e ka shoqëruar që nga fillimi punën e qeverisë me histori investigative. Prandaj le të themi se ne shihemi aty që nga fillimi si media armike, ata nuk na duan. Edhe ne sigurisht nuk i duam, por ne përpiqemi megjithatë të ruajmë kriteret e duhura. Nga ana tjetër me sa duket kjo nuk bëhet.

A ju ka shokuar përmbajtja e Emailit?

Natyrisht jam i zemëruar, por nuk jam i habitur. Çfarë përmendet aty është një praktikë e njohur në Austri. Jo vetëm ky ministër, por edhe të tjerë para tij i kanë furnizuar mediat bulevardeske me informacione ekskluzive. Ato merreshin me vete në aksionet kundër trafikantëve afrikanë të drogës, për të treguar se ky është problem i madh. Deri në një masë të caktuar është normale që politikanët të kenë kontrollin mbi mesazhet që japin. Por kam ndjesinë se FPÖ dhe qeveria kanë një axhendë komunikimi mjaft të ekzagjeruar. Sidomos në një shoqëri të depërtuar nga mediat masive sociale është e rrezikshme, kur nga qeveria nuk ka informacione transparente ku kanë akces të gjitha mediat.

A e shihni lirinë e shtypit në rrezik në Austri?

Kur një institucion demokratik shpërblen mediat që mbajnë qëndrim pro dhe ndëshkon ato kritike kjo është një ndërhyrje fundamentale në lirinë e shtypit dhe mendimit. Në këtë formë kjo është e re për Austrinë dhe vetë FPÖ-në. Por në tërësi nuk jam i shqetësuar për lirinë e shtypit, sepse ne mund të mbrohemi kundër shkeljeve të tilla. Fakti që E-Maili u bë publik tregon, se jo të gjithë në ministri e mbështesnin këtë.

Ministria e Brendshme u mbrojt duke theksuar, se bëhej fjalë për propozime, Kickl vetë ia hodhi përgjegjësinë për formulimin zëdhënësit. Si e shihni këtë?

Nuk është e besueshme që Kickl nuk ka të bëjë me përmbajtjen e këtij E-Maili. Ai e thotë këtë natyrisht që të mos rrezikojë postin. Zëdhënësi i tij, zoti Pölzl ka qenë më parë zëdhënës personal i zotit Kickl, pra ka një afërsi mes tyre. Por nga ana tjetër ka edhe një përgjegjësi politike, ministri është përgjegjës për nëpunësit e tij.

Edhe kancelari Sebastian Kurz është shprehur për këtë duke theksuar se “çdo kufizim i lirisë së shtypit është i papranueshëm”. Mbyllet me këtë historia?

Jo, nuk mendoj se mjafton ky reagim. Kur një ministër vepron kështu, kancelari ka detyrimin të ndërhyjë. Kurz mund t’i kërkojë FPÖ-së, se  është e pamundur që Kickl të qëndrojë në këtë post duke kërkuar zëvendësimin e tij.

Si e shihni të ardhmen ju si përfaqësues i shtypit austriak?

Ishte inkurajuese të shihje se një pjesë e madhe e popullsisë, pavarësisht nëse e përkrahte qeverinë apo jo, në këtë çështje kishte një qëndrim të qartë. Dhe shumica e politikanëve thanë, “kjo nuk tolerohet aspak.” Por ne mediat duhet të mbetemi vigjilente.

************

Armin Thunher (lindur në 1949) është gazetar e publicist austriak. Ai është botues dhe kryeredaktor i gazetës liberale të majtë, Falter në Austri dhe është nderuar me disa çmime.

Intervistën e zhvilloi Ines Eisele.

Burimi: https://www.dw.com/sq/afera-n%C3%AB-austri-ne-konsiderohemi-si-media-armike/a-45654444

Tags:,

Send this to a friend