Sfidat e raportimit të ekonomisë dhe biznesit në median shqiptare

3 Janar , 2013 • Ekonomia e Medias, Profesionalizmi në media • by

E vërteta është se më shumë se në çdo fushë tjetër, kërkesa për besueshmëri, gjithëpërfshirje dhe saktësi në raportimin e informacionit mbi ekonominë, biznesin apo financën del në plan të parë…

Teksa po shkruaja këto radhë më tërhoqi vëmendjen njoftimi nga spikerja e një televizioni privat për inagurimin e një dege të bankës Crédit Agricole në vendin tonë ku ishte pjesëmarrës edhe kryeministri. Deri këtu gjithçka është Ok, por kur lexon titrat vëren pasaktësi në shkrimin korrekt të emrit të bankës, konkretisht shkruhej Crédit Gricole. Për këdo që ka pak njohuri nga sistemi bankar kjo jo vetëm që do t’i linte një përshtypje të keqe por do të shkonte dhe më tutje me arsyetimin e tij: si ka mundësi që gazetari (ndoshta titrashkruesi) nuk e njihka gjigandin bankar jo vetëm francez por edhe botëror? Nëse ky konstatim nuk do të ishte i vërtetë, pra gazetari ka njohuri nga sistemi bankar, atëherë do të mendojmë se kemi të bëjmë thjesht me një gabim ortografik ose gabim shpejtësie.

Pavarësisht se cili është shkaku i kësaj jokorrektësie në shkrim, pa frikë mund të themi se gara e ethshme mes televizioneve sidomos për të transmetuar atë që po ndodh në kohë reale cënon saktësinë e lajmit. Në fakt shkrimi jokorrekt i emrit të një banke nuk është ndonjë gabim i rëndë (ndokush mund të mendojë se të merresh me gjëra kaq të vogla të medias është luks i madh), biles, po ta masim me kutin e një ekonomisti, kjo të paktën nuk shkakton ndonjë dëm. Por e vërteta është se më shumë se në çdo fushë tjetër, kërkesa për besueshmëri, gjithëpërfshirje dhe saktësi në raportimin e informacionit mbi ekonominë, biznesin apo financën del në plan të parë pasi një pikë, një presje, një zero më shumë a më pak, bën diferencën.

Zhvillimet e mëdha teknologjike veçanërisht në fushën e komunikimit, internetit, e kanë bërë botën më të vogël ku shumë gjëra kanë  ndryshuar  me shpejtësi, por vetëm një gjë jo: ekonomia dhe biznesi. Ato kanë mbetur të komplikuara dhe raportimi në këto fusha përveçse është i vështirë pasi kërkon njohuri specifike shpeshherë mbart edhe rrisk. Çdo ditë gazetarët janë të ekspozuar para mundësisë për keqkuptime, keqinterpretime, etj. Por për shkak të impaktit të madh që ekonomia  ka në jetën e gjithëkujt, të një të riu, të punësuari ose jo, qytetari apo fshatari, pensionisti, intelektuali, biznesmeni, etj. pesha e lajmit  ekonomik duhet të jetë e madhe. Askush nuk mund të jetë një votues i informuar, madje as të lexojë dhe të kuptojë gazetat e përditshme, pa një nivel të caktuar dije të ekonomisë.  Kush mund të planifikojë të ardhmen në të cilën do të jetojmë ne dhe fëmijët tanë pa kuptuar forcat që formësojnë jetën tonë ekonomike? (M.Feldstein) Shumë indikatorë të tillë si normat e interesit, kreditë, çmimet e konsumit, ndërtimet e reja, etj. të cilat i gjen rëndom në lajmet ekonomike, ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi punën, rrogat dhe taksat që paguajmë. Edhe veprimtaria e bizneseve apo korporatave të mëdha mund të na duket sikur nuk ka lidhje me jetën tonë të përditshme, por  vendimet që ato marrin p.sh., mbi vendin se ku do të ndërtojnë  impiantet e tyre, ç’lloj teknologjie do të  përdorin, sa vende pune parashikohet të hapen, llojet e produkteve që do të prodhohen, etj., kanë impakt  të madh në zgjedhjet që bëjmë dhe në çmimet që duhet të paguajmë për produktet e shërbimet  që blejmë. Për të gjitha këto arsye si dhe për shkak të njëlloj mediatizimi të krizës ekonomike, në kohët e fundit rëndësia dhe hapësira që ka marrë lajmi ekonomik në raport me lajmet nga fusha të tjera ka ardhur gjithnjë në rritje. Por historia e shtypit shqiptar (në fakt jo vetëm atij shqiptar) tregon një panoramë të kundërt. Nëse i refererohemi botimit më të fundit të Institutit shqiptar të medias, Faqja e parë (ngjarjet kryesore historike 1912-2012 në faqet e para të shtypit shqiptar) vërehet se ngjarjet ekonomike janë në minorancë kundrejt ngjarjeve politike. Edhe në vitet ’90 dominanca e lajmit politik kundrejt lajmeve të fushave të tjera është lehtësisht e dukshme, thuajse çdo gazetë, edicion lajmesh në Tv apo radio do të hapej me një lajm politik (ndonjëherë dhe nga kronika e zezë) madje edhe në sezonet e verës kur politika ishte me pushime, edhe atëherë kur mungonte lajmi politik ai duhej shpikur. Në njëfarë mënyre lajmi ekonomik për një periudhë të gjatë ishte eklipsuar nga lajmi politik. Kjo shpjegohej nga një varg arsyesh ku sigurisht agenda setting (mediat e drejtojnë vëmendjen mbi disa tema dhe ngjarje të caktuara) është ndoshta më e rëndësishmja. Sot në media ka më shumë lajme ekonomike (të paktën si sasi) e shprehur në më shumë faqe gazetash, web-i, sekondash apo minutash në kronikat televizive, rubrika të veçanta, emisione të përjavshme kushtuar ekonomisë dhe së fundi hapja e një kanali televiziv me fokus ekonominë (Scan TV). Tani është më se e zakonshme që një edicion lajmesh në Tv apo gazetë të nisë me një lajm ekonomik por që ky lajm ta ‘meritojë’ atë pozicion duhet të vishet patjetër me një nuancë politike. Ashtu sikurse vëren Furio Colombo, lajmet ekonomike pësojnë gjithnjë, të paktën në gazetarinë europiane – dhe padyshim atë italiane -, një nënshtrim aspak logjik por të vazhdueshëm ndaj lajmeve politike. Probleme me rëndësi të madhe të përgjithshme si roli i shtetit në ekonomi, ligji financiar, borxhi publik, bilanci i pagesave, interesat që shteti paguan për borxhin, bëhen ‘lajm’ vetëm në periudha debatesh politike mbi vendimet që duhen marrë. Mjafton të përmendim këtu debatin e ditëve të fundit mbi nivelin e borxhit publik në vendin tonë. Përmes medias ky debat erdhi si një çështje krejtësisht politike ku në qendër është përplasja mes maxhorancës në pushtet dhe opozitës ndërsa thelbi ekonomik del në plan të dytë.  Natyrshëm lind pyetja: Po konsumatori, qytetari i thjeshtë a ishte i përfshirë sa duhej në raportimin e kësaj çështjeje? Fatkeqësisht jo. Një qytetari me një formim arsimor e profesional mesatar ka nevojë t’i shpjegohet (dhe kjo është detyrë pikësëpari e gazetarit që mbulon ekonominë) nëse  preken xhepat e tij nga një nivel më i lartë ose më i ulët i borxhit publik dhe nëse po, si? A ka ndikim të drejtëpërdrejtë apo indirekt në të ardhurat personale, konsum, investime, shpenzime, etj.? E njëta gjë vlen të thuhet edhe për raportime të tjera të cilat kanë në fokus kryesisht treguesit makroekonomikë si: niveli i inflacionit, papunësisë, rritja ekonomike, etj., të cilat përveçse shërbejnë si indikatorë të performancës ekonomike të një vendi ndihmojnë qytetarët, bizneset, etj. që të modelojnë sjelljet e tyre. Diskutimet mbi ekonominë bëhen edhe më prezente në media sidomos kur vendi është në prag të një fushate elektorale ose dhe gjatë saj. Edhe në këto periudha të veçanta i ashtuquajturi debat mbi ekonominë sfumohet nga debati politik, ndërsa analizat ekonomike janë të rralla. E gjitha kjo ngjan me një luftë shifrash dhe aspak me përplasje idesh, vizionesh, strategjish.

Ndërkohë, ekspansioni i ekonomisë në media u shoqërua me rritje të kërkesës për gazetarë të aftë në mbulimin e kësaj fushe. Oferta në tregun e punës ishte më e ulët se kërkesa dhe hendeku i krijuar u mbush me reporterë ose të fushave të tjera ose me të rinj pa eksperiencë çka dëshmonte mungesë profesionalizmi. Mungesa e njohurive të gazetarit ndonjëherë ishte aq e dukshme saqë jo rrallë ndodhte që në një artikull, X shumë e caktuar herë të shprehej në dollarë, herë në euro ose lek pa marrë aspak në konsideratë kursin e këmbimit. Përsa i përket aspektit përmbajtësor, ndërsa bumi i lajmit ekonomik në shtypin e huaj është shoqëruar me zhvendosjen e theksit të lajmit nga politika ekonomike, njoftimet e bizneseve, korporatave të mëdha drejt lajmeve rreth financave personale, këshillave për investime ose për ngjitje të shpejtë në karrierë, në shtypin shqiptar duket se ka një ngecje në këtë drejtim. Nëse lexuesit, shikuesit apo dëgjuesit (të gjithë konsumatorë) njohin institucione të tilla si: bankat, kompanitë e sigurimeve, etj., pak prej tyre arrijnë të kuptojnë se si operojnë këto instuticione, si sillen apo edhe si mund të abuzojnë. Kur gazetari ndërton lajmin duke u mjaftuar me prezantimin e disa tabelave, grafiqeve, shifrave të thata me shumë zero nga mbrapa (të marra ndonjëherë vetëm nga një burim zyrtar) e të pakuptueshme nga një lexues i thjeshtë, ai s’ka bërë asgjë veçse e ka ngatërruar dhe më shumë lexuesin. Në qoftëse se më parë pjesa ekonomike ishte për shumicën e lexuesve të gazetës një libër i mbyllur me shtatë vula, sot raportimi ekonomik, thotë redaktori i revistës “Manager” Wolfgang Kaden, është kthyer në një gazetari utilitare. Sipas tij, shumë lexues marrin mundimin e të lexuarit vetëm kur nga sforcimi që bëjnë del ndonjë përfitim personal: shanse më të mira për karrierën, fitime të shpejta në bursë, avantazhe me taksat,etj., (Referat i Wolfgang Kaden pranë fondacionit Friedrich Ebert).

Përveç sfidave që ofron ushtrimi i gazetarisë si profesion, gazetarët e biznesit për shkak të fushës që mbulojnë përballen me pengesa ekstra në raport me kolegët që mbulojnë fusha të tjera. Disa studiues të medias theksojnë se biznesi dhe shtypi kanë qëllime rrënjësisht konfliktuale. Sipas ish  redaktorit të Fortune, Dan Seligman, një drejtues korporate nuk kërkon gjithmonë të vërtetën e pastër mbi ndërmarrjen e tij dhe s’është e thënë të kërkojë mbulim mediatik që është gjithëpërfshirës, i menduar dhe i drejtë. Ka një përplasje të pashmangshme midis një korporate që është e interesuar për imazhin e saj publik dhe gazetarit i cili kërkon të shkruajë një artikull. Por çështja e reklamave është më e nxehta. Shpeshherë gazetarët e biznesit ndodhen nën presion nga redaktorët që të mbajnë qëndrime më miqësore kundrejt bizneseve që kanë reklama në median e tyre duke prodhuar kështu një lloj autocensure. Gazetari e di mirë se në çfarë terreni nuk duhet shkelur. Nëse kjo ka ndodhur, pra gazetari me shkrimin e tij ka cënuar interesat e biznesit, atëherë ai e ka paguar me gjobë ose me largim nga puna. Vlen të përmendim këtu rastin e një gazetari të cilit iu desh të paguante gjobë pasi kishte bërë një kronikë me përmbajtje kritike ndaj kompanisë CEZ që kishte reklamë në kompaninë mediatike ku ai punonte. A do të guxojë më ky gazetar të bëjë shkrim kritik apo me përmbajtje negative ndaj një kompanie tjetër? Besoj se jo. Por kompanitë e mëdha mediatike të cilat kanë bazë të gjerë reklamash mund t’i përballojnë më me lehtësi presionet ndërsa për gazetat, radiot ose kanale të vogla televizive, sidomos për median lokale, kërcënimi financiar do të ishte vërtet serioz. Nga ana tjetër, nëse në shtypin e huaj bizneset ushtrojnë trysni ndaj medias duke tërhequr reklamat,  në vendin tonë ndodh që edhe kompani të fuqishme mediatike ushtrojnë presion ndaj biznesit nëpërmjet artikujve kritikë si një mënyrë për të kërkuar reklamë. “Nëse ka kritika ndaj Albtelekom-it ose ndaj ndonjë kompanie tjetër celulare, kjo ndodh vetëm për shkak se media ka për qëllim të marrë disa financime”, thuhet ne raportin e Media Sustainability INDEX, Albania, 2012.

Ndërkaq, shfaqja e ‘produktit’ të ri mediatik, reklinion-it (reklama informative+opinionin e sponsorizuar) ka sjellë shkatërrimin e kufirit tradicional mes reklamës dhe opinionit. Reklinionet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në media, madje shpeshherë ato  vijnë në forma banale çka  bën që të humbasin deri diku misionin e tyre. Nëse gjykojmë pak me thellë, reklinioni shfaqet si një teknikë më e sofistikuar e biznesit kundrejt shtypit. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe rolin e advertorialit. Ndërsa interneti ka krijuar hapësira të reja për reklamën dhe gazetarët e biznesit.  Sipas opinionistit të Business Week, Mike France, ndryshimi thelbësor në mënyrën se si media fiton para ka mundësi të ndryshojë mënyrën se si mbulohen lajmet nga ana mediatike. Sa më shumë shtypi të përfshihet në biznesin e shitjes së produkteve, aq më e vështirë do të jetë të kritikohen këto produkte, dhe kompanitë të cilat i prodhojnë ato. Tregtia elektronike do t’i shtyjë gazetarët të bëhen miq me ata që bëjnë reklamë në mënyra të cilat nuk i kanë menduar më parë.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend